Atë mëngjes pranvere, shtëpia m’u duk më e zbrazët, më e heshtur dhe më e zymtë sesa zakonisht. Kjo ndodhi për shkak të mugesës së prindërve të mi, të cilët një ditë më parë kishin shkuar në një fshat tjetër për të marrë pjesë në një varrim. Sikur të kisha frikë nga diçka e paemër që fshihej në skutat e mugëta të kthinave, unë e ndoqa pas gjyshen që mori dy kallinj misri dhe doli në oborr.
Aty, ajo zuri të shkoqte kokrrat e kallinjve, të cilat u shpërndanë në truallin e mbuluar me fije të rralla bari dhe me guriçka. Pasi u ktheu kurrizin pulave që çukitnin kokrrat e misrit, duke kakarisur e duke rrahur flatrat, gjyshja u çapit nëpër oborr duke rrokur me sy qiellin e kthjellët, për të vënë re ndonjë sqifter që mund të vërtitej atje. E bindur se nuk kishte ndonjë rrezik të tillë, ajo e drejtoi vështrimin nga ana e rrugëzës që lidhte oborrin tonë me udhën që kalonte përmes fshatit. Diçka ia tërhoqi vëmendjen, sepse ajo e vuri dorën si strehë në ballë për të parë më mirë. Duke ndjekur vështrimin e saj, vura re një grua të veshur me të zeza, me shkop në dorë, e cila ecte ngadalë. Ngaqë e njohu mysafiren që po vinte drejt nesh, gjyshja m’u afrua me hapa të shpejtë, më vështroi ngultas dhe më tha:
-Ikë te korija prapa shtëpisë. Këtu po vjen një grua nga fshati fqinj, të cilën është mirë të mos e takosh.
-Përse nuk duhet ta takoj, gjyshe?
-Njerëzia thonë se ajo ka syrin e keq. Madje ka edhe nga ata që thonë se ajo është shtrigë. Unë nuk u zë besë këtyre gojëve të këqija, por është mirë të mos e takosh. Të pastë gjyshja, shko ku të thashë!
-Unë nuk kam parë kurrë ndonjë shtrigë, gjyshe. Lërmë ta shoh pak, pastaj do të shkoj te korija.
-Do ta shohësh kur të rritesh. Shko në korije dhe mos u kthe, para se të ikë mysafirja!
-Si do ta marr vesh se ajo ka ikur?
-Do të të bëj zë unë. Nxito që të mos të të shohë duke u larguar!
Me zemër të thyer, iu binda fjalëve të gjyshes. Duke u përvjedhur rrëzë murit të shtëpisë, eca drejt vendit të mbuluar me drurë e me shkurre.
E përshkuar nga rrezet e diellit, korija dukej sikur qeshte. Ndërsa bridhja nëpër shtigje dhe lirishta, nuk ngopesha së thithuri ajrin që kundërmonte gjelbërim të ri e lule të çelura. Te një shelg me degë të dendura që rritej buzë një prroske, preva një degë të hollë me briskun që mbaja me vete. Me një copë të kësaj dege, përgatita një bilbil, duke ia hequr lëvoren, ku kishte rrjedhur lëngu i tejdukshëm që kishte ushqyer bisqet dhe gjethet e reja. Drurit të zhvoshkur i bëra një të prerë, nëpër të cilën do të kalonte fryma ime. Me këtë lodër, unë u rreka të imitoja fishkëllimat e zogjve dhe zhurmat e tjera që dëgjoja në korije.
Pas bilbilit, iu vura punës për të përgatitur një bori me lëvore arre, ashtu siç bënin disa moshatarë të mi. Lëkurën e zhvoshkur nga një degë e hollë arre, e rrotullova disa herë, derisa ajo mori trajtën e një tubi, i cili, kur i fryva, lëshoi tinguj të zgjatur e buçitës. Megjithëse këto lodra më ndihmonin ta harroja vetminë, herë pas here, më shkonte mendja te gjyshja dhe te mysafirja e saj. Më vinte keq që nuk mund ta dëgjoja kuvendimin e tyre, sidomos që nuk mund të dëgjoja fjalët e një gruaje, për të cilën thuhej se kishte syrin e keq dhe madje dyshohej se mund të ishte shtrigë.
