Halil Rama – Mjeshër i Madh: Atdhedashuria, lajtmotiv i shkrimtarit Shefki Karadaku

84 vjetori i lindjes – Familja, të afërmit, miqtë dhe shokët, përkujtojnë me nderim të veçantë autorin e 35 veprave letrare
Atdhedashuria, lajtmotiv i Shefki Karadakut
Halil Rama – Mjeshër i Madh

• Shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Xhevat Mustafa, pasi evidenton faktin që krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera evropiane, si gjermanisht, anglisht, dhe se në vitet ‘73-74 gazeta prestigjioze “RILINDJA” e Prishtinës botoi në 6 muaj radhazi novelën e tij “Kur kërcasin boçet e pishave”…..shpreh keqardhje sepse: “…fatkeqësisht, edhe pse ishte një nga shkrimtarët me më shumë tituj veprash të botuara, më të shquar e më të lexuar, sidomos pas vitit 1990, kritika letrare, Bashkia e Elbasanit dhe e Tiranës, Ministria e Kulturës, Ministria e Arësimit, Presidenca, nuk i kushtuan vëmendjen dhe nuk i dhanë vlerësimin që meritonte”

Pak ditë para para 84-vjetorit të ditëlindjes së shkrimtarit të madh Shefki Karadaku, miku i tij Hysen Kosovrasti (publicist dhe shkrimtar i njohur në zonat shqipfolëse të Republikës së Maqedonisë së Veriut) më dërgoi një foto të para dhjetë viteve. Një foto sa mijëra fjalë, për aktivitetin publik të shkrimtarit Sh. Karadaku, të adhuruar nga lexues të shumtë në hapësirën mbarëshqiptare në botë, fokusuar pas një takimi me personaliete të letrave në qytetin historik të Dibrës së Madhe, ku mes të tjerëve është edhe poeti i ndjerë Halit Basha.
Në emër të Art Klub “Dibra”, Dibër e Madhe, Z. Hysen Kosovrasti, ndër të tjera shprehet: “Shefki Karadaku erdhi disa herë, si i ftuar special në qytetin e Dibrës së Madhe. U njohtua me shumë poetë nga të gjitha trojet shqiptare, Tirana, Burreli, Peshkopia, Dibra, Kosova…, sidomos me kryetarin e klubit, Nebi Samarxhiu. Ata, disa që i njihte, e respektuan pa masë, sepse Shefki Karadaku është ndër intelektualët e rrallë që mori mbi supe përgjegjësi të rënda, në veçantësi ai punoi me shumë dinjitet në fushën e krijimit letrar si në prozë ashtu edhe në poezi”.
Jo paqëllim evidentova këtë fakt si fillesë e këtij shkrimi, sepse ky autor me një korpus aq të pasur letrar i lënë në harresë nga institucionet shqiptare, është ndër më të pëlqyerit nga lexuesi shqiptar, jo vetëm i Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Shkodrës e Dibrës, por edhe në Prishtinë, Shkup, Tetovë, Dibër të Madhe, Ulqin etj…
Nuk është rastësi që poeti e prozatori Shefki Karadaku mirërpritej e botohej kudo në trevat shqipfolëse, si në Prishtinë, Dibër të Madhe, Ulqin, Strugë etj. Madje në vitet ‘73-74 gazeta prestigjioze “RILINDJA” e Prishtinës botoi në 6 muaj radhazi novelën e tij “Kur kërcasin boçet e pishave”.

KHAJAMI I DITËVE TONA….

