(Qaste me veteranin e gazetarisë, Nehat Islamin, përmes dialogut të përbashkët gjurmëve të tij nëpër dekada që mbetën dëshmi të realitetit kulturor, shoqëror dhe historik.)
Gazetaria, në Kosovë, e ka bartësin e një përvoje të gjatë, që sot në moshën tetëdhjetëvjeçar “shfleton” kujtesën për të plotësuar intervistën e cila, në mënyrë kolegjialë, i propozohet. Duke e njohur mirë karakterin e njeriut që gjithmonë i është shmangur reklamës, e kisha parasysh se, ndoshta, do ta refuzonte propozimin. Mirëpo, mbështetje e kisha rrugën e gjatë të shoqërimit, që nga vitet e gjashtëdhjetave, që atëherë kur u ndesha me emrin e tij në gazetë… Prandaj, pa hezitim, kërkova të bënim shëtitje në biografinë e tij. Emrin e këtij veterani, që atëherë, e radhitja në mesin e atyre gazetarëve shkrimet e të cilëve më pëlqenin, prandaj e përcillja: çdo shkrim i tij më bënte përshtypje për nga temat e posaçërisht për nga shtjellimi; një shtjellim i veçantë me shprehje të zgjedhura shpesh metaforike, që impononin me përshtatshmëri për lexim. Që atëherë ai i qasej gazetës me përgatitje akademike, kishte ardhur nga Zagrebi ku kishte kryer studimet. Në redaksi krijonte afërsi jo vetëm me shkrime që pëlqeheshin, por edhe me shoqërim, edhe me bashkë kuvendim, gjithnjë me intencën e dhënies së këshillave gazetarëve të rinj dhe duke shpreh kënaqësi ndaj kolegëve tek të cilët vërente përgatitje profesionale në gazetari. Kësisoj ishte portreti i Nehatit përball kolegëve të cilët, duke i pëlqyer shkrimet e tij, dëshironin të kishin diçka të natyrës së shkrimeve të tij edhe në shkrimet e veta, por Nehati, me aq sa mund të kuptohej – e kishte të lindur aftësinë dhe talentin për profesionin e gazetarisë.
Në profesionin e bërë me seriozitet e dashuri
Para se të filloj me pyetjet, ia vlen si hyrje të thuhet se, cili ishte Nehat Islami? Ai ishte një jurist, me fakultet të kryer në Zagreb; ishte një poliglot, me njohje të disa gjuhëve, të cilat i ndihmuan të kishte kontakte me autoritete të ndryshme në botë, përmes shkrimeve mbi portretet e tyre arriti të përfitojë kureshtjen e lexuesve të shumtë, mbase edhe të telespektatorëve? Me një fjalë, mund të thuhet, ishte profesionalizmi dhe vullneti i tij i pa limit për punën që e bënte. Aftësia dhe zhdërvjelltësia në punën e gazetarisë, te Nehati, u pa pastaj edhe në televizion, me realizimin e aq shumë dokumentarëve tv që edhe sot e ruajnë freskinë me dokumentimin e atyre periudhave të realitetit tonë që janë të pazëvendësueshme. Me këtë dëshmohet se Nehati angazhimet në gazetari i ka bërë me seriozitetin më të madh duke e jetuar (mbase përjetuar) profesionin që e bënte me dashuri, duke qenë përherë vasal i profesionit njëzetekatër orë në ditë, gjithherë në shërbim të pandërprerë edhe në paqe, edhe në luftë. Kur përmendet lufta, i kemi parasysh aq shumë raporte të dërguara e të botuara në gazetën “Rilindja” nga fronti i luftës në Lindje të Afërm, nga atje ku përjetonte edhe breshëritë e luftës, me plumbat e rënë mbi makinën e tij derisa truponte rrugën në Bejrut. Megjithëkëtë, Nehat Islami nuk tërhiqej, vazhdoi atje e në atë kohë takimet me liderë të ndryshëm, me autoritete politike fjala e të cilëve ishte vendimtare për shumë ngjarje. Vazhdoi edhe hulumtimet atje, duke “ngjallë” figura të ndryshme autoritetesh letrare e historike, të cilat ishin në mjegull ose, thënë më shtruar, ishin nën pluhurin e harresës. Figurat të cilat i solli te gazeta “Rilindja”, siç ishte, fjala vjen, Pashko Vasë Shkodrani, që ishte një autoritet shumë i njohur, ndërsa Nehati na informoi se Pashko Vasa ishte autor i shumë veprave me karakter politik e historik, autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni”, i romanit “Bardha e Temalit” botuar në frëngjisht, etj. Ishte guvernator i përgjithshëm i Libanit në Bejrut…U përmend kjo figurë, duke aluduar edhe në figura tjera historike të cilëve, me shkrimet e tij, Nehat Islami përmes “Rilindjes” u siguroj lexuesve përmbajtje atraktive të cilat, pastaj, iu shërbyen edhe studiuesve që në fusnotat e studimeve të tyre kanë shënuar burimin te emri Nehat Islami.
Është periudha tjetër kohore kur Nehat Islami prapë do të jetë në krye të detyrës për të bërë veprime që ndihmonin përhapjen e librave dhe të gazetave shqipe në botë. Ishte ajo periudhë e angazhimeve në Qeverinë e Kosovës kur, gjatë atij mandati, aq shumë libra u shpërndanë nëpër botë, dhe gazeta, siç ishte “Rilindja” për të cilën qenë siguruar 2300 adresa të njerëzve tanë në botë të cilëve për çdo ditë u shkonte gazeta falas.
Me këtë energji të pa shuar Nehatin e gjejmë edhe në angazhime të tjera që kishin të bënin me trokitje në dyer të asociacioneve përgjegjëse për të drejtat e njeriut, siç ishin zyrat e Kombeve të bashkuara në Gjenevë, ku merrte pjesë si përfaqësues i Kosovës për të dëshmuar dhunën serbe mbi shqiptarët, duke animuar edhe autoritete vendimmarrëse që të angazhoheshin kundër represionit serb mbi shqiptarët. Këtë e ka bërë çdo herë që i ka rënë rasti, siç ishte edhe angazhimi i tij në Damask, në kohën kur terrori mbi shqiptarët e Kosovës kishte arritur kulmin, në kohën e Millosheviqit. Po e përmend këtë rast, ngase ishim bashkë (familjarisht) në Damask ku, Nehati, tërë kohën e qëndrimit u angazhuar duke shkruar raporte në gjuhë të huaja mbi gjenden në Kosovë dhe duke ua dorëzuar ambasadave të huaja në Damask. Është interesante se, në atë kohë, çdo aktivitet i këtij lloji reklamohej, shënohej dhe, thënë ndryshe, duartrokitej – për aktivitetet që i bënte Nehati nuk dëshironte të publikohej asgjë.
Me Nehatin vazhdojmë të rrimë edhe sot, siç kemi ndjetë bashkë (në banesën e tij) edhe gjatë ditëve të bombardimeve kur, me transistor në vesh, gjithnjë na tregonte se çfarë ndodhte, se si do të përfundonte ai pështjellim lufte, duke ofruar shpresë se do të bëhej mirë.
Edhe sot, domethënë në ditët e para të këtij viti (2024) rrimë bashkë në ëmbëltoren “Elida”, ku Nehati vazhdon të ketë disponimin e përhershëm të njeriut që i intereson gjithçka, por nuk flet gjithçka. Ai, me profesionin e gazetarisë, e arriti moshën tetëdhjetë vjeçe, duke qenë edhe sot e gjithë ditën i vullnetshëm për profesionin nga i cili nuk u largua kurrë dhe, në këtë rrugëtim, përherë i angazhuar të përcjellë brezat në fushën e gazetarisë, i gatshëm të ofrojë këshilla sa herë të jetë e nevojshme. Ky, pra, është Nehat Islami nga i cili u kërkua të ngjallë kujtesën për këtë intervistë e cila do të pasojë në vazhdim.
-Nehat Islami, meqë e mban autoritetin e doajenit të gazetarisë, me një përvojë aq të gjatë duke qenë bashkëkohës i shumë ndryshimeve të realitetit politik e shoqëror të Kosovës, është interesimi që, përmes kësaj interviste të rrëfeje për jetën dhe angazhimin tuaj në profesionin që i mbetesh gjithmonë besnik, duke e ngritur emrin me famën e gazetarit. Për t’ia dhënë kësaj interviste formën komplete e do rasti që, këtij bashkëbisedimi, t’ia filloni nga kujtesa më e hershëm, domethënë – nga ditët e fëmijërisë.
