Inaugurohet ne Tirane Biblioteka “Moikom Zeqo”

 

February 6, 2021

 

Biblioteka me emrin e shkrimtarit dhe studiuesit Moikom Zeqo u inaugurua të premten, në Tiranë. “Biblioteka Moikom Zeqo” ndodhet në rrugën “Tefta Tashko”, pranë sheshit “Avni Rustemi”, dhe që nga e premtja ka hapur dyert për lexuesit.Inaugurimi i bibliotekës u bë mes miqve e familjarëve, ndërsa bashkëshortja e shkrimtarit eurudit, arkitektja e njohur Lida Miraj shpreh mirënjohjen për këtë nderim, që iu bë studiuesit dhe historianit.

Në këtë inaugurim ishte edhe shkrimtari i shquar Xhevahir Spahiu.

Moikom Zeqo lindi në Durrës, 3 qershor 1949 dhe u nda nga jeta më 15 qershor 2020 pas një lufte disa vjeçare me leuçeminë.

Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori -Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën Gjuhë-Letërsi.

Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”.

Më 1974-‘76 punoi si mësues në Rrogozhinë. Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë.

Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së.

Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.

Është Doktor i Shkencave dhe mban urdhrin e lartë “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

Është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenarësh për filma me karakter arkeologjik dhe kulturor.

Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij.

Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, gjermanisht, etj.

Është autor i tre ekspozitave vetjake në pikturë.

Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetëra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.

Moikom Zeqo është një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare.

Moikom Zeqo dhe Lisa Miraj kanë tre fëmijë, dy vajza, një djalë dhe një mbesë e një