Për t’iu bindur porosisë së gjyshes, vazhdova t’i bija kryq e tërthor korijes ku më dilnin përpara kandrra, zvarranikë, zogj që aty shfaqeshin e aty zhdukeshin, sikur donin të më mahnitnin me trajtat e tyre, me laryshitë e puplave dhe me dredhulet e zërave të tyre. Përbri breshkave që zvarriteshin duke tërhequr rrashtat e hullizuara, rrëshqisnin kërmij të ngarkuar me guaska të bardha, duke lënë prapa vazhda të ndritshme. Më pak tërheqëse më dukeshin hardhjet e murrme ose të gjelbra që nxirrnin kokën nga strofkat e tyre, pastaj zhdukeshin vetëtimthi. Mua më pëlqente të ndiqja me sy fluturat që dukeshin sikur hiqnin një valle të pambaruar dhe bletët që bridhnin andej-këndej, për të mbledhur lëngun dhe pjalmin e luleve. E harlisur nga pranvera, korija i ngjante një nuseje që ka hapur arkën e nusërisë për t’u treguar të tjerëve pajën dhe stolitë e shumta që ka në të.
Në një frashër të mbushur me lule të bardha që lëshonin një kundërmim të fortë, pashë një çerdhe, e cila kishte trajtën e një kupe të sajuar me kashtë e me baltë.
Duke u kacavarur pas trungut me këmbë e me duar, u ngjita deri te çerdhja ku ndodheshin disa vezë të vogla, me lëvozhgë ngjyrë qumështi, të mbulura me pikla të hirta e të gjelbëreme. Nuk e zgjata dorën për t’i prekur, nga frika se mos i thyeja. Gjyshja më kishte thënë se po ta bëja një gjë të tillë, zogla që i kishte pjellë ato vezë, do të më mallkonte dhe piklat e lëvozhgave të thyera do të më dilnin në fytyrë. Kështu, fëmijët e tjerë do ta merrnin vesh prapësinë që kisha bërë dhe do të më shanin duke më vënë nofkën “Pikalosh”.
Pasi zbrita nga frashri ku ndodhej çerdhja me vezët e pikalarme, vazhdova të shëtisja nëpër korije. Përsëri me erdhën në mendje gjyshja dhe mysafirja e saj, e cila ishte bërë shkak që të largohesha nga oborri. Nga kuvendimet e të rriturve, kisha dëgjuar se shtrigat ishin gra të moshuara, me pamje të frikshme. Natën, ato shndërroheshin në flakë që fluturonin drejt shtëpive ku ndodheshin viktimat e tyre. Pasi hynin në kthinën ku flinte fëmija, të cilit ia kishin vënë syrin, ato ia çanin kraharorin, ia pinin gjakun, ia shkulnin zemrën, të cilën e hanin të gjallë, pastaj iknin andej nga kishin ardhur. Të nesërmen, prindërit e gjenin fëmijën e tyre të vdekur, me një curril gjaku të mpiksur në cep të buzës. Ata e kuptonin se atë e kishin ngrënë shtrigat.
Duke parë diellin që ishte ngritur lart në qiell, mendova se kishte kaluar shumë kohë qëkurse kisha ardhur në korije. Thashë me vete se gjyshja do të kishte harruar të më thërriste. Për t’i dhënë fund vetmisë sime, vendosa të kthehesha në shtëpi, pa pritur të dëgjoja thirrjen që nuk po vinte. Duke iu afruar oborrit, uroja me vete që ta gjeja aty mysafiren e frikshme. Isha kureshtar të vija re se çfarë e dallonte nga gratë e tjera atë grua të moshuar . Isha i bindur se edhe po të ishte shtrigë, ajo nuk mund të më bënte ndonjë të keqe në prani të gjyshes.
Kur mbërrita në oborr, pashë se dy gratë e moshuara po kuvendonin shtruar-shtruar, të ulura në një trung të madh që im atë e kishte sjellë nga pylli për ta përdorur si dru zjarri. Mbërritja ime e papritur e ndërpreu kuvendimin e tyre. Nga vështrimi i gjyshes e kuptova se asaj nuk i erdhi mirë që nuk e kisha zbatuar porosinë e saj. Duke e parë nga afër, vura re se mysafirja kishte një hundë të gjatë e të mprehtë që i varej mbi buzën e sipërme. Fytyra e saj ishte mbuluar me rrudha të shumta që kryqëzoheshin me njëra-tjetrën si fijet e një pëlhure merimange. Pa u druajtur nga pamja e saj, e përshendeta me shprehjet që kisha dëgjuar nga prindërit e mi. E kënaqur nga përshëndetja ime, ajo më buzëqeshi dhe më përkëdheli kokën.