– Si më kanë treguar prindërit, kur kam lindur në Ferizaj, me 18 tetor 1943, Luboteni kishte qenë me plotë borë. Kishte filluar dimri më herët se rëndom, por viti kishte qenë i begatë. Dyqanet e tregtarëve të Ferizajt, shumica me prejardhje nga Gjakova, kishin qenë të mbushura me mallra, zakonisht nga Italia dhe Shkupi. Nena më ka treguar se posa kisha filluar të shikoja dhe të dalloja njerëzit dhe sendet, më së shumti ma kishin tërhequr vëmendjen majat e Sharrit. Kjo më bënë vaki njësoj edhe sot në pleqëri. Kur jam i lumtur, apo edhe i mërzitur, sërish shikoj majat e Sharrit dhe flas në heshtje, sikur gjerdani i majave te argjendta të ishte krijesë të gjallë. Që në muajt e parë të jetës, kisha zgjatur duart ta prek. Sharrin i cili mbetet dashuria ime që më përcjellë tërë jetën…
Kur i mbusha dy vjet, siç më kanë rrëfyer prindërit, kishim shkuar në Prizren. Babai ka punuar në sektorin e arsimit, në kryeqytetin e atëhershëm të Kosovës. Thonë se kam qenë i lumtur që sërish ishim të rrethuar me male plot borë. Nga ajo kohë, si më tregojnë kemi banuar si qiraxhinj në shtëpinë e Hallës Katë, të cilën e kam dashur shumë, sepse më jepte sheqerka të larme, dhe një herë, thonë se ma ka shpëtuar jetën kur kisha renë në proçkën e oborrit të shtëpisë. Tërë jetën jam munduar të kuptoj të vërtetën se njëmend ka qenë prockë e thellë, apo më kanë frikësuar të mos lahesha në të terë ditën… Atëbotë thonë se shumica e shtëpive të Prizrenit janë lagur nga prockat që lëshoheshin dhe degëzoheshin nga ana e Kalasë së Prizrenit. Aty, pos maleve me borë dhe prockave të oborreve, kuptova se paska edhe lumenj të mëdhenj. Kur e kam parë për herë të parë Lumëbardhin, sa jam ngazëllyer, aq jam frikësuar, sepse dora shpëtimtare e Hallës Katë më ka përcjellë shumë vite edhe në ëndërr…
Kur jemi larguar një vit pas nga Prireni, më kujtohet një udhëtim i gjatë me një kamion drejtë Prishtinës.. Rrugën e kemi bërë të shtrirë në pjesën e prapme të atij kamioni që më dukej sa një kodër. Prindërit mundoheshin të na rehatonin mua dhe motrën, dukë na mbështjellë me disa batanije, sepse natën bënte ftoftë, kurse ne ishin nën qiell të hapur. Edhe sot mbaj mend disa zjarre në malet skaj rrugës. Prindërit thoshin se i kishin ndezur barinjtë për t’u ngrohur.
Në shtëpinë e re, sërish me qira, te Kamber axha, aty ngjitur me Gjimnazin e sotëm, “Sami Frashri”, fillova të vuaj për ato male me borë, por kur fillova të gjeja shokë atëherë do të kuptoja më shumë edhe për gjërat që nuk i dëgjonim nga prindërit. Madje edhe fjalë të ndyra. .
-Në atë kohë lufte, të Luftës së Dytë Botërore, prindërit kanë ndërruar ambiente, njëherë në Ferizaj, pastaj në Prizren, për t’u ngulitur përgjithmonë në Prishtinë, ku arrite në moshën më të rritur. Sigurisht që nga ajo Prishtinë e atëhershme i mban në mend rrethanat me të cilat je përballur.
-Po, është e vërtetë se, në Prishtinë, hasa në një ambient tjetër në mëhallën e Kamer axhës, ku e gjetëm strehimin me qira. U njoha me moshatarë të mi. E njoha njëfarë Sulejmanin, një adoleshent, atëherë 15 vjeç, që për ne të tjerët dukej si burrë, me shtyri të mendoja se në këtë botë, pos njerëzve të mirë si Halla Katë, ka edhe të këqij. Ai, Sulejmani, na dukej si një bajloz. I zinte macet, ua këpuste kokën si për shaka dhe, pasi i rrjeptë, më lëkuren e tyre bënte darabukë për Pazar. Vëllai i tij i madh, Duda, një teknik i dhëmbëve, të cilin përherë e shihnim me disa dara të bardha në dorë, ua nxirrte dhëmbët e prishur shumë njerëzve, aty në oborr të shtëpisë. Shpesh e rrihte me shpulla Sulejmanin, ngase duke prerë macet e bënte pis krejt mëhallën.
Sulejmanin shpesh e kam parë edhe në ëndërr. Aq shumë e urreja për macet. Dëshiroja të bëhesha i fuqishëm dhe ta fshija me grushte, por realisht shumë frikësohesha prej tij.
Kur fillova të shkoja në shkollë, e mbaj mend se mësuesen time, Bejtullahe Veliun, e doja më shumë se Hallën Kate madje edhe më shumë se prindërit. Ajo ishte një zonjë nga Shqipëria, e martuar për profesorin e njohur Sheqet Veliun. Gjuha e saj na pëlqente shumë si dhe vizatimet e bukura për konkretizime të mësimeve. Më kujtohet, njëherë, ajo kishte sjellë një qengj të vizatuar. Me një thupër i prekte gjymtyrët e qengjit duke na pyetur të tregonim si u thonë atyre. Kur i preku thundrat, unë u ngrita dhe me plot bindje thash: – Ato i ka këpucë… Tërë klasa qeshi me mua. Qeshi edhe mësuesja, por si pedagoge e hollë që ishte, ju drejtua klasës me këto fjalë: – Po thundrat janë këpucët e qengjit. Nehati nuk ka gabuar. Mu duk se ma fali tërë pasurinë e botës, sepse shpëtova prej një lajthitjeje dhe do kisha gërgisje të shokëve dhe shoqeve.
Atë natë nuk më zëntë gjumi, sepse Sulejmani e kishte rrjepur edhe një mace. Më dukej si në ëndërr, se në dhomën tonë kishin hyrë disa policë dhe një njeri i veshur si të gjithë banorët e mëhallës. I thoshin nënës sonë: ,, Mos bëni zhurmë. Burrin tuaj po e marrim, sepse e kemi urdhër,,.
Vendosja e kolonëve në shtëpitë e shqiptarëve
Babai im, një njeri i ri, madje shumë i dashur për ne, ishte zgjuar dhe veshur. Duart ia lidhën para nesh. Kjo ka qenë trauma e rrudhës e tij. Fshatin e babait tim, Grackën, midis Lipjanit e Shtimes, më 1912 e kishin rrethuar ushtarët serbë, sikur shumë qytete e fshatra të Kosovës së okupuar, ku bënin plojë. Kishin vrarë të gjithë meshkujt, madje edhe fëmijët.. Babai im, Sahiti, laso kohe bebe tremuajsh, kishte shpëtuar pasi nëna e tij e kishte fshehur prapa fshesave dhe fati i tij ishte që nuk po qante. Për të dytën herë ia lidhë duart policët dhe agjentët serbë në Shkup, më1936, kur si nxënës i klasës së katërt të Medresesë ;Kral Aleksandri, me disa shokë të vet si: Idriz Ajeti, Zeqir Bajrami, Kolë Delhysa, një tregtar i ri prizrenas që shoqërohej me këta nxënës, e të tjerë, po barte libra shqipe në Kosovë, qe ishin të ndaluara. Atë ditë babai im dhe disa shokë gjoja po luanin futboll, ku vinte edhe djali i konsullit shqiptar në Shkup, për të sjellë abetare e libra tjerë, qe këta pastaj i bartnin në Kosovë. Njëri nga shpërndarësit direkt kishte qenë një këngëtar i quajtur Riza Strellci. Ai duke shkuar nëpër dasma për të kënduar, në gjoks kishte mbajtur nga dy abetare, që i dorëzonte fshehurazi. Babën e kishin pas dënuar me një vit përjashtim nga shkolla, andaj për ekzistencë kishte gjetur punë në Monopolin e duhanit në Prilep, derisa kishte kaluar dënimi.
-Ajo kohë kur e kaloje fëmijërinë dhe futeshe në moshën adoleshente, siç mësojmë nga të dhënat historike, ishte me telashe të mëdha, shpesh të pabesuara, dhe gjithnjë me keqtrajtime ndaj shqiptarëve. Ngjarjet e asaj kohe njerëzit i mbajnë në mend, mbase edhe ti, në memorien tënde siç po vërehet nga rreshtat e mësipërm – i ke të pa shlyera. Prandaj vazhdojmë këtë bashkëbisedim duke nxjerrë mbi sipërfaqe ngjarje të asaj kohe.
-Sigurisht, gjitha ato ngjarje të hidhura, gjithmonë mbahen në mend. Po vazhdoj: -Më vonë, kur u rrita dhe i kuptoja më mirë disa gjëra, mora vesh se babai ishte i akuzuar më1947 si dhëndër i ballistit Rexhep Okllapi dhe shok shkolle i Adem Gllavicës…Gjatë hetimeve, asnjë dëshmitar nuk kishte akuzuar babanë për ndonjë keqpërdorim, apo për ndonjë vepër penale. Gjashtë muaj kishte qëndruar në bodrumet e burgut hetues në Ferizaj. Në fund e kishin liruar. Atje kishte parë shumë krime, por neve fëmijëve asnjëherë nuk na ka ngarkuar. I kishte treguar vetëm nënës sonë, Zekijes.
Kur u rritëm ai na tregonte, se një natë nga burgu hetues i Ferizajt e kishin liruar të kthehej në Prishtinë. Pa para në xhep dhe pa ushqim, por me një vendim se është i lirë.
Ai kishte dalë në rrugën për Prishtinë për të gjetur ndonjë kamion mallrash, çfarë kalonin. Për fat ishte ndalur një. Shofer llapjan. Babai i kishte shpjeguar se ishte liruar nga burgu dhe nuk kishte para për tren, apo autobus.
,, Çka po flet more burrë. Ti i paske paguar të gjitha në burg. Eja!,,. E kishte sjellë babën afër shtëpisë në Prishtinë dhe i kishte dhënë disa çokollata për neve që po i transportonte nga Shkupi për magazinën e madhe të mallrave afër stacionit të sotëm të trenit.
