Frrok KRISTAJ: HISTORIA E FLAMURIT KOMBËTAR NË ZYM TE HASIT

Lëvizjet e popullit për liri kombëtare, për gjuhë e për shkollë, nuk kanë pushuar asnjëherë në trojet shqiptare e as në Zym të Hasit. Në këto lëvizje rol të rëndësishëm ka luajtur kisha, që përherë ka qenë afër popullates ku ka vepruar.
Në kohën e shërbimit në Zym të famullitarit patër Pashk Prela e pas tij patër Marjani, por edhe të mësuesit shkodran, Fran Gaspër Lufit dhe të Pal Lumezit, gjatë viteve 1912-1920, janë bërë lëvizje të konsiderueshme në aspektin kombëtar.
Në fakt, në janarin e viti 1913, patër Pashk Prela dhe mësuesi Fran Gaspër Lufi, e tubuan popullaten e Zymit dhe të rrethinës për ta ngritur Flamurin Kombëtar Shqiptar në shenjë të përkrahjes së Pavarësisë së Shqipërisë të shpallur në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Me atë rast patër Pashku e kishte ngritur Flamurin Kombëtar në kambanarën e kishës si dhe e kishte përshëndetur Qeverinë e Vlorës si të vetmën qeveri të ligjshme të të gjitha viseve etnike shqiptare. (Jaho Brahaj: “Flamuri i Kombit Shqiptar”, Tiranë, 2002, faqe 166, dhe Gazeta “Shqiptarja”, Tiranë, 9 korrik 2019).
Do përmendur se për ngritjen e Flamurit kombëtar Shqiptar në Zym, autoritetet civile dhe ushtarake serbe e përcjellnin kudo pater Pashk Prelën.
Nga ana tjetër një person i besueshëm i konsullit austriak kishte dëgjuar se patrullat serbe tashmë kishin marrë urdhër të mos e lejojnë pater Prelën të qëndrojë në territorin e kontrolluar nga serbët dhe po e bëri këtë, ai do të sillej i lidhur në Prizren. Konsulli Kohlruss shkruan në raport se nga një burim i besueshëm kishte marrë vesh se komandanti i këtushëm i stacionit të policies serbe, koloneli i artilerisë Açimoviq, përmes bashkëpunëtorit shqiptar Mahmud Zajmi, po kërkonte një person, i cili për një shumë të hollash do ta vriste priftin Prela.
Oferta për ta vrarë Prelën iu bë Lleshit të Cilës nga Zymi, i cili e hodhi poshtë kërkesën dhe për këtë e njoftoi priftin Prela dhe ipeshkvin Mjeda. Por ofertën e pranoi një person që konsulli e prezanton me emrin Prendi i Davos, që ishte vrasësi i Gjetë Cokut, i cili para pak ditësh kishte ardhur nga Mirdita në Prizren. Fakti që ky i fundit, pra Prendi i Davos, ende nuk ishte përpjekur ta vriste priftin Prela, kishte të bënte me rrethanën se prifti i përmendur ruhej nga një grup besnik ndaj priftit, që ishin të armatosur, ndërsa nga ana tjetër Prendi i Davos, i cili ishte mirditor, ngurronte të kryente vrasjen pa e marrë miratimin e Prenkë Pashës.
Në vijim të raportit të tij konsulli austro-hungarez shkruan se: “Kishte dëgjuar që koloneli serb Açimoviq e kishte përgatitur planin që, nëse nuk arrin ta vrasë priftin Prela përmes Prendit të Davos, t’i nxisë disa kaçakë që te Liqeni i Zymit të hapin zjarr kundër rojeve malazeze të karakollit kufitar, përkatësisht serbe dhe kështu t’u jepej atyre një shkas për të hyrë në Zym për ta vrarë priftin Prela.
Konsulli shkruan se për këtë e kishte njoftuar zyrtarisht përfaqësuesin e naçallnikut serb, i cili ishte i sëmurë. Përfaqësuesi i naçallnikut kishte thënë se nuk ka dëgjuar për plane të tilla. Por, konsulli nënvizon se nuk i besonte zyrtarit serb se qeveria lokale është e njoftuar për këtë aferë, madje mund të jetë edhe e involvuar në planet për vrasje.
