ILIAZ BOBAJ: NDARJA E PUNEVE, tregim satirik

– E po, unë nuk duroj më, sikur të kthehet bota me këmbë përpjetë ! – shfryu Shkëlzeni, rrëmbeu ca enë bosh, që ishin aty pranë dhe i përplasi me njëra – tjetrën me sa fuqi që kishte.
– Ç’ bën, more ditëzi, se tunde gjithë lagjen ! – i tha e shoqja, Vjollca dhe shkoi ia rrëmbeu enët nga dora.
– E po nuk ka rrugë tjetër me këtë njeri, moj grua ! Tërë natën rri në kompiuter dhe tërë ditën fle. Le që nuk bën asnjë punë për veten e saj, por nuk na lë as neve të bëjmë punët tona. Kemi pesëqind punë. Ecim në majë të thoit, sikur shkelim mbi vezë, se mos i prishim gjumin nuses. Jo, unë nuk vazhdoj më kështu dhe pikë ! Do thërras me sa kam në kokë, do fërshëllej, do këndoj, do bëj çfarë të më dojë qejfi. Kam pesë muaj, që më ka ardhur në majë të hundës. Duhet ta dish se trastën e durimit e kam bosh. Nuk më ka mbetur as kaq durim. Jo po hesht se fle nusja, jo po avash, se shqetësohet nusja. Sikur kjo shtëpi nuk ka ndonje hall tjetër, po vetëm hallin e gjumit të nuses së djalit tonë. Jemi bërë si shurdhmemecë. Do më shohësh këtej e tutje ! – shfryu Shkëlzeni, u ra edhe një herë me shqelm ca rrangullave që ishin aty pranë, të cilat nxorrën një zhurmë të çrregullt, hodhi poshtë një shat që mbante në dorë dhe u nis në drejtim të kafenesë, që ishte në qendër të fshatit. Shfrynte si zjarri kur ndizet nga era.
E shoqja, Vjollca, u mor me ca pune shtëpie në oborr, pa guxuar të hynte brenda, se mos bënte zhurmë dhe zgjonte nusen nga gjumi.
I shoqi, Shkëlzeni, u kthye pikërisht në orarin e ngrënies së drekës. Edhe nusja ishte zgjuar nga gjumi dhe u ulën të tre për të ngrënë, pasi i biri i tyre, Indriti, vinte vonë nga puna.
Nuk kishin vënë as dy – tri kafshata në gojë, kur nusja e la lugën mbi tryezë, u hodhi një vështrim të rreptë vjehrrit dhe vjehrrës dhe i pyeti:
– Nuk më thoni, ç’ishte ajo zhurmë në mëngjes, që më prishi gjumin ?
Ata të dy panë njëri – tjetrin në sy, si të zënë në faj dhe ulën kokën.
– Nuk qe gjë, – tha vjehrri me qetësi, – ishte gomari i gjitonit, që kish ardhur në oborrin tonë dhe trazoi ca rrangulla që kemi në oborr.
– Po ju të dy ç’bënit, flinit në këmbë ? Dy vetë nuk zbonit dot një gomar, po e latë të më prishte gjumin ? Që sot e tutje ai gomar të mos shkelë më në oborrin tonë dhe pikë ! – i preu fjalët me thikë nusja dhe i vështroi ashtu siç vështron mësuesi dy nxënësit e një banke që prishin qetësinë e klasës. – Dhe mos e lini më derën e oborrit hapur !
– Nuk do ndodhë më, moj bijë ! – tha vjehrra dhe u kujdes që edhe luga me të cilën hante, të mos bënte shumë zhurmë, se mos shqetësohej më tej nusja e djalit. Mjaft ishte shqetësuar nga zhurma e mëngjesit.
E hëngrën drekën në qetësi të plotë, ashtu siç hahet dreka e një morti dhe u ngritën pa thënë asnjë fjalë.
Shkëlzeni turfullonte si ai kali i lidhur nga këmba, që vërtitet rreth litarit, por pa mundur të çlirohet prej tij. Dukej që i ishte bërë jeta skëterë dhe nuk e duronte dot këtë rregull, që u kishte vënë nusja e djalit në shtëpinë e tyre.
-…Po do më shohësh, moj nuse ! – shfryu dhe bëri tutje nga oborri.- Ç’t’i bëj djalit tim unë, pa të qe për ty, do të t’i hidhja ato rraqet e tua në mes të rrugës dhe do të të nisja për tek jot ëmë !