-I Kolës është ky djalë?- e pyeti ajo gjyshen.
-Po. Vetëm ky djalë i ka rrojtur nga katër fëmijë që ka lindur reja ime.
Duke u përpjekur të fliste me një zë sa më të ëmbël, ajo më tha:
-Si e ke emrin?
-Mark.
-E gëzofsh emrin! Sa vjeç je?
-Gjashtë vjeç.
-Të ruajtë Zoti dhe u bëfsh njëqind!
Pas një heshtjeje të shkurtër, ajo i tha gjyshes:
-Im bir ka qenë moshatar me Kolën tënd, pastë jetën e gjatë! Po të mos e kishin vrarë, edhe unë do të kisha sot një nip si ti.
-Cila ushtri e ka vrarë?- e pyeta unë, duke kujtuar bisedat e të rriturve që flisnin për ushtritë e huaja, të cilat kishin kaluar nëpër krahinën tonë.
-Tim bir nuk e ka vrarë ndonjë ushtri,- psherëtiu gruaja e moshuar. -Atë e ka vrarë një fshatar, të cilit familja jonë i kishte një gjak të vjetër. Para se të vdiste, im shoq kishte bërë çmos ta pajtonte gjakun, por gjakësori nuk kishte pranuar.
Mysafirja tha se atë ditë që e kishte parë trupin e djalit të vrarë, të shtrirë te bregu i përroit ku i kishin zënë pritë, ajo kishte kujtuar se diell nuk bënte më dritë, se qielli ishte rrëzuar mbi të si një rrasë guri që e kishte shtypur me peshën e saj. Kur fqinjët e kishin vënë në vig trupin pa jetë, ajo kishte marrë dy gurë të rrumbullakët, të spërkatur me gjakun që kishte rrjedhur nga plagët e të vrarit. Ajo i kishte puthur ata gurë, pastaj i kishte futur në gji. Ajo tha se, duke i mbajtur aty, i dukej sikur e kishte pranë të birin.
Kur iu luta të m’i tregonte gurët e përgjakur, ajo zbërtheu këmishën e vjetër që kishte veshur dhe nxori nga gjiri dy gurë sa dy mollë të zakonshme, të mbuluar me njollat gjaku të mpiksur.
-Këta gurë janë gjithçka që më ka mbetur nga djali im i vetëm, – tha ajo duke psherëtirë e duke derdhur lot.
Nëna fatkeqe i mbajti një çast në pëllëmbë, pastaj i puthi dhe i futi prapë në gji. Pasi e mbërtheu këmishën, ajo pushoi së qari dhe i fshiu lotët me një cep të shamisë së zezë.
-Deri kur do t’i mbash në gji këta gurë? – e pyeta.
-Deri atë ditë që do të nisem për ta takuar tim bir në botën tjetër, – tha ajo. –Tërë kohën, mendoj për këtë takim. I vetmi gëzim që më ka mbetur, është shpresa se, kur të shihem me të, do ta gjej njëzet vjeç, siç ka qenë ditën që e vranë.
Në çastin që i nxori nga goja këto fjalë, fytyra e saj u ndriçua si faqja e një mali kur largohet reja e zezë që ka zënë diellin. Pas një copë here, ajo u ngrit nga trungu dhe tha se do të shkonte atje për ku ishte nisur. Për këtë arsye, nuk mund të pranonte ftesën e gjyshes për të ngrënë drekë, por i dha fjalën se do të vinte një herë tjetër. Para se ta largohej, ajo më puthi në kokë, më uroi jetë të gjatë, pastaj eci nëpër rrugëzën që të çonte tek udha e fshatit. Ne e ndoqëm me sy gruan që kishte ardhur për t’u përshëndetur me gjyshen, deri sa ajo u zhduk përtej shkurreve e drurëve që rriteshin ndanë udhës.
Gjyshja nuk më qortoi, ngaqë isha kthyer nga korija pa pritur thirrjen e saj. Ajo më tha se mysafiren që sapo ishte larguar nga oborri ynë, e njihte qysh në kohën që ato kishin qenë nuse të reja. Gruaja e kërrusur që ecte duke u mbajtur në shkop, atëherë kishte qenë një nga nuset më të bukura e më sqimatare të krahinës. Më shumë sesa mosha, atë e kishin mplakur dhe e kishin rrëgjuar fatkeqësitë që i kishin rënë në kokë. Disa vite pas martesës, burrin e saj e kishte shtypur trungu i një druri, të cilin e kishte prerë në pyll. Pas varrimit të të shoqit, vejusha kishte vendosur të rriste djalin e saj të vogël, të mbetur pa baba, dhe ta mbante çelë derën e shtëpisë.
