Hamit Aliaj: Bijtë e fikës i hanë perënditë veta, poezi

FAJE DRUNI

Nga Hamit Aliaj

ZOTA JETIMË
Fëmijët kujdesen të mos u sëmuren kukullat,
Prindërit kthehen në libër lutjesh të mos u sëmuren fëmijtë,
Qentë qajnë kur u sëmuren të zotët,
Po kush do të kujdeset kur sëmuren zotat ?!

Vetmi zotash jetimë
Të mbetur pa njeriun, në qiell e në dhe,

Për Qiell e për Dhe.

GRUA E PANJOHUR

Atë rrugën e holluar, si krah zogu
Harruar e vetmitare, plot bar të egër
Tash s’e shkeli më, se tek ti më sjell,
Mijëra sy të bukur me zjarre ujkonjash

Si sytë e tu, më panë plot lutje,
Por fytyrat nuk ishin asnjë si e jotja
E kur fytyrat që m’u dhanë, si e jotja ishin,

Sytë ishin të tjerë ,tjetër ishte qeshja,
Kaprolle të hutuara s’kish në ata sy
Veç dete plot varka ikanake,
Detet s’e mësuan kurrë artin e plakjes!

Grua e panjohur, fjalë e pathënë
Nëpër qiejt e Europës që me avionë i brodha
Ajo rrugë e hollë mbuluar me bar të egër

Avionët i huton, radarët i prish
E më ndjek, fërgëlluese nën hënë…

QIELLNISHT

Gratë e të humburve
Pikëllim i botës janë,
Qershi të mbjellura në oborre jetimoresh

Të pikëlluara lulet
Që çelin në tokat e robnueme
Fatkeqët hyjnë në këngë:

Të vdekur
Hypur në kalë të drunjtë
Qiellnisht rrëzohet kujtesa
Mbi gurin që nuk plaket,
E as gjak nuk ka

Nuk është qëndresë,
Burg i dritës është guri
Se botët ndryshojnë
Vetëm kur çmenden kukullat…

Kan me u çmendë kukullat një ditë !

FAJE DRUNI

Ai nuk shkoi asnjë ditë në luftë,
Kur ajo mbaroi dhe flitej për të munguarit,
I shpalli tradhtare të gjitha pemët:

Pse ju çelët lule
Edhe në kohë të robërisë ?!

Me sakicë në krah, një nga një i pret,
Me drunin e tyne gdhend
Të dekun prej druni
Që del e i shet

Në emën të historisë…

NESËR…

Ia heq urat lumit dhe i merr me vete si libër
Për të lexuar në to hapat që s’kthehen më,

I vë drynat qiellit dhe zgjidh qenin në muzg,
Në besë ia lë natën ku pipërrin veç qokthi,

E shkon të bëjë gjumin në botët e Ajnshtajnit
Ku nata e atjeshme është sa njëqind të këtushme

I lumi ai i mjeri
Në çfarë agu do të zgjohet nesër !

BIBLA E DRITËS

Në errësi vërtitej Universi,
Të bëhet njeriu, u tha në ditën e fundit.

Njeriu u bë,
Po prap ish terr Gjithësia
Pastaj erdhi dashuria

Dhe u bë drita.

KTHIME PA HËNË…

Në katundin ku vdiqën gjithë burrat
Natën nga varrezat dilnin hije të çuditshme,
Shkonin te shtëpitë pa zot
E flinin me vejushat e mbetura shkret

Ishin burrat e tyre të dikurshëm
Vdekur prej pengjesh të mëdha
Pa u mbushur ende viti diellor
Fëmijë të çuditshëm mbushnin
Netët e frikshme të katundit- shtet

Dhe historitë edhe sot fillojnë
Me njerëz të lindur prej fantazmash

DRURI I NATËS

Në atë dru prej terri janë rrathët e dritës,
Në ata rrathë është një burrë,
Në atë burrë është një grua e bukur,
Në atë grua është udhëkryqi ,

( Gjithë udhëkryqet e botës janë në një grua),

Në atë udhëkryq është druri i natës
Që pret të bëhet violinë,
Në drurin e natës janë hënat dhe zjarret,
Mungon vetëm fjala…

( Gjithë udhëkryqet e botës janë në një grua)

QENI I ÇARTUN

Vrite qenin e çartun, Imzot
Se edhe qiellin po e msyn
E ka me na i hanger zotat !
Për qiell e për dhe !
Po s’lë kanuni qenin me e vra,

