Mmarrë nga Reuters
Kampionati Botëror i Futbollit u hap të dielën në Katar, hera e parë që ai zhvillohet në një vend të Lindjes së Mesme dhe më i shtrenjti në historinë e tij.
Vendi mysliman u përball në prag të Kampionatit me një sërë kritikash për trajtimin e punëtorëve migrantë, të drejtat e komunitetit LGBT dhe kufizimet sociale.
Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani mbërriti në stadium së bashku me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, para një turme entuziaste dhe u ul së bashku me udhëheqës të tjerë arabë.
Princi i kurorës së Arabisë Saudite dhe presidentët e Egjiptit, Turqisë dhe Algjerisë, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, ishin ndër udhëheqësit e pranishëm në një stadium në formë tende përpara ndeshjes së parë midis vendit organizator dhe Ekuadorit, që përfundoi 0-2 në favor të Ekuadorit.
Katari – i cili ka mohuar akuzat për abuzim të punëtorëve dhe diskriminim – dhe FIFA shpresojnë që vëmendja tani të kthehet në fushën e futbollit. Organizatorët kanë mohuar gjithashtu akuzat për rryshfete për të drejtat e organizimit.
Emiratet e Bashkuara Arabe, afrimi i të cilave me Dohën ka qenë më i ngadalshëm se ai i Riadit dhe Kajros, dërguan zëvendëspresidentin.
Për herë të parë, një fluturim komercial i drejtpërdrejtë nga Tel Avivi në Doha u ul në Katar të dielën, pavarësisht mungesës së lidhjeve zyrtare dypalëshe, në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga FIFA për të transportuar palestinezët dhe izraelitët në Kampionat.
Të shtunën, Infantino i FIFA-s iu drejtua kritikëve evropianë të Katarit, duke thënë se angazhimi ishte mënyra e vetme për të përmirësuar gjendjen e të drejtave të njeriut.