Djali i saj kishte hedhur shtat nga viti në vit. Pa i mbushur ende të njëzetat, ajo e kishte fejuar me një vajzë nga familje e mirë. Duke përdorur kësaj herë pushkën e gjakësorit, fati i zi e kishte penguar t’i gëzohej dasmës së tij. Edhe pas varrimit të djalit, ajo kishte vazhduar ta mbante çelë derën e shtëpisë së bashkëshortit,
derisa i madhi Zot ta thërriste të shkonte pranë tij, siç thoshte ajo.
Gjyshja më tregoi edhe një episod që hidhte dritë mbi karakterin e jashtëzakonshëm të asaj gruaje. Ditën që djali i saj kishte humbur jetën, një fqinj kishte shkuar në oborr të nënës fatzezë dhe i kishte thënë se djali i saj ishte vrarë në pritë te përroi i fshatit.
-Në qoftë e vërtetë kjo që thua, djali im nuk është vrarë në ndonjë punë të keqe, por është vrarë nga gjakësi i tij, siç ka ndodhur me shumë djem nënash, – ishte përgjigjur ajo.
Një grua fqinjë që e kishte dëgjuar fjalët e saj, e kishte pyetur sesi kishte mundur ta ruante gjakftohtësinë dhe t’i përgjigjej ashtu.
-Si mund t’i përgjigjesha ndryshe një njeriu që ma dha lajmin e vrasjes së djalit tim të vetëm, si të qe fjala për diçka krejt të zakonshme?
Vejusha e kishte marrë me mend se fqinji i saj kishte shpresuar që ajo do të zinte të ulërinte, duke shkulur flokët e duke gërvishtur fytyrën. Për të mos ia dhënë këtë kënaqësi atij njeriu zemërgur e dashakeq, ajo ishte detyruar ta mbante veten e të nisej menjëherë drejt vendit ku dergjej trupi i të birit…
Pasdite, prindërit e mi u kthyen nga fshati ku kishin vajtur. Gjyshja u tregoi sesi nuk e kisha zbatuar porosinë e saj për të qëndruar në korije, për shkak të gruas së moshuar që i kishte ardhur për vizitë. Ajo shtoi sesi unë isha afruar pa pasur frikë te mysafirja, të cilës i ishte bërë qejfi nga përshëndetja ime e përzemërt. Gjyshja e pranoi se nuk duhej të më kishte thënë të fshihesha në korije, meqenëse nuk i besonte fjalët që kishin përhapur gojët e këqija për nënën fatzezë. Ajo kishte vepruar ashtu ngaqë më donte si dritën e syrit dhe donte të më mbronte nga çdo e keqe.
Prindërve të mi u erdhi mirë që isha sjellë siç më kishte hije me mysafiren e moshuar, pa u frikësuar nga thashethemet, që qarkullonin për të. Meqenëse askush nuk e zuri ngoje më atë që kishte ndodhur atë paradite pranvere, edhe unë pandeha se do të harroja vizitën e gruas së moshuar dhe gurët e spërkatur me gjakun e djalit të saj të vrarë. Mirëpo nuk ndodhi kështu. Pa e përfilluar fare dëshirën time, imazhi i atyre gurëve zuri vend në një skutë të kujtesës sime.
Më vonë e kuptova se ata gurë do të më ndiqnin pas tërë jetën. Si ca shkëmbinj të hirtë që e nxjerrin kokën përmes mjegullës së shqyer nga një vrundull ere, ata do të më shfaqeshin para syve, për të më kujtuar nënën fatzezë, të cilës ia kishin vrarë djalin e vetëm. Në çaste të tilla, unë i përfytyroja ata gurë duke ecur nga një fshat në tjetrin, sikur të donin të zëvendësonin udhëtimet e pakryera të djaloshit, të cilin plumbat e një gjakësori nuk e kishin lejuar të ecte, t’i gëzohej dasmës së tij, të rronte e të rriste fëmijë bashkë me nusen e tij.
Ndonjëherë mendoja se ata gurë të përgjakur nuk do të pushonin se ecuri edhe kur të pushonte në varr nëna fatzezë që i kishte mbajtur në gji me vite të tëra. Udhëtimin e tyre, ata do ta vazhdonin të strukur në kujtesën time ku do të qëndronin deri në frymën time të fundit…


