Edhe atë shofer kam dashur ta takoja kur jam rritur, por kam kuptuar se nga dajaku i UDB-së ishte shpërngulur në Turqi. Edhe ai njeri i panjohur ka mbetur në zemrën time fëmijërore, njësoj si Halla Katë dhe mësuesja ime e klasës së parë Bejtulla Veliu.
Sa më shumë që rriteshim para kohe dhe po kuptonim diçka më shumë, mësova se shumica e njerëzve janë të mirë, por nuk lavdërohen. Këtë ma nguliti në kokë, arsimtari ynë i matematikës, Kadri Deva. Atë UDB-ja e arrestoi në klasë, para syve të nxënësve me të vetmin qëllim për të mbjellë frikë. Kanë mundur ta arrestonin në shtëpi, sepse ai nuk ikte askund. Ne, të gjithë nxënësit po qanim, ndërsa dy policë ia lidhën duart me kllapa para nesh. Ai qëndronte i qetë dhe duke dalë nga klasa, u kthye dhe na tha: ,, Mësoni, sepse kështu do të bëheni njerëz të mirë,,. Atë ditë qava për arsimtarin me duar të lidhura, por mu kujtuan edhe duart e lidhura të babait tim, që kur e arrestuan nuk e lejuan as të përshëndetej me nënën tonë.
Atdhetari Kadri Deva u dënua disa vite burg për aktivitete patriotike, por asnjëherë nuk u krekos .,, Ia kam pasur borxh atdheut,,-thoshte. Kështu shkoi edhe në atë botë.
Duke e qarë me lot arsimtarin tonë të dashur, thua se nuk vërejtëm se në lagjen tonë kishin filluar të vinin kolonë serbë nga Serbia. Ata po vendoseshin në shtëpitë e shqiptarëve që me dhunë emigronin në Turqi. Shtëpitë e tyre mbeteshin pa zot, por me orendi e sende shtëpiake si dikur. Ato nuk i blinte kush, sepse ishte krijuar psikozë dhune dhe pashprese, se askush nuk do të mbetet më këtu… Ato shtëpi, pushteti i mbushte me kolonë serbë, zakonisht nga Kurshumlia dhe viset tjera të jugut të Serbisë, por edhe nga Bosnja.
Në këtë kohë lotësh, në stacionin hekurudhor të Prishtinës, ku çdo ditë mbushej treni me shqiptarë të pashpresë në drejtim të Stambollit, qava edhe për Sulejmanin dhe vëllezërit e tij të vegjël që gjithashtu po shpërnguleshin, madje ia fala për të gjitha ato mace që i kishte prere për darabukë. Disa nga ato mace i kam ushqyer me gjysmë cope të bukës me sheqer, që na jepte nena . Kuptova, kjo punë tani qenka më e vështirë, se macet për darabukë. Na u mbush lagjja me njerëz që për herë të parë kishin parë qytetin. Ata nuk komunikonin me askënd. Pas Plenumit të Brioneve, shumica u larguan të heshtur, njashtu si kishin ardhur. Pa një lamtumirë.
Shqip frymonte populli i shtypur
Gjeneratat tona i përngjajnë asaj kënge: ,, O sa i vogël jam, e sa shpejt u rrita,,.
Në gjimnazin e Prishtinës që kishte ndërruar emrin nga ,, Sami Frashëri,, në ,, Ivo Llola Ribar,, gjithçka filloi mbrapsht. Në fillore kishim arsimtarë shqiptarë, kurse ne gjimnaz gati të gjitha lëndët ishin në serbisht. Ne, gjuhë amtare kishim vetëm tre lëndë. Madje kishte pasur llafe që edhe ato tre lëndët të ktheheshin në serbisht pasi, sipas autoriteteve serbe të Kosovës: ,, kështu do t’iu ndihmohej nxënësve të jenë të përgatitur për çdo degë studimi në Beograd,,. Fatmirësisht, disa udhëheqës shqiptarë të asaj kohe e kishin kundërshtuar këtë ide që ishte paraparë të zbatohej në tërë Kosovën.
Ndonëse popullata e Kosovës përbëhej atëherë 80 për qind nga shqiptarët, në Gjimnazin e Prishtinës lejohej vetëm nga një paralele në gjuhën shqipe. Madje, jo me më shumë se 24 nxënës. Ishte kohë e Rankoviqit, kur përpiqeshin të shkatërrojnë çdo gjë që frymonte shqip.
Në Prishtinë, pos gjimnazit, shqip frymonte edhe Shkolla Normale, që shkollonte mësues për të gjitha trojet shqiptare, pastaj ,,Rilindja,, që botohej dy herë në javë, skena shqipe e Teatrit, që atëherë quhej ,, i Prishtinës,, pak shkolla të mesme profesionale dhe programi i Radio Prishtinës. Shqip frymonte populli i shtypur që po i bënte ballë me jetën e vet represionit gjithnjë e më të egër të pushtetit jugosllav me zemër serbe.
Ballë i bënin edhe studentët shqiptarë që në mungesë të Universitetit të Kosovës, po shkolloheshin në Beograd, Zagreb, Shkup, Sarajevë dhe në viset tjera. Pjesa dërmuese pa bursa dhe pa mundësi të ndonjë ndihme nga familjet, sepse edhe ato, siç thuhej, hiqnin të zitë e ullirit, pa punë dhe të përndjekur. Studentet tanë studionin dhe diplomonin falë punës fizike që bënin . Madje di raste kur studentët shqiptarë të Zagrebit iu kanë dërguar para për jetë prindërve në Kosovë. Studentet e Zagrebit kanë qenë në pozitë më të mirë, fale mundësive më të mëdha për punë përmes ,, Student servisit,, të famshëm, ndërsa studentët shqiptarë në Beograd, pos represionit shumë të madh të UDB-së serbe që përjetonin shumë shpesh, punën e vetme që mund ta gjenin ishte shkarkimi i thëngjillit nga vagonët e trenave apo diçka të ngjashme.
Megjithatë, studentët shqiptarë në Universitetin e Beogradit, prinin me nisma të mira. Kështu, Shoqata ,, Përpjekja, më shumë degë arriti të mbajë koncerte në të gjitha viset shqiptare të ish Jugosllavisë, duke i joshur të rinjtë që të studionin. Mbrëmjet letrare të ,,Përpjekjes,, kanë qenë më shumë shprehje me poezi e revoltës për gjendjen e popullit tonë. Shume studentë janë burgosur dhe janë detyruar t’i braktisin studimet.
-Shpjegimet për kohën e studimeve, për përpjekjet e studentëve shqiptarë të cilët, edhe duke zbrazur qymyr nga vagonët e trenit, kanë vazhduar t’i çojnë më tej studimet dhe arritjet akademike, përmes gjitha atyre sakrificave dhe sfidave nëpër të cilat i arrinin sukseset. Përmendet Universitetin e Zagrebit me dëshminë se atje studentët shqiptarë e ndjenin vetën më mirë…
– Duke i ditur rrethanat për studimet në atë mes universitar edhe unë vendosa të studioja në Zagreb. Qyteti më pëlqeu shumë gjatë një ekskursioni të maturës. Më 1961 mora indeksin e Fakultetit të Drejtësisë. Kisha fat që të isha bursist i ,, Rilindjes,, Këtë të drejtë e fituam në saje të punës në faqen e fëmijëve, së bashku me shokun tim Gani Spahiun. Gazeta ,, Rilindja,, që më vonë u bë e përditshme, mundohej me ,, kaçikun,, e vet të ndante për çdo vit nga 20 bursa për punëtoret e saj të ardhshëm.
Më ra hise që në vitin 1963 ta themelonim shoqatën e studentëve shqiptarë,, Shkëndija,. Kryetar i saj i parë ka qenë Agush Gjurevci, një student i makinerisë nga Fushë Kosova, që pas diplomimit shkoi në Gjermani dhe u punësua në ,, Mercedes,,.Thonë se ishte bërë edhe shef i prodhimit të ndërruesit të shpejtësive të këtyre automobilave. Nga ajo kohë , më kujtohet solidariteti i klubeve rajonale të studentëve kroatë. Ata, nga komunat e tyre kishin lokale të përshtatshme për argëtim dhe manifestime të ndryshme, kështu që edhe neve të ,,Shkëndisë,, na lejonin lokalet për ngjarjet tona. Natyrisht, pa pagesë. Veçmas na kanë ndihmuar klubet e Splitit, Dubrovnikut, Istrës dhe Daruvarit. Ne organizonim mbrëmje letrare, mbrëmje kushtuar përvjetorëve të personaliteteve kombëtare, si për Fan Nolin, etj. Mbrëmje muzikore, por edhe pritnim vizitat e klubeve tjera të studentëve shqiptar. Mysafirë të shpeshtë në këto ngjarje kanë qenë ilirologu arbëresh Alaksander Stipçeviqi, mjeku Lush Daka, e qytetarë tjerë shqiptarë që jetonin në Zagreb. Ndonjëherë kanë ardhur edhe ushtarakët Ramiz Abdyli dhe Tomë Berisha.
