GJON NEÇAJ: THIRRJE NË MOTIN E TRETË, POEZI

MOS E VONO MBRËMJEN

Mos e vono mbrëmjen
Muzgu i verës.
Baresha bjeshke dirgjet rogës së luadhit;
Syri i diellit fshihet pas majës.
Sokoli i djalit mrizeve kësaj dite,
Me qerpik të syrit e ndoqi bjeshkën.

Bjeshka si zanë i prin ogiçit,
Djali këtë ditë e paditi veten
Mos e vono mbrëmjen,
O muzgu i verës!

Takoj dy zemra këtë mbrëmje bjeshke,
Se pa pushim rrahin n’ rrënjët e mrizit te moçëm,
E dashuria rrjedh e bardhe si qumësht deleje.

THIRRJE NË MOTIN E TRETË

Nëpër labirintet boshe të kësaj jete,
Ngultas dëgjova klithmat e tua;
Jeta qenka një hiç me të madhe,
Sfida të mundimshme, mbase venë për mua…

Vitet kalojnë e bota është ajo,
Një ditë do mplakem e përçudnohem,
Por fjala ime e parë është kjo,
Ku ne çdo ditë të jetës veç mallohem…

QYTETI EM

I mbështjellur me obeliksun natyror të bjeshkëve,
Hedh shtat cdo ditë rrëzë Majës së Hekurave,
Qyteti em.

E paskam të zorshme me c’epitet të krahasoj,
Në vargjet e kësaj poezie,qyteti em “Bajram Curri”,
Ku hedh shtat burrëror si vetë jeta,
I pagëzuar me emrin e një burri…

Qyteti em,
Me të ardhme dielli…

ETJE…

Etje të përhershme im gjysh,
Etje të pashuar im atë,
Etje të pangijshme unë,Gjoni ikullës,
Etje biri im 20 vjeçar,
As tasi me tamelborë,
As bojlia bregarës,
As molla gjylave bregudhës,
As kalaveshi i rrushit,
Etjen nuk e shuan…
Ujë akullborë veç kroni i Nikushit.

TORNADO

Në mizanskenat perëndimore
E në kalldrëmet shekullore të miteve
Rri varur ku jetojnë bijtë e fisit tim
Një lahutë e vjetër me dru arre

Qimet e saj hingëllijnë
Sa herë kuajt e mbretëreshës Elizabete
Bëjnë roje me ushtarët në kështjellë.

Tornadot nuk bien në Tropojë
Në Uells mbase po…

Gjon NEÇAJ