Harry Bajraktari, New Yrok: ZEMRA MAL PËR “KCIMIN e TROPOJËS”

Më është bërë zemra mal, nga lajmi se “Kcimi i Tropojës”, e thirrur ndryshe si “Valle veni”, është njohur tani edhe nga UNESCO si një “monument” i kulturës botërore.
Urime Tropojës, Malësisë së Gjakovës, për arritjen e madhe kulturore kombëtare me përfaqësim të lartë ndërkombëtar. Vallja e bukur dhe tradicionale u pranua edhe zyrtarisht këto ditë në “Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit” të UNESCO-s, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë.
“Kcimi i Tropojës”, kjo pasuri e çmuar dhe e rrallë kulturore shqiptare, që dëshmon vlerat universale të traditave tona të hershme të Tropojës Alpine, Dardanisë e Kombit, që prej këtij fundviti 2024 po renditet edhe si një simbol kombëtar i identitetit kulturor shqiptar, duke na bërë krenarë të gjithë shqiptarëve në Atdhe e në Amerikë e kudo tjetër në Mërgata Shqiptare në Botë.
Për këtë arritje të madhe të vendlindjes së të parëve të mi dua të shpreh edhe vlerësimet e Mirënjohjen time të veçantë: për të gjithë mbartësit dhe interpretuesit e “K’cimit të Tropojës” ndër brezat e derisotëm e të nesërm; për Shoqatën “Kcimi i Tropojës” ; për institucionet lokale e qëndrore të Shqipërisë; për mediat shqiptare; për të gjithë lobuesit e kontribuesit; duke theksuar se kjo na e rrit përgjegjësinë lokale e kombëtare shqiptare për të pasë angazhime e arritje të tjera të mbrojtjes e vazhdimësisësë saj.
Tropoja ka edhe një tjetër arritje të madhe lokale e kombëtare, Ka ne UNESCO edhe xhubleten e Nikaj merturit, ndersa “Lumi i Gashit” u bë pjesë në Listën e Trashëgimisë Botërore natyrore të Njerëzimit (kulturë materiale) të UNESCO-s.
Arritja e Tropojës me “K’cimi i Tropojës”, si një arritje kombëtare, me promovim ndërkombëtar e mbrojtje nga UNESCO, merr rëndësi të veçantë sepse deri më sot në në Listën e Trashëgimisë Botërore (kulturë jo-materiale) në UNESCO janë vetëm dy nga pasuritë kombëtare shqiptare: Iso Polifonia Labe (2005, 2008) dhe Xhubleta (2022).
Është pa dyshim një vlerësim i merituar për Tropojën e mbarë Malësinë e Gjakovës, një krahinë, e cila shpesh është përmendur për patriotizëm dhe virtytet më të larta njerëzore, që ka luajtur rol në historinë e popullit shqiptar. Por që ka qenë gjithmonë edhe burim i një folklori të mrekullueshëm, me valle, këngë, muzikë, instrumenta muzikorë, veshje të bukura karakteristike etj.
Ky vlerësim duhet t’u japë zemër shqiptarëve që të punojnë për ta ruajtur folklorin e tyre, për ta pasuruar. Kjo bëhet duke mos e lënë të harrohet. Duke ia mësuar brezit të ri. Duke treguar krenari e dashuri për traditat tona.
Kur fillon Vallja e Tropjes me ritmin që jep tupani, me bukurinë e çiftelisë dhe fyelli, me valltarët e me shtatin e lartë dhe veshjet e bukura tradicionale ta mbushin zemrën me gëzim.
Tani këtë K’cim të Tropojës e njeh dhe është e vendosur që ta mbrojë e gjithë bota. Urime!

*Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.