Përballë rrezikut, ipeshkvi pas këshillës së konsullit e kishte autorizuar priftin Prela të braktiste Zymin dhe të shkonte në një kishë në Shkodër. Imzot Lazër Mjeda dëshiron që në funksionin e tij (Prelës) ta emërojë një meshtar françeskan dhe për këtë e kishte ftuar me telegraf pater Belushajn nga Gjakova që të vinte në Zym. Mbetet të shihet nëse pater Belushaj do të marrë leje nga autoritetet malazeze për të kaluar kufirin. (Facebook, 12 maj 2021).
Më pastaj, sa i përket Flamurit, sipas kujtimeve të zymjanëve del se: Patër Filip Palaj, më largimin e ushtrisë sërbo-malazeze, më 19 prill 1941, vendoset që të nesërmën, më 20 prill 1941, ditë e dielë, që të ngritet Flamuri Shqiptar në Stacionin e Gjindarmërisë, në Zyren e Millan Stojanoviqit dhe në kambanaren e kishës, që ishte e vendosur në çelenë e kishës.
Në anën tjetër, për t’i vërtetuar të dhënat për ngritjen e Flamurit në Zym, do të shënojmë deklaratën e Tahir Sallah Hamelit, ku thotë: “Ishte 28 nëntori i vitit 1946. Isha komandant i policisë në Zym. Qëndronim në një dyqan në Zym. Planifikoja një befasi të këndshme për shokët. Meqenëse unë e dija se Bajram Curri në kohën e tij ia kishte dhuruar një Flamur Kombëtar Mikel Gegë Kolgjerat e ky i fundit në kohën e tij, atë Flamur e kishte fësheh nën rrasën e një varri në Varrezat e Sh’Masjanit (shën Sebastianit) në Zym, tani doja që ta shpalosim Flamurin Komb;tar. Dhe kështu vepruam. Shkuam te ato varreza dhe vërtetë e gjetëm Flamurin Kombëtar nën një rrasë guri të varrit të Mikel Gegë Kolgjerajt. E morem Flamurin dhe zbritem në qendër të Zymit dhe e festuam 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit. Dhe pastaj nga Zymi zbritem në fshatin Gjonaj. Edhe atje festuam… Të nesërmën më ftoi Komanda e Qarkut të Policisë në Prizren, ku ma shqiptuan masen disiplinore të shkarkimit nga detyra e komandantit të policies në Zym, por më caktuan polic të thjeshtë në Prizren”. (Bajram Bytyçi, Enver Batiu: “Tahir Hameli në kërkim të lirisë”, kujtime, Prizren, 2004, faqe 88).
Kësaj Levizjeje, në ushtrinë vullnetare nga viti 1912 e këndej iu përgjigjën edhe shumë zymjanë të prirë nga Mikel Gegë Kolgjeraj, i cili kishte punuar bukëpjekës në Gjakovë, nga edhe e kishte njohur Bajram Currin, me të cilin edhe kishte pas bashkëpunim të ngushtë. Madje Bajram Currin e kishte pas shpesh edhe mysafir në shtëpinë e vet në Zym. Për këtë afri Bajram Curri ia kishte dhuruar një Flamur Kombëtar, të cilin Mikeli e kishte ruajtur me xhelozi.
Të shtojmë se fshati Zym më 6 dhjetor 1941 e kishte themeluar shoqërinë fetare “Shna Ndou” me në krye patër Filip Palaj, kryetar, që e kishte nxjerrë Flamurin e Zymit me mbishkrimin “Rrnoftë Shoqnia Shqiptare – Rrnoftë Shoqnia e Zymit”!

Legjenda:
10. Zbulohet pllaka për ngritjen e Flamurit Kombëtar në Qelenë e Kishës së Zymit, në përkrahje të ngritjes së Flamurit në Vlorë
2. Në oborrin e Kishës së Zymit mbjellet Druri I Flamurit