Jeta në Zagreb atëkohë (61-66) rridhte në një atmosferë shumë specifike. Atje po piqeshin kushtet për një ndryshim të madh, që shihej, por për të nuk flitej hapur. Udhëheqja kroate dhe ajo sllovene kishin bindur Titon se duhej rrëzuar Rankoviqi dhe UDB- e tij e plotëfuqishme dhe të decentralizohej e demokratizohej Jugosllavia. Studentet kroatë, por edhe ne, përcillnim me vëmendje çdo deklaratë të Vlladimir Bakariqit dhe Eduard Kardelit për ,,thellim të demokracisë,, që kuptohej si një shembje e dorës së fortë serbe, kështu që kur ndodhi Plenumi i Brioneve, më 1 korrik 1966, kroatët dhe sllovenët ishin të përgatitur, sepse vepruan me ngulm, kurse për neve në Kosovë, ndonëse ishim më të shtypurit, kjo na erdhi si,, prej qiellit,,. Ndonëse ishim më të shtypurit dhe më të përdhunuarit e UDB-së, në Brione nuk u tha asnjë fjalë për vuajtjet e shqiptareve, sepse Tito ruhej që të mos ,,provokohen serët,,, pasi ata kishin humbur dorën e fortë që e shtrydhte tërë ish Jugosllavinë.
Koha e fillimit të një jete të re
Kisha diplomuar 15 ditë para Plenumit të Brioneve. Natyrisht se si të gjithë studentët shqiptar që ëndërronin të ktheheshin në Kosovë për ta dhënë kontributin e vet edhe në ato rrethana shumë të vështira, edhe unë u paraqita në ,, Rilindje” I luta të më lejonin të shkoja 10 ditë në det, sepse isha shumë i lodhur nga provimet e fundit.
Në mbrëmjen e 1 korrikut 1966, Prishtina ,,,shqiptare,, e lodhur nga hallet e shumta me shtypje, varfëri dhe frikë të përditshme, nuk ra në gjumë si rëndom. Pas lajmeve nga Televizioni i Beogradit se u shkarkua Rankoviqi dhe të gjithë këlyshët e tij, shqiptaret, dolën në rrugë, por pa ndonjë manifestim të zëshëm. Njerëzit nuk besonin se po fillonte një jetë e re, sepse traumat e përjetuara nga gjendjet e pareshtura të jashtëzakonshme, aksioni i armeve, dëbimi i njerëzve në Turqi, burgosjet e të gjithë atyre që ngrinin zërin, për të drejta elementare njerëzore dhe kombëtare kishin bërë të vetën.
Atë natë frika shqiptare u mund në ëmbëltoren ,, Pçella,, ( Bleta) që gjendej përballë Ndërtesës së sotme të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Dëshmitarë ishin Gjakush Çapari dhe Nehar Bojaxhiu,,i pari folës i pakalueshëm i të gjitha kohëve, në radio, dhe i dyti gazetar. Ata kishin qenë prezent kur një i ri, kishte hequr nga muri i ëmbëltores foton e Rankoviqit që qëndronte pranë asaj të Titos dhe e kishte hedhur në tokë duke e shkelur. Edhe të tjerët e kishin shkelur atë njeri të urryer.
Pronari i ëmbëltores kishte klithur nga frika ,, O mosni se na ha dreqi!,,
,, Dreqi ka vdekur sonte,, ishte përgjigjur djaloshi. Nuk e di a është identifikuar ai djalosh, si ,, doras,, që simbolikisht vrau një epokë shumë të errët për shqiptaret, por edhe për shumë të tjerët..
Atë natë, filloi tatëpjeta e Udbashëve në tërë ish Jugosllavinë. Ne Kosovë , fushata e vërtetë kundër tyre filloi gati dy muaj pas Plenumit të Brioneve, derisa
në Serbi nuk u gjend udhëheqja e re që do t’i përkrahte vendimet e Brioneve për realisht, konfederatën Jugosllave që ende po quhej federatë, ndërsa shumica e sërëve e donin si unitare në dorën e tyre.
Gazeta ,, Rilindja,, shkroi gjashtë muaj pa ndalë për deformimet e UDB-së në Kosovë. Zakonisht nga dhjetë faqe për çdo ditë. Te gjithë gazetarët ishin në terren për të informuar nga mbledhje e tubimet ku diskutohej për krimet e UDB-së. Shumë nga to krime i ka ditur edhe udhëheqja më e lartë jugosllave, por ka heshtur ,, duke pritur hapjen e procesit lidhur me përgjimin e dhomave të Titos,,.
Në fund të fundit, pasi dolën në shesh shumica e të bëmave të UDB-së, Kroacia dhe Sllovenia u nisën rrugës së pavarësisë, ndërsa Kosova filloi të shërohej si një i sëmurë i rëndë që i duheshin shumë infuzione ekonomike dhe politike për t’u ngritur në këmbët e veta. Udbashët i shpëtoi amnistia e shpallur nga Kuvendi jugosllav. Këta të Kosovës ikën në Serbi pa një ,,therë në këmbë,,, por asnjëherë nuk pushuar t’i shkojnë pas forcave që u pengonte rimëkëmbja e Kosovës.
Televizioni filloi të flasë shqip më 29 nëntor 1966
,, Rilindja,, u bë gazetë e kërkuar nga se u shndërrua në pasqyrë të aspiratave të popullit të Kosovës.. Nga faqet e saja u botua kërkesa për Kosovën Republikë.
Në vazhdën e hapjes së mediumeve të reja edhe në gjuhën shqipe, ishte vendimi për themelimit të Redaksisë Televizive të Kosovës, por që emisionet e veta do t’i transmetonte nga TV Beogradi, pasi ne nuk kishim sa transmetues, e madje as laborator as tavolinë montazhi. Televizioni filloi të flasë shqip më 29 nëntor 1966. Ishte kryeredaktori Masar Murtezai, për mua dhe shumë të tjerë njeri emblematik i gazetarisë sonë, Ekrem Kryeziu, Vera dhe Faik Hima, Marash Berisha Gjeto Leka, Mitalip Çoça nismëtarë. Unë kam shkuar dy vjet më vonë, pasi kreva shërbimin ushtarak.
Ma besuan emisionin 30 minutash ,, Shkëndija;,,. Gjatë tetë viteve të punës aty, së bashku me shumë kameramanë, mjeshtër toni dhe mjeshtër të montazheve , me në krye Ekrem Kryeziun dhe Rudolf Sopin dhe shumë të tjerë, kemi përgatitur mbi 400 emisione me tema më të ndryshme nga Kosova, dhe nga viset tjera shqiptare, dhe në botën e jashtme. Shume prej atyre emisioneve ritransmetohen edhe sot në emisionin ,, Arkiv,,të RTK. Ato emisione ndoshta do të shërbejnë si retrospektivë për ata që dëshirojnë ta njohin Kosovën e para 60 viteve, por edhe si materiale burimore për studiuesit ,si jemi rritur me kukëza, por përherë me një elan dhe energji, çfarë nuk e kemi më sot. Ndoshta është normale për kohët e reja të sillemi si më të qetësuar dhe me shumë realistë. Kush e di.
Luftën e fundit në Kosovë dhe bombardimet e NATO-s, së bashku me bashkëshorten time, Baton e kemi kaluar në shtëpinë tonë në Prishtinë. Kur dy vajzat e mia, Njomza dhe Mrika, bashkë me bashkëshortët, kaluan kufirin e Maqedonisë, më është dukur se kam rilindur. Për vete nuk jam mërzitur. Kisha kaluar një pjesë të mirë të jetës. Unë nuk kam qëndruar, sepse kam qenë ndonjë trim, por jam frikuar të dal në rrugë. Pa telefon dhe pa rezerva ushqimi, derisa tek ne erdhi kolegu Ibrahim Kadriu me bashkëshorten. Ata i kishin dëbuar nga Velania. Ibrahimi ka qenë më i guximshëm se unë. Shkonte në disa shtëpi të kushërinjve, që kishin shkuar. Merrte ushqim nga rezervat e lëna dhe na i sillte në banesën tonë. Bashkëshortja e tij, Mevlydja, shpesh na përgatiste pite. Kjo ka qene luks i ditëve të luftës.
As gjatë luftës nuk më kishte vdekur delli i reporterit. Te një fqinj shqiptar që kishte punuar më parë në poste, nde po funksiononte lidhja telefonike. Më kujtohet se në kohët më të vështira më thirrën nga,, Zëri i Amerikës ,,dhe ,,Europa e Lirë “për biseda të gjata. Fola për ato që i shihja nga dritarja ime dhe çka më tregonin disa miq që na vizitonin dhe na rrëfenin çka shihnin në qytet. Jam frikësuar se do të më vinë në shtëpi të më marrin, por falë zotit, shpëtova. Falë Zotit dhe një fqinje, Shevalla, nuse e Drenicës, grua shumë e guximshme që natën ia vente derës së hyrjes së ndërtesës sonë, një tra që mbështetej në derë dhe në shkallë betoni. Nuk mundej kush ta hapte natën. Shpesh dëgjoheshin nga jashtë rrapëllima të derës së metalit dhe thirrje për ta hapur derën, por më kot. Askush nga brenda nuk lajmërohej. As ata pak shqiptarë që kishin ngelur e as serbët. Natyrisht, ne frikoheshim nga ushtarët dhe paramilitarët serbë, kurse serbët nga UÇK. Si thonë nata nuk ka dëshmi, prandaj të gjithë i druheshim territ.