Kur po kthehej, vuri re që e shoqja e tij , Vjollca, ishte ulur së bashku me nusen në tryezën e oborrit dhe po bisedonin. Bëri sikur nuk ua vuri veshin fjalëve të tyre.
– Ne, bijë e nënës, – i tha vjehrra nuses, – ngrihemi pakëz herët në mëngjes, se këtu jemi në fshat dhe kemi shumë punë për të bërë. Kështu që ndonjëherë edhe mund të të shqetësojmë, sado që mundohemi të mos bëjmë zhurmë. Ndoshta do qe më mirë që edhe ti të flije pak më herët në darkë dhe të ngriheshe pak më herët në mëngjes.
– Ç’janë këto që thua ! – ia rrëmbeu fjalën nga goja nusja, si ai që i rrëmben tjetrit sopatën nga dora, për ta prerë me një të goditur degën që ka përballë.
– E di në çfarë ore fjeta unë mbrëmë ?
– Jo, po e di që ti fle vonë, – i tha me gjysmë zëri vjehrra.
– Po arsyen e di ?
– Jo.
– Prandaj duhet t’i matësh fjalët ! Çdo gjë ka një arsye. Mbrëmë, për shembull, kisha një arsye shumë serioze, që ndenja deri në orën pesë të mëngjezit në feisbuk.
Vjehrra shqeu sytë, si nxënësi që nuk di t’i japë përgjigjen e saktë mësuesit dhe e vështron atë drejt e në sy i hutuar.
– Shoqja ime e ngushtë, Valbona, e cila jeton prej gjashtë vjetësh në Angli, udhëtonte me tren nga Amsterdami për në Paris. Rrugës rastisi me një francez, i cili kishte shumë dëshirë të njihej me të. Domethënë filloi të flertonte me të. Shoqja ime më njoftoi në çast me anë të feisbukut dhe unë ndiqja zhvillimin e ngjarjeve në çdo hap të udhëtimit të tyre. Të dukej vetja sikur udhëtoje nëpër romanet e Drajzerit, që kemi bërë në shkollë. Madje u emocionova aq shumë, sa që gjumi m’u largua, për të mos u kthyer më mbi qerpikët e mi. Ishte një natë romantike, të cilën mund ta titullosh: ‘’Një romancë në trenin Amsterdam – Paris’’.
Vjehrra, Vjollca, shqeu sytë, si të donte të thoshte :’’ Është në vete kjo bijë njeriu, apo i kanë luajtur dërrasat nga vendi ?’’, por nusja e djalit nuk e la ta mblidhte veten.
– Para disa ditësh fjeta akoma më vonë dhe e di pse ?
Vjehrra ngriti supet si e zënë në faj.
– Sepse atë mbrëmje hodha në feisbuk një foton time të re dhe m’u desh të rrija gjithë natën e natës para feisbukut, për të mbledhur lajk nga miqtë e mi.
– Po përse të duhen këto lajka, moj bijë ? – e pyeti vjehrra me gjysmë zëri.
– Çfarë lajka, o njeri ! Lajk, moj lajk, jo lajka ! Lajk bën ai që e pëlqen një gjë që botohet aty. A mund ta lija fotografinë time të re në mëshirën e fatit si jetime? Kurrën e kurrës ! Njeriu duhet t’i dalë zot vetes ! Sidomos në çaste të tilla të vështira, kur diskutohet krenaria dhe dinjiteti i tij. E shoqërova fotografinë time deri në mëngjes dhe, falë edhe bukurisë sime të rrallë, ajo mori aq lajk, sa nuk e prisja as vetë. Dhe nuk isha vetëm unë që ndenja pa gjumë. Ishte edhe miqësia ime e ngushtë, që nuk vuri gjumë në sy deri në agim.
Lëvizi pakëz nga vendi dhe qeshi nën buzë, si ai njeriu që ka fituar diçka të rëndësishme dhe tani e ndjen vlerën e vërtetë të asaj që fitoi.
Vjehrra u ngrit e iku, pa thënë asnjë fjalë, ndërsa i shoqi e pa vëngër, sikur donte t’i thoshtë: ‘’ Ta bëri mirë ! Ta vuri festen sipas kokës ! ‘’
– Jo po shih se mos qan edhe për furkë nusja jonë, – shtoi kur u gjend afër saj.
Kaluan disa ditë me rregullin e ri, që u kishte vendosur nusja e djalit.
Pas ndonjë jave, Shkëlzeni vuri një radio të vogël në prizën e oborrit.
