Hazir MEHMETI Vjene: TRAGETI, tregim

Lisi hapi sytë. Hodhi mbulesën anash me dorën e majtë, dhe u ul ngadalë duke varur këmbët nga krevati mbi sandalet e buta ngjyrë rozë. Lëkundi kokën e rënduar nga gjumi sikur donte të shkëputej nga një botë tjetër. Rrallëherë kishte parë kaq shumë ëndrra të këqija sa u gëzua që ishin vetëm ëndrra. Ngadalë me dorën e majtë mori celularin mbi komodinën aty afër, dhe atëherë i ra ndër mend se kishte harruar baterinë e zbrazur të celularit. E futi spinën në prizë për mbushje derisa të bënte një dush, diçka që e përsëriste çdo mëngjes.
Sot paraditja e vrenjtur nuk e dispononte. Para se të nisej në punë mblodhi gjërat e domosdoshme që i duheshin në të përditshmen e tij. Nuk është pak. Tani e dhjetë vjet pune si drejtues autobusi në metropolin e tij ku kishte ardhur emigrant me familjen nga Kosova qysh në moshën nëntëvjeçare, e ndiente veten sikur të kishte lindur këtu, edhe pse ai vinte nga vendi i të parëve të tij të cilin e njihte fare pak; nga tregimet e vuajtjeve; nga pushimet; nga ahengjet familjare; varrimi i gjyshit apo ndonjë përrallë e lidhur me shpellat dhe bjeshkët atje larg që i njihte vetëm në imagjinatën e tij. Po, harrova! Ai mbante mend kërcitjen me lugë e tenxhere, e vetmja mundësi pakënaqësie pak para se të nisej këtej. I dukej argëtim edhe këtu pranë Danubit, deri vonë kur filloi të kuptonte përse qeshnin të tjerët, kur ai kërkonte ta rrotullonte tenxheren dhe t’i hidhej me lugë e pirunj me sa forcë kishte për t`u dëgjuar sa më larg zhurma kumbuese. Dhe, as nuk kuptonte vërejtjet e fqinjëve drejtuar familjes së tij për shqetësimet e tyre. Kur nëna ia rikujtonte, ai hidhërohej, pastaj hidhte lugët, fshihej në kthinën e vogël anash krevatit prapa derës e kthehej vetëm kur të tjerët merreshin me gjëra të tjera pasi kishin harruar lojën e tij. Nga atdheu gjithashtu, nuk e harronte thyerjen e fotografisë me pikturën “Djaloshi me Flamur” nga njerëzit pa fytyrë kur ai ishte vetëm pesë vjeç dhe fshihej në prehërin e nënës sikur të ishte në lulak. Nëna ia mbulonte sytë me krahun e saj të xhaketës që të mos shihte vandalizmin e policisë sekrete serbe. Lisi nuk e harroi lodrën me të cilën luante, ariun e tij të shkelur nga çizmet e zeza, kur ariu humbi gjuhën e tij dhe nuk e dëgjonte Lisin ndërsa nuk ecte si më parë edhe pse bateria ishte e plotë. Po ashtu nga vendlindja i kujtohej qeni i tij, Bishtaku, që lehte kur Lisi po nisej për rrugë me nënën e tij për të shpëtuar nga policia armike e vuajtjeve të vjetra. Ishte ditë e shtunë në fillim shtatorin e vitit 1998, një mëngjes i freskët i shoqëruar nga krismat supersonike të avionëve luftarakë serbë që paralajmëronin një ditë të re dhune mbi Kosovë.
Lisi gjithçka tjetër e kishte harruar. Udhëtimi me furgon e shpëtoi nga traumat me të cilat nuk duhet të rritej fëmija në të nesërmen e tij. Shumë prej ngjarjeve të rrugëtimit të fundit nga vendlindja i kishte harruar. E kishte harruar ngarkesën në furgonin e gjelbër, rrugën me gropa njëzet e shtatë orë, kishte harruar edhe bandat plaçkitëse bjeshkëve shqiptare. Një nga të veçantat e asaj rruge ishte thyerjet e xhamave të furgonit me gurët e hedhur nga banditët e fshehur kaçubave në errësirën e natës, kur shoferi nuk dëshironte të ndalonte. Shpeshherë kishte dëgjuar edhe gjatë bisedave apo kujtimeve se: Ishim me fat që copat e xhamave nuk qëlluan udhëtarët e bërë grumbull mishi mbi katër rrotat që gjëmonin gropave. Shoferi i njihte banditët, falë lidhjeve të tij që kishte qysh nga nëntëdhjetë e pesa dhe ryshfetit, derisa kishin arritur në portin e Durrësit. Ai tani nuk dukej port i zakonshëm me shkëlqim ngjyrash anijesh, as me shkëlqim dritash. Ai ngjante më shumë si një varrezë anijesh të ndryshkura nga koha e komunizmit.