Pas përfundimit të Luftës së Vitit 1999, gëzimin më të madh e kam ndier, kur kam
kuptuar se djali im i vetëm, Dardani, kishte mbetur gjallë në Frontin e Koshares dhe se kishin shpëtuar pa u shkatërrua arkivi i televizionit tonë, në një zyrë të Arkivit të Kosovës.. Kjo ndoshta se, së parit ushtria serbe dhe paramilitarët e kishin për detyrë të vrisnin të gjallët, kurse djegien e Arkivit do ta kenë lënë për më vonë, por i befasoi Marrëveshja e Kumanovës. Ky është një fat në fatkeqësinë tonë, për çka duhet bërë hulumtime.
-Një angazhim i jashtëzakonshëm i Nehat Islamit në detyrën e korrespondentit të “Rilindjes” është cilësuar, me të drejtë, si një arritje e shkëlqyeshme në profesionin e gazetarisë. Kjo për arsye se, përmes raporteve në gazetë, lexuesit e kishin një pasqyrë të saktë të asaj çfarë ndodhte në Lindjen e Mesme, në luftën e pandërprerë në atë pjesë të botës kur, siç na rrëfente Nehati në gazetë, bombardoheshin shumë vise, por edhe vetë Bejruti që ishte një qytet margaritar. Çfarë mund të thotë korrespondenti i atëhershëm, Nehat Islami i moshuar i ditëve të sotëm, për atë periudhë kohore me aq shumë sfida e trishtime?
-Një nga ngjarjet më interesante të jetës dhe punës sime gazetareske mbetet Lindja e Mesme dhe Bejruti, ku kam punuar afër katër vjet si korrespondent i përhershëm i ,, Rilindjes,, Ishte viti 1974, kur,, Rilindja shpalli konkurs intern për Korrespondentin e parë të përhershëm të gazetës në Lindjen e Mesme, me seli në Bejrut. U paraqita edhe unë dhe fitova, jo pse isha më i miri, por për Lindje të Mesme nuk kishte të interesuar. Kolegët e mi më tepër pëlqenin Gjermaninë dhe Nju Jorkun ( Maksut Shehu dhe Jusuf Buxhovi, e pastaj Avni Spahiu korrespondent në SHBA edhe Ymer Bajra në Gjermani).
Në Bejrut pata fatin të shijoj bukuritë e ,, Zvicrës së Lindjes,, vetëm tre muaj. Pastaj filloi Lufta civile, që zgjati nga 15 maji 1975 e gjerë në vitin 1990. Si dihet ajo luftë po vazhdon edhe sot në mënyra të ndryshme, si thotë një kronist i njohur libanezë, Isa Gorajeb: ,, Çdo gjë edhe tani është e njëjtë, por Libani po zhbëhet,, Sërish po dalin në log kontradiktat shekullore midis fiseve dhe religjioneve, që donë të thotë se shiitët pro iranianë kundër sunitëve të matur në radhë të parë. Pastaj mosmarrëveshjet me arabët e krishterë që duan së bashku me sunitët ta ruajnë Libanin tradicional dhe shiitëve si edhe mentorët e tyre- Irani, duan ta shkatërrojnë Izraelin fqinj.
Si reporter lufte dhe paqe në 22 shtete arabe, shkrova për përditshmërinë e atyre vendeve dhe luftën e përhershme midis liderëve dhe klasës së mesme, që në arabi gjithnjë e ka bartur në shpinë barrën e luftës, skamjes por edhe të përpjekjeve për ndryshime, përfshirë ,, Pranverat arabe,, dhe ,, dimrin e egër të ISIS-it,,.
Gjatë kohës ,,në paqe,, kam shfrytëzuar rastet të gjeja kohë për të hulumtuar jetën dhe veprat e shqiptarëve ne arabi, filluar nga Mehmet Ali Pasha i Kavallës që më 1805 shkoi si ushtar i rëndomtë i Sulltanit në Kajro, e pas disa vitesh u bë pashë dhe Mbret i Egjiptit dhe i disa shteteve tjera arabe. Themelues i kryeqytetit Sudanez, Kartumit, dhe njeri që rilindi Egjiptin, duke sjellë barazi mes ndjerëve të religjioneve të ndryshme, nismëtar i sjelljes së ekspertëve të Evropës në Egjipt dhe shkollimit të egjiptianëve në Evropë. Ai mbetet njeriu më me autoritet i kohës atje, ndonëse nuk dinte as shkrim e lexim dhe pos shqipes e fliste edhe turqishten, por ishte mendjendritur që i fascinonte burrështetasit evropian, përfshirë edhe Napolonin.
Disa më kanë kritikuar tërthorazi pse kam hulumtuar jetën dhe veprën e Mehmet Aliut dhe të bijve, që hapën Kanalin e Sueziz dhe porositën ,, Aiden,, e Verit për solemnitetin e hapjes së kanalit, kur ata asgjë nuk kanë bërë për vendin e tyre.
,,Është e vërtete se nuk kanë bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por iu kam kujtuar se dinastia e Mehmet Aliut ka strehuar shumë shqiptarë të vyer, shkrimtarë, politikanë të ndjekur nga Porta dhe asnjëherë nuk kanë harruar prejardhjen. Madje mbreti i fundit, Faruku, ndonëse shumë kontrovers në politikë, megjithatë ia la në shfrytëzim Oborrin Mbretëror në Aleksandri, Mbretit Zog dhe suitës së tij të madhe. Edhe sot emri i Mehmet Aliu dhe popullit shqiptar përmendet me admirim në Lindjen e Mesme. Me këtë rast po shënoj edhe një thënie të konsullit francez Morruiez i cili takohej shpesh me Mehmet Alinë: “E pyeta një ditë Mehmet Alinë se pse aq shpesh ai thoshte se është shqiptar. Ai m’u përgjigj se i tillë ishte dhe se e fliste gjuhën shqipe. A nuk e kishim dëgjuar t’u fliste rojave të tij: “…shqiptar jam dhe shqiptar do të vdes, ndonëse u përpoqa të bëhem një egjiptian i mirë.” Mehmet Ali Pasha kishte një biografi interesante. Më 1801 në moshën 32 vjeçe, në Kavalla, ishte pehlivani dhe notari më i mirë, ishte i angazhuar n shitjen e duhanit…Sipas burimeve të kohës ai i kishte gjashtëmbëdhjetë vëllezër[r dhe motra. Ky ishte i shtatëmbëdhjeti që kishte mbetur gjallë dhe që, në vazhdimin e viteve, kishte arritur deri te autoritetit të më të madhit të Egjiptit duke e gëzuar, më vonë, epitetin e formimit të Egjiptit modern, ndërkaq ishte analfabet. Duhet cituar edhe një telegram të deleguesit francez në Egjipt më 23 shkurt 1804, në të cilin thotë: “Shqiptarët gjenden në krye të lojës. Duke vërejtur antagonizmat midis mamelukëve, ata po bëhen autoriteti më i lartë në Egjipt. Këtë mund t’jua garantoj që tani…” Këto të dhëna dhe shumë të tjera i pata plasuar në gazetën “Rilindja” në shkrimin në vazhdime e që, ai shkrim, ka qenë pritur jashtëzakonisht mirë nga lexuesit….
-Në një revistë shkencore në Shqipëri kam hasur shpjegimin e një fusnote në një temë për Pashko Vasën për të cilin kishe shkruar në një fejton në “Rilindje”, ku përmendej shkrimi yt si mbështetje për një studim. Hulumtimet për Pashko Vasën i realizove në Liban. Ishin ato të dhëna interesante që për herë të parë i afroheshin lexuesit.
– Lexuesit ishin të etshëm për tema ekskluzive dhe figura të njohur të historisë shqiptare. Sa isha atje hulumtova, aq sa munda në Bejrut, historinë e Guvernatorit të Libanit, Pashko Vasës. Ai djalë shumë inteligjent mirditor, arriti ta modernizojë Libanin që nga viti 1892. Hapi gazetën e parë në atë vend, ndërtoi rrugë e ura për t’i bashkuar fiset e vendit.
Punësoi shumë eksperte evropianë , por edhe shqiptarë. Portin e njohur të Bejrutit dhe hekurudhën Bejrut- Damask, e projektoi dhe e ndërtoi Filip Shiroka dhe shqiptarë të tjerë. Rruga më e njohur e Bejrutit, ,, Al Hamra,, që nga koha e tij ka qenë e mbushur me dyqane të shqiptarëve. Një pjesë e atyre pasardhësve jetojnë edhe sot në Bejrut, të cilët kanë humbur gjuhën, por jo kujtesën çka u kanë lënë prindërit.
Në Liban dhe vendet tjera arabe pata fatin të takohem me shumë njerëz të dijshëm, prej të cilëve mësova shumë për shqiptarët në Lindjen e Mesme, që i shkrova gjatë viteve.
