)
-Alo, profesor! Ju jeni? – u dëgjua pyetja e nxituar, e cila dukej sikur nuk mund të qetësohej, derisa të merrte përgjigjen e duhur dhe të sigurohej që nga ana tjetër e celularit isha unë.
-Po, unë jam. Kush jeni ju?
-Ah, profesor i dashur ! Kush mund të jetë tjetër, Maksuti jam, Maksut Kalcuni.
-Maksut Kalcuni…? Po ku je, more Maksut, kemi një jetë pa u takuar…
Biseda jonë vazhdoi aty ku e kishim lënë plot tridhjetë e pesë vjet më parë, kur Maksuti ishte nxënësi im i tetëvjeçares dhe sapo kish filluar të shkruante cicërimat e tij të para poetike, të cilat m’i jepte vetëm mua. Edhe pse e përkrahja me të gjitha mundësitë e mia këdo që çelte sythat e parë të krijimtarisë letrare, duhet t’iu them, se ato ishin poezitë më të varfra që kisha lexuar deri atëhere dhe nuk shikoja asgjë me vlerë në vargëzimet e tij. Vlenin vetëm për t’i hedhur poshtë. Kishin aq shumë gabime drejtshkrimore, sa vetëm syri i stërvitur i një mësuesi, mund ta kuptonte atë që donte të thoshte Maksuti. Natyrisht nuk merresha fare me to, por nuk e di përse nuk i hidhja, por i vendosja në një qoshe të bibliotekës sime. Ndonjëherë i thoshja edhe ndonjë mendim, po sfungari i Maksutit nuk thithte fare nga ajo anë. Në klasë rrinte i vetmuar në bankën e fundit dhe nuk merrej askush me të. E kalonim thjesht për të mos e lënë në klasë. Mendimi i përgjithshëm për Makutin, ishte ky: po të pyesje në lagje për të, të thoshnin: ai budallai i lagjes, po të pyesje në shkollë, të thoshnin ai budallai i shkollës dhe po të pyesje në qytet, të thoshnin ai budallai i qytetit. Bëmat e tij nuk kishin fund…Një herë kish humbur dy- tri ditë. U ngritën në këmbë për ta kërkuar, por nuk e gjetën gjëkund. Erdhi vetë, me një fletore të mbushur me zhgarravina. Kur e pyetën se ku kishte qenë, u tha: ‘’Isha në pyllin e pishave me leje krijuese’’. Edhe kur ndonjë njeri tjetër bënte ndonjë marrëzi, njerëzit thoshnin: ’’Kjo është si bëmat e Maksutit’’…
Por do vinte një ditë dhe ato poezi do të çuditnin botën…
Pasi u dhamë fund pyetjeve për të shuar kureshtjen, e pyeta:
-Po ku je tani, ku jeton? A je martuar? Ke fëmijë?
-Po, po, kam një grua si hënë dhe dy fëmijë si yje. Jam në Hollandë,- ma ktheu i kënaqur.
-Më mirë më thuaj vetë, se po fillova unë, nuk mbaroj as nesër me pyetjet që kam.
-Nuk di nga t’ia filloj. Po do t’i bie shkurt…Ika në vitin 1990 dhe mbërrita në Itali. Nuk dija as gjuhë, as zanat, asgjë. Hipa në një tren, shkova në Francë dhe prej andej mbërrita në Belgjikë. Me një fjalë, unë shkoja aty ku shkonte treni, flija nëpër stacione dhe nisesha përsëri për udhë. Kisha ëndrra të mëdha. Jetojmë në kohë moderne, profesor. Duhet t’i përshtatesh Europës. Udha e drejtë, nuk të nxjerr askund. Aty bëra ca punë që më ngopën me para dhe bleva një vilë. Jetoja si pasha në mes të Brukselit. Por më mungonte familja. Që të mos iu lodh, po iu tregoj vetëm si e gjeta dhe si u martova me gruan që kam sot. E kishin sjellë nja dy të njohurit e mi nga Tirana dhe njëri prej tyre thoshte se e kishte vajzën e xhaxhait. Po ata nuk kishin asnjë kacidhe në xhep, se sapo kishin ardhur dhe kur e prezantuan me mua, ia vura syrin menjëherë. Lulëzonte si ato kumbullat e mbushura me lule në mes të majit. O marr këtë, o vdes, thashë me vete. I thashë se kisha mbaruar Universitetin në Tiranë, kisha vilë, kisha punë si agjent special në një firmë të madhe dhe gjithë të mirat dhe se do ta mbaja si zonjë. I tregova dhe njërën nga librezat e mia. Shqeu sytë. Të nesërmen i braktisi ata dhe u bë gruaja ime. Ua rrëmbeva nga duart. Si në filmat e Hollivudit…
-Po ti qenke për një roman me këto historitë e tua, o Maksut !