Ato qysh nga viti nëntëdhjetë e dy ishin pjesë e fotoreporterëve të gazetave botërore nga koha e eksodit masiv të shqiptarëve drejt vendeve tjera në vazhdimësinë e tij. Është fat që të gjitha këto i kishte harruar Lisi, por jo edhe Lulja e cila akoma trishtohej kur i kujtoheshin gjithë ato peripeci së bashku me tre fëmijët e saj në rrugë për tek bashkëshorti. Besimi nuk kishte qenë në shtëpi prej tre vjetësh si i dënuar nga pushtuesit serb për veprimtari irredentiste, siç e quante regjimi serb çdo kundërshtar të vendimeve të tyre.
Nga Bari i Italisë vinte trageti detar i cili ishte lidhja kryesore shqiptare me botën tjetër. Grupe familjarësh të cilët pritnin të afërmit e tyre në anën tjetër perëndimore, ndarë me rrethojë krijonin tollovi, se cili do të hynte i pari në pjesën e limanit ku trageti ngarkohej. Rrethoja e metaltë që ndante udhëtarët me portin u përforcua me ushtarë të njësitit special që tani ishin shpresa e rendit, pasi policia e kishte humbur betejën me bandat dhe nuk kishin mbetur ushtarë as për mbrojtjen e vetes.
Lulja, iu afrua turmës së udhëtarëve që prisnin. Nga veshja dhe pamja e tyre dallohej se ata vinin nga të gjitha krahinat shqiptare. Një motoçikletë e fuqishme me dy persona të veshur me xhins dhe jaka lëkure me furi tmerruese nga zhurma, hodhi gurë dhe pluhur në të dy anët e turmës e cila mbushte sheshin para hyrjes. Askush nuk bëri as gëk e as mëk. Ec e guxo po deshe! Dy policë para filialit të një banke përballë u futën mbrapa trupit të palmës së rrjepur nga goditjet e gjithfarë sendeve që vetëm dora e banorëve të qytetit di t’i përdorë.
Ardi! Ti rri i fundit, je më i madhi, – iu drejtua Lulja duke iu dridhur zëri. Ardi i zbehur shikoi nënën e tij në fytyrë dhe ia ktheu me zërin e shterur sa mezi u dëgjua:
– Nënë, unë kam frikë!
-Lisi do ecë para teje, kurse unë do mbaj përdore Rinën. E kuptuat? Secili do të mbani njëri-tjetrin përdore. Na duhet të shtyhemi në radhë për të kaluar rrethojën, përndryshe mbesim këtu, – tha Lulja dhe ngarkoi valixhen mbi kurriz.
Turma filloi të shtrëngojë radhët. Ata që ishin më të fuqishëm filluan të shtyjnë të tjerët duke u hedhur mbi ta me gjithë peshën e tyre dhe valixheve që mbanin mbi shpatulla.
-Mos shtyni se na plasët, – u dëgjua një zë i mekur brenda turmës.
-Merre çantën Agim, se po zë radhën edhe për ty, shtyju edhe ti ose mbete!
-A ka radhë këtu! A ka polic ose njeri, këtu! – u dëgjua piskama brenda turmës. Ndërkohë dy burra vrapuan rrugës duke u munduar të kapnin hajnin në fillim të kthesës së rrugës edhe pse atje nuk dukej asnjeri.
-Eh, ta dhjefsha shëtitin e tillë! – shfryu njeriu me shkop i cili mezi shpëtoi nga shtypja në turmë. Rregulloi mëngët e xhaketës, shkundi plisin e ndrydhur dhe mori frymë sikur të lirohej nga dheu i shembur. Ashtu i djersitur ai vazhdoi të shante pa ndërprerë çdo gjë.
-A di ku je! – ia priti tjetri?! Mustaqeve të gjata i rridhte tymi i duhanit bashkë me avullin e djersëve. Këtu i thonë Shqipëri!
-Nga brenda pati një lëvizje nga ushtarët. U afruan afër portës dhe larguan personelin që lëshonte udhëtarët e djersitur ashtu siç ishin nga shtypja e turmës.

Një çift i ri me tri valixhe të reja, iu afruan telave, bënë lidhjen me të njohurit e tyre brenda dhe lëshuan ca marka në grushtin e ushtarit përtej telit.
-Ti, hej ti, eja këndej. Hapuni rrugën këtyre dy vetave. Grumbulli i njerëzve edhe po të donte nuk mund të largohej, pasi ishin pothuajse ngjitur aq shumë me njëri-tjetrin, sa ishte e vështirë të ndaheshin.
– Njëri nga komandantet ushtarakë i cili dallohej nga grada në cepin e shpatullës, ia futi bilbilit me sa fuqi kishte. Masa u step dhe dukej sikur pushoi nga shtyrjet drejt portës.
-Dëgjoni! Mos u shtyni. Të gjithë do keni mundësi të udhëtoni. Trageti do të niset në kohën e duhur.
Turma u qetësua pak. Njëri i cili sapo u duk në mes të grumbullit iu drejtua me zë të fuqishëm.
