Fshati zviceran Blatten, një lazdri e natyrës, tradhtuar nga trillet e natyrës- Reportazh nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

Fshati zviceran Blatten, një lazdri e natyrës, tradhtuar nga trillet e natyrës- Reportazh nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

Një kronikë e paralajmëruar: Ishte ora 15.24 e 26 sekonda e së mërkurës, 28 maj 2025, kur Shërbimi Sizmik Zviceran i ETH në Zyrih regjistroi lëkundjen me magnitudë 3,1 në Goppenstein të kantonit të Valesë. Epiqendra ndodhej në Ferden, aty ku e ka daljen tuneli hekurudhor i Lötschbergut. Në të njëjtën kohë, rreth 9 kilometra larg një masë kolosale reje të murrme mbuloi komunën më të madhe të luginës Lötschental. Fshati Blatten, me shtëpitë e tij karakteristike prej drurit të nxira nga dielli, nuk është më. Varrosur nga 9 milionë metër kubë akulli, dherash dhe shkëmbinjsh që rrëshqitën nga mali.
“E papërfytyrueshmja ka ndodhur. E kemi humbur fshatin tonë,” deklaroi Mayoraz, kreu i Shërbimeve të Rrreziqeve Natyrore të Kantonit të Valesë. Ndërsa kryetari i komunës Matthias Bellwald me dëshpërim konfirmon “Skenari më i keq tashmë ka ndodhur.” Këshilltarët federalë Albert Rösti dhe Martin Pfister japin konferencë shtypi në palestrën e Ferden: “Natyra është më e fortë se njeriu, ajo ka ligjet e veta, por ne do të bëjmë atë që duhet bërë.” Janë ngritur në këmbë Departamenti Federal i Mjedisit dhe Transportit dhe Departamenti Federal i Mbrojtjes. Edhe ushtria është e gatshme të ndërhyjë. Vetë presidentja e Konfederatës Karin Keller-Sutter, e cila gjendej në Irlandë, rikthehet të premten pasdite, nga dritarja e vogël e helikopterit vështron nga afër katastrofën natyrore.
Nga 14 maji, kur një ortek i vogël prurjesh ndalet 500 metra larg lumit Lonza, jashtë fshatit, lartësitë e Blattenit ishin vënë nën mbikqyrje të pandërprerë, për shkak të shenjave të një rrëshqitjeje masive. Kjo ndodh në kuotën 1540 metra mbi nivelin e detit, por mina me sahat gjendet shumë më lart. Kleines Nesthorn është duke u zhgalitur, në kuotën 3341 metra mbi nivelin e detit, një majë nën kreshtën 3 9 34 metra të Bietschorn, quajtur edhe Mbreti i Valesë. Orteku i vogël ka lënduar edhe akullnajën Birchgletscher, e cila prej viteve 1990 ishte nën vëzhgim të veçantë, kur dy ortekë bore dhe akulli shkaktuan dëme. Nga 2019 pjesa ballore e akullnajës vjen duke u bymyer dhe duke u trashur ndjeshëm. Falë edhe këtij vëzhgimi nga Universiteti Politeknik i Zyrihut autoritetet kantonale kanë të dhëna të bollshme që të marrin vendime të shpejta.

Mbrëmjen e 17 majit evakuohen banesat në jug të lumit, të parët janë 92 banorë dhe 16 turistë. Tashmë pushtetin në komunë e merr Shtabi Qendror Kantonal i Urgjencave. Edhe me sy dallohet se situatat janë duke u përshpejtuar. Nga helikopterët mund të dallohen me hollësi thellimet e plasaritjeve në akullnajë.
Më 19 maj, në lajmet e orës 18.00, në televizionet zvicerane ia behu për së pari lajmi i frikshëm: Një rrëshqitje dheu e kërcënon fshatin Blatten. Popullsia u evakuua menjëherë. Prej asaj date në televizionet e këtushme, në mediat e tjera të këtushme, në televizionet e vendeve fqinje dhe mediat e tjera të atjeshme, do të jenë të pranishme lajme të tilla me tituj rrënqethës si “Blatteni me frymë pezull për shkak të rrëshqitjes së dheut” apo edhe më ngjethës si “Rrëshqitja e dheut të Blattenit na ndihmon të kuptojmë si lëvizin malet”, të cilët bëhen edhe më të dendur, për të arritur kulmin më 28 maj, me titullin e bujshëm “Akullnaja mbi Blatten është dorëzuar”, diçka si me thënë, “Akullnaja mbi Blatten e ka lëshuar shpirtin”.
