Frederick Turner: ODE ATYRE QË I DUAN TË TJERËT, Sonete. Përktheu: Gjekë Marinaj

Frederick Turner u lind në Northamptonshire, Angli, në vitin 1943. Pasi kaloi disa vite në Amerikën Qendrore, ku prinderit e tij Viktor W. dhe Edith L. B. Turner po bënin kërkime shkencore, Turner u edukua në Universitetin e Oxford-it (1962-19670), ku fitoi gradët B.A., M.A, and B.Litt. (një gradë ekuivalente me Ph.D.) në gjuhën dhe letërsinë angleze. Turner u natyralizua si qytetar amerikan në 1997-ën. Ai është Profesori Themelues i Arteve dhe Humanitetit në Universitetin e Teksasit, në Dallas, por që ka mbajtur pozita akademike në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara, Kenyon College, dhe në Universitetin Exeter në Angli. Nga viti 1978-82 ka qenë redaktori i revistës The Kenyon Review. Turner është i martuar që nga viti 1966 me Mei Lin Turner (redaktore periodikes letrare née Chang) dhe ka dy djem. Deri tani ka botuar 61 libra, për të cilat është nderuar me disa nga çmimet më të rëndësishme letrare amerikane dhe internacionale.

ODE ATYRE QË I DUAN TË TJERËT

Ju kapa letrash në dosje të brishta
Jeni të gjitha të denja në vetvete.
Vesh-qene, të ndotura nga vaji i gishtave,
Ëndërroni këtu në raftet plot heshtje.

Tensioni në molekulat tuaja diçka tjerrë
I detyruar nga shanset kote të botes
Shtynë përpara kundra trashamanëve të tjerë
Tërhequr poshtë nga pisllëqet e trasha të tokës.

Ndonëse nga bukuria s’jeni gjigante
Ju jeni nga gjerat që mbijetojnë kohën
Ne morëm kafkën e drunjtë dhe elegante
Dhe si drithë e bluam imët në një mokër,

Dhe akoma shpirtrat tek rafti i mbani në zi
Të shtypur dhe të rishkruar plot mund,
Askush nuk ka guxuar, veç kjo poezi,
Të thoshte se ai qe i dashuri juaj gjer në fund.

PËR TË GJITHË MIQTË E MI

Atë ditë do të kemi kohë të bredhim gjatë gjithë ditës,
Të pimë gjatë mbrëmjes pa u dorëzuar tek dehja,
Shëtitje nëpër mërgatë dhe zgjedhje patëllxhanëve më të shëndoshë,
Lexim e rilexim të dorëshkrimeve të njëri-tjetrit,
Gatime drekash të ndërlikuara me lëng mishi,
Të çajmë kërcoj pranverorë dhe t’i pjekim në zjarr,
Të vizatojmë portretet e njëri-tjetrit, të mbarojmë argumentet,
Të qesin fall, të lëmë shënime në fotografitë e vjetra,
Të tallemi me absurditetet më të këqija të njëri-tjetrit,
Të mos përpuqemi gjer në dhunë rreth filmave dhe dramave,
Dhe të zgjohemi në agshol, të mbathim çizme rrugore.
Dhe në atë vend, miqtë e mi shumë të dashur,
Do të jenë maje malesh dhe bregdete dhe peme dhe fllade,
Dhe teatro të vogla dhe çifligje,
Dhe pëlhurëzat që mbulojnë verandat e errëta,
Dhe ullishtat dhe palmat dhe fushat e grunjta.
Ky do të jetë vendi i kohës së lirë, vendi i vdekjes,
Rrethina e ëmbël e jetës së përhershme.
Ylli që e ngrohë do të ndezë orbitën gjigante,
Hëna e së cilës është ky vend. Miq, deri atëherë,
M’i falni udhëtimin lodhës dhe rrugët e mia të mbrapshta,
Letrat e mia të rralla dhe të nxituara, detyrimet e mia,
Larg-qëndrueshmërinë, përpëlitjen e syve.
Unë nuk i kam harruar gëzimet e vjetra.

NË VILLA BORGHESE

I

Prapë, ky terror i pasdites sonë,
Shatërvan në pikim, dhe diell i heshtur;
Le të vijë kur të vijnë, herët a vonë,
Unë do të rrijë diell-pikuar, i vetëm dhe i boshatisur.

