Ishim kthyer nga varrimi i bashkëshortes së re të drejtorit plak të postës të qytetit tonë, Perkov.
Pasi varrosëm të ndjerën, shkuam sërish në shtëpinë e tij, për të marrë pjesë, sipas zakonit të
lashtë, në drekën e ngushëllimit.
Kur filluan të servirnin bukën e misërt, plaku i ve filloi të vajtonte dhimbshëm dhe tha:
-Kjo misërnike ka të njëjtën ngjyrë të kuqe me atë që kishin faqet e së ndjerës…Është e
bukur si ajo…
– Po, – thanë të gjithë pjesëmarrësit, e ndjera ishte vërtet e bukur…Ishte një grua e klasit të parë…
-Po, – tha edhe vejani. -Po. Kush e shikonte, verbohej. Porse unë, zotërinj, nuk e desha as për
bukurinë, as për mënyrën fisnike të të sjellurit…Këto dy përparësi njeriu i ndesh shpesh edhe
ndër gra të tjera…E doja për një tjetër mirësi të saj…E doja të ndjerën, që Zoti e marrtë pranë
shpirtin e saj, sepse, megjithë karakterin e saj të gjallë dhe të hareshëm, i qëndroi besnike
burrit të saj. Më qëndroi besnike, edhe pse ishte njëzetvjeçare, ndërsa unë po u afrohem të
gjashtëdhjetave…Më qëndroi besnike mua, një plak njeriu !…
Dhjaku i famullisë, që ishte edhe ai në drekë, në këtë çast shfaqi dyshimin e vet, duke nxjerrë
një kollë të thatë qëllimisht.
-Çfarë, – i tha vejani, – nuk më beson ?
-Jo se nuk të besoj, – iu përgjigj dhjaku i tallazitur, – por…gratë e reja sot…parapëlqejnë së tepërmi ato…si i thonë…takimet…
-Nëqoftëse dyshon, zoti dhjak, për besnikërinë e time shoqeje, atëhere unë do të të bind për
të kundërtën…Ia arrita ta mbaja pranë besniken time, duke përdorur strategji të ndryshme…
Përdora dredhinë, për ta mbajtur të panjollosur nderin bashkëshortor…Përdora biseda të
caktuara, të cilat mjaftonin për t’i thënë asaj që të flija tërësisht i qetë, përsa i përket
kapitullit të besimit bashkëshortor…
– Dhe cilat ishin ato biseda ?- e pyetëm me kërshëri.
-O, ishin fare të thjeshta ! – u përgjigj ai…Përhapa fjalë nëpër qytet për time shoqe…
Këto fjalë i dini të gjithë, prandaj edhe më gjykonit si një bashkëshort fatkeq dhe përherë
pëshpëritnit diçka pas krahësh, kur më shihnit të kaloja së bashku me time shoqe…Thoshja, pra,
qëllimisht, që ta mësonte e gjithë bota: ”Gruaja ime është mikesha e drejtorit të policisë, Ivan
Aleksieviç…” Mjaftonte kaq. Asnjë burrë nuk guxonte të flirtonte me të ndjerën, se i trembej
zemëratës së drejtorit të policisë…Bile kur ndonjë burrë ndodhej përballë time shoqeje në rrugë,
nxitonte të largohej, që të mos mendonte drejtori se ai e ndiqte pas…E ! e ! e! dreq !…
Si mund të përplasesh me një drejtor policie…Brenda një dite mund të të ngrerë pesë padi
dhe të të mbyllë në burg për tërë jetën…Kështu unë isha krejtësisht i qetë.
-E, pra, jot shoqe nuk ishte mikesha e drejtorit të policisë ? – i thamë atëhere të gjithë me habi.
-Jo…jo…! – u përgjigj ai. Por më vonë, drejtori i policisë, pasi mësoi ato që qarkullonin në kurriz
të tij, kërkoi ta njihte gruan time…Po, po…e njohu dhe u bënë miq…Aq më mirë për mua…
Në këtë mënyrë isha akoma më i qetë, se nuk do të guxonte t’i hidhte sytë asnjeri, se fjalët
që përhapa unë, ishin bërë realitet. E ! e ! Kush mund të bëhet rival në dashuri me një drejtor
policie?…Kisha gjetur qetësinë në temën e besnikërisë bashkëshortore…Po fati zilepsi
qetësinë time dhe Vdekja ma rrëmbeu besniken time, Alionën…Hi…Hi…Hi…!
Pas këtij zbulimi të vejanit, të gjithë mbetëm gojëkyçur.
Më së fundi dhjaku pëshpëriti:
-Bukur ! Bukur !…Dashtë zoti të martohesh përsëri dhe të qëndroftë besnike edhe gruaja e dytë,
ashtu si e para…!
Përktheu: ILIAZ BOBAJ


