Urdhëri për evakuimin e plotë të popullsisë, nga rreth 100 shtëpitë e fshatit, erdhi në mëngjesin e 19 majit. Ata vendosen kryesisht në banesat private të fshatit fqinj Wiler. Zëdhënësi i Shtabit Qendror, Matthias Ebener, bën të ditur se rreziku i rrëshqitjes madhore është i afërt. Shenjat e rrezikut bëhen më të shpeshta e më të dukshme. Nga Alban Brigger, inxhinier i Shërbimit Kantonal të Rreziqeve Natyrore, arrijnë shifrat e para të vëllimit të rrëshqitjes masive. Më 20 maj inxhinieri jep shifra të reja. E panjohura më e madhe e pritshme është fryrja e tepëruar e lumit Lonza nga mbushja me lëndën e zbritur nga mali. Por është ngushëlluese diga në Ferden e cila mund të bllokojë një vëllim prej 800 000 metërkubësh uji, duke shmangur dëmet e mëdha në luginë.
Blatten është një nga bukuritë zvicerane nëpër lugina dhe shpate që po tradhtohet nga malet. Kjo po ndodh në një vend sa tolerant aq dhe i përkujdesur ndaj natyrës, si asnjë tjetër, siç është Zvicra. Masa prej dheu e gurësh u shkaktua nga akullnaja Birch në shpatet e malit Kleines Nesthorn, 3 342 metra mbi nivelin e detit, i cili, sipas gjeologëve, kohët e fundit ishte disi i lëkundur, ndërsa rënia e shkëmbinjve u përshpejtua në 10 ditët para rrëshqitjes. Fati i Blattenit i ka tronditur edhe fshatrat e tjerë përgjatë luginës Lötschental, me rreth 1 500 banorë, të quajtur lëçer, një rajon ky i mbrojtur si Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 2002 (pra, edhe zyrtarisht një bukuri botërore), i përshkuar nga lumi Lonza, i rrethuar nga më shumë se njëzet maja tre mijë metra të larta. Qafa e Lötschen në veri, thonë enciklopeditë, e cila ishte në përdorim që në Epokën e Bronzit, e bëri Lötschentalin të rëndësishëm si një rrugë tregtare deri në periudhën e hershme moderne. Sot lugina, sipas këtyre burimeve, është e njohur kryesisht për transportin e makinave deri te transporti hekurudhor përmes tunelit Lötschberg dhe si një destinacion turistik.

Gazeta e madhe Bild, nisur nga mbresa që ka lënë në shkëmbin nga u shkëput akullnaja pas qindra a mijëra vjetësh, përmes metaforash të bujshme e përshkruan ndodhinë si një hakmarrje të Mbretit të Akullnajës ndaj fshatit të vogël me shtëpi druri të nxira nga koha, “si një post i fundit i përparuar i qytetërimit në një hinkë të thellë të Alpeve”, në kufijtë e të cilit qëndonte natyra e egër. Në tërësi, deri të premten nga Lugina ishin evakuuar paraprakisht 365 veta, banorë dhe turistë. Mbase, metaforizon “Bild”, fytyra e babëzitur e Mbretit të Akullanjës, është vetvetja jonë e parë në pasqyrë.
Nuk na duket një frymëzim bindës përshkrimi i mësipërm. E shikojmë praninë e qytetërimit në luginë si një manifestim kulmor të jetës dhe jo si një sfidë ndaj natyrës. Rrëshqitja e Akullnajës mbi Blatten na duket më shumë si një tradhti trillesh të natyrës ndaj vetë lazdrive të saj, na duket se natyra çon dorë kundër vetvetes jo se ajo ashtu dëshiron, por ngase ajo edhe veten e saj tashmë, në njërin prej indeve të saj, e ka humbur toruan, e ka humbur fillin.