Pashko Vasa i propozuar për vali të Kosovës
Fejtonin për Pashko Vasën e kam botuar në gazetën “Rilindja” prej 4 deri më 8 shtator të vitit 1975, ku pata thënë se përskaj rrugës Bejrut-Damask, në vendin e quajtur Hazmije, pushon Pashko Vasa, ose Vaso Pashë Shkodrani si e quajnë në Shkodrën e tij…Varrin e guvernatorit më të njohur të Libanit, gruas së tij të dytë dhe bijës, tani e mbulojnë hijet e qiparisave dhe pishave të moçme sa edhe vjersha plot kushtrim e Pasho Vasës “O moj Shqypni” (1878), që është himni më mobilizues i popullit tonë në luftë për pavarësi nga osmanët. Te ai varr nisi interesimi im për këtë personalitet të historisë shqiptare dhe, më tutje, kam vazhduar hulumtimet duke gjetur shumë të dhëna nga vetë historianët arabë. Më pat bërë përshtypje interesimi i vazhdueshëm i Pashko Vasës për shqiptarët që e ka konkretizuar me “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” (1879), separat ky që del në frëngjisht e pastaj u përkthye në gjermanisht, greqisht dhe turqisht, pikërisht në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke vazhduar me botimet: “Gramatika e gjuhës shqipe” (1887) botuar në Londër, #Bardha e Temalit” dhe “Trëndafila e gjemba” e tj. Pashko Vasa kishte kryer shumë punë patriotike dhe nuk ishte ndalur kurrë së angazhuari. Ai konsiderohet shkrues i memorandumit që përmes ambasadorit të Austro-Hungarisë në Stamboll, shqiptarët i drejtohen fuqive të mëdha për të drejtat e tyre kombëtare… Më 1878 Pashko Vasën e gjejmë në Prishtinë, në qendrën e Vilajetit të Kosovës në postin e këshilltarit të Valiut të Kosovës. Ai ishte përpilues dhe nënshkrues i memorandumit të 20 qershorit të vitit 1878 dërguar Kongresit të Berlinit për statusin e popullit shqiptar. Të them me këtë rast se, sipas burimeve të historianit libanez, Lahad Hater, para se Sulltan Abdylhamidi ta emëronte Pashko Vasën guvernator të Libanit, atij i ofroi të bhej vali i Kosovës, nderka Pashko Vasa ia kthen: “Lartmadhëri, unë jam nëpunës i Perandorisë, dhe përpiqem t’i shërbejë me zellin më të sinqertë, mirëpo unë jam shqiptar dhe nëse Lartmadhëria juaj më detyron të shkoj në Kosopvë si vali, më detyron të jem tradhtar: ose do ta tradhtoj Perandorinë, ose do ta tradhtoj vendin tim.” Atëherë Sulltani e emëroj guvernator të Libanit dhe ai, më 31 maj të vitit 1883, u nis nga Stambolli në drejtim të Libanit…Kur më kujtohet Pashko Vasa dua të tregoj se ai ka sjellë shtypshkronjën dhe ka botuar gazetën e parë në Liban. Sipas shënimeve mbi jetën dhe punën si guverner i Libanit ia vlen të tregohet se, në atë kohë, rroga e tij ishin 200 lira turke në flori, ndërkaq një pjesë të atyre të ardhurave e ka dërguar në Komitetin e Stambollit për botimin e librave shqip.
-Dihet se gazetarët kur kryejnë detyrën e reporterit të luftës gjithnjë janë në rrezik, bile shumë gazetarë janë bërë viktima të luftërave. Ti, gjatë luftës në Bejrut, ke qëndruar aty, nuk je larguar, por ke raportuar për gazetën “Rilindja” nga ai zjarr. A ke menduar ndonjëherë se ke mundur të vritesh?
-Sigurisht se kam menduar. Në aso vatra lufte njeriu nuk mund të jetë indiferent, pavarësisht obligimit profesional. Në Bejrut kam qenë në rrezik të vritem disa herë, por më priu fati i reporterit që raportova drejtë për një luftë jo të barabartë midis palestinezëve dhe armatës siriane, libaneze dhe izraelite. Përjetova tragjedinë e kampeve palestineze ,, Tal al Zatar,, ,, Sabra dhe Shatila,, dhe u binda se njeriu ndaj njeriut shpesh është ujk gjakatar. Të tjerat janë poezi, si ato të Mahmut Dervishit dhe të tjerëve, me të cilët jam takuar shpesh. Meqë ma kujton mundësinë e vrasjes, më kujtohet rasti tmerrues në Bejrut: Së bashku me një koleg vendosëm të shkonim në një konferencë shtypi midis blloqeve kundërshtare Shiah dhe Ain Remane, në rrugën e Damaskut. Rruga ishte tërësisht e zbrazur. Askund njeri i gjallë. Nuk kishte as barrikada, As nuk dëgjohen të shtënat e zakonshme. Fikim radion e veturës sime dhe i hapim dritaret për të dëgjuar ndonjë urdhër nga llagëmi që të ndalemi siç ishte zakon, që ta ruanim kokën…Në ato çaste plumbi i parë e goditi pjesën mbi rrotën e parë. Instinktivisht këmba shkeli gazin, për të ikur shpejt nga andej. Plumbi i dytë shkoi huq, kurse i treti goditi lastrën anësore të dritares së fundit. “Golfi” im i ri kishte kaluar shpejtësinë prej 150 kilometrash në orë. E shikova kolegun. Ai ishte strukur poshtë karriges dhe më trimëronte të ngisja veturën edhe më shpejtë. Ata shtinin kundër çdo gjëje që lëvizte atypari. Nuk e dinin se kush e çka ishim. As vetë nuk di si arritëm gjer te postblloku i palestinezëve. Ata kishin filluar t’i kundërviheshin asaj çerdheje të snajperit të falangës që shtinte kundër nesh. U përqafuam thua se kishim dalë nga një botë tjetër në këtë botë. Ata vetëm përsëritnin: – Ju jeni me fat të madh. Ju ka ndihmuar Zoti. Të nesërmen shtypi i Bejrutit, në kronikën e zezë të një dite më parë, shkroi se mu aty ku kishim shpëtuar ne, gjatë ditës kishin vrarë 17 kalimtarë të ndryshëm…
-Gjatë angazhimit në detyrën e reporterit në Lindjen e Mesme, keni pasur shumë takime intervista me autoritete të ndryshme politike e kulturore. Kur e them këtë i kam parasysh faqet e “Rilindjes” ku botoheshin asokohe. Në mesin e atyre të intervistuarve, e mbaj në mend, ishte edhe shkrimtari i njohur egjiptian, nobelisti Nexhib Mahfuz, një libër i të cilit “Rrëfimi i një nate” përkthimin e të cilit nga origjinali e bëri Ejup Ramadani (më 2016). Pastaj ke bërë edhe shumë intervista me autoritete të njohur, siç ishte Kërlezha, Zhak Preveri, Viktor Eftimiu, e shumë të tjerë. Ia vlen të kujtohen ato takime që do ta kompletonin këtë bashkëbisedim.
-Vërtetë gjatë angazhimit tim në cilësinë e gazetarit dhe të korrespondentit nga bota e jashtme, kam pasur fat të takohem me autoritete të njohur dhe i lumtur që kam arritur të siguroja intervista nga të tillët. Puna e gazetarit është të kërkojë, hulumtojë dhe të mos hezitojë. Duke qenë i frymëzuar nga kjo premisë në takimet e rastit jam prezantuar si gazetar shqiptar dhe kam shprehur vullnetin për intervista. Natyrisht, çdo herë dhe para çdo individi të intervistuar – paraprakisht kam qenë i përgatitur, duke mësuar rrënjësisht për biografitë e tyre. Kësisoj, kur i jam afruar në Kajro shkrimtarit Mahfuz, e dija se ishte nobelist, se e quanin Balzak të orientit, por që (mua më interesonte shumë) pata kuptuar se ai kishte hyrë në thellësinë e jetës dhe të sfidave të monarkisë shqiptare të Mehmet Ali Pashës dhe pasardhësve të tij. Mezi pritja të takohesha, dhe u takova. Me këtë shkrimtar të jashtëzakonshëm u takova gjatë verës të vitit 1994 me ç’rast ai më pat thënë se ishte i informuar për gjendjen në Kosovë, mandej tha gjithashtu se nuk kishte pasur rast të takohej me shkrimtarë nga Kosova. Ndërkaq, derisa tema e bisedës ishte për Kosovë tha se e shihte të domosdoshme që Unioni i Shkrimtarëve Arabë dhe ai i Egjiptit, sa më parë t’u drejtohet me një protestë institucioneve të OKB-së, në mënyrë që sa më parë të ndërpritet dhuna ndaj popullit të Kosovës.
-Në Bukuresht keni pasur kontakt me shkrimtarin e madh Viktor Eftimiun, prejardhja e të cilit ishte shqiptare, ndërkaq volumi i krijimtarisë së tij është shumë i madh, autor i 125 veprave të gjinive të ndryshme letrare, shumica drama, romane…
– Viktor Eftimiu të cilin rumunët e llogarisin si shkrimtarin më të mirë të tyre, në moshën 16 vjeçe kishte arritur në Bukuresht nga Boboshtica e Korçës, por shumë shpejt e kishte përvetësuar gjuhën rumune. Pata shkuar në Bukuresht që të bëja një emision televiziv dhe, me atë rast paraqitje të planit tim, më thanë se Eftimiu nuk pranonte të bëhej emision për të, mirëpo kur kupton se jemi shqiptar na pranoi me entuziazëm. Shtëpinë e tij dykatëshe, me një kopsht përpara, e kishte të mbushur me shumë piktura të piktorëve të njohur. Në një kënd të asaj dhoma vërejta një fotografi nga një pritje e organizuar e shqiptarëve të Rumanisë në hotelin “Bulevard” të Bukureshtit, me rastin e ardhjes nga Austria e aktorit të njohur shqiptar Aleksandër Moisiu. Duke iu përgjigjur interesimit tim për atë fotografi, tha: – Moisiun e njoha para se ta burgosnin francezët gjatë Luftës së Parë Botërore. Atëbotë bëra çmos për ta liruar. Arritëm ta këmbenim me një gjeneral francez, gjithashtu të zënë rob në luftë. Pastaj, kur erdhi në Bukuresht me ansamblin e vet, ai ka banuar mu në këtë shtëpinë time… Në takimin tonë të parë ai më tha se është nga Durrësi dhe Kavaja. Kur i tregova se unë jam nga Boboshtica mes nesh më nuk ekzistonte kurrfarë barriere… Eftimiu fliste edhe për figura tjera. Kur e përmendi Asdrenin tha se ai ka qenë një poet dhe patriot i madh. I kujtohej se si Asdreni i organizonte provat në kishën e shqiptarëve në Bukuresht për ta përgatitur himnin e Pavarësisë së Shqipërisë… Kur e përmendi Shqipërinë, vazhdoi: – Kur shkova në Shqipëri në vitin 1971 (vdekja e Eftimiut ndodhi më 1972) atje takova shumë shqiptarë të Rumanisë të kthyer në vendlindje dhe u çmalla… Dëshiroj të vij edhe në Prishtinë, nëse më mban forca…
-Kujtoj se ia vlen të rrëfesh edhe për kontakte (intervista) të tjera me autoritete të njohur.
