URIM PËR 17-VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS
Gazeta letrare dhe kulturore NACIONAL përshëndet me krenari 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, këtë ngadhënjim historik të sakrificës dhe qëndresës së një kombi që nuk u përkul kurrë para padrejtësisë, historike që ju bë nga Fuqitë e mëdha me 1913.
Mbetja nën sundimin gjakatar serb dhe vetë kjo ndarje tragjike, ka qenë burim i vuajtjeve të mëdha për shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë përjetuar represion, shpërngulje dhe përpjekje e asimilim.
17 shkurti 2008 është një datë e shenjtë, një kujtesë për të gjithë se liria nuk dhurohet, por fitohet me gjak, mençuri dhe përkushtim. Kosova e lirë dhe sovrane është një amanet i madh i dëshmorëve të Kosovës, i martirëve të UÇK-së, që ranë kundër pushtuesve serbë, amanet që kërkon mbrojtje dhe forcim të përditshëm.
Në këtë përvjetor të lavdishëm, urojmë që Kosova të forcojë themelet e saj demokratike, të ecë përpara në rrugën e zhvillimit dhe të sigurojë një të ardhme të ndritur për brezat që vijnë.
Le të festojmë këtë ditë me dinjitet dhe vendosmëri, duke kujtuar të gjithë ata që sakrifikuan për këtë ditë përgjatë një shekulli në robëri, duke punuar për një të ardhme edhe më të ndritur në alenacë më SHBA-të dhe aleatët tanë perëndimorë.
Ky rrugëtim i ri për shqiptarët, filloiu më 12 qershor 1999, kur Kosova fitoi lirinë nga pushtuesit serb pas një fushate ajrore 78-ditore të NATO-s, e cila filloi më 24 mars 1999 dhe përfundoi më 10 qershor me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Kjo ndërhyrje u udhëhoq nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë për të ndaluar spastrimin etnik dhe dhunën ndaj popullit shqiptar të Kosovës nga forcat serbe të Sllobodan Millosheviqit.
Më 12 qershor, trupat e NATO-s, hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e pushtimit serb dhe fillimin e një periudhe të re për vendin. Kjo datë është një nga më të rëndësishmet në historinë moderne të Kosovës dhe shqiptarëve dhe simbolizon çlirimin dhe fundin e luftës.
Kosova ka shënuar një sërë arritjesh të rëndësishme në 17 vitet e saj të Pavarësisë, duke u konsoliduar si shtet dhe duke bërë përparime në fusha të ndryshme. Disa nga arritjet kryesore përfshijnë: faktin që mbi 100 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Anëtarësimi në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar) dhe BB (Banka Botërore). Fushata për anëtarësim në organizata të tjera, përfshirë Këshillin e Evropës dhe INTERPOL.Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian në 2016.Nga 1 janari 2024, qytetarët e Kosovës udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen. Kosova ka hapur shumë ambasada dhe konsullatave në botë. Ndërkohë që ka marrëveshje dhe bashkëpunime bilaterale me vende të ndryshme.
Kosova pa patur këto vite edhe një zhvillim të shpejtë ekonomik, si dhe ka shënuar edhe arritje të forta si përmirësime në sektorin privat dhe rritje e investimeve të huaja. Po kështu ndërtimin e autostradave moderne, si “Ibrahim Rugova” që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.Rritje e sektorit të teknologjisë dhe inovacionit, me kompani kosovare që kanë fituar njohje ndërkombëtare.
Pavarësisht këtyre arritjeve, Kosova ende përballet me sfida të mëdha, si njohja e plotë ndërkombëtare, zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit dhe kercenimet dhe provokimet e pabesa te Serbise. Megjithatë, progresi në këto 17 vite tregon përpjekjet e vazhdueshme për ndërtimin e një shteti të suksesshëm dhe të qëndrueshëm.
Ndërsa jemi duke festuar 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ndër shqiptarët mbetët përsëri e gjallë çështja e bashkimit kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, një temë kjo që ngjall debate të mëdha politike, historike dhe emocionale. Në aspektin historik, është e vërtetë që Konferenca e Londrës (1913) e ndau padrejtësisht Kosovën nga shteti shqiptar, duke e lënë atë nën sundimin e Serbisë dhe kjo padrejtësi duhet ndrequr që të ketë paqe dhe stabilitete afatgjatë në Ballkan dhe në Europë.
Pas luftës së Kosovës (1999) dhe Shpalljes së Pavarësisë më 2008, Kosova është njohur nga shumë shtete si një shtet i pavarur, por nuk është ende anëtare e Kombeve të Bashkuara për shkak të kundërshtimit të Serbisë dhe aleatëve të saj si Rusia dhe Kina. Ndërkohë, ideja e bashkimit me Shqipërinë mbetet një aspiratë e të gjithë shqiptarëve, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri dhe një ditë do të realizohet sic do aspiratë kombëtare.
Gazeta “Nacional”, e themeluar dhe drejtuar nga dr. Mujë Buçpapaj është në Kosovë prej 16 vjetësh dhe mbetet një dëshmi e mbështetjes së fortë të Pavarësisë së Kosovës dhe e arritjeve të saj në liri.
Gëzuar 17-vjetorin e Pavarësisë, Kosovë!
Gazeta NACIONAL