Dr. Lutfi Turkeshi, gazetar & studjues nga Republika e Maqedonisë së Veriut, jo më kot, e vlerëson Shefki Karadakun si “Khajamin e ditëve tona”. Në këtë konkluzion ai arrin pasi ka lexuar romanet “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi”, “Panagjerikus” e të tjerë, dhe vëllimet poetike “Kënga e korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit”, “Ylberi”. “Lumi me njëqind zemra” e “Feniks” të poetit e shkrimtarit Shefki Karadaku, i cili asnjëherë nuk do t’i nënshtrohej jetës edhe pse e vuante atë…
“Si feniks, shkëlqen me ide kuarci duke ndërtuar “udhë betoni”… I tillë është poeti Shefki Karadaku. Tërë vargjet e poemës ‘Feniks’ janë të harmonizuara estetikisht në të gjitha nivelet e të shprehurit emocional, individual, stilit origjinal dhe figuracionit. Këto poezi janë shprehje e një personaliteti poetik jo të zakonshëm… Ka poeti edhe idilin e vet të vendlindjes që është “… me çuka, rrape-qiparisa dhe subtropiku mund t’i flasë qershisë, por jo ajsbergë…”. Por, ka poeti edhe dashurinë e shprehur si Naimi e Çajupi: ‘Të këndoj ty bukuroshe si alku, unë s’jam poet i vjetër melik, po zemra po aq e lashtë sa dheu, përpara teje rreh si det antik…’, që pastaj të vijojë: ‘Po zemra e kërkon nudon e bukur, le të jetë ajo si mbretëreshë, që nëpër gjoksin e saj malli i shkurtër si tajfun floride të përqeshë…’. Si të përfundojmë?! Shkurt, poezi e veçantë, e jashtëzakonshme, e bukur… Është e tillë poezia e poetit Shefki Karadaku… Është shumë refleksive, sa më shpesh ta lexosh dhe rilexosh, gjithnjë do të nxjerrësh ndonjë ndriçim nga qielli me plot yje lirike të poetit të madh. Pra, kjo lirikë është identiteti poetik si katarzë”, -shkruan Dr. Lutfi Turkeshi-Gazetar, studiues (“IDENTITETI SI KATARZË” – Gazeta “Fakti”, 8 mars 2001, Shkup).
Krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera europiane. Revista letrare gjermane “Literatura Nr. 11, ndërmjet 20 autorëve nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit boton edhe fragmente nga krijimtaria e shkrimtarit shqiptar Shefki Karadaku. Revista është botuar nga shoqëria letrare “Marburg” e Universitetit të Marburgut. Kopjet e saj ruhen në bibliotekën gjermane sipas ISSN. Botuesja gjermane Erika Beeerman, në letrën e falenderimit për shkrimtarin Karadaku, ndër të tjera shprehet se kjo revistë boton autorë të famshëm.
Dy vjet më parë, me kontributin e familjes u botua në anglisht romani i Shefki Karadakut “PUTHJA E NGRIRE”, nga një kopje e të cilit ju dhurua selive te huaja diplomatike në Tiranë. Dhe menjëherë erdhi vlerësimi i ambasadorit gjerman Peter ZINGRAF për këtë roman tejet të arrirë që me të drejtë është mirëpritur e vlerësuar në botën letrare të kryeqytetit.

DR. MUJO BUÇPAPAJ: KARADAKU, NJË INDIVIDUALITET NJERËZOR DHE POETIK

Dr. Mujë Buçpapaj, duke evidentuar individualitetin krijues dhe njerëzor të shkrimtarit Shefki Karadaku nënvizoi faktin se Ai ishte një individualitet i fortë njërëzor dhe poetik, ishte një lirik i çiltër, mjeshtër i vargut dhe i teknikës poetike dhe këto i mjaftonin për të qëndruar larg poezisë së angazhuar dhe brohoritëse që siguronte shpesh privilegje, karrierë dhe shpërblime zyrtare. Buçpapaj mendon se Shefkiu si poet nuk ishte i rehatshëm për kritikën. Ai ishte një zë i pagabueshëm poetik dhe lirika e tij mistike nuk kishte parasysh këtë kritikë, gjithmonë të njëanshme, por një liri individuale universale si një vepër me ndikim të gjatë, si një eksplorim gjuhësor dhe përvojë e rrallë njerëzore që i drejtohet sa bashkëkohësve aq edhe së ardhmes.
Shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Xhevat Mustafa, pasi evidenton faktin që krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera evropiane, si gjermanisht, anglisht….shpreh keqardhje sepse: “…fatkeqësisht, edhe pse ishte një nga shkrimtarët me më shumë tituj veprash të botuara, më të shquar e më të lexuar, sidomos pas vitit 1990, kritika letrare, Bashkia e Elbasanit dhe e Tiranës, Ministria e Kulturës, Ministria e Arësimit, Presidenca, nuk i kushtuan vëmendjen dhe nuk i dhanë vlerësimin që meritonte. Në gjykimin e Xhevat Mustafës, proza në tri përmasat, pra në tregime, novela dhe romane e Shefki Karadakut, shquhet apo dallohet: – për origjinalitet, për spektrin e gjërë të subjekteve, nga lashtësia deri në ditët e sotme; – për narracionin apo rrëfimin e zhdërvjelltë e të natyrshëm; – për strukturimin intrigues dhe mbërthyes nëpërmjet emocioneve të shumta e të forta nga faqja e parë deri tek e fundit…