Shoqata e qenve ,nuk lë !
E qeni i çartun msyni udhëtarin e parë,
Udhëtari i parë kafshoi udhëtarin e dytë,
I dyti të tretin, i treti …

Në mbrëmje gjithë katundi u çart e lehte si qen,
I u turr deleve çartani i zi,
E delet e terbuara lehnin si qen,
Lehnin krojet ku pinë ujë të çartunit,
Lehte dhia e Paria, huta e lahuta,

Të nesermen ranë shkabat mbi gjahun e tyre,
Këlyshë të vegjël,lepuj,qingja e gjithçka gjetën
Po krejt ishin të trenta,të çartuna,nis e sos,
Shkonin qiellit me to, e qielli lehte,

Leh qielli, Imzot,
Atë e ditë e sot !

NATA E SHTEGTARËVE

Njeriu i mbetur në moskohë
Duke shkelë hijen e vet shkon pyjeve
Me diej të ftohtë e gjuan vjeshta
Frymë njeriu s’piplon ag e mug

E drurët e natës lëshojnë
Hije nën hanë
Oh ç’tutë e vetmueme
Hijet e hanës !

Është nata e shtegtarëve
Para se me shkue te krojet e vetmive
Me za të naltë i thërrasin vetes
Që të degjojnë të Lumet e natës që hënojnë burimeve

E të mos shkelin në sofrën e tyre që të zanon
Çfarë rrenë e bukur :
Njeriu i thërret vetes ,jo për zanat e malit

Po për të mundur frikërat e vetmisë së përjetshme
Që lindin perëndi të vogla
Është nata e shtegtarëve

Që ikin nga dheu im,
Në shpindë mbajnë
Perënditë që vetë i krijuan

PIKLA

Në një pikël uji fle vetëtima,
Qiej që murmurojnë,shirat e vetmive
( Në ujin që pin ti )
Janë retë ,
Dhe anatomia e detit,
Pikëllimet e botës,në një pikël uji,
( Në ujrat ku kqyresh ti )
Ah ,uji që ti lan sytë ,në çfarë qielli shkon,
Kur bëhet rrufe, mbi ç’botë bubullon?
( Një re e bardhë prej teje del
E qiell më qiell prapa më vjen)
Në një pikël uji, gjithë etjet e botës…

RRETHI 365

Kish ra një bishë e çuditshme
Që faroi gjind e gja të gjallë,
Një imcak u nis malit dhe u trand dheu,
E s’u panë më,bisha as njeriu

Një ulurimë ndihet mot për mot
Thua se bisha ende s’ka dhënë shpirt
Libri i pashkruar flet për një kulshedër
Që i thau gurra e kroje,

Flatra i dolën një djali dhe bubulloi ,
Gjak i zi ra qiejsh e u lshuen ujnat
Më nuk u panë , kulshedra as djali me flatra
Një tjetër u rrzue në kersh
Ku lulonte një lule që s’e mbrrini kush
E kurrë s’kish shkelë kambë e të gjallëve,

I rrëzuemi s’u gjet e thanë e hangri lulja
Kur erdhi liria dhe po lypeshin te zhdukurit
Në mal u gjet njeriu që pat vra bishën,
Edhe djali që i dolën flatra e vrau kulshedren,
Edhe i rrzuemi për një lule

Njëri ish bërë vet bishë, zot i grigjave memece,
Tjetri – kulsheder , zot i ujrave të ngujueme,
Ndërsa i treti- lule
Në shkëmbin ku s’ngjitet askush
Metamorfozë e gjëmshme e Lirisë !…

Mbas rrethit 365 të rrotullimit të tokës
Fillon viti i paemër.

PRITJE

Gaztorët e qytetit
Paskan shkuar ta bëjnë zotin të qeshë
Aktori që vdiste çdo natë në skenë
Herë si Romeo, herë si Hamlet,

( O zot, si qanin gratë e qytetit të vogël për të !),

Në mesnatë shfaqet i dehur me konjak Skënderbeu
Në kafènenë “ Tri zanat”
Veterani i luftës së fundit
Merr në krah këmbën e tij të drunjtë
Dhe shkon ta shesë në tregun e heronjve

Qyteti nuk fle
Pret në ankth gruan e bukur
Mos çliron bishën që ka brenda saj
Për ta pushtuar tej e tej qytetin
Dhe i luten zotit
T’ua sjellë këtë robëri të bukur

Priftneshat e pafjetuna
S’lejojnë asnjë prishje martese
E vetmja që divorcohet
Është Liria !