-Edhe dje kështu na thatë, – por nuk na mori trageti. Iku! Mori vetëm ata që paguan lekë.
Jo! Ne do hyjmë ose do mbytemi aty afër tragetit. Ju të kënaqeni pastaj!
-Nuk ju besojmë! Kam tri ditë që pres këtu dhe nuk mund të hyj në traget. Haraçi ishte treqind marka, kush punonte në Gjermani dhe vendet evropiane. Ju po i bëni këto vetë, nuk ju vjen turp!
Turp, turp… akoma tingëllojnë këto fjalë në veshin e Lules edhe pas kaq vitesh. Lulja arriti me ndihmën e disa pasagjerëve të hynte brenda rrethojës me gjithë fëmijët e saj.
Sapo filloi të qetësohej Lulja brenda rrethojës, një zotëri me uniformë iu afrua asaj:
Zonjë për ku udhëtoni?
-Në Itali dhe pastaj në Gjermani, tha ajo e gëzuar duke menduar se personi e njihte dhe do e ndihmonte.
-Doni t`ju ndihmoj, – tha ai me zë të mekur.
-Natyrisht, por si mund të më ndihmoni ju mua? Mos jeni nga Kosova?
-Jo ore, ç`është kështu me ju kosovarët! Vetëm kosovarë, kosovarë… si nuk keni farë respekt për ne shqiptarët! Mos po mendoni se jeni aq të pasur dhe mund ta nënçmoni edhe ndihmën tonë! Jo, nuk jemi ne si ju me dy kokrra mend! Ku doni të shkoni? A dini të ndaloni ndonjëherë, iu drejtua asaj njeriu me uniformë duke fshehur emrin dhe numrin e tij.
Po ju qenkeni nga ushtria. Ne kemi shpresë se do na ndihmoni, kam tre fëmijë me vete, – i drejtua Lulja.
-Ejani me mua, një minutë!
Lulja mori frymë thellë me shpresë se do ta ndihmonte për shkak të fëmijëve të lodhur e rraskapitur nga shtyrja dhe pritja e gjatë. Ushtari u kthye drejt saj dhe me zë të ulët tha: “Nëse paguan njëmijë marka do ju ndihmoj të hipni sonte në traget, përndryshe kthehuni nga keni ardhur”.

Jo, nuk kam! Unë vij nga Kosova. Edhe po të kisha kurrë s’do t`ua jepja. Kështu jeni surrati juaj, vetëm lekun e dini zot.
Ushtari u zhduk në prapavijë nga dukej njësiti prej të cilëve vareshin shpresat e qytetarëve në mbajtjen e radhës në vendin e nëpërshkelur nga bandat.
Pas dy orëve duke u zvarritur me valixhe dhe tre fëmijë Lulja arriti tek hyrja për kontrollin e pasaportave.
Ju?! – pyeti polici doganier, për Gjermani udhëtoni… apo, dhe anash nën letra lexoi fshehurazi. U hoq kinse po i rridhnin hundët duke i fshirë me gishtat e tij të trashë.
Ndërkohë Lulja ia ofroi pasaportat gjermane të saj dhe të tre fëmijëve.
Urdhëroni pasaportat, iu drejtua policit i cili mori pasaportën e udhëtarit tjetër, anash saj me stemën shqiptare.
Pritini pak zonjë, iu drejtua me ironi pa e shikuar në sy Lulen. Ardi i lodhur nga valixhja e lëshoi para këmbëve të tij me skajin e së cilës e preku këmbën e vogël të motrës së tij, e cila filloi të qante. Lulja e qetësoi disi ashtu siç ishte me pasaporta në duar duke pritur të kalonte.
U qetësuat, pyeti polici dhe ndërkohë mori pasaportën e udhëtarit tjetër i cili me një përshëndetje majë hunde u zhduk në grykën e tragetit që kishte hapur gojën si një përbindësh deti.
Zoti polic, urdhëroni pasaportat! Jam në radhë tani, fëmijët janë lodhur. Kemi dy ditë që jemi rrugëve. Unë jam në radhë. Ndërkohë ushtari i cili ishte ofruar ta ndihmonte, për njëmijë marka kaloi anash turmës duke hyrë e dalë nga vija e tragetit dhe pritjes.
Për ku thatë ju se udhëtoni zonjë? – e pyeti sërish polici duke shikuar anash i inatosur hundë e buzë bashkë. Në fytyrën e zbehtë i lëvizën rrudhat e mjekrës dhe faqeve, kurse qerpikët e shkrumbuar ia mbulonin sytë e vegjël e të rrudhur.
Për në Gjermani. Urdhëroni dokumentet, ia ofroi Lulja e cila i mbante për një kohë të gjatë, sa për të kaluar tridhjetë udhëtarë në kufijtë e vendeve normale, duke ia zgjatur dokumentet para syve.
