C
S’MË PYESIN VITET…
70-vjetori i lindjes
S’më pyesin vitet
Asnjëherë:
Që kur kam lerë…
Se vitet rendin
Si ndër fshehtësi:
Pa pyetur njeri…
Çuditem me veten,
Dhe më vjen si e beftë:
U bëra shtatëdhjetë?!
Dhe kur do t’iki
Përgjithmonë:
S’më pyesin, s’ma thonë…
Dhe vetes i them,
Me t’qeshur, ngadalë:
-Po mbahu, bre djalë!
FTESË E NJË VENDLINDËSI
G M
Një vendlindës,
Më flet ngadalë:
‘’Dhe pemët, dhe rrugët
Malli i ka marrë…
Po eja, o Basir,
A s’je mallunxar?!’’
Po le të ulemi,
Dhe në barë të njomë,
E shpirti t’na mbushet,
Me ajër e aromë…
E diku n’livadh,
Ta ndezim një zjarr,
E një gjel ta therim,
E ta pjekim në zgarë.
Po eja, o Basir,
A s‘je mallunxar?!
Doemos, do të pimë,
Dhe ndonjë raki,
Se e di se ti
Di me e pi…
Dhe s’fyhen askënd
Dhe n’dehuri…
Mua, veç të tjerash
Më mbeti në vesh:
‘’Po eja, o Basir,
Të kënaqemi duke qesh!’’
A . Z. ÇAJUPI
Strall prej Sheperi,
Prehrit t’Zagorisë,
Fluturimin mori,
Qiejve t’poezisë…
E n’plot helme jete,
Nëpër pikëllimë,
Me zjarrin e zemrës,
E mundi stuhinë…
Lot – Evgjenia,
Dhe i biri, Stefani,
Mbushur kupa e dhimbjes,
Sa me u dridh dhe mali…
Po ai, bri Naimit,
Naimit shpirtndritur,
Për atdhetarinë,
Kaq hymne ka ngritur…
Nuk harrohen kurrë,
Vargjet zemërzjarrta:
‘’Ku të duket balta,
Më e ëmbël se mjalta.’’
CA ZOGJ
Ca zogj të bukur,
Ca zogj të dlirtë,
Më vijnë ballkonit,
Duke cicërirë,
Si për t’më marrë,
Me krahë të lehtë,
Qiellit të madh,
Ku lozin retë…
LIBRI I BURRËRISË
Libri i burrërisë
Është libër i rrallë:
çdokush e shkruan
Sa është gjallë..
Libri i burrërisë
Peshon rëndë:
Mund t’mbetet hi,
Mund mbetet këngë.
MË NGJAN SIKUR…
Dikur i shihja
Nëpër qytet:
Në harenë e vet…
Po ajo iku
Në tjetër jetë…
Ai vetëm mbet.
E shoh të pikëlluar
Mbi shkopin e vet,
Ku shpesh e troket…
Dhe më ngjan sikur
Më ngjan sikur,
Sikur e thërret…
NË CEP TË NJË BRENGE
Diku ke mbetur,
Në cep të një brenge,
Nëpër ca dhembje…
E në të rrallë
Më vjen në mendje:
Si fundi i një kënge…
LULET
Honeve të shpirtit
Kërleshen erërat,
Kërleshen aq egër
Sa gjoksi më dhemb…
Lëndina e shpirtit
Kërkon lule,
Po lulet janë strukur
Stepur mbetë…
STERIO SPASSE
Nëpër aq vepra
Zemërshpërndarë:
Farë të shëndetshme,
Mbolle në çdo arë…
Për Gollomboçin
Dhe liqenin Prespa,
Të pikonte shpirti
Pikë-pikë si vesa..
Romani ’’Pse’’
Me dhimbje shkruar,
Eh, Gjon Zaveri
Iku i dëshpëruar!
T’ndriturën Rilindje
Si askush tjetër,
Në brazda romanesh
E gdhende në letër…
Kurora për Ju.
Për mot e jetë!
Me yjet e qiellit
Mbete i qielltë…
DRITËRO AGOLLI
Atje, mes luleve,
Dritë e aromë,
N’parajsën e qielltë
Kemi Dritëronë…
Rend e loz me engjëjt,
Si vala ndër valë:
Ndër këngë e derte,
Dritëroi i bardhë.
Ai, i madhërishmi,
Nëpër dy botë,
Derdh mall pa reshtur,
Në qiell e në tokë.
ULËRIJNË QENTË
Qyteti shtangur,
Në lemeri,
Ca qen ulërijnë
Në kacafytje.
Se gazi e hareja,
Ikën nga ky vend:
Në mes të qytetit
Egër ulërijnë qentë…
NJË PENDËL E BARDHË
Tek pija kafe
Dhe një raki,
Në një lokal.
Një pendël zogu
Me aq butësi,
Tek unë u ndal…
Erdhi nëpër qiell,
Erdhi nëpër erë,
Erdhi nëpër mall
Kjo pendël e bardhë…
Kë vallë, për mua,
Malli paska marrë?!
TË VEGJLIT E MËDHENJ…
Na mbytën
Të vegjlit,
Të vegjlit
E mëdhenj:
Bile,
Na quajnë
Dhe budallenj…
PO DHE NJË LULE
Jemi të vegjël,
Krejt të vegjël:
Para botës së madhe…
Po dhe një lule
Sikur të mbjellim:
Do mbetemi në livadhe…