– Të bëhet ç’të bëhet ! – tha dhe ia ngriti volumin.
Kënga popullore u derdh si flladi mbi lëndinë dhe ai u kënaq me melodinë e saj.
Po nuk zgjati shumë dhe radioja u ndërpre. Pushoi, sikur e preu dikush me dorë.
– Pa hidh një sy, moj grua, ç’pati radjoja ! – i tha së shoqes dhe vazhdoi punën e tij.
– U prenë dritat, – i tha e shoqja, kur doli nga shtëpia.
– Edhe kjo na duhej ! Nuk u rregulluan që nuk u rregulluan këta telat e dritave !
Mbetën gjithë jetën si oshkuret e Ramazanit, sa lidh njerën, i këputet tjetra, – nëpërdhëmbi i shoqi.
Shkëlzeni mallkoi sa mundi ata të elektrikut, ndërsa Vjollca e gatoi drekën në oborr me dru zjarri në cërr të vapës. I dolën sytë nga tymi.
Por e vërteta do të mësohej pasdite vonë.
Sapo kish dëgjuar radion, nusja ishte ngritur nga gjumi, kish ulur çelësin e përgjithshëm të dritave dhe ia kish këputur sërish gjumit.
– Tani le të grisin shollët, – tha dhe u kthye nga ana tjetër.
Kur u kthye i biri nga puna, Shkëlzeni i tha të shihte një herë se ç’bëhej me dritat, pasi ishin prerë që në mëngjes.
– Nuk kanë gjë, – tha i biri. – Dikush ka ulur çelësin.
Atëhere i ranë hiles të dy pleqtë. Po të birit nuk i thanë gjë, për të mos e futur në sherr me nusen e tij.
Veçse prishësit e rregullit nuk i kishin hedhur armët e tyre. Ata ishin gati ta shkelnin atë në rastin më të parë.
Kërkonin vetëm një shkak. Edhe ai erdhi ose më mirë e krijuan vetë, pasi diskutuan kokë më kokë, si këshilltarët e presidentit, para se ta njësojnë mendimin që do t’i shfaqin zyrtarisht të parit të shtetit. I dërguan lajm nënës së nuses që të vinte sa më parë, pasi nusen e kishte marrë shumë malli për të dhe mezi priste ta shihte. Nënës së nuses do t’ia sillnin bisedën anës e anës, në mënyrë që t’i fliste edhe ajo së bijës, për t’u ingranuar më mirë me familjen e së shoqit dhe aq më tepër, të mos krijonte probleme në shtëpinë e saj të re.
– Kjo gjë duhej të na kishte shkuar ndër mend më parë, – vërejti Shkëlzeni. – Po, nejse, më mirë vonë se kurrë.
Mëngjezin e ditës tjetër, kur dielli po nxirrte syrin e tij të zjarrtë mbi vetullën e malit, e ëma e nuses futi këmbën tek porta e shtëpisë së tyre, duke ecur me duar hapur, për të mbajtur ekuilibrin, si nje patë e ngutur. Në sytë e saj lexohej shqetësimi i nënës për të bijën e shkuar rishtas në shtëpinë e burrit.
– Mos ka ndonjë problem ime bijë ? – pyeti, sapo u takua me vjehrrin dhe vjehrrën e së bijës. – Mbi të gjitha, si është me shëndet ?
– Si kokrra e mollës ! – ia ktheu përgjigjen vjehrri. – Thjesht e ka marrë malli, por ti mos i thuaj gjë, se ndoshta edhe mërzitet.
E, mirë, mirë ! Ishte diplomat i fjalës Shkëlzeni dhe nuk ia hante qeni shkopin. Edhe të ëmën e nuses e solli, edhe mendjen ia mbushi krushkës, edhe e bija e saj nuk do të merrte vesh asgjë nga plani që kish stisur ai me të shoqen, Vjollcën.
U ulën në tryezën e oborrit dhe filluan të flisnin si t’u vinte për mbarë.
– Po ime bijë ku është ? – pyeti e ëma e nuses.
– Po fle – i tha vjehra, duke menduar se i kish ardhur zogu në dorë. Mendoi ta shtynte më tej bisedën, për ta shpurë ujin në mullirin e saj, por krushka ia rrëmbeu fjalën nga goja.
– Ah, bijë e nënës ! E ka shumë qejf atë gjumin e mëngjesit. Pastaj fle dhe vonë, se merret me fejsbuk. Ka aq shumë shokë e shoqe, sa mezi ia del mbanë. Apo nuk është edhe si yll nga bukuria dhe i tërheq të tjerët si asnjë femër tjetër. Sidomos meshkujt çmenden pas saj…
Ndërkohë nusja dëgjoi zërin e së ëmës, u ngrit nga gjumi dhe doli në oborr.
U takua me të ëmën dhe u ul aty pranë saj.
– Po ti mama, ç’pate që erdhe kaq herët ? Mirë, mirë, rrini bëni muhabet ju të dyja, se unë po shkoj të fle edhe pak ! – u tha ajo dhe hyri brenda.
Kishin kaluar rreth dy – tri javë nga ajo ditë.
– Nuk ecet më kështu, moj grua ! Po mos pandeh se kam ndenjur me duar lidhur. E kam vrarë këtë radaken time, si ai shkencëtari, që ngado që vete, nuk e heq nga mendja pa ia gjetur zgjidhjen problemit të tij dhe ta dishë se do t’ia dalim mbanë. Nuk ma merr dot djathin nga dora kokoshi mua, grua ! Kam gjashtëdhjetë e pesë dimra mbi kurriz dhe kam mbajtur shumë borë mbi supet e mi.
– Pa hë, ç’të ka shkrepur në tru !
– Dëgjomë me kujdes ! Do ndërrojmë takt. Mjaft më me të rreptë ! Kam menduar që nusen ta futim në sedër. Nesër në mëngjes do ngrihemi herët dhe do bëjmë sikur do zihemi me njëri – tjetrin për punët e shtëpisë. Unë do të të thërras ty dhe ti do më thërrasësh mua. Mos harro, ngrije zërin sa të mundësh. Nusja do të zgjohet nga gjumi dhe do ta zërë turpi, që ne, dy njerëz të moshuar, nuk po ua dalim dot punëve të shtëpisë dhe do të detyrohet edhe ajo të na ndihmojë. Kështu e futim edhe atë në rrjedhën e jetës sonë. Bijë nëne është edhe ajo, nuk vjen nga pylli. Ndoshta edhe ne nuk ia kemi gjetur metodën e duhur.
– Nuk di ç’të të them, – i tha ftohtë e shoqja dhe hyri brenda. – Veç nuk dua të bëhemi gazi i botës.
Por të nesërmen në mëngjes skenari i vjehrrit u realizua për bukuri.
Shkëlzeni me Vjollcën filluan të bënin sikur grindeshin me zë të lartë. Po bëhej sherr e shamatë. Natyrisht kjo ia prishi gjumin nuses, e cila, kur pa që nuk po reshtnin së bërtituri njëri – tjetrit, ia behu në oborr dhe u hodhi një sy, për të kuptuar se çfarë po ndodhte.
– Jo, jo ! Ti do të bësh punën tënde dhe unë timen ! Nuk e bëj dot atë punë që më thua ti, se është punë për gra, – e ngriti zërin Shkëlzeni, kur pa nusen që doli tek dera e shtëpisë..
– Do ta bësh që ç’ke me të ! – ia ktheu Vjollca, me të njëjtin ton. – Edhe unë një grua e vetme jam, nuk kam asnjë ndihmë nga askush dhe nuk ua dal dot të gjitha punëve !
– Çfarë keni që grindeni ? – i pyeti nusja, duke i vëzhguar me kujdes.
– Për punët e shtëpisë, moj bijë, – ia ktheu vjehrra. – Nuk ua dal dot të gjitha punëve !
– As unë nuk ua dal dot pa asnjë ndihmë, – u hodh vjehrri nga ana tjetër.
Nusja nuk tha asnjë fjalë, hyri brenda, mori një laps dhe një letër dhe u ul në tryezën e oborrit dhe nisi të shkruante. Pas disa minutash i dha fund shkrimit dhe ju drejtua vjehrrit e vjehrrës:
– Tek kjo letra këtu, ju kam ndarë punët e shtëpisë sipas ditëve të javës. Secili prej jush do të ndjekë me rreptësi detyrat e veta ! Nuk dua t’i ngatërroni ! As të grindeni, se cili do të bëjë një punë e cili punën tjetër. Këtu çdo gjë është e qartë si drita e diellit. Nuk dua të më zgjoni më nga gjumi këtej e tutje !
Shkëlzeni me Vjollcën panë njëri – tjetrin në sy si të hutuar.
– Për atë qiell e për këtë tokë, vetëm këtë nuk e kisha menduar ! – tha Shkëlzeni dhe u ul në sofat e fshiu djersët e ftohta që i rrodhën në fytyrë.