Gjergj Fishta në vlerësimine autorëve shqiptarë dhe të huaj


                                                                     

Fishta i Madh, Në përkujtim të 80-vjetorit të ndarjes nga jeta, 30 dhjetor 1940.

 

Për Fishtën kanë thënë:

 

Faik Konica:  “Fishta. Poeti i Madh i popullit të shquar shqiptar”.

 

At Anton Harapi:  “Lahuta asht një pinakotekë e artit kombëtar, ku poeti pikturon gjallë tipat, personat, skenarët e kostumet; një depozitë motivesh kombëtare u lihet piktorëve shqiptarë… Atë Fishta, ky gjeni me rrënjë në tokën amëtare të popullit shqiptar, që për shkak të njohjes së thellë që kishte mbi letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtërore të kombeve të Evropës, u ngjit deri në majat më të larta të kulturës”.

 

Don Kolec Prenushi:“Lahuta e Malsisë” mund të qëndrojë përkrah veprave poetike më të shquara të popujve të tjerë”.

 

Kostaq Cipo:  “Kot përpiqen grekët e sotëm të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se “Lahuta””.

 

Prof. Filip Ndoc Fishta: “Pas vdekjes Fishta…nisi të jetojë ma me gjallni në shpirtin e në zemrën e kombit: u përjetsua nga Kombi që ai përjetësoi në vepra të pavdekshme”.

 

Prof. Aleksander Xhuvani (në varrimin e tij):“Fishta është “shkëmb i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar”. Gjithë vepra poetike e shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjë për të derdhur dhe kënduar në art, se sa ideja e Zotit, ideja e Atdheut!”.

 

Prof. Karl Gurakuqi:  “Patër Fishta…me veprat e tij në poezi e në prozë arriti të kurorëzohej me dafinë si më i madhi poet kombëtar, ai është tharmi i poezisë popullore shqiptare dhe më i kulluari shkrimtar i Arbërisë”.

 

Lasgush Poradeci:“At Gjergji ka qenë për ne, deri ditën që mbylli sytë, patriarku i letrave shqiptare e poeti ma i madh i vendit tonë. Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar”.

 

Prof. Pashko Gjeçi:  “Mbreti i poetëve shqiptarë, Patër Gjergji qe i pari që vuri në shkollë gjuhën shqipe dhe mbrojti me trimëri të drejtat e Kombit tonë në çdo konferencë ndërkombëtare dhe është i pari që me vepren e vet poetike i fali shqiptarit epopenë, historinë e përpjekjeve të tij për liri… At Fishta…nuk jetoi në “kështjellen e fildishtë”, por u hodh me entuziazëm djaloshar nga një mision në tjetrin për të mirën e kulturës e të racës shqiptare… Fishtën, me temperament thjesht klasik nuk do ta frymëzonte asgjë më parë se Atdheu. Gati krejt vepra e tij i është kushtuar Atdheut”.

 

Prof. Kolë Kamsi: “Poemi epik “Lahuta e Malsisë” asht një vademecum i çdo atdhetari”.

 

Anton Baldacci: “Një ndër gurrat e trajtimit të tij (të Fishtës) letrar

kjenë jo vetëm klasikët e letërsisë greke, latine, franceze e sllave, por edhe klasikët gjermanë, spanjolë e anglezë…”.

 

At Dodaj: “…prodhimi poetik e letrar i Fishtës, prodhimi i pasun, i ndryshëm, origjinal, i frymëzuem prej botës fizike e morale të Atdheut… çmohet edhe si prozatuer elegant: sidomos në prozën politike e polemike asht i gjallë, i kjartë e shumë i rrebët”.

 

Atë Konrrad Gjolaj: “Fishta është “një nga ata njerëz të rrallë që duken në qiellin e një kombi e lënë pas vetes një dritë, që ngroh zemrat e brezave të shumë shekujve”.

 

Nush Topalli: “At Fishta asht e duhet të mbetet poeti i forcës, i njaj force primordiale e kaotike. Përshkrimet e tijkanë gjithmonë një ngjyrë apokaliptike, e ndër to, një frymë misterioze përplas njerëz e sende”.

 

At Viktor Volaj: “Kam ardhur të gjej letrarin shqiptar dhe gëzohem se gjeta oratorin, filozofin e pedagogun”.

 

Lefter Dilo:

“Fishta, tue kuptue mirë randësinë që ka bashkimi, edhe si plotësim në mungesën e fuqive, deshi t’u vinte breznive ma të lashta bashkimin si veti të trashegueme, megjithëse jo aq të spikatun, me të cilin të parët tonë përballuen çdo rasë e peripeci”.