-Ah, profesor, kjo është vetëm a-ja e aventurave të mia…Ishte koha kur duhet të bëja disa lëvizje, për të humbur gjurmët e mia dhe ky ishte rasti më i mirë. Vilën në Bruksel, së bashku me lokalin që kisha në katin e parë, e dhashë me qera, bleva një vilë tjetër në Amsterdam dhe u shpërngulëm aty. Rregullova dokumentat dhe jetoja si në parajsën e zotit. Duhet t’u them, se emri im, që nga dita që u vendosa në Bruksel, nuk është më Maksut, por Maks. Si europian, që jetoja në kryeqytetin e Europës, e europianizova edhe emrin tim.
-Po befasohem me këto që po dëgjoj nga goja jote, – e ndërpreva.
-Unë sa kam filluar…jemi ende në faqet e para të librit. Deri këtu mirë, por më mungonte diploma e shkollës së lartë. Jo se më duhej, por thjesht se i kisha thënë gruas që kisha mbaruar universitetin dhe nuk doja t’i dilja gënjeshtar. Një burrë me autoritet, duhet të dijë ta mbajë burrërinë para gruas së tij. Dhe rasti më erdhi vetë në dorë. Së bashku me gruan, menduam të blenim një hyrje në Tiranë dhe një ditë shtatori mbërrita në kryeqytetin tonë. U takova me kushëririn tim në qendër të Tiranës. Ai ishte së bashku me një tjetër. Njihu me profesor Bashkimin, më tha ai. Punonte në një universitet privat. Pasi u njohëm, kushëriri im më pyeti: more, ke diplomë të shkollës së lartë ti?. Jo,i thashë, unë jam me tetëvjeçare. Lere, more, atë tetëvjeçaren tënde, më tha. Ja ku e kemi profesorin. Unë sapo e bleva për veten time. Do dhe ti një? U hutova…po si ta marr?, e pyeta me gjysmë zëri. Oh, ti qenke pas botës, më shfryu kushëriri. Jepi pesëmijë euro profesorit, emër, mbiemër dhe nesër e ke këtu. Unë nuk bleva një diplomë, por dy. Në këtë mënyrë, shkova në Tiranë me tetëvjeçare dhe u ktheva në Hollandë me dy universitete…Në këtë botë nuk duhet të jesh si zagari që e ndjek gjahun, por si dhelpra, që i zë atij pritë dhe e mbërthen në çastin e duhur…I tillë kam qenë në jetën time edhe unë. Kur shkova në Amsterdam, i vura në një kornizë të bukur në qendër të sallonit të madh. Edhe ime shoqe u kënaq. Të lumtë, më tha, paske mbaruar dy shkolla të larta! Dhe je kaq modest…Sa herë hedh sytë dhe i shikoj, më kënaqet shpirti…
Maksuti tregonte me entuziazëm, si një përrua që zbret nëpër shpatijen e malit dhe nuk di të ndalë, derisa të mbërrijë në ndonjë lumë ose në det dhe të qetohet. Dhe kushedi sa do kish vazhduar, nëqoftëse nuk e ndërprisja unë.
-Po me letërsi je marrë më, apo e ke lënë mënjanë dhe rron me dhjamin e vjetër, domethënë me ato që ke shkruar në rininë e hershme?
-Ah, profesor, më dolët aty ku më dhemb…! Nuk di si t’iu falënderoj, për atë që keni bërë për mua.Ajo që bëtë ju, ishte guri i parë i lavdisë sime, e cila tani ka marrë dhenë.
-Maksut, unë nuk bëra asgjë tjetër, veçse i nxorra nga sirtari krijimet e tua, të cilat flinin aty prej dekadash dhe nisa një cikël prej tyre në një konkurs botëror, që zhvillojej në ishujt e Paqësorit. Mendova se ata do jenë objektivë dhe do t’i vlerësonin drejt poezitë e tua. Aq më tepër, kur shihja që merrnin lloj- lloj diplomash ca pseudopoetë, të cilët nuk dinë mirë as gjuhën, pa le poezinë. Le të vlerësohet dhe Maksuti, thashë me vete. Ka ardhur koha e tij. Kur ti fitove çmimin e parë dhe diplomën: ‘’Poet i shquar i letërsisë botërore’’, u befasova shumë.
Ndërsa Maksuti më fliste, mua nuk më hiqej nga mendja shkaku i dërgimit të poezive të Maksutit në atë konkurs. Një miku im poet, më pati thënë, se po bëhen ca pseudo konkurse gjoja botërorë, nga disa shoqëri të çuditshme poetësh, të cilat nuk ekzistojnë realisht dhe po mbushin me letra dhe me lajka të gjithë pseudopoetët nëpër botë dhe sidomos tek ne, ku shkruajnë poezi edhe analfabetët. Disa, madje, këto diploma i blejnë me 50-60 euro secilën. Janë ato diplomat që reklamohen përditë në facebook dhe mjeranët e poezisë mbahen si poetë të mëdhenj, pasi janë vlerësuar nga shoqatat botërore të poetëve. ‘’Dërgo në ndonjerin prej këtyre konkurseve ndonjë poezi pavlerë dhe brenda javës të vjen diploma e fituesit. Një bashkëfshatari im bari, i cili shkruan bejte, ka marrë katër diploma të tilla’’, më tha ai. ‘’Do ta provoj’’, – i thashë mikut tim dhe mendova të dërgoja poezitë e Maksutit, i cili ishte më i përshtatshmi për këto lloj konkursesh. Po kur zuri vendin e parë dhe mori diplomën ‘’Poet i shquar i letërsisë botërore’’…hej, bela, ç’m’u desh, thashë me vete…Më pas mora vesh, se për atë konkurs kishin marrë diploma të vendit të parë dhe katër- pesë të tjerë si Maksuti.