LINDI PËR TË KRIJUAR ARTIN E TIJ
Sakip Cami – shkrimtar, poet dhe publicist i njohur, e konsideron Shefki Karadakun një shkrimtar të spikatur si në poezi edhe në prozë, në novelat dhe romanet e tij me subjekte dhe personazhe që të mbeten në kujtesë. Sipas tij, e veçanta e prozës së Karadakut është poezia e shkrirë brenda saj me figura letrare dhe artistike që të mrekullojnë. “Karadaku ka shkruar e botuar 10 libra me novela e 12 romane ku do të veçoja romanin “Puthja e ngrirë” , një roman i shkruar në vitet 1990 – 1991 që trajton egërsinë e diktaturës komuniste që po jepte shpirt duke vrarë e plagosur dhe kjo e dhënë nëpërmjet një çifti të rinjsh, Rrok Delisë dhe Zibelit, të ciëve falangat komuniste ua ngrinë puthjen dhe ua mohuan dashurinë duke i vrarë në kufi”,- vlerëson ndër të tjera S.Cami, duke vijuar se Shefki Karadaku lindi për të krijuar artin e tij dhe si i tillë jo më kot është vlerësuar nga të mëdhenjtë e letrave shqipe si Llazar Siliqi, Petro Marko, Adriatik Kallulli, por dhe personalitete të njohura të letrave shqipe, si: Moikom Zeqo, Roland Gjoza, Riza Lahi, Petraq Risto, Agim Cerga, Milianov Kallupi, Dr.Lutfi Turkeshi, Faruk Myrtaj, Sazan Goliku, Halil Rama e Sakip Cami, të cilët vlerësojnë maksimalisht veprën letrare të Shefki Karadakut ndër vite
Prozatori Andon Andoni, vlerëson se romani “Puthja e ngrirës” ka një natyrë moderne për sa i përket portretizimit të personazheve.
Shkrimtari, dramaturgu dhe publicisti Arben Iliazi e vlerëson Shefki Karadakun një zë emblematik të lirikës shqiptare.
Për poetin dhe analistin e mirëfilltë të veprës letrare Agim Pipa, apostulli i poezisë, i tregimit, romanit dhe letrave shqipe Shefki Karadaku, përbën sot një rast unikal jo vetëm në dukjen, në formën dhe elementë të tjerë të veprës së tij të madhe, por mbi të gjitha, me përmbajtjen që priret të shkojë fjalë pas fjale, tingull pas tingulli, fonemë pas foneme, ligjëratë pas ligjërate, morfologji dhe sintaksë gjuhësore bashkë, me përmbajtjen që priret të shkojë pra drejt thellësisë së shpirtit të njeriut.

FAMILJA

Studjuesi dhe analisti i zellshëm i veprës së tij letrare, Bardhyl Ajazi, në monografinë : “Elbasan, i bukur Elbasan” (me syrin e poetit Shefki Karadaku), ndër të tjera shkruan: “….Shefki Karadaku (i datëlindjes 9 qershor 1941), i perkiste një familjeje të mirëfilltë intelektuale. Babai i Shefkiut, Xhaferr Karadaku ishte një arsimtar, që pasi mbaroi atë të bekuar Normale gjithë jetën ia kushtoi mësuesisë. Nëna e Shefkiut, Adile ishte një grua e kulturuar dhe arsimdashëse. Ajo bëri shumë sakrifica për shkollimin e fëmijëve të saj. Vëllai i Shefkiut, Astriti mbaroi studimet për gazetari dhe punoi për shumë vite në organet kryesore të shtypit. Motra e Shefkiut, Natasha, mbaroi studimet për mësuesi dhe punoi për shumë vite në arsim. Pra, Shefkiu, në detyrën e arsimtarit ishte në fushën e vet, ishte në botën e librave. Janë ato vite kur ndjeu shijet e para të kënaqësisë së heshtur krijuese, nga skicat, tregimet, reportazhet, monografitë historiko-letrare, për të vijuar pastaj për 20 vite në revistën prestigjioze “Ylli”, si një nga zërat më të spikatur dhe si mbështetësi real e kurajoz i letrarëve të rinj nga i gjithë vendi.
NADIRJA, FRYMËZUESJA E KRIJIMTARISË SË BASHKËSHORTIT
Dashuria e pamatë e këtij gjeniu të letrave shqipë, padyshim që ishte (dhe është) bashkëshortja e tij Nadire Karadaku. Ajo është ndoshta nga zonjat e rralla, jo vetëm si frymëzuese e krijimtarisë së bashkëshortit të saj të ndjerë, shkrimtarit të mirënjohur e shumë të sukseshëm, Shefki Karadaku, por edhe mbështetësja e financuesja e botimit të 20 librave të tij. Noterja e mirënjohur, që në rininë e saj ka shkruar dhe botuar poezi, skica e tregime të arrira artistikisht dhe të vlerësuara nga lexuesi i asaj kohe, në një intervistë eksluzive për “NACIONAL” prezantohet jo vetëm si njohëse perfekte e letërsisë botërore e asaj shqiptare,