Auu! – ju doni që me këto pasaporta të udhëtoni zonjë! – i kërcënoi ai pa e hapur mirë dokumentin. Jo, këto janë të falsifikuara, për këtë edhe mund të arrestoheni, kërcënoi ai me ironi të frikshme.
Lulja u zu e befasuar. Iu duk sikur mbi kokë i ra maja e Kalimashit nga kishte kaluar tetëmbëdhjetë orë gropave në rrugën kaladredhë lartë e poshtë deri këtu.
-Jo zotëri! Këto dokumente janë origjinale gjermane, mund të pyetni tim shoq atje. Me këto kam udhëtuar gjithmonë nëpër shumë kufij edhe këtu. Si qenkan të falsifikuara, kjo nuk ka kuptim. Ju lutem mos më nxirrni telashe. Shikoni si janë të lodhur e frikësuar fëmijët, mezi erdhëm deri këtu. Po të ishin të falsifikuara nuk do udhëtoja vetëm me tre fëmijë.
Polici u nervozua. Shkonte andej nga lëvizte ndihmësi ushtarak i cili kishte kërkuar njëmijë marka dhe kalonte i shkoptisur me duar në xhepa.

Zonjë, tha i inatosur polici. Hapeni rrugën dhe kaloni majtas derisa të vijë eksperti për t’i marrë pasaportat tuaja.
Ju lutem zoti polic, mos me vononi. I shihni fëmijët e lodhur, ju lutem!
-Mjaft me arsyet tuaja! – Ne nuk jemi këtu kishë as xhami për lutje, ne jemi zyrtarë në detyrë shteti. E dalloni uniformën e shtetit, ju bëjnë sytë! Ju kosovarët jeni mësuar t’i vini fëmijët përpara dhe me dokumente të falsifikuara të udhëtoni nëpër botë pa paguar asgjë.
Lulja e inatosur, iu afrua policit afër dhe me një lëvizje të shpejtë i mori pasaportat mbi skajin e rrethojës kufizuese të cilat i la polici anash.
Këto dokumente janë të miat dhe ju nuk mund të luani me to, kurse me mua dhe fëmijët mundeni, pasi zgjodha këtë rrugë duke menduar se po kaloj në territorin e shtetit tim.
Polici i vrenjtur u mundua të reagonte por duke parë turmën u përmbajt.
Atëherë shporruni! Derisa të jem unë këtu nuk do kaloni as sot as nesër, – e kuptuat! Atje, e shihni atje, ikni përtej rrethojës së portit, jo të tragetit por atje në rrugë. Ndërkohë dy ushtarë iu afruan Lules duke e detyruar të largohej prej andej me valixhe dhe fëmijët e saj. Portën ku kishte pritur mbi dy orë, tani e kaloi për pak sekonda mbrapa e përcjellë nga dy ushtarët, njëri printe, kurse tjetri vinte pas tyre.
E hidhëruar dhe e lodhur Lulja filloi të qante fshehurazi nga fëmijët, por ata e kuptuan dhe filluan të qanin pa e ditur se çfarë po ndodhte. Mos qani, tani e thërrasim Besimin, dhe vjen e na merr. E shihni këtu ka plotë njerëz, fëmijë, gra, pra nuk jemi vetëm, mundohej t’i qetësonte fëmijët.
Ndërkohë që mbushej trageti me pasagjerë dhe mjete të tjera, nata gllabëroi çdo gjë ku vetëm dritat e dobëta të portit reflektoheshin në ritmin e valëve të ujit. Rryma ndaloi mu atëherë kur duhej ndriçimi i errësirës. Kjo e trishtoi Lulen. Pëlcitje eksplozivi dhe breshëri automatiku dëgjoheshin herë pas herë qytetit me gjithë trishtimin që ngjallnin. Të dy ushtarët pa folur asnjë fjalë u kthyen sërish brenda rrethojës nga erdhën, kurse Lulja u ndal pranë murit të ndërtesës. Në skaj të rrugës i afroi të tre fëmijët rreth valixhes së saj që të mos frikësoheshin nga qentë që silleshin vërdallë. Lypësit shtrinin dorën në çdo moment për lëmoshë edhe pse Lulja u kishte dhënë disa herë monedha të imta. Lypësi vandal që i dha lëmoshë ia kishte hedhur lekët duke kërkuar me ngulm marka gjermane. Që nga ai rast ajo kishte vendosur të mos u jepte asnjëherë dhe tani ishte e qetë. “Nuk ka nder me të pandershmin”, iu kujtuan fjalët, të cilat kushedi se kur i kishte dëgjuar.
