“METAFORAT” E TESPIHEVE QË U QENDISËN ME FASULE
NGA TENXHERJA E OBRADINIT
(Kritikë mbi romanin Zbulesa e mrekullueshme e Vladimir Obradinit, të autorit Pol Milo)
“Grosha është për të gjallët” thotë në nisje të romanit personazhi kryesor Obradini. Është jo thjeshtë personazhi kryesor në roman, por duke iu referuar veprës studimore “Teoria e letërsisë” me autorë Rene Wellek dhe Austin Warren citojmë: “Çdo vepër e artit nuk është dokument, por biografi”. Si kushdo lexues pas leximit ose rileximit të një libri i qëmton mendja dhe ndjesitë të duken se diku përplasen ose kërleshen dhe jo pa arsye. Mjafton të kujtojmë Luftën e Parë Botërore, dhembjet, vdekjet, idealizmin plandosur baltrave ku uni që u mbrujt me egon e nacionalizmit, pushtetit, krenarisë dhe vetë luftës u shkrehën jo thjeshtë nga mbarimi i saj, por nga një “paqe” brenda vetë luftës, personazhi i Shvejkut në romanin e H.Ashekut. Kjo paqe ardhur nga letërsia dhe romani si gjini ishte humori. Sarkazma dhe ironia e cila i dhuroi luftës dy anë. Së pari: Për ushtarakët dhe politikën tallja në roman me këtë ç’mitizoi madhështinë e vetë luftës dhe nga ana tjetër bëri që vdekja e mijëra ushtarëve, këta djem populli, nxënës dhe studentë, hekurpunues dhe fermerë të vdisnin duke qeshur…
Autori Pol Milo duket se përpos qëllimit për të shkruar si ndjesi, shtysë dhe brendi formimi këtu është qëllimuar të kandisë si njeriu që pasi plagos dikë ia vë dorën mbi plagë duke e shtypur si ta kishte vrarë ose ky i fundit të kuptonte se plaga është vdekje e mbërritur , thjeshtë duhet dhe pak “hakmarrje” ato çaste. Të shohim ndërtimin e personazhit kryesor, por mjafton emri i tij, që ne mendojmë si atë dhe miqtë e tij i bashkon prapashtesa e një përkatësie “etnike” letrare. Obradini, Mutanovi, Sergej Tallashnikovi, Vitaminovi, Vasiljev Kokoshnikovi. Lexuesi i vëmendshëm , i mbrujtur para viteve 90 me bunkerët, këta mullinj prej çimentoje, e kupton mjaft mirë se shkrimtari ka luajtur ndryshe. Nuk është në qendër të romanit një “Shvejk” sepse kjo do shihej si imitim i pastër ku do e njolloste fabulën që bëri histori më shumë se Lufta e Parë.
Por autori është një model modest i vetë Shvekjut i cili ka vendosur të luajë “luftash” me këta katër miq që jo se kanë lindur në Lindjen e “kallashnikovëve”, ata e kanë mbajtur me aq dashuri atë armë sa kur e shtrëngonin në gjoks harronin dhe trupin e zhveshur të së dashurës. Ndaj mendojmë se ata, këta personazhe të çuditshëm… kanë shkuar më larg me një percetim post traumatik kur Muri i Berlinit i zuri përfund dhe ashtu duke u zvarritur, pasi dolën gjallë, u ngritën me iluzionin e heroit se dhe pse nuk shtien asnjë pushkë, i takonte të jetonin me oshëtimin e topave që realisht ishin grisjet e Don kishotit kur shqeu pëlhurën e mullinjve. Romani kundërvë duke ironizuar thershëm fatin e këtyre miqve që të kruspulluar në një tavernë buzë detit, por për ata ai vend është një fortesë, vend strehim, bunker që s’pyet për sulme, rrahin të gjitha ndjesitë e jetës, nga peizazhi, poezi, muza, femra, filozofia të cilat të gjitha bashkë ndërtojnë jo të sotme. Ata rikrijojnë sërish atë dikur gadishmëri luftarake, por tani në paqe i japin vetes luksin të shpërthejnë lirshëm. Kënaqen, qeshin dhe mbërrijnë në konkluzione që për ta janë qenësi identiteti.
Ajo që fshihet në nëntekst ka dhe diçka jashtë personales. Ata nuk flasin për familjet e tyre, intimitetet, trashëgimtarët. Mjafton fundorja e emrave, pra mbiemri tyre që autori i ka veshur me aq simbolikë sa ata e kanë harruar identitetin e tyre njerëzor. Nëse do citonim sërish nga vepra e mësipëme kemi: “…Çdo vepër i nënshtrohet një ristrukturimi dhe trasnformimi nga i cili humbasin kuptimin ngushtësisht personal dhe bëhet gjithçka një material konkret…”.
Në këtë shpjegim që vijon si shtjellë e vetë linjës romanore e cila ka një rrugëtim të drejtë, të sheshtë, por me ulje dhe ngritje dhuruar nga vetvetja e këtyre personazheve, që sa më shumë i njeh nëse do ndërtonim një cirk mbi një ish bunker ata do ishin të parët që do hapnin shfaqjen me një kusi plot me fasule dhe me qytat e armës kallashnikov duke ndjerë se brenda bunkerit kundërmon një jashtëqitje e ndodhur në një ditë stërvitje ushtarake. Ditë që u mendua si stërvitje, por doli se vërtet kishte qenë çast lufte dhe ata nga trimëria që prisnin nuk e mbajtën dot karakterin prej heroi…ndaj si para vdekjes vendosën të dhjesin burrërisht.
Në veprën studimore të U.Ekos me titull “ Për letërsinë” citojmë: “Disa personazhe janë bërë në njëfarë mënyre kolektivisht të vërtetë sepse komuniteti ka bërë te ata, gjatë shekujsh ose vitesh, investime pasionale”. Duke iu referuar një perceptimi kaq kuptimplotë do i rikthehemi veprës dhe njërit prej shumë ideve “brilante” mbujtur me groshët e Obradinit ku thuhet se: Misteri ynë? Ata nuk e kuptojnë se frymëzimi ynë nuk vjen nga bota që ata shohin me sy të verbuar, por nga errësira ku ata kanë frikë të hyjnë”.
Për t’i dhënë një shpjegim fundor një sinteze kaq jetike për këta “muskëtierë” që i shërbyen një perandorie “ovësh dhe avash” na duhet të perceptojmë pikën e mbërritjes së tyre pas netësh të gjata në tavernën e tyre plot tym dhe fasule ku çdo kokërr merret, shpohet dhe në vrimën e saj kalon peri i një jete që kundërmon një re iluzionesh.
Është autori që nuk e tregon shpërthimin e tij me të qeshura kur e ka nisur shkrimin e këtij romani, por ne e përfytyrojmë se çfarë na ndodh ne… këta njerëz i kemi kudo përballë dhe dashtë Perëndia e arsyes që mos ta kuptojnë humorin tonë që na mbërthen sa herë i gjejmë tavernave, se do të na mallkojnë aq shumë sa nga e qeshura jonë do ngrihen dhe do të gjejnë një “bunker” diku të dhjesin heroizma sërish…