por edhe si një kritike e mirëfilltë letrare. Ndër të tjera ajo kujton se si Shefkiu shkruante në shtëpi, në parqe e lulishte, kudo ku gjelbëronte muza e tij….. “Kishte ditë që ulej para tavolinës dhe shkruante për 10 orë rresht. Shpesh çohej edhe nga gjumi dhe shkruante për disa orë edhe natën… Nuk kishte regjim të caktuar, por pas viteve ‘’90 ai shkroi me shumë temp dhe botoi shumë libra, ndërkohë që la në dorëshkrim disa vepra te tjera letrare…Shefkiu ishte në sintoni të plotë si shkrimtar dhe njeri i mrekullueshëm, dhe unë kam qenë me fat që për rreth gjysmë shekulli isha bashkëshortja e tij. Ai nuk jeton më, por kudo që rrotullohem në shtëpi, më duket sikur e kam pranë, pasi kudo prek libat e shumtë të tij që përbëjnë një pasuri tejet të vyer, jo vetëm për familjen, por parasëgjithash për kulturën tonë kombëtare”, thotë ndër të tjera Nadirja. Dhe nuk ëshët rastësi që poeti madh Sh.Karadaku, poezitë më të mira ja ka kushtuar atdheut (atdhedashuria, latmotiv i krijimtarisë së tij), nënës Adile, bashkëshortes Nadire,si dhe vajzës Albana – ndër noteret më me reputacion në Tiranë, e aftë, e përkushtuar, zotëruese perfekte e artit të komunikimit.

KOORPUSI LETRAR I SH.KARADAKUT PËRBËN NJË THESAR TË ÇMUAR
Teksa lexon veprën e Shefki Karadakut, vetëtimthi të kujtohet krijimtaria letrare mjaft cilësore e këtij poeti dhe prozatori që shkruan prej pesë dekadash, si romanet: “Sagë Mbretërore”, “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Gjergj Elez Alia”, si dhe disa novela e vëllime me poezi.
Koorpusi letrar i Sh.Karadakut përbën një thesar të çmuar që rrezaton dritën e artë. Gjetjet metaforike, forca krijuese, gjuha e pasur e shpesh poetike, përdorimi mjeshtëror i fakteve, kronikat, përshkrimi i heronjve, legjendat dhe episodet e bëjnë të këndshme prozën e këtij shkrimtari.
Rrallë gjen në historinë e letërsisë shqipe një autor si Shefki Karadaku, të vlerësuar nga pena të spikatura si: Agim Cerga, Perikli Jorgoni, Milianov Kallupi, Riza Lahi, Jusuf Shahini, Leonard Veizi, Faruk Myrtaj, Mujë Buçpapaj, Ramazan Vozga, Namik Selmani, Sazan Goliku, Sakip Cami, Neritan Dragoti, Ahmet Banushi, Ermir Hoxha, Tomor Jolldashi, Mihal Disho etj.
Ndaj, shkrimtarë të tillë si Ai, që kanë sjellë risi në letërsinë tonë, meritojnë vëmendje nga kritika letrare dhe, në mungesë të Lidhjes së Shkrimtarëve, nga Ministria e Kulturës e nga Presidenti i Republikës. Personalitete si Ai, meritojnë vëmendje, sepse janë truri i kombit.