Gjenevë. Ndahet nga jeta poeti i njohur Agim Shehu, në moshën 87 vjeçare

 

VOAL – Ndahet nga jeta poeti i njohur Agim Sheu. Lindi në Progonat të Kurveleshit më 1934. Studioi Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës. Më 1984, në 80 vjetorin e lindjes, bashkia e Tepelenës ia dha titullin “Qytetar nderi i Tepelenës”. Tituj të veprave janë: Horizonti i kaltërt (1959), Vite pa thinja (1970), Fjalë nga zemra (1977),
Gurra e fjalës (1980), Zëri i gjakut (1984), Poezi (1986), Ujvarat e diellit (1988).

Në motivacionin për dhënien e titullit  Qytetar Nderi, theksohej se Agim Shehu është njëri prej bijve më të shquar të Tepelenës, poeti me përmasa kombëtare, me kontribut të jashtëzakonshëm për kulturën tonë kombëtare. Një nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe, Agim Shehu i ka bërë një nder të madh njohjes së vlerave më të mira patriotike, historike dhe kulturore të Tepelenës dhe krejt kulturës shqiptare. Ai përbën padyshim kreun e listës së bijve më të shquar që ka nxjerrë Tepelena në fushën e letrave shqipe.

Me rastin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Tepelenës”, poeti Agim Shehu, nga Gjeneva ka drejtuar këtë letër të cilën e ka lexuar poeti Petrit Ruka:

Ju faleminderit e ju jam mirënjohës për vlerësimin e lartë që më bëni! Të parët tanë thoshin ‘I nderuari të nderon’. Në pamundësi për t’u ndodhur vetë atje, aq më tepër kur ndodhem larg vendlindjes, hartimin e kësaj përshëndetjeje e ndjej si një ndër vështirësitë më të mëdha nga çdo krijim që kam bërë. Fjala posa ulet mbi letër ndjehet e pakënaqur dhe kërkon që ta shuaj, pasi s’e kam gjetur mirë atë që duhet thënë për një krahinë si jona! Aq sa ndjehem i gëzuar e krenar, po aq ndjehem ngushtë të jem i nderuar zyrtarisht i një krahine me aq figura të mëdha e të rënda në histori e në jetën e saj. Figura aq shumë, sa as gurët pa fund të krahinës s’do mjaftonin për t’i ngritur secilit përmendoren që meriton. I përfytyroj shpesh me radhë e më bëhet se, sado tani 80- vjeçar, përballë tyre kam hutimin e fëmijës e si bir i vogël i tyre më ngrihen supet nga madhështia e tyre. Në krijimtarinë time kam thënë aq sa kam mundur, por për një gjë ndjehem gjithashtu krenar e i gëzuar: Tepelena dhe në tërësi Labëria ime janë aty zëri i parë; aq më tepër janë, mendoj unë, dhe kulmet e krijimtarisë sime modeste. Ky fenomen te krijuesi është i pavetëdijshëm. Fëmijëria me kujtimet e vendlindjes janë tingulli i parë i çiltër i çdo krijimi. Ngjarjet që vinë më pas janë ngjyrimet që kësaj skice i bëhen nga përvoja e viteve. Të moshuar, herë -herë vemi të takojmë fëmijërinë, sidomos pas ndonjë lodhjeje shpirti, t’i përulemi asaj duke vënë faqen të malluar mbi të, t’i kërkojmë falje që iu larguam. Por ajo s’mban mëri. Ajo ka mbetur fëmijë tek e kemi lënë, te shtegu i mëhallës e te rendja pas zogjve në Lumaqe, te ledhatimet e qengjit apo te ‘a’-ja e parë e abetares. Gëtja thoshte se “në do që të njohësh saktë një shkrimtar, vizitoi vendlindjen!”. Shpesh te tavolina e lulishtes sonë në Gjenevë vijnë zogj e na ulen afër, te karrigia bosh pranë. Të ngulin sytë e vegjël me dritë qielli, na pyesin për botën e njeriut…Vihem t’u përkthej cicërimën zvicerane, e më bëhet se më bëjnë gjyq: pse në fshatin tim dikur pata vrarë një shokun e tyre të largët e të pafaj tek këndonte mbi qershinë e posaçelur të fqinjit? Të vjen mirë që ty të vranë sa erdhe këtu tek ne me Azil Politik!?…Pastaj fluturojnë tutje, duke më lënë në meditimet e mia me shoqen time, ku malli për vendlindjen trazohet me dhimbjen e natyrshme njerëzore. Te Tepelena stralli, në relievin e vendit është dhe strall në karakterin e njeriut, një harmoni e gjeografisë me psikologjinë e banorëve. Shtrirë e përzier në hapësira të tjera të vendit, këtij stërralli të veçantë tepelenasi mund t’i paguajë dhe borxh, por ai e përballon dhe këtë me gjykimin Sovran të tij se në lumturi shihet virtyti dhe në dhimbje provohet karakteri. Se Tepelena, si tërë Kurveleshi më gjerë, te jeta e njeriut të vet di të harmonizojë vetëtimën me ylberin. Krijuesi Universal, malet e tij i dha si struktura të gjeografisë…Vendasi i ktheu në shtëpi të lirisë. Për këtë krahinë me shtrirjen e gjerë si Labëri të emërtuar dikur ‘Himarë’, kronisti osman gjykoi habitshëm se këtu banorët krenarë zihen dhe me retë që u kalojnë mbi krye. E haraçin për venome të lira, zyrtarëve osmanë ua zgjatnin vënë te maja e shpatës! Nuk është e rastit që Tepelena ‘e vogël’ me densitet aq të madh trimërish e atdhedashurie nxori një vigan të tillë si Ali Pashë Tepelena. Burri që si askush tjetër nga fqinjët guxoi e brenda Perandorisë së madhe e të frikshme Osmane krijoi shtetin e vet me qendër kryeqytetin shqiptar të kohës, Janinën. Me veprën e tij të madhe rilindësve u dha në duar idenë e fjetur se, ‘ne jemi Shqipëri’ më vete e u vlerësua aq lart në botë sa Hygo e quajti “Bonaparti Muhamedan”. Me ardhjen e çdo pushtuesi krahina ime prodhonte trimëri ashtu siç prodhon deti dallgë zemërimi nga erërat që e sulmojnë. S’më harrohet kur të parët në fshat dikur thoshin se, “do kemi luftë pasi gratë po lindin në radhë djem”. Mitologjia dhe historia brenda njeriut ushqenin njëra- tjetrën. Dëgjoj nga larg një fjalë të mirë për vendin tim e më mbulon gëzimi. Dëgjoj një fatkeqësi mbi të, e ma pushton ditën pikëllimi. Është thënë bukur se njeriun mund ta largosh nga Atdheu, por Atdheun s’ia largon dot nga zëmra. Janë këto sadopak arsye, që i përulemi vendlindjes sonë siç i përulemi dhe të thinjur gjirit të nënës. Njeriu në jetë mund të ketë shumë kënaqësi e nderime, ndoshta në hapësira më të gjera. Por vlerësimi që të bën vendlindja jote, cilado qoftë ajo në madhësinë e saj, është nderimi më i çmuar e i pakrahasuar me asgjë tjetër. Edhe njëherë mirënjohje të përzemërt, vendlindja ime e dashur e drejtues të nderuar të saj. Agim Shehu, Gjenevë

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here