Statusi i pastër dhe i bardhë në qiellin Roman,
Bulevardet e hijeve në narkolepsi;
Një maskë tragjike mermeri, në çmenduri, i fiksuar jam:
Një pafundësi, përsosmëri, një kolonadë pa shtëpi.

Tashmë e kam humbur rrugën. Fuqia kthehet në dhimbje.
Vetmia rritet, tek jam në shoqëri, ose më vetëm.
Por tanimë kjo është mbetja peng e shpirtit,
Ku shkujdesja percepton rininë në përsëritje,
Duke u valëvitur si zogjtë e hutuar në pishat Romane,
Të çmendur, të lirë, gjakderdhës ndërmjet faltoreve.

II

Shurdhimi i Romës; unë shtyj penën paralitike
Prapë mbi letër, ku zëri im është fshehur,
Atë ushtimë nimfe të dëbuar tej një toke
E humbur përgjithmonë, prapë përgjithmonë të ndaluar.
Romë e ëmbël, unë mund të flas vetëm heshtje:
Pezullimi aromatik i Aventinës,
Qetësia e rrugicave të çarjeve të ftohta,
Trullosja e mesditës së Palatinës së shkatërruar.
Unë mund të flas vetëm rreth zbrazësive dhe boshllëqeve;
Rrjedhës së heshtur të Tiberit, shkëlqimit të mbrëmjes,
Gushave të bardha të princeshave Romake
Në jehonë të gjysheve të tyre të së kaluarës,
Bardhësinë e verës së kulluar Albane,
Për letrat që tej-gjurmon gjurmët më të errëta.

III

I kam thënë të gjitha ato që dëshiroja të thosha.
Çfarë është jeta ime atëherë, tani kur të gjithë
Duan të blejnë zërin tim, kohën time, ditën time,
Tepër vonë, ndoshta, kur gjithçka është e thënë?
Në mos është gjithçka ç’më ka mbetur, vetëm gëzim?
Paraja më ndjekë përtej ëndërrimit,
Pa ngushëllimet apo mallkimet e stresit,
Shëndeti i lig, tani për tani ka ndalur, inati i është mpirë;
Duhet të jetë kënaqësi, kam frikë, pushimin që vjen,
Liria e këtij qyteti pafundësisht të artë,
Kutia e tij oleandër që ëndërron ndërsa zgjuar,
Të një milion shijet e lumturisë së dukshme,
Shatërvanët “duke rrapëlluar pikën e konvergjencës
së vijave paralele,”
Pamundësinë zhgënjyese të tij—

Përse, atëherë, ky acarim është vërtet keqardhje ?

E SHTUNA E MADHE

Prapë një zot shkon nëntokë,
Duke i kallëzuar një bote që kurrë s’mëson të shohë,
Që i gjithë autoriteti është i blerë dhe i kufizuar
Nga gjaku pafolur dhe agonia.

Mëshiroi të gjithë mbretërit dhe presidentët.
Nëse nuk e kanë paguar deri tani, do e paguajnë.
Falua arrogancën, pazotësitë,
Dhe deri sa të jetë një mëkat, ju duhet të bindeni.

Mite të blera duke lënduar gjuhën,
Trajton me memecëri të gjitha perlat e botës
Një vrull i shtyrë nëpërmes enëve të mushkërisë
Thyen heshtjen në copëzat më të çuditshme.

Shpirti i botës shtypur tek varri juaj,
Si mund të jetoje me atë faj të llahtarshëm?
Ah, mbreti, që tani shijon dënimin tënd të pafund,
Si e duroni botën që ai ka ndërtuar?

Përtej një hemisfere dhe luleve
I skuqur nëpër kontinente në të dardhë dhe të kuqe:
Gjuhët e tokës, të ushqyera me freskinë e shirave
Të gjakut të bardhë të mbretit të mirë që është i vdekur.

NË LIGJIN E GIBBSIT

Nëse solucionet e nxehta, te ngjeshura,
Vendosen në një enë qe të ftohen,
Kristalet rrezatuese do të kthehen në një precipitat
Në një pluhur jo më i trashë se një molekulë;

Ku ftohja e ngadaltë e natës,
E kalon buzën e ngrirjes
Yjet shkëlqejnë aq të prehtë dhe të ndritur,
Sa lule-ngricat në puçikë;

Gazi i parë që qe në botë,
Të lehtësojnë nxehtësinë dhe presionin e lindjes,
U ngri në forma tek çmbështjelli:
Galaktikat yjore, në tokën e gjallë;

Kështu trysnia e shtynë këtë ekstazë të kristaltë,
Këtë bymim të artit dhe orës,
Ku rregullat gremisën nga vallëzimi
I vdekjes së rrokjeve dhe formës së luleve.