Largimi i tragetit me gjithë rrëmujën rreth tij në port u shoqërua me kthimin e atyre që përcollën të afërmit dhe grupet e qenve drejt daljes nga rrethoja, gjysma e të cilëve çalonin nga këmbët e para ose të pasme, të djathtat apo të mëngjërat. Ishte e vështirë të caktoje ashtu sikurse ngjyrat dhe racat e tyre; të gjithë ishin qen rrugaçë dhe endacakë. Dritat e tragetit largoheshin në terrin e natës mbi det, kurse trishtimi i Lules rritej vrullshëm. Tani sheshi i ankorimit i boshatisur nga pasagjerët dhe familjaret e tyre, dukej me gjithë gropat e tij të thella. Gruaja me kapelë dhe burri i saj me të cilët kishte biseduar Lulja teksa pritnin në radhë, po ktheheshin nga përcjellja e djalit dhe nuses së tij. Kur e panë Lulen të strukur skaj rrugës mbështetur për muri u shtangën: Si, është e mundur! Po ju përse këtu, e shihni se trageti iku? – pyeti e habitur gruaja e shqetësuar duke u përulur para fëmijëve. Ç`ndodhi me ju kështu? Çfarë patët? – pyeti ajo duke marrë frymë thellë e trishtuar në errësirën në të cilën një dritë e largët në skajet e betonit fikej e ndizej e zbehtë. Ajo pa lotët e Lules që rridhnin faqeve të zverdhura dhe fëmijëve të strukur rreth valixhes të mbështjellë me rroba të ndryshme.
Qyqja! Sa keq! Po çfarë do bëni këtu tërë natën, deri nesër nuk ka traget tjetër! Ju thatë keni dy ditë rrugë deri këtu, nga Drenica e largët. Po tani!
Derisa ajo fliste i shoqi i saj rregulloi çadrën me bërrylin e drunjtë në dorën e djathtë.
Nuk e di sa fatkeqe jam, – tha Lulja duke u munduar të fshihte dënesjen e saj në vaj nga frika për fëmijët. Nuk më lejuan. Më thanë të paguaj njëmijë marka. Ku t’i marr unë ato para kur po vij nga shtëpia e djegur shkrumb e hi në Drenicë? Jetuam në Prishtinë disa javë duke u kujdesur për vjehrrin dhe vjehrrën e lodhur dhe pasi ata shkuan tek vajza e tyre në Tetovë, ne vendosem t’i bashkohemi sërish tim shoqi në Gjermani. Ai na pret, është shumë i merakosur për gjendjen tonë në Kosovë ku lufta dogji fshatin tonë dhe ne u detyruam të jetojmë si refugjatë në Prishtinë, bile paguam treqind marka në muaj për strehim. U detyrova të vij vetëm me tre fëmijët e mi duke menduar se nuk do të kem telashe. E mjera unë e mjera, si do ia bëj deri nesër këtu mes rrugës, dhe lotët e saj binin rrëke mbi xhaketën e saj të rrudhosur.
Na vjen keq që nuk mund t`ju ndihmojmë. Jetojmë në një fshat larg nga këtu, nuk kemi shtëpi as shtrojë e mbulojë. O, zot sa keq! – tha gruaja dhe të dy ikën duke luajtur kryet me keqardhje.
Nata e errët tregonte dhëmbët e saj prej gogoli në rrugicën përballë portit të Durrësit, tashmë me emrin e tij të ndryshkur Porti i Ikjes apo Porti i Varrit me gjithë historinë e tij të lashtë e trishtuese. Mes ankthit dhe lodhjes fëmijët filluan të flinin. Kjo e qetësonte sadopak Lulen. Anash mbante ushqime të mbështjella të mos i linte fëmijët e uritur. Shishet me ujë po mbaroheshin. Kjo ishte e frikshme sa nuk mund të mendonte, ku të blinte apo ku t’i mbushte, sepse askund nuk ishe i sigurt ditën, e lëre më natën.
Nga kodra sipër breshëri mitralozi zgjuan Lisin trishtueshëm. Nënë! Nënë, ku je? Mos më le vetëm! Erdhi ushtria të na kallin shtëpinë prapë! Jo loçka e nënës fli, të kam xhan. Këtu nuk mund të vijnë shkitë, jemi në Shipni, toka jonë. Nënë, qentë, qentë po lehin, i sheh atje skaj dritës, tha Rina duke u strukur në gjirin e saj. Flini, zemrat e mia, e patë policin aty roje, ai i cili na ofroi kartonët ku ju po flini sonte, atë mundësi kishte, jo më shumë. “Merreni tha, – as vetë nuk e di a dal në mëngjes i gjallë nga bandat dhe iku”. Po ku është, nuk po e shoh? – tha Ardi. Aty prapa murit të Bankës Kombëtare, frikësohet të dalë në dritë. Si! Polici frikësohet? Kjo nuk ka kuptim nënë tha Ardi duke u rregulluar mbi kartonët e shtruar me erë vaji që të kundërmonte hundët. “Këtu ka kuptim gjithçka”, – e mbajti brenda mendimin duke mos dashur të zgjerojë bisedën në atë natë skëterrë buzë detit dhe në pamje i erdhën trishtueshëm vaporë të mbushur me kufoma që iknin nga purgatori i përrallave fatkeqe. Shikoi orën. Iu duk se akrepat e tij kishin harruar rrotullimin në terrin e natës dhe nuk lëviznin fare. “Eh, Besim, sa shumë na fole për këtë atdhe të shtrenjtë! Po ta dije ku jemi ne familja e jote sonte nuk do flije, por do vije fluturim mbi det e mbi shtatë kodra posi shqiponja tek zogjtë e saj”, mendoi Lulja me qepalla të rënduara plumb.
