I vogël,
E dija se Çamëria ishte diçka e shtrënjtë,
Që nëna e mbante mbështjellë,
Me shaminë e nusërisë.
Çdo të diel ajo shaminë e hapte.
Shtëpia na mbushej ploot me lule.
Çuditërisht,
Ne na pushtonte një ndjenjë malli,
Ndërsa babai atë ditë nuk fliste,
Por psherëtinte e psherëtinte…
Pastaj, merrte fyellin dhe i binte.
Përherë fillonte me të njëjtën melodi.
-Është vajtim për dy vëllezërit që ja vranë,
-Na thoshte nëna.
Ne dëgjonim e lotonim…
Në rini,
Çamërinë e ndjeva në ëndrrat e mia,
Dhe era e jugës , që vinte nga Qafa e Botës.
Për ta patur pranë,
Një faqe mali mbolla me ullinj…
Tani jam burrë.
Çamërinë se nxë më shamia e nënës time.
Tani,
Çamëria nuk është më ëndër .
Tani,
Ç’do natë ndjej frymën e thirrjen e saj .
Ç’do natë vjen e më vë kushte në gjumë,
Ja të shkoj unë tek ajo,
Ja, ajo do vijë tek unë…
Tani, Unë dhe Çamëria , Nuk rrojmë dot pa njëri tjetrin.
Lops , Çamëri 1991.
Foto : Fshati im në Çamëri, Lopsi.
Shenimi autorit: Çdo poet ka poezi që u feston ditëlindjen…Kjo poezi që e dua shumë sot mbushi tridhjet e pes vjet… Rroftë edhe pas meje…!

