STUHIA E DETIT VERIOR
Zuidzande, Zeeland, Gusht 1993

Për Marleen Cauwelaert

Kur murrlani fryn përtej bregut, pranë bankinës së fryrë,
Fundi i një qosheje, fillimi i një tjetre.
Mot fundshekulli.
Përplasur nga strehët, nga flakja
Një degë e këputur në inventarin e oxhakut,
Herë pas here.
Ne e dëgjojmë në tavanin e dhomës, dridhje dhe krismë,
Sekret, i padukshëm, bisedë e detit.
Pëllumbat e mëngjesit gjejnë strehë në çati.
Herë pas here ata e përsërisin këngën:
Është kështu, Tukturuu,
Është kështu, Tukturuu.
Miku im dhe unë po projektonin shekullin që po vjen.
Kur murrlani fryn përtej bregut pran bankinës së fryrë
Një degë nga pjeshkat e pjekura, përtej qiellit;
Heziton, ngjitet, noton përtej dhe rrëzohet.
Molla e stërmbushur me kokrra,
Mund vetëm të curulatet dhe tundet.
Në gjithë këtë potere të frikshme
Diçka me siguri do të rrëzohet dhe vdesë;
Diçka me siguri do të vijnë në jetë
Stuhia përplaset tek muret.
Bari në bankinë është i fryrë në një drejtim.
Harku i vogël shkëlqen
Me gjelbërimin, me gjelbërimin poshtë qiellit të ftohtë gri.
Është vërtet kështu, Tukturuu.
Diçka po zgjatë veten në zgjim.
Murrlani që frynë detin verior

Do na fryjnë të gjithëve prej këtej,
Kur murrlani fryn përtej bregut pran bankinës së fryrë,
Nga dita në natë nga nata në ditë.
Është vërtet kështu, Tukturuu.
Është vërtet kështu, Tukturuu.

GJATË VDEKJES SË NJË MIKU

I

Qëndrova me të, i recitova pa dobi poezi.
Nuk e pashë të zgjaste dorën për fletët.
Ajër kondicioneri ia kishte ftohur këmbët.
Jetët tona u dukën të zbehta, palindrome pakuptim.

Si thithëlopa kërcyen fantazitë në trupin tim:
Ndoshta më pat lënë diçka në testament.
Është një inat i dyfishtë, i pa perceptuar si lëngim,
Sa kundra vetes aq edhe sëmundjes së tij.

Asgjë nuk është fisnike në mua. Larg mëndësh,
Çmova vetën për vizitën që i bëra të sëmurit,
Duke përsëritur të gjithë retorikën e krishterë
Shihja vetëm gogësimat e vuajtjeve të tij.

Përse nuk e ndjej shërimin e ngutshëm të pikëllimit?
Nga kjo mavijosje, rëndesë topitëse nuk ka lehtësim.

II

Miku im vdes. Stivat e punëve që kam lënë pas rriten.
Lexoj gjatë ditës gazetën, plot lajme tronditëse.
Familja ime është shmangur nga pikëpamjet e mia.
Uji i jetës ka shijen e një tasi me jargë.

Djali im muajin që vjen niset për në luftë.
A thua e kam inkurajuar unë të vishet ushtar–
Unë, sentimentalisti heroik?
Në çfarë budallallëku kam mbet pa u përfshirë?

Edhe imagjinata ime i është dhënë shterjes,
Frymëzimi i poezisë time ka ngelur te kërkimi për rimë,
Armiqtë e mi janë koha dhe mungesa e kohës,
Tepër shkurt të ndërtosh, tepër gjatë të presësh të vdesësh.

Madje edhe keqardhja për veten është më e mirë
Se kjo konsideratë e ftohtë e këtij njeriu.

III

I vetmi vend të ikësh është prapë më larg.
Herën e fundit që pata ngrënë jashtë me mikun tim
–ai nuk e ngiste dot më makinën, jo shumë larg fundit—
I tregova një ëndërr, nga ato që nganjëherë miqtë tregojnë:

Një nga ato ëndrrat që je në kërkim për strehim
Mes kodrave dhe qyteteve të panjohura, ke humbur rrugën,
Dhe zemra të dhëmb, dhe aty nuk ka vend të futesh.
Dhe shkumat e njelmëta të lumit të mbushur tërbim.