Mbi kodra nisi agimi i vonuar me gjithë barrën e rrugëtimit sipër kodrave e luginave deri në Dyrrahun e mbuluar me rërën mijëra vjeçare. I pari nga grumbulli i rrethuar me plastikën e zezë dhe kartonë pakosh, i hapi sytë Rina. “Nënë ku është gjyshi, – ai sapo ishte këtu. Ku është, dhe filloi të qante me zë. Ku jemi këtu! Ku? – dua të shkoj te gjyshi. Ai u fsheh diku, sapo më tha: Rina unë të dua shumë, shumë sa bjeshka, sa toka, sa qielli, sa dielli, dhe filloi sërish të qante. Lotët e saj mbi pakon e shtypur të shtrojës krijonin rrathë që zmadhoheshin në rrethin e gjerë sa gjithë rruga, sa gjithë sheshi deri në detin me gjithë gjëmimin e rëndë të tij. Lulja ishte aq e lodhur, aq e frikësuar sa nuk kishte besuar se do shihte dritën e ditës. Iu duk se kurrë në jetën e saj nuk kishte pritur me aq padurim ardhjen e ditës së re. Aq shumë e gjatë ishte nata, sa iu duk se gjithë ajo dhunë me policinë dhe banditët e tyre kishin ndodhur para një viti, edhe para zjarrit në shtëpinë e saj ku kishte humbur çdo gjë që kishin ndërtuar tërë jetën. Kishte humbur të gjitha fotot, pajën e nusërisë, arkën e vjetër e flakëruar të ruajtur qysh nga gjyshi i saj, pra kishte humbur ato që nuk mund të sigurohen më kurrë, ato që vrasin kujtesën. Zaten, këtu ishte qëllimi i pushtuesit të vriste kujtesën e kombit, të rrënonte kulla e varre në Dardani. Por, Jo! Kurrë nuk do largohemi nga toka jonë, do kthehemi sërish të lirë.
Zhurma e makinave, krisjet e armëve, lehjet e qenve, përbënin zërin kryesor në orkestrën e mëngjesit. Një sirenë anijeje para ankorimit u duk se zgjoi jetën e valëve të detit në ditën e re. Furgoni i ndryshkur pa katalizator i mbushur përplot udhëtarë me zhurmën e një tanku të plagosur lufte tronditi hapësirën bashkë me largimin e përgjumësisë së banorëve. Sheshi filloi të gjallërohej. Disa furgonë dhe vetura gjithfarë zhurmash dhe formash u zbrazën në sheshin e gropëzuar para rrethojave të kantierit të vjetër në skajin e të cilit zgjatnin qafat e gjata vinça të ndryshkur metalike qysh nga koha e komunizmit. Shumica e pasagjerëve me valixhet e tyre dhe fëmijët e përgjumur nga rruga e largët mblidheshin para portës aty ku palma e vjetër kishte varur gjethe gjysmë të shkëputura nga lëndimet. Grupet e qenve ishte po ata të mbrëmjes së kaluar me ndonjë mungesë që s’mund të dalloje në sorollatjet e tyre. Matrapazë me tuba letre lekësh në duar kërkonin këmbim me valuta të huaja, lypësit e moshave të ndryshme filluan të shtrijnë duart para udhëtarëve, të cilët nuk largoheshin pa lëmoshë, dhe nëse nuk iu jepje të gjithëve fillonin sharjet.
Lulja ua rregulloi rrobat fëmijëve, u dha të hanë rriska buke të lyer me reçel e pastaj mblodhi rrobat, valixhen dhe u nisën drejt turmës përtej rrugës. Sa më shumë i afrohej sheshit parahyrës në liman takonte njerëz që thyenin frikën e vetmisë së natës, iu duk se njihte shumë prej tyre. Aq shumë ishte irrituar nga vetmia në errësirë sa i krijoheshin parandjenja takimi fytyrash të njohura nga labirintet e kujtesës. Papritur nga larg njohu kushëririn e saj Arbenin. U befasua. Ai ishte që moti pjesë e Ushtrisë Çlirimtare dhe jetonte maleve të Drenicës, i plagosur në mbrojtje të popullatës civile në Qirez.
Po, ti nga këtu? – e pyeti i befasuar sapo e pa Lulen.
Ja, më duhet te shkoj në Gjermani. Kam vizitë te mjeku pas operacionit nga tumori i vjetër. Më pret Besimi, por ka tri javë nga ofensiva armike që nuk kemi mundësi. Po të ishte në luftë do ta arsyetoja, – tha Lulja e mërzitur.