HUMBËTIRA

Vjetranët në humbëtirën pa hartë
Bëjnë be se Krishti është prej katundit të tyre
Dhe mësime pleqnare i kanë dhënë djaloshit të ri
Qyshse 33-shi u bë numri fatal i botës
Prap besojnë se ai shfaqet netëve sa herë hingëllijnë kuajt,

Udhëtar këmbëzbathur i mbetur jashtë në natën e botës,
E këta ia mësojnë udhët për te njeriu,
Rreth mëngjesit ai bëhet re e bardhë
E netëve kujdesen veçanërisht për grazhdin e kalit

Se Krishti nuk lind qyteteve të betonta e dritave
I duhet patjetër një kasolle, një grazhd e një qiri …
Mariet me burra të vdekur prej kohësh
Për çdo vit lindin nga një fëmijë pa baba…

MËNI ZOTASH TË LASHTË

Nëpër dënesje reshë zbresin zotat e lashtë
Si mjegulla vjeshtojnë lugjeve të vetmuara
E bëhen barinj me fyej ndjellazanash
Vetëm e vetëm të takohen me ty,

Në të njëjtën orë,në të njëjtin vend
Ti, zotave u lije takim
Por vije tek unë , rrence zotash !
Atë ditë e sot qiejt e hutuar
Mbetën pa zota ,se pas teje u harruan

Bjeshkëve ku vazhdojnë duelet për ty
Bora e qindvjetshëve aty i ka zënë
Në pritje të verës që s’do të vijë më
Qysh atëherë kam ngjallur mëninë e hyjnive
Që nuk m’u nda asnjëherë,

Sa Troja të rrethuara u dogjën në mua !
Avionë plot natë shkojnë e vijnë nën hënë,
Një kalë i bardhë më pret te retë e bardha

PARA SE TË NISESH…

I mërzitur nga viset e tua,
Para se të nisesh në vende të panjohura,
Merr pak vjeshtë në strajcë për shpendët ikanakë,
Lidhe qenin që brenda teje leh,
Skifterin që del prej teje lere në qiellin e vjetër
Dhe natën, oh, natën e viseve të para,
Merre me vete, mos e harro,
Se asnjë yll nuk ndizet po nuk pati natë !
Të paktën të mos mbetesh i paqiell
Kur vetveten e humbur
netëve ta kërkosh , me fener fëmijërie
Se mbrapa teje mbetet guri
Që pret të bëhet njeri,
Njeri me fytyrën tënde të harruar
Sa herë të kalojë andej një grua…

GJAHTARËT

Në pyllin e mistershëm dolën për gjah
Gjahtarët ,pa ikur hënë e mëngjesit
Zunë pritat kahdo ku s’ikën as zogu
Dhe erdhën në prita krejt të egrat e pyllit
Mos ma vrisni atë kaprolle, tha gjahtari i parë,
Në të është shpirti i një vajze që e dashta dikur,
Mos e vrisni atë ujk, tha gjahtari i dytë,
Në të është shpirti i një njeriu që kam njohur
Që u bë ujk e iku nga jeta,
Mos e vrisni këtë dhelpër ,tha gjahtari i tretë,
Në të është shpirti i hafijes së katundit
Që vdiq një natë me borë e s’e pamë më,
Mos e vrisni atë lepur, tha gjahtari i katërt,
Ka jetuar në mua e shpirt nga imi ka
Gjahtari i pestë, i gjashtë,i shtatë,
Në gjithë kafshët a zogjtë njohën shpirtrat e dikurshëm,
E shpirtrat nuk vriten,thanë ata
As kur dalin prej njeriut e te egërsirat hyjnë !
Në muzg u kthyen me armë të pashkrehura …

EDHE VDEKJA ËSHTË NËNË

Në këtë jetën e shkurtër
Unë qeshi me vdekjen:
E gënjej, i vë emra si të më teket,
Kurrë nuk këndoj lavde për të

Ajo ka të veten
Kohën e pamatë, unë këtë të matshmen,

Ka kohë të hakmerret për shpërfilljen time
Të paktën me fjalë të hiqem trim
E ta mund tutën, frikërat e mëdha
Me të cilat ajo sundon botën

E të bëjnë të vdesësh përditë përsëgjalli !
Edhe vdekja është nënë :
Nëna e të gjitha frikërave !