Spektakli natyror, me gjakftohësi të plotë, a thua se nuk po ndodhte asgjë që ia vlente për t’u shënuar, u dha të mërkurën, më 28 maj 2025, rreth orës 15.30, në praninë e mediave të panumërta vendase dhe të huaja dhe u përjetua pothuajse drejtpërdrejt nga publiku vendas dhe ndërkombëtar. Është një nga lëvizjet më të mëdha masive të regjistruara ndonjëherë nga Shërbimi Sizmologjik Zviceran, që korrespondon afërsisht me një magnitudë sizmike prej 3.1, një vlerë treguese e bazuar në një metodë vlerësimi të përdorur në Zvicër për të përshkruar tërmetet lokale. Mbi dhjetë milionë metërkub lëndë akulli, dheu e gurësh u zhvendosën në pjesën e pasme të luginës, duke varrosur fundin e saj, përfshirë fshatin Blatten, në një shtresë nga 50 deri në 100 metra të trashë dhe duke ndryshuar plotësisht peizazhin për dy kilometra në fund të luginës, por edhe në të dy anët e luginës. Duke qenë se lumi Lonza u bllokua nga këto materiale në një gjatësi prej rreth dy kilometrash, një liqen u formua shpejt në rrjedhën e sipërme të kësaj dige natyrore, e cila shkaktoi përmbytjen e disa shtëpive të shpëtuara nga rrëshqitja e dheut.
Një pakt shatë-tetëshekullor midis njeriut dhe natyrës u pabesua, u besëpré, u tradhtua nga trillet e kësaj të fundit.

BLATTEN- NJË HISTORI DERI MË 28 MAJ 2025
Wikipedia në zërin përkatës, shkruan se Blatten është një komunë në kantonin e Valesë (Valais), në rajonin Westlich Raron, në kufi me kantonin e Bernës. Emri Blatten, nga gjermanishtja, do të thotë “pllajë shkëmbore”, “tarracë shkëmbore”, “tarracë malore”. Komuna përfshinte fshatin Blatten, fshatrat Ried, Weissenried dhe Eisten. Fshati Blatten dhe fshati i vogël Ried u varrosën kryesisht nga një rrëshqitje dheu në fund të majit 2025. Autoritetet e kishin evakuuar plotësisht fshatin më 19 maj për shkak të rrezikut akut të rrëshqitjeve të dheut. Fshatrat Weissenried dhe Eisten mbetën kryesisht të padëmtuara. Vendbanimi daton nga viti 1433 me emrin “uff der Blattun”. Lashtësia provohet nga një gjetje e vetme arekoloegjike: një gjilpërë e Epokës së Bronzit. Bujqësia dhe blegtoria dominuan ekonominë lokale deri në Luftën e Dytë Botërore. Ndërtimi i një rruge të kalueshme në vitin 1954 u lejoi banorëve të Blatten të shkonin të punonin në fusha, për ditën ose javën, në sektorët sekondarë dhe terciarë. Qyteti u lidh me një autostradë në vitin 1954 dhe banorët u punësuan në sektorët industrialë dhe të shërbimeve dhe punuan larg shtëpisë. Fafleralpi mbi zonën e fshatit ka qenë një atraksion turistik që nga viti 1910. Komuna shtrihej në 90 kilometra katrore, zona e banuar përbënte 05 për qind të sipërfaqes, zonat bujqësore 7,7 për qind, zonat pyjore 10,1 për qind dhe ato joproduktive 87,1 për qind. Temperatura mesatare vjetore është 4.0 °C, me temperaturat mesatare mujore më të ftohta të matura në janar me −5.4 °C dhe më të ngrohtat në korrik me 13.4 °C. Mesatarisht, këtu priten rreth 182 ditë me ngricë dhe 47 ditë me akull. Mesatarisht ka rreth 9 ditë vere në vit. Stacioni matës MeteoSwiss ndodhet në një lartësi prej 1538 m mbi nivelin e detit. M. Blatten u nda nga famullia e Kippel në vitin 1898. Kisha e stilit barok në Kühmatt, që daton që nga viti 1654, ishte një vend rajonal pelegrinazhi. Ajo strehonte altarë nga Johann Sigristen dhe shumë eks-voto. Një furrë, një sharrë dhe ndërtesa e bashkisë dëshmojnë për vetëmjaftueshmërinë dhe ndërgjegjësimin e mëparshëm për komunitetin. Kisha neo-gotike e vitit 1877 u shemb dhe u zëvendësua në vitin 1985 nga një ndërtesë në stil modern, e cila bie ndesh me fshatin e shtëpizave prej druri nga shekulli i 16 deri në shekullin e 20.
Revolucioni industrial dhe rritja ekonomike shkaktuan një eksod të fortë rural në shekullin e 19 dhe 20.