Po, të gjithë jemi në luftë moj Lule, secili me mundësitë dhe formën e vet, – u përgjigj Arbeni.
Dukeni të lodhur, rrugë e gjatë bjeshkëve pafund me fëmijë! Edhe ne u lodhëm, mezi i sollëm tre shokë të plagosur. Do t`i përcjellim për shërim jashtë vendit pasi vijnë nga diaspora dhe kanë sigurime të jashtme. Ne do të presim edhe vullnetarë të mobilizuar nga disa shtete, pastaj do i përcjellim për Kosovë, dhe i ra ndërmend biseda e fundit me Besimin. Ai nuk ishte i sigurtë se Besimi ishte me ushtarët në traget, por e dinte se ai tani e disa javë ishte pjesë e njësitit të stërvitjes ushtarake në Zvicër.

Mos u shqetësoni, tha me zë të ulët dhe mori Rinën në krah. Ne kemi kontakte me policinë doganore dhe do ju ndihmojmë të vendoseni në traget e pastaj do kthehemi prapa, – tha Arbeni i shqetësuar.
Trageti arriti në port. Grupet e pasagjerëve që prisnin për udhëtim ishin të ndarë me rrethojë metalike nga hapësira e shkarkimit. Lulja me tre fëmijët e saj prisnin me shqetësim se çfarë po ndodhte. Takimi i saj me kushëririn e tij ishte shpresë se nuk ishte e vetmuar. Në shesh dalloheshin grupe të rinjsh nga viset e luftës armët e të cilëve nuk dukeshin. Ata filluan bisedën me policinë doganiere, si duket ua shpjeguan situatën e rënduar të shokëve të tyre të plagosur të cilët kishin dokumente shtetesh të tjera nga kishin ardhur për të ndihmuar luftën në Kosovë dhe tani duhej të ktheheshin për shërim.
Sapo trageti lëshoi spirancat dhe litarët e fuqishëm kangjellave të betonta masa kureshtare u qetësua nga zhurma në rrëmujën pa formë. Një altoparlant me zë të shterueshëm lajmëroi se nga trageti së pari do zbrisnin vullnetarët ushtarë e pastaj të tjerët. Një duartrokitje e fuqishme dhe brohoritje: “Drenicë jemi me ty, Rroftë Ushtria Çlirimtare” dhe brohoritje të tjera nga individë e të rinj që u ngjallën si të dilnin nga deti. Në shkallët e tragetit dy ushtarë me flamurin kombëtar dhe të ushtrisë rrinin gatitu. Pas pak filluan zbritjen shkallëve deri në kalatë të shoqëruar nga ushtarë shumica me veshje civile që në shpinë mbanin çanta të mëdha ushtrie ku sipër tyre dallohej helmeta e gjelbër kurse poshtë tij rrinin të varura çizmet ushtarake. Të gjithë me radhë sipas njësiteve mbushën sheshin me radhët e tyre dhe flamuj me forma e ngjyra të ndryshme. Një moment Rina ngriti duart lart e thirri: babi, babi im! Lulja nuk iu besoi syve. Shkallëve në zbritje dalloi flokët kaçurrel të Besimit anash kapuçit ushtarak me stemën e tij tashmë të njohur. Mbeti e shtangur. Ardi dhe Lisi filluan të thërrisnin me zë, kurse Lulja nuk mundi t`i mbante lotët. Kjo që po ndodh është e paimagjinueshme mbi trishtimin e djeshëm me gjithë ankthin e natës. Vetëm kur arriti në rreshtin e fundit e dalloi qartë, se pikërisht ai ishte me uniformë ushtarake, çantën e ngarkuar dhe flamurin e ngulitur në anën e djathtë të saj. Lulja zgjati kokën ta ndiqte përtej rrethojës metalike por kjo nuk e ndihmoi.
Duartrokitjet nga pasagjerët dhe qytetarët që ishin mbledhur iu drejtuan radhës së vullnetarëve që vazhdonte marshimin përtej portës se portit dhe pas pak i erdhi radha rreshtit të Besimit me shokët e tij. Rina nuk ndalonte së thirruri, kurse Ardi e Lisi brohoritnin me të madhe. Kur ai u afrua përballë tyre Lulja thirri me fuqi emrin e tij. Ai u kthye dhe buzëqeshi. Ngriti duart lart dhe pasi i foli diçka shokut të tij vrapoi drejt rrethojës duk i përqafuar aq sa e lejonte hapësira mes telave.
-Po, ku jeni shpirtrat e mi! Ku je Schatz, zemër i tha Lules duke i shtrënguar duart e varura në tela. Arbëri i cili ishte brenda zonës ushtarake e kishte përcjellë skenën, i buzëqeshur u afrua dhe mori ngrykë gjatë Besimin. Nuk kishte fjalë, kishte lotë të përcjellë me ofshama të thella që flisnin për mallin dhe gjithçka të dhimbshme që kishte ndodhur në largësinë e tyre.