– Në rregull, kur niset vallja duhet të vazhdohet, apo jo? Prandaj po ndalem te disa emra me të cilët kisha kënaqësi të bisedoja dhe i lumtur që më pranonin në cilësinë e gazetarit që do të bënte intervistën. Nuk e harroj takimin me Zhak Preverin (Jacques Prevert) që, me atë rast të intervistës, ishte 73 vjeçar. Takimi ndodhi në shtëpinë e tij në Monmartrë të Parisit, për të vazhduar tri ditë rresht në kabarenë “Mulen Ruyh”. Tri ditë më parë pata kërkuar takim për një reportazh televiziv në kohën kur në Paris përgatitja në film dokumentar mbi gjykimin e Avni Rrustemit, atentator i Esat Pashë Toptanit. Ai fliste për poezinë, për miqtë, për këngëtaren e njohur Edit Piaf që ato ditë mbushej një vjet nga vdekja e saj për të cilën tha se ato ditë ia kushtonte një poezi… Për mua, në atë rast, ishte një e papritur: nxori një ekzemplar të përmbledhjes “Fjalët” për të ma falur dhe shtoi: Le të ju kujtohetporosia ime edhe për profesionin tuaj. Shkruani nga jeta sa më thjeshtë, pa i kompletuar gjërat, sepse edhe ashtu jeta është mjaft e komplikuar… Pastaj hapi faqen e tretë të librit “Le paroles”, dhe me një flamaster të zi vizatoi përkrenaren e Skënderbeut, pastaj përkushtimi me emrin tim dhe nënshkrimi Jacques Prevert, që e ruaj edhe sot. Për këtë takim e botova shkrimin ter gazeta “Rilindja” më 19 janar të vitit 1974.
Ishte edhe takimi tjetër, për të cilin ia vlen të rrëfehet, takimi me Miroslav Kërlezhën që ndodhi në prill të vitit 1974. Ai, aso kohem, ishte në krye të Entit Leksikografik të Zagrebit. Duke pasur parasysh se ai nuk dëshironte të bisedonte me gazetarë, isha skeptik se do të më pranonte. Ky takim, në të vërtetë, do të ishte takimi i dytë me Kërlezhën, sepse edhe si student, më 1964 – isha takuar. Përkundër skepticizmit tim ai tha: – Me çfarë mund t’ju gostisë? Dhe nxori shishen me “Courvassier”… duke krijuar një atmosferë të përzemërt. Më tutje, gjatë bisedës, tha: “…Rrallë e shikoj programin televiziv. Më ka rënë të shikoj storie nga Prishtina dhe Kosova. Vërehet një frymë moderne, po them, aq sa mund të vërehet në ekran…” Mandej vazhdoi: “Do të shkruaj ekskluzivisht për lexuesit e gazetës “Rilindja” përshtypjet nga takimet me Fan Nolin në vitin 1924 në një hotel të Vjenës. Për Nolin dhe veprimtarinë e tij politike e demokratike kisha dëgjuar edhe më parë, e veçmas për të si përkthyes i spikatur i Shekspirit… Do të shkruaj edhe diçka tjetër, si e përjetova një shfaqje të dramës shqipe të Teatrit Krahinor të Prishtinës para publikut kryesisht shqiptar të Shkupit, në vitin 1960.
Ishte kënaqësie veçantë takimi me Kërlezhën, me shkrimtarin që kishte lindur më 1895, që ishte themelues e redaktor të revistave dhe gazetave midis dy luftërave , ishte themelues i Entit Leksikografik të Jugosllavisë, në Zagreb, më 1914. Krijimtaria letrare e tij, siç pata mësuar (lexuar) para se të takohesha me të, ishte e madhe, me ciklin e romaneve “Zoti Mars i Kroatëve”, “Njëmijë e një vdekje”, romanet “Kthimi i Filip Latinoviqit” (i përkthyer edhe shqip), “Në zgrip të mendjes”, mandej opusi i tij dramatik “Kristofor Kolombo”, “Mikelangjelo”, cikli “Glembajevët” etj.
Kam realizuar intervista edhe me Ibrahim Kodrën, me ndjekësin e nazistëve, me Jaser Arafatin, me Simon Wiwesenthal, me Eva Brendli, që i erdhi në ndihmë Kosovës pikërisht më 2 korrik të vitit 1990, kur ish deputetët tanë miratuan Deklaratën kushtetuese para dyerve të Parlamentit të okupuar nga forcat policore serbe. Kjo dëshmitare ndërkombëtare ishte një zonjë e verbër me një qen të trajnuar për ta udhëhequr në rrugë… Intervista me Eva Brendin qe botuar në gazetën “Bujku me 4 gusht 1991, në të cilën intervistë, pos shumë përgjigjeve, ishte edhe kjo që po e shënoj tutje: “Unë mendoj se populli shqiptar bë Kosovë ka filluar të sillet si subjekt, të cilit i përkasin të drejtat dhe detyrimet e barabarta në cilindo zgjidhje të mundshme… E pata intervistuar edhe liderin kurd Xhalal Tallabanin, edhe ilirologun arbëresh Aleksandër Stipçeviqin, dhe me shumë liderë tjerë arabë e paleszinezë.
Gjetja e vetvetes në ditët e pasluftës
-Ndodhi lufta, erdhën në shprehje rrethanat e reja, me iniciativa të reja, mbase edhe me tkurrjen e mundësive kreative në mungesë të gjetjes të rrugëve më të përshtatshme për aktivitete në kuadër të profesioneve, siç është profesioni i gazetarisë, për shembull. Individë profesionistë vazhduan t’i japin vetit kurajë me angazhime të ndryshme. Ku ishte Nehat Islami në kohën e pas luftës;
-Kapitull i veçantë pas luftës sonë të fundit ishte se nuk mundëm të kthehemi në ,,Rilindje, pasi njeriu që ishte caktuar nga pushteti i ri, bënte lista kush mundet e kush jo të hyjë aty. Fatmirësisht shumë kolegë të mi dhe unë as që kemi tentuar të shkojmë ,por një pjesë kemi shkuar në gazetën e përditshme ,, Zëri,, e cila për një kohë të shkurtër u bë gazetë e besueshme e Kosovës. Në këtë gazetë më kanë rilindur dëshirat për gazetari.
Mirëpo, pas një kohe, më ftuan të udhëheqja Zyrën e Agjencisë të Institutit për përcjelljen e luftës dhe të paqes (IWPR) për Kosovë. Kjo agjenci amerikane e lajmeve, atëbotë transmetonte shkrime nga Ballkani në veçanti. Artikujt e IWPR-së ribotoheshin në afro 2000 gazeta botërore.
Si drejtor i zyrës dhe njëherësh reporter, kam shkruar shumë artikuj e reportazhe. Më kujtohet se shpesh jam detyruar të shkruaj artikuj për të përgënjeshtruar propagandën e Serbisë, e cila edhe pse e kishte humbur luftën në Kosovë, vazhdonte me prodhimet e fabrikës së rrenave.
Një herë mediat e Beogradit e kishin shpikur se si në fshatin Ropotovë të Kamenicës, po funksiononte një kamp ku po trajnoheshin muhamedanë dhe shqiptarë. Shkova disa herë në Ropotovë dhe bisedova me banorët, me shqiptarët dhe serbët. Asnjeri nuk e konfirmoi atë gënjeshtër të Beogradit. Falë edhe KFOR-it në Gjilan, të cilët u angazhuan për këtë punë, doli se kjo ishte një gënjeshtër, që u përgënjeshtrua në afro 2000 gazeta botërore.
Gënjeshtër e ngjashme u ,,poll,, në Beograd, se gjoja shqiptarët kishin rrëmihur varrezat e serbëve në Rahovec. Edhe për këtë temë i kalova disa ditë në qytetin e rrushit. Edhe serbët e Mëhallës së epërme të Rahovecit, nuk e pohuan këtë gënjeshtër, ë cila gjithashtu u publiku përmes IWPR-së në shumë gazeta botërore.
Nga puna tre vjeçare në IWPR më ka lënë mbresë së veçante një intervistë me Komandant Lleshin, në Tërnoc, ku shkuam bë bashku me një koleg anglez nga IWPR.
Komandantin e njohur nga Lugina e takuam gjatë luftës në Luginë.E gjetëm në shtabin e tij. Një ndërtesë me tulla të bardha dhe një zyrë e vogël, por e rregulluar me shije. Fjalët e tij se shqiptarët nuk po luftojnë kundër serbëve, por për të drejtat elementare dhe se serbet i konsiderojnë fqinjë të mirë, u përhap në shumë gazeta botërore.
