Iliaz BOBAJ : BASHKATDHETARËVE TË MI , POEZI

SHTËPIA E VJETËR

Nga shtëpia e vjetër kanë mbetur ca mure,
Të rrënuar, të shqyer, nga koha të ngrënë.
Dikush u kujtua, kish pjesë nga stërgjyshi,
Nipër e mbesa u turrën të tërë,

Qe rasti më i mirë, për t’u grindur me njëri-tjetrin.

MENDJET E VARFRA

Për t’u dukur pak më epik, më burrëror,
i pari i vendit la mjekër dhe mustaqe.
Punonjësit e administratës, nuk vunë më brisk në faqe,
U mbushën zyrat me mjekëroshë kuturu.
O mendje të varfra, servilë pa tru…!

KAFSHËDASHËSIT

Shefi i madh mori ca zhapinj në zyrë,
(donte të thoshte se i donte kafshët si askush).
Ministrat, deputetët, e panë si rast të mirë:
morën në zyra lepurushë të butë, të heshtur.
Thanë njerëzit:- Shkojnë lepujt me lepuj…

KARIERA E VJOLLCËS

U ngjit Vjollca në shkallët e karierës,
si një yll verbues me krahët e erës.
Ata që s’e njihnin, thanë:- E ngriti aftësia.
Tha Vjollca:- S’e ditkan sekretin, këta të shkretë:
të ngre bukuria njëmijë herë më shpejt…

MOTIVI I DITËS

Ikin të diturit, të rinjtë po ikin jashtë.
Partitë mbushin thasët me militantë injorantë.

NATYRË E QETË

Lufton pozita, me shpatën e ndryshkur të pushtetit,
goditjet tinëzare, opozitës pa ia kursyer.
Lufton edhe opozita ashpër për pushtet,
me shpatë të thyer, të nxjerrë prej millit.
E shpërndarë si ushtarët e Haxhi Qamilit…

FTOHJE DHE FTOHJE

Të ftohtë akujt, akullnajat që ka toka,
por zemrat e njerëzve në kohën tonë,
nga akullnajat, po bëhen më të ftohta.
Janë gjëja më e akullt që ka bota…

LUFTA KUNDËR LUFTËS

Na gjëmon lufta në derë të Europës,
vriten të pafajshmit, paqedashësit, të urtët.
Ama bota lufton seriozisht për paqen,
duke e zgjatur sa më tepër luftën…

PAVARËSIA JONË

Urdhërat, komandat, i marrim nga të tjerët,
na urdhërojnë super shtetet, ne thjesht zbatojmë.
Vërtet ne drejtohemi me kokën e të tjerëve,
po prej tyre nuk jemi të varur gjithmonë.
Prapësitë i bëjmë me kokën tonë.

BASHKATDHETARËVE TË MI

Një këshillë ma dëgjoni:
vritni frikën, që të rroni!

PRODHIMI YNË

Lodhëm veten, velëm botën,
me prodhime Shqipërie:
nxjerrim libër për Gomarin,
se është kryetar partie…?!

METODAT TONA

Me metoda Don Kishote,
bëjmë shtetin e askundit:
llumi i ajkës del në krye
dhe ngre lart ajkën e llumit.

KRITIZIERËVE TË VARFËR

Kur fyeni rrënjë e degë
dhe villni fjalët pa vend,
veç Atdheun mos ma prekni,
se atë e kam të shenjtë…!

DINJITETI

Kur të pakësojnë mjetet e jetesës,
rron ashtu me të keq, s’do mend.
Po kur të nëpërkëmbin dinjitetin,
të mbetet gërrmadha e shpirtit tënd.

DREJTUESVE TË SHTETIT

Ju vishuni me rroba të shtrenjta,
po deshët edhe me veshje të florinjtë,
por para syve të popullit tuaj,
jeni të gjithë si mbreti i përrallës:
krejt lakuriq…

BUDALLENJ DHE TË DITUR

Gënjehen budallenjtë me një lugë çorbë
dhe do të gënjehen, kjo është prej natyre.
Mirë budallenjtë, se varfërinë kanë në thes,
po ju të diturit, ku shkoni pas tyre…?!

FJALA DHE SHPIRTI

Ai që e ka fjalën të bukur,
u fal të tjerëve hijeshinë.
Ai që e ka shpirtin të bukur,
u fal të tjerëve madhështinë.
Të dyja e bëjnë njeri njerinë.

KUVENDI YNE

Sa i varfer ky Kuvend:
sa shumë fjalë, sa pak mend…!

KARTOLINA E SPAKUT PËR VITIN E RI 2023

1.
Deti mbeti me cironka,
peshq të mëdhenj nuk gjen kund,
i mori SPAK-u nga leckat,
i rrasi të gjithë në burg.
Peshkatarë, kot hidhni rrjetën,
s’do gjeni as një të vetëm…!

2.
Me pallate, me hotele,
pastroi miliona sa deshi.
Kur mori vesh që kish ikur,
SPAK-u dha urdhër arresti.

SPAK- u ynë, qënie e rrallë:
ecën shtrembër, i del mbarë…

3.
SPAK-u ynë, në histori,
do mbetet, se bëri namin:
rrafshoi kotecin e Zefit
dhe kasollen e Hasanit.

4.
Kryetarja e B.E.-së,
sapo mbrriti në Tiranë,
foli si e ëma e Zeqos:
-Keni drejtësi të rrallë.
…Tra…la…la…la…zura një galë…!

5.
SPAK-u i ri, një klloçkë e vjetër,
në fole rrëzë qymezit,
vazhdon të ngrohë me durim,
vezët kallpë të pushtetit.

6.
Kur dëgjojnë emrin e SPAK-ut,
ata që ia dinë hallet,
nga tmerri që i ka zënë,
fluturojnë, marrin malet…
Një këshillë: SPAK-u ynë,
ule pakëz egërsinë…!

7.
Ndërtoi një hotel gjigant,
aq sa s’numërohen katet.
Po, ah, ç’e gjeti të zinë:
shkoi SPAK-u, i rroi…mustaqet.

8.
Thonë se syri i drejtësisë,
di të shohë dhe përtej detit.
SPAK-u ynë është pak më ndryshe:
sheh ato që sheh pushteti.

9.
Dikush thotë: SPAK-u është i trembur,
ç’është kjo fjalë krejt pa vend!
Kur prishi murin e Tares,
nuk ia bëri syri tërr…

10.
SPAK-u për specializim,
në Amerikë shkon, gjithsesi.
Po kur kthehet e bën ligjin,
ndryshe, si në Shqipëri…
-Ndryshojnë punët,- tha Erzeni,-
sipas vendit dhe kuvendi…
Aty ligjin e bën ligji,
këtu dreqi dhe i biri…

11.
Shpatë e ligjit, gjithë e dinë,
kur duhet e gjithkënd
dhe SPAK-u e përdor mirë,
merr shpatën e vë në këllëf.
E urdhërojnë politikanët,
vret e pret nga të dy anët…

12.
Ja portreti yt në letër:
SPAK i ri- mjeshtra të vjetër…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here