Arbeni u qetësua. Ngadalë u kthjellua Besimi dhe Lulja me fëmijët e saj prapa rrethojës.
-Nga qendra e kam ditur se je i kyçur në përgatitje, por nuk më kanë treguar se kur do vish. Mirë se vjen në tokën tënde!

Pasi biseduan me drejtuesit, Besimi mundi të qëndronte disa çaste me familjen e tij. Ata u ulën në rreth betonin e palmës së vjetër në sheshin e portit. Lulja e emocionuar iu drejtua Besimit:
-Kemi pritur lajme prej teje, por humbe fare. Eh, sa jemi mërzitur! Çdo gjë në fshat u bë shkrumb e hi, mirë që shpëtuan fëmija! Flaka e luftës po merr çdo gjë, po ti ku do shkosh kështu? Mendon se do t’i ndalosh këto vuajtje? A mendon që ke fëmijë dhe grua?! Kush do kujdeset për ta! Unë s’e kam merakun tim, e kam për ty! Çka do bëjmë nëse ti vritesh! Është luftë, po derdhet gjak gjithandej vendit! Ku do mbesin pleqtë që kurrë s’iu teren sytë nga lotët për ty e tani për fëmijët e larguar! Heshtje! Po kthehem edhe unë nuk do shkoj, po vij me ty të dali ku të dali! – tha e mërzitur Lulja duke u munduar të mos e dëgjonin fëmijët, teksa fshinte lotët që i rridhnin faqeve e mjekrës dhe binin në pluhurin mbi dhe.
Besimi dëgjonte i prekur duke i përqafuar fëmijët. Rina nuk i ndahej nga qafa: Babi unë do vij me ty, nuk të lë vetëm. E di ti sa frikë kam të jem vetëm, shumë, shumë. Po ky kapuç i kujt është filloi të pyeste ajo duke luajtur me të.
Sa bukur qenkeni veshur! Por më dukeni të lodhur, mos keni pritur shumë rrugëve?- tha duke shtrënguar në kraharor fëmijët e tij dhe duke ndier energjinë e tyre në fuqizimin e tij magjik. “A ka jetë që nuk duhet falur për ta, për lirinë e tyre, tokës së vuajtur me shekuj! – mendoi duke shtrënguar dhëmbë e nofulla dhe duke hapur sytë që shpërthenin urrejtje. Sa nuk bërtiti fjalët: Do isha më i lumturi sikur të bija dëshmor për liri. Ishin fjalët e komandant Fehmiut para gjithë botës.
Zemra ime! – iu drejtua Lules. Ti gjithnjë ishe jeta ime, jeta e familjes, ishe shpirti dhe kuptimi i të gjithave: dashurisë, lumturisë, sakrificave dhe vuajtjeve! Unë jam si gjithë të tjerët që janë; të nënave, motrave, fëmijëve e grave të tyre burrëresha që mbajnë shtëpi e Atdhe. Liria nuk fitohet pa luftë, ne e kemi biseduar sa e sa herë. Ti gjithnjë më dhe shpresë e dashuri për jetën, vendin, tokën bashkë me fëmijët tanë që më japin forcë pa kufi. Unë do të vazhdoj rrugën time, dhe ju lutem, edhe ju rrugën tuaj. Kur je ti me fëmijët, unë nuk e kam merakun e familjes, bëhem me krah dhe nuk ka plumb që më arrin. Ti je më e zonja se unë, se guri! Atdheu na kërkon, kemi dhënë besën Ti dhe unë dhe s’ka kthim mbrapa! Me dorën e majtë ia fshiu lotët faqeve të skuqura. Një ditë do të bashkohemi në dasmën e madhe të lirisë, të gjithë: nëna, im at, ti Lule, Ardi, Lisi e Rina ime e dashur. Kjo ditë nuk është larg, ajo na kërkon ne. Lulja përmallshëm e shikonte në sy si dikur kur takoheshin buzë lumit në livadhet e gjelbra të Qirezit përplot lule drenicare me aromë lirie. Në irisin e saj mes bebëzave i dolën shëtitjet në Prishtinë kur u njohën së pari si studentë, me gjithë zërin e këngës që këndonin së bashku nën pishat e lagura qull nga shiu: Shi binte në Prishtinë, e pastaj demonstratat e vitit kur helmohej e rrënohej Kosova. Kjo është jeta jonë: e bukur, e vështirë dhe krenare. Sirena e vaporit paralajmëroi largimin e radhës nga limani i zhytur mbi vajra të vjetra bashkë me copa hekurash të ndryshkura skutave të tij. Arbeni vinte me nxitim drejt tyre. Tani dukej se koha e takimit kishte mbaruar.
Përqafimi i fundit ishte ai i Rinës e cila nuk dëshironte ta linte të atin vetëm. Nga ballkoni i vaporit duar të ngritura përshëndesnin largimin e tyre mes kaltërsisë së detit. Lotët flisnin me gjithë zemër e cila po ndahej për bashkimin e përjetshëm në Liri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here