Maturia e tij e një lideri ushtarak që nuk ia lëshonte rrugën as diplomatëve e humanistëve, i bëri përshtypje edhe kolegut anglez. Duku u kthye nga Bujanoci, ,,Autostradës së UÇPBM,, si quhej një shteg i ri i hapur nëpër male për në Gjilan, kolegu anglez më tha dhe ashtu edhe shkroi në reportazhin e përbashkët ,, Këta djem e dinë pse janë në mal…
Pas disa javësh, Komandant Lleshin, një ish mekanik, e vranë forcat serbe. thonë në pabesi.
Pas IWPR-ë jam zgjedhur në detyrën e drejtorit në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, një institucion, ndër më të parët në Ballkan, (2005). Qëllimi i KMSHK ka qene dhe ka mbetur lufta për respektim të etikës së gazetarisë në mediat e shkruara dhe portalet. Pra mbrojta e qytetarit nga lajmet e rreme e gjithashtu, mbrojta e gazetarëve nga akuzat boshe…
Gjatë dhjet vjetëve të punës aty, KMSHK ka vendosur për mbi 1500 ankesa, ka përgatitur Kodet e etikës për gojëtarë, ka organizuar shkollë të etikës për studentë të gazetarisë dhe ka prezantuar Kosovën në Aleancën e etikës së mediave.
Më vjen shumë keq, që sot, kur ky Këshill ka arritur reputacion për së miri në tërë Evropën, Qeveria Kurti, dëshiron ta mbyllë dhe kompetencat e KMSHK, të pavarur t’ia bartë Komisionit të Pavarur të Mediave, që është një organ shtetëror për rregullimin e mediave radio-televizive. Kjo po tentohet kur, në mbarë Evropën për vlerat demokratike të së cilës betohet Qeveria jonë, po hapen dhe fuqizohen Këshillat e Mediave të Shkruara, si trupa të pavarur vetërregullues, larg dorës së shtetit, ku vet gazetarët vendosin vlerësime etike për shkrimet e veta.
Një vit pas themelimit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë (1991), jam anëtarësuar në të. KMLDNJ është themeluar në zyrën e avokaturës së Jufuf Hakajt dhe një kohë aty kanë mbajtur mbledhjet nismëtarët Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Zenun Çelaj etj, ndërsa pas disa muajsh KMLDNJ kaloi në një sallë të Meshihatit të Kosovës, e cila na paguante edhe shpenzimet e korrentit dhe të tjera, pasi ne nuk kishim mundësitë tona, ndërsa në fillim kishim pak ndihma nga Organizatat simotra, pasi nuk kishim kontakte të rregullta.
Me ardhjen e Adem Demaçit, gjërat filluan të ecnin më shpejtë, ndërsa autoriteti i tij në përmasa ndërkombëtare bëri që të shtohej përkrahja nga jashtë. Këshilli në vitet e para ka pasur mbi 40 anëtarë profilesh të ndryshme, duke filluar nga grupi shumë i njohur i avokatëve, mjekëve, gazetarëve etj. Detyrë kryesore e Këshillit ka qenë mbledhja e informatave të besueshme për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe distribuomi i tyre në terë botën, përmes teknikës së Ministrisë së informatave të Qeverisë së Bukoshit, përkatësisht të ministrit të informatave Xafer Shatrit. Më sa më kujtohet, ato shpërndaheshin çdo ditë në të katër anët e botes, të përkthyera në anglisht dhe frëngjisht. Ndërkaq, një pjesë e kryetarëve të këshillave lokalë kanë qenë ish të burgosurit politikë, që këtë detyrë e kryenin me devotshmëri dhe saktësi.
Nga takimet e shumta me gazetarë të huaj, do ta përmend një vizitë në gazetën ,, Lë Mond,, të Parisit, më duket në vitin 1994. Atje shkuam me kolegun tim Binak Kelmendi. U takuam me një redaktor të politikës së jashtme, të cilin e informuam në detaje për gjendjen në Kosovë, me theks të veçantë për aparteidin. Kur përfundoi ajo bisedë njëorëshe, kolegu francez i ,, Le Mondit,, , të asaj gazete që është moshatare e ,,“Rilindjes” sonë, na tha se kishim pasur fatin që shim takuar atë ditë me te, sepse kolegu tjetër, gjithashtu redaktor i ,,le Mondit,, kishte qenë shumë i lidhur me Jugosllavinë. Ai as nuk do të na pranonte në bisedë e as nuk do të botonte asgjë nga ne.
Të nesërmen, gazeta autoriteteve parisienë, për herë të parë botoi një artikull kryesisht me të vërteta për Kosovën me titull të madh ,, Aparteidi në Kosovë,,.. Kemi dëgjuar më vonë nga disa gazetarë të ,, Lë Mondit,, se Beogradi zyrtar kishte protestuar për këtë artikull që nuk shkonte sipas shkrimeve të zakonshme të korrespondentit të ,,Mondit,, nga Beogradi Pol (Pavle) Jankoviq, i cili e rrahtë telin e qeverisë së Beogradit… Redaktori i ,, Le Mondit,, na tërhoqi vërejtjen se më mirë do të ishte të mos përmendshin në artikull emrat tonë, sepse i dinte pasojat për ne. Kështu, ky profesionist e kreu me nderë rolin e vet, arriti efektin dhe Binakun e mua na mbrojti nga pasojat e sigurta.
Në vitin 1995 isha në Londër, pasi në Komisionin e të Drejtave të Njeriut të OKB në Gjenevë, së bashku me Flaka Surrojin, arritëm të sjellim miratimin e Rezolutës së dytë të këtij trupi të rëndësishëm botëror, ku pos tjerash flitej për gjendjen e vështirë e të drejtave të njeriut në Kosovë. Behej një punë e kombinuar së bashku me shumë veprimtar te të drejtave të njeriut dhe diplomatë që zgjaste 50 ditë. Për rezolutën e parë kontribuuan Avni Spahiu dhe Veton Surroi, gjithashtu anëtarë të Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Prishtine, kurse rezoluta e tretë u miratua falë edhe punës së palodhshme në Gjenevë të Zenun Çelajt dhe Ymer Jakës.
Në Londër, së bashku me Bejtulla Destanin, kërkuam një intervistë me historianin e shquar anglez Sir Noel Malkolm, që posa kishte botuar librin për Bosnjën. Natyrisht, ne ishim të interesuar të dinim se a do të kishte mundësi që ky historian me famë botërore, të shkruante librin për Kosovën.
Përgjigjja e tij na erdhi si një sihariq i mirë. Na tha se ai kishte filluar të përgatiste lëndën nga shumë burime për historinë e Kosovës, por na u lut që këtë të mos e botonim në intervistë, sepse kishte përvojë të keqe me Beogradin për librin mbi historinë dhe realitetin në Bosnje. Ashtu edhe u bë. Meqë ai njihej më parë me Bejton, kërkoi nga ky hulumtues i arkivave, jo veç londineze, që t’ia drenoje disa nga materialet e tij, kurse nga unë kërkoi dhjetë libra për Kosovën të autorëve serbë të Kosovës për Kosovën.
Libri ,, Kosova,, doli mu në vigjiljen e Luftës së Kosovës dhe shërbeu atëherë (por edhe sot) si libër referent për Kosovën për diplomatë, gazetarë dhe shkencëtarë botëror. Gjatë intervenimit të NATO-s në Kosovë, shumë oficerë dhe ushtarë të rëndomtë e mbanin me vete atë libër të Malkolmit.
Nga kjo jetë në gazetari, kam botuar dy libra ,, Hotel Bejrutin,, ( Grupi Koha) dhe ribotim i zgjeruar nga Shoqata e gojëtarëve Shqiptarë në Tiranë, si dhe ,,Një adresë në Bukuresht, botim, botues “Faik Konica” Prishtinë. Pres të dalë libri i kolegut tim të nderuar Xheladin Rexhepi ,, Jeta me laps,, shkruar në bazë të mbi 500 pyetjeve që mi ka bërë, për çka jam mirënjohës për punën dhe durimin që kishte në përgatitjen e këtij libri, të cilin e financoi Komuna ku për herë hapa sytë – Ferizaj i rrethuar me borë.
Pas këtij rrëfimi të gjatë, duke “shëtitur” gjithandej nëpër botë, në rrugëtim të pandalshëm gjatë disa dekadave, duke mos ia kthyer kurrë shpinën profesionit të gazetarisë, Nehat Islami vazhdon të jetojë në Prishtinë, bashkë me bashkëshorten, Baton, e cila është një lexuese e pasionuar; vazhdojnë t’i gëzohen ardhjes së herëpashershme të dy vajzave që, me bashkëshortët e tyre, jetojnë në Amerikë, dhe të birit të tyre, Dardanit, i cili me nusen dhe dy bijtë jeton në Londër.
Në pyetjen e fundit se cila kohë ishte më e rëndësishmja në profesionin e tij, e përmbyll bisedën kësisoj: “Lindja e Mesme mbetet pikë e interesimit tim, por vetëm aq sa për një pensionist, që jeton nga kujtimet. dhe duke lexuar portalet e gazetave të rajonit. Më nuk mundëm të udhëtoj, sepse jam plakur shumë, por mbi të gjitha shkoj në dializë…”
(Janar-shkurt 2024)