-Aq duhej, mjaftonte shkëndija e parë, – vazhdoi Maksuti nga ana tjetër e telefonit,- që fama ime të merrte dhenë. Ime shoqe u befasua. Pse nuk më ke thënë që je poet, më pyeti. O, zot, thërriste dhe ngrinte kokën përpjetë: sa modest është ky burri im! I zoti, i pasur, me dy universitete, i talentuar…Sikur më ra nga qielli…Ciklin që kishit dërguar ju në ishujt e Paqësorit, unë e dërgova direkt në një konkurs botëror në Amerikën Latine, prej nga më erdhën njëherësh, jo vetëm vendi i parë dhe titulli ‘’Poet i Madh i Botës’’, por edhe tetë diploma. I vendosa së bashku me diplomën e ishujve të Paqësorit, në një faqe të sallonit, aty ku kisha vendosur edhe dy diplomat e Universitetit të Tiranës…Para një jave më erdhën edhe dy diploma të tjera nga një shoqatë botërore…Do t’i vë edhe ato…Siç e shihni, po bëhem i famshëm, profesor…Talenti i vërtetë nuk humbet kurrë…
-Urime, Maksut, urime ! Më bëhet shumë qejfi…
-Faleminderit, profesor! Por tani fillon belaja për mua…
-Përse?
-Ah, nuk e keni marrë vesh akoma?
-Jo, çfarë ka ndodhur?
-Sapo fama ime mori dhenë, m’u turrën nga të gjitha anët. Poetët e Diasporës më dhanë titullin ‘’Poet i shquar i Diasporës’’ dhe më kanë ardhur shumë ftesa për takime të ndryshme letrare. Një ftesë për një takim dhe një ligjëratë poetike, më ka ardhur edhe prej universitetit privat të Tiranës, ku kam marrë dy diplomat. Para një jave më ndodhi surpriza e radhës, erdhi vendimi i ministrisë. Më kanë caktuar përfaqësues të diasporës për Europën. Pata një telefonatë të gjatë me ministrin.’’ Ti je përfaqësuesi më dinjitoz i shqiptarëve që jetojnë në Europë. Ministria jonë e ka për nder, që të ketë një njeri si ju përfaqësues të diasporës shqiptare në kontinentin europian. Së bashku me këtë vendim, po iu dërgojmë edhe kartën e anëtarësisë në partinë tonë’’, theksoi ai. Siç e shihni, ma varën edhe këtë këmborë…
-Tani që ta varën në qafë, duhet ta tundësh sa më mirë, – e ndërpreva duke buzëqeshur.
-Por ato që më mbytën me oferta,- vijoi Maksuti, – janë partitë politike në Shqipëri. Katër parti më kërkojnë për deputet në Tiranë. Se nga fundi i vitit ose në pranverën e ardhshme, dihet, janë zgjedhjet. Të katërta partitë në fjalë, më dërguan edhe librezën e anëtarësisë me postë. Ime shoqe qau nga emocioni. Kam marrë për burrë një njeri kaq të famshëm dhe nuk e kam ditur, dëneste përmes lotëve të nxehtë. Mezi e qetësova pakëz…
-Nuk i dija të gjitha këto, Maksut. Po befasohem nga këto që po dëgjoj.
-Ka edhe më, i nderuar profesor. Partia në pushtet më ka ofruar edhe vendin e ambasadorit shqiptar në Mbretërinë e Hollandës. Por nuk e kam vendosur ende.
-Të paskan vënë në pozitë të vështirë, Maksut.
-Do t’ia dal mbanë edhe kësaj, i nderuar. Unë ia dola mbanë me gjithë Europën, e të mos ia dal mbanë me vendin tim? Tani jam unë që përzgjedh…
Zëri i Maksutit ishte i rëndë, autoritar, si zëri i një pedagogu me përvojë, i cili i njeh mirë aftësitë e tij kur flet para auditorit.
-E prisja këtë kohë, profesor. Mbaj mend që ju harxhuat aq punë dhe mund për të na mësuar, gjë që nuk e harroj kurrë. Por talenti dhe zotësia ime, ishin diku gjetkë. Dhe koha e vërtetoi këtë gjë. Ka ardhur koha ime dhe e njerëzve të aftë dhe të talentuar si unë. Jam i lumtur që e arrita dhe po e jetoj këtë kohë. Kjo është koha jonë.
-Jo vetëm ti dhe shokët e tu, por edhe ne të tjerët, dashur padashur, jetojmë kohën tuaj, i dashur Maksut., – i dhashë fund bisedës së gjatë me ish nxënësin tim dhe e mbylla celularin.
2020