 

Terenc Toçi: “Fishta mori prej popullit gjithçka që gjet të hijshëm, të madhnueshëm e të fuqishëm, e porsi një piktor i Zoti, e shndrroi në shpirtin e vet, tue eriprodhue në një mënyrë e cila asht vetëm e tija, prandej, origjinale”.

 

Profesor Sami Repishti:“… At Gjergj Fishta, poeti i epikës madhështore dhe frymëzuese të popullit tonë, liriku i shquem, dramaturgu i fuqishëm, dhe, pa dyshim, autori i satirës ma të përsosun të letërsisë shqipe, At Gjergj Fishta, frati i kushtuem mësimeve dhe shembullit të Shën Françeskut, zemra e dhanun pa kushte dashunisë për Shqipni, mendja që synoi pa pushim zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, vdiq në nji kohë ndoshta kur ma shumë se kurrë zjarri i fjalës dhe penda e tij i duhej nji populli të mashtruem në nji atdhe të robnuem…”.

 

Vilhelme Vrana Haxhiraj, Mjeshtre e Madhe, Akademike:Mirënjohje: “S’është Kombi që vlerëson njerëzit e shquar, po janë “ATA” që ia rrisin vlerat dhe nderojnë KOMBIN!”.

“Elita e Mohuar, Personalitet i kulturës kombëtare, një nga formuluesit e Alfabetit Shqip (1908), Gjergj Fishta, i pari shqiptar i kandiduar për çmimin Nobel, i dhuroi Kombit kryeveprën “Lahuta e Malëcis”, një pasuri e madhe atdhetare, kulturore dhe gjuhësore që meriton një vlerësim ndërkombëtar. Poezia e tij satirike plot kontradikta, si politika e kohës, u dënua nga diktatura komuniste. Urrejtja për Shqiptarin e Madh Gjergj Fishta, i cili kërkoi të bëheshin studime arkeologjike që të ruhej identiteti kombëtar (lashtësia e gjuhës shqipe dhe autoktonia shqiptare), arriti deri aty, sa e zhvarrosën dhe eshtrat ia hodhën në Drin. Gjithsesi, ai mori përmasat e një kolosi të letërsisë dhe mendimit filozofik modern shqiptar, i cili, duke hapur rrugën e dijes dhe mirësisë, u bë i pavdekshëm”.

 

Prof. dr.Fatmir Terziu, Mjeshtër i Madh: “Fishta është aq filozofik, aq poetik, aq shqiptar, sa është sharë në tre “derivat-variantet” pa e kuptuar ndonjëherë atë në leximin e qetë, jo me emocion dhe intonacion të ftohtë. Fishta është dhe mbeti edhe në këtë pikë kënaqësia e leximit, vetë leximi i kënaqësisë, sinqerisht kënaqësisë poetike më të madhe të leximit. Dhe këtu nuk ka një arsye më shumë, as më pak për të rënë si i apasionuari i leximit të Fishtës, sesa për të rënë në arsyen e leximit të Fishtës, jashtë mizantropisë dhe, më së shumti, hamendësimit që e rimasakron akoma këtë emër të madh të poezisë dhe letrave shqipe”.

 

Federik Radovani:“… për Himnin e Flamurit. Teksti: Atë Gjergj Fishta. Muzika: Palok Kurti.

Hartimi i këtij Hymni asht ndoshta momenti ma i lumnueshem e ma guximtari për Poetin Kombtar. Malazezët mbas shtatë muejsh rrethim kishin hi në Shkoder. Me gjithse këtyne iu desht me dalë, Fuqitë nderkombtare nuk e ngritën Flamurin e Shqypnisë. Ishte nata e kremtes së Shna’ Ndout, 12 Qershor 1913. Po mbushej gati moji që se Fuqitë nderkombtare kishin marrë sundimin e qytetit (me 14 Maji). At Fishta, këshillue me disa bashkëvllazen të vet, kishte vendosë me ngritë Flamurin e Shqypnisë, e në ketë entuzjazem kishte hartue edhe Hymnin, qi u kjé mësue njiheri fëmijvet të shkollës françeskane. Ndersa, pra, prej kumbonarjet të Kishës së Françeskanve të Gjuhadolit valvitej Flamuri ma i madh se katër metrash, fëmija menjiherë, si u patne porositë perpara, u shpërndanë çeta-çeta nepër rrugët e qytetit tue këndue… Menjiherë erdhi urdhni prej sundimtarit të qytetit, Kolonel De Philipps, qi duhet ta ulshin Flamurin, por Françeskanët nuk iu pergjegjën kurrsesi urdhnit të tij… Atëherë, ai i kercnoi se do ta ulin me topa… E, At Fishta ju pergjegjë: “Flamuri i Kastriotit e ka per nderë me u gjuejtë me topa!..” (Botue 1941).