NJË PAKT I RI, NJË BESË E RE ME NATYRËN PËR KTHIMIN E JETËS NË BLATTEN
Kryetari i bashkisë së Blattenit, Matthias Bellwald është ende i befasuar dhe i habitur nga pabesia e natyrës: “Pesë ditë më parë, – iu ka thënë mediave- askush nuk do të kishte menduar se mali, të cilin e kemi admiruar gjithmonë dhe e kemi konsideruar të patundur, do të tundej. Nuk dihet se kur fshatarët do të kthehen në shtëpitë e tyre. Të shpresojmë që sa më shpejt.” Kryetari i komunës vazhdimisht i përditëson mediat me gjendjen e mbetjeve të fundit të akullnajës mbi Blatten. “Mali ende lëviz, por ne po mendojmë për rindërtimin e fshatit,” bën ai të ditur. Bellwald është i trishtuar për një banor 64 vjeçar të zhdukur, për të cilin kërkimet kanë vazhduar gjatë gjithë këtyre ditëve. Në një takim me qytetarët e komunës ai parashikon një bisedë rreth projektplanit për të ardhmen e fshatit.
Valentin Werlen, kryetar i komunës fqinje Ferden, e ka quajtur të mërkurën një “ditë të zezë si korbi” në Blatten e në Lötschental.
Ndodhia e Blattenit është mbi të gjitha një paralajmërim se bota jonë po vjen duke u ngrohur,” tha në Gjenevë Celeste Saulo, Sekretare e përgjithshme e Organizatës Botërore Meteorologjike. Temperaturat e larta në maja dhe zbutja e akullnajave janë duke i bërë më të dobëta kreshtat alpine, duke rritur mundësinë e katastrofave të ngjashme natyrore.”
Profesori Michael Krautblatter, gjeolog dhe drejtues i katedrës për lëvizjet e shpateve në Universitetin Teknologjik të Mynihut, thekson katastrofa si kjo po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe ua lë fajin ndryshimeve klimatike. Eksperti Christophe Lambiel këmbëngul se edhe ndryshimet gjeologjike në thellësi të vetë strukturave të shkëmbinjve kanë ndikuar në përshpejtimin e ngjarjes. Megjithatë ai pranon se nuk di të ketë pasur rrëshqitje të tilla në Alpe.
Solidariteti ndaj Blattenit është shtrirë edhe përtej Zvicrës. Menjëherë Parisi dhe Berlini kanë ofruar ndihmën e tyre. Gatishmëria për ndihmë është shprehur edhe nga SHBA dhe Kanadaja.
Këshilltarja e shtetit e Valesë Franziska Biner ka bërë të ditur se kantoni po ndërmerr mbështetjen financiare për rindërtimin e Blattenit. Ajo flet për një soldaritet të paparë nga Konfederata, kantonet, bizneset private.
Nënkryetari i qeverisë së kantonit Christophe Darbellay, i prekur nga tragjedia dhe mes lotëve, ka nënvizuar se lugina nuk do të braktiset, Blatteni do të rindërtohet, nuk dihet saktësisht se a do të jetë në të njëjtin e vend dhe se kur do të ndërtohet, por e sigurtë është se do të ndërtohet dhe do të ketë një perspektivë afatgjatë.
Kantoni i Valesë ka kërkuar menjëherë ndihmën e ushtrisë, e cila ka shprehur menjëherë gatishmërinë. Këshilltari valezan i shtetit Beat Rieder është shprehur se në Blatten jemi ndeshur me një ndodhi që rastis një herë në mijëvjeçar dhe ende nuk dimë si t’ia dalim. “Në një buxhet 85 miliardësh, patjetër Konfederata mund të gjejë para edhe për Blattenin.
Komandanti i divizionit Raynald Droz, në krye të operacionit ushtarak të shpëtimit, me 53 shpëtimtarë në terren, ka siguruar se ushtria do të kujdeset për çdo banor si t’i kishte anëtarë të familjes. Nga dita e rrëshqitjes masive në Lötschental është në veprim një ekip psikologësh që mbështet rastet e veçanta tek banorët.
Të enjten, me 5 qershor, për herë të parë pas evakuimit, 13 banorë kanë mundur të hyjnë në shtëpitë e tyre dhe të qëndrojnë rreth një orë dhe të marrin disa mjete jetese thelbësore. Ata janë transportuar me një helikopter. Po të enjten ushtria ka bërë të ditur se do të jetë në dispozicion të banorëve të luginës për një kohë të gjatë./Fotot nga Wikipedia