ÇARTANI I QYTETIT TË ÇARTUR

Si kalë e shalonte vdekjen e vet,
E lidhte për freri te këmbët e statujave jashtë kafenesë
Atë dhe hijen e tij
Vetë hynte e pinte verë,

Këndonte këngë për femrat e bukura
Dhe ftonte në dyluftime profetët
E lodhur nga mospërfillja e tij
Vdekja e braktisi çartanin e përhënur

Ai dilte mbrëmjeve i dehur dhe e kërkonte ngado:
Kush ma pa të bukurën time ,
Të pabesën që shkon me të tjerë?

I hypte kalit mespërmes qytetit
Dhe u hakërrehej statujave plot morte:
“ Mashtruese të shekujve, ju ma gënjyet atë,
dhe ma morët
Dekën time të bukur”!

Po ajo kish punë të tjera derë më derë,
E harroi çartanin e qytetit të çartur
Dhe e dënoi me jetue !

EMRAT E UJIT

Emrat e ujit i ka një grua,
Herë bëhet lum, herë re e bardhë,
Borë që bie mbi gjithësinë
Uji dhe gruaja….

Emrat e ujit i ka një grua,
Syve të saj lexohet
Ndryshimi i motit
Një grua është e tëra prej shpendësh

Gjithë fluturimet janë në të:
Ikje flatruese e kthime qiellore
Skifter i larmë ndjek pëllumbin e egër,
Diku nëpër të
Çirret sorrë e zezë

Gjithë zjarret prej qiellit bien
Krejt vdekjet në qiell shkojnë…
Emrat e ujit i ka një grua

VJEDHËSIT E VDEKJEVE

Përsëgjalli ia bënë muzeun,
Në muze renditën krejt fotot e tij,
Bustet e tij me mermer të kuqërremtë,
Ku diejt harrojnë të perëndojnë,
Armët e luftës ku nuk shkoi kurrë,
Rrobat e ceremonive dhe dekoratat,
Disqet e rapsodëve që i kënduan këngë,
Librat e bibliotekës që s’i lexoi ndonjëherë ,
Gazetat e zverdhura prej motesh që shkruan për të
Dhe teshat që gjindja i ruajnë për ditën e dekës
I futën në qelqe të ndritshme

E ai

Gjallë se gjallë !
Dëm i madh:
E lanë pa dekën e tij
Vjedhësit e vdekjeve !

DIEJ TË FTOHTË

Gjithçka u bë vjeshtë:
Ikin qiejt në krahë zogjsh verorë,
Kanë ftohtë edhe diejt e ikin s’di se ku,

Ik dhe vetja ime
Nga unë….

Ty po të lë
Me veten time të dikurshme
Në brigjet e vetmive të Veriut…
Diej të ftohtë
Ta paskan prarue fytyrën !

Harruan vajzat mbiemrin e parë,
Unë, thjesht kam harruar
Emrin e lumenjve.

FATE LUMI

Kaq lumenj të mbytur në Drin:
Morava, Ereniku,Valbona,
Lumi i Kasajt, Lumi i Shalës,Kiri
E Buna, që buron nga gruaja e gurit

Duke kaluar Drinin
Të gjithë lumenjtë i kapërceva
E Drini i mbytur në mua
Asnjëri prej tyre
Nuk mbërriti ndonjëherë në det

Me emrin e vet.

TË BIJTË E FIKJES

Të bijtë e fikjes
Me copa atdheu e gjuajnë diellin në theqafjen
për në dete
E botën natë e bëjnë, tej e tej

Të bijtë e fikjes
Gjithë jetën e çojnë duke ndërtuar secili
nga një perëndi të veten

E në mbarim i hanë perënditë veta
Të bijtë e fikjes
Ta falin shtëpinë, gjakun e burrit të vrarë ta falin,

Por të vrasin po hyre në këngë
Të bijtë e fikjes
Që s’dijnë të lexojnë dheun

As barin, të gjthzotshmin e përjetshëm të harresës !

HARRESA

Çdo natë zbret një dritë prej qiejve
E sillet rreth dritares tënde
Thonë e shohin duke pikturuar

Të gjithë bëjnë bé se vetë Zoti është
S’paska kryer punë ende me njeriun:
Sipas fytyrës tënde e trupit
Njerëz të tjerë do lindka

Se ditën e fundit të krijimit diçka paska harruar
E vjen të të shohë ty në gjumë
Për të krijuar bukurinë

Ti , mos u zgjo !