Melbourne, 15 Qershor 2020.

 

Prof. dr. Aurel Plasari:  “Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë”.

 

Prof.dr. Flori Bruqi, Akademik: “Mund të thuhet hapur, se kontributi i Fishtës, është simbol i shqiptarizmit të kulluar dhe gjithë vepra e tij madhore përbën një ungjill të ngrohtë atdhedashurie. Si meshtar i përvujtë i popullit të vet që e donte dhe e respektonte aq shumë, u nderua, u respektua si bari shpirtëror shembullor nga delet e veta dhe bashkëkohësit. Si një shqiptar i vërtetë ruante besë e burrëri, kishte guxim e trimëri, për të cilat gdhendi me pendën e fuqishme magjinë e madhe të veprave që krijoi mendja e begatë, duke ia bërë dhuratë krenarie gjithë Shqipërisë”.

Prof.dr. Eshref Ymeri, Akademik: “Fishta është burrëria dhe lavdia e kombit shqiptar, ai është dinjiteti, nderi dhe krenaria e nacionalizmit shqiptar. Ai është burim i pashtershëm frymëzimi për të gjithë shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare. Por, në të njëjtën kohë, Ai është edhe shuplaka më e rëndë për të gjithë besëprerët, dallkaukët, hajdutët, mercenarët dhe tradhtarët e kombit shqiptar”.

 

Gabriele d’Anunzio:“Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli… Si këte kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranath Tagora”.

 

Erwin Stranik: “I rrënjosur krejtësisht në popullin e vet, Fishta ka dashur të përgjonte si flasin burrat e gratë e maleve. Ka marrë prej tyre mënyrat e nëmëve, të mallkimeve e të urimeve dhe çdo gjë e ka shkrirë me mjeshtri në poezitë e veta… Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna”.

 

Prof. dr. Maximilian Lambertz: “Shqipnia qe ideali i tij, për të punoi, për te vuejti e me emnin e saj në gojë dha frymën e fundit”.

 

  1. A. Freün von Godin (albanologe gjermane):“Tingulli i lirës së tij (Fishtës) gjithmonë i gjallë, ka për të vazhdue të mbajë në kambë kombësinë e gjuhën tonë”.

 

Një shkrimtar francez: (pas takimit me Fishtën). “At Gjergj Fishta nëpër ma të mëdhatë qytete të botës, përpara mija e mija poetësh, njerëzish të naltë, shkencëtarësh, diti me qitë në pah e me naltsue vetitë ma të rralla të kombit shqiptar, historinë lumniplote e traditat shekullore të tij”.

 

Prof. Dr. Norbert Jokl: “…me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zojë. Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit u caktue një herë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen. Me At Gjergjin zuni fill shkolla me shqipen gjuhë mësimi… Stili i At Gjergjit, stil burrash e krejt shqiptar, të ushton hijshëm e fuqishëm në të njëjtën kohë. Sado që studimet e veta i bani të gjitha në gjuhë të huaja, sado që zotnonte ma së miri italishtën, frengjishtën, slavishtën e latinishtën, shkrimeve të tij kaq u vjen era shqip, sa me t’u dukë se nuk ka ditë veç gjuhën e vet. Poezinë e tij e shijon jo vetëm njeriu me shkollë, por edhe i pashkolli…”.

 

Karl Shtainmes, e krahason Fishtën me Gëten e Shilerin, ndërsa elitat Franceze e thërrasin “Tirteu i Shqipërisë”.

 

Fulvio Kordinjano (albanolog): “Pak kush kujtoj, në letërsi të mbarë botës, ia del at Fishtës si poet satirik, si i tillë me nji furi të çuditshme ther e pren aty ku djeg”.

 

Prof. Gaetano Petrotta :“Ndër veprat e këtij është shprehur e pasqyruar në mënyrë më të kthjellët shpirti i popullit shqiptar. Këto vepra kanë për të mbetur të pavdeshme e kanë për t’u bërë poezia e kombit të Skënderbeut…”.

 

Botuesi i “Lahutës së Malcis” në Itali:“Fishta këndohej pa dijtë se i thojshin emnin; këndohej përse në këngët e tija ishte shqiptar; shqiptar në doke, në kanun, në mitologji, në folklor, në aspirata, në jetë, në luftë e në ngallnime”.

 

Augusto Gemelli: “Në historin e Shqypnis, emni i Atë Fishtes do të rrijë

krahas  me atë të  Gjergj Kastriotit. Dy emna këta, të cilët janë e do të mbesin nji flamur i vetëm, nji nxitje e vetme e nji lumni e vetme”.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here