Ai më bëri pyetje, dhe sytë e tij të kaltër e plot mençuri
Panë brenda të fshehurave të mia dominuar nga frika.
“ Nuk u ndjeve i gëzuar në atë vend të vetmuar?
Përse nuk tregoni të vërtetën: ti qe dashuruar me ata qiej,

Rrugët e huaja, madje të dridhurat e ndruajtura të zemrës.
I vetmi vend të ikësh është prapë më larg.”

APOLOGJI
—një miku—

Sa e hidhur të gjesh pas kaq vitesh
Njeriun me virtyte më të pastra se një kambanë ari
Sepse, ndoshta, është tepër vonë për mua tani,
Besimin ta përdor më zgjuar ndaj të tjerëve:

Sepse sa herë në mënyrë të pamenduar,
E ndjej se e kam provuar, me gjykim të vrazhdë,
Me kurthe të vogla që nuk e dija se ia kam vënë,
Me mburoja ndaj çiltërsisë time për vetveten.

Nëse dikush më provokon ashtu, menjëherë
Ja shkund pluhurin, duke i kërkuar besimin
Që unë kurrë nuk ia dhashë njëherësh dikujt tjetër:
Me jep ndjesë, mik, mëshirë për ku kam qenë.

Apo është boshllëku ime ai që ma gërryen shpirtin
Ta njoh atë si vlera e orëve të mija pavlerë?
Si është e mundur ky njeri të admirojnë dikë që jeton
Një të pastrehë brenda një guaske publike?

Ju kini qenë një jatagan në këto kodra të largëta
Ju keni qenë fajkoni gri në fluturim i këngëve,
Ju e mbajtët të padredhur kupën tuja të dritës
Përmes kështjellave, zhdukjeve dhe përhumbjeve:

Ju i treguat të vërtetën fuqisë dhe ajo u tremb;
Ju u ulët në kërrigën e fundit të dhomës;
Ju nuk e lejuat poezinë të dorëzohej e vobektë;
Ju jeni ylli që ngrihet atje në lindje.

ËNDRRA PËR MARSIN

Prapë ëndërrova mbretërinë e hirshme të marsit.
Kishte rënë dëborë, më kujtohet, tek sillej mekanizmi i bravës,
Përgjatë lëndinave të egra ndërmjet qyteteve.
Rruga qe e penguar me pirgje,
Kështu m’u desh ta shtyjë biçikletën
Përmbi hekurudhën njëshinshe.

Por ky qytet qe i ngrohtë dhe i shndritshëm,
Si fund-vera në tokë.
Pemët po i kthenin në të portokallta sythet,
Kështjellat e bardha dhe të gjelbërta me kupole të arta,
Kornizat e tyre të mermerta dhe qemerët e argjendtë
Të mbartura në lëkurëza të rënda prej bakri
Marka e kompanisë së hekurudhave njëshinshe,
Shenjat e dyqaneve të pajisjeve ajrore dhe librarive.
Fluturime hapash zbresin poshtë mbi pazar
Ku turmat derdhen ose ulen në kafetë natyrore.

Dhe pastaj aty qe një lagërimë vere.
Qielli lart si një kupëz e largët
Ziente nga retë në bojë hiri të theksuar:
Njerëzit për të gjetur strehim vërshuan.
Unë mendova për hapësirën përtej kupës qiellore,
Sa e çiltër the e lemerishme qe,
E lëmuar në nderjen e saj të pandryshkur,
Mbi tokën bojëkafe, bojëokër.

TE QAFA E PRAUTËS, MAINE

Kush i stolisi këta gurë të bluar imët vetëm kështu?
Kush u dha jetë me kaq qejf boronicave?
Kush ia ndaloi rritjen pishës, kush e ndezi ashtu
Çiltërsinë kaq vajzërore të trëndafilave?

Rrëshirës së shlyer, virgjërisë së luleve të freskëta,
Guralecëve të lumit që kërcasin si ksilofon,
Manushaqeve të shkruara me vijoska të qelqta,
Shtat-lartësinë e padëshiruar kush ua ndalon?

Kush ia jep gjelbërimit brilant epërsinë
Valëvitjen degëve, si fletë të hapura ftese,
Që pas pak tjetërsohen në një ëmbëlsirë
Dhe kthehen shijshëm në një tortë martese—

Që e lyen gjithësinë me një shkëlqim blu?
Gjithë at’ mahí e keni bërë ju. Ju, të gjithë ju.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here