ILIAZ BOBAJ: POEZI PËR FËMIJË

MBRËMJE NË BUTRINT

Dielli, lodhur, kapitur,
pas një kodre kishte zbritur,
me ca hapa të ngadalta,
ikte dita, vinte nata.
Zogjtë heshtën, mbyllën sqepin
dhe në mes e lanë koncertin,
nëpër pemët buzë ujit,
si fëmijë i zuri gjumi.
Tek e tuk ndrinë ca pishtarë,
si ca yje të shpërndarë
dhe një varkëz me lopata,
humbi, e përpiu nata.
Fle qyteti, s’bën zë jeta,
flenë shtatoret e mermerta,
veç lumi s’i mbylli sytë,
mbante vendin me muzikë.
Zgjuar rrinte si përherë
dhe një roje në bedenë,
me përkrenare mbi krye
dhe një ushtë që prekte yjet.

VJEN NJË ÇAST NË MBRËMJE

Vjen një çast në mbrëmje,
kur nata merr penelin në dorë
dhe ngjyen me të zezë konturet e pemëve.
Ato shuhen dalngadalë,
si format e ëndrrës kur të del gjumi.
Atë çast del hëna,
hedh mbi pemë dritën si ar,
zhvesh rrobat në zall
dhe zbret e lahet tek lumi.

ZOGU I VOGËL

Në folezë një zog i vogël,
zog i vogël sa një gogël,
i tund krahët me nxitim,
bën mësim për fluturim.
Krejt i vetëm jep e merr,
pa mësues, trainer,
po pranë degës i rri nëna
dhe ia mbush syçkat me ëndrra.
Një vogëlush e kundron,
edhe nënës s’ia përton:
-Pse e vështron si e huaj,
një këshillë, një fjalë s’i thua?
Zogu nënë i flet nga lart:
-Fluturimi është art,
kush do qiejt t’i zaptojë,
mëson vetë të fluturojë.

NËNA PYET VALBONËN

-Bijë, përse mendohesh?-
e pyeti nëna.
-Pres të çelin gonxhet,
të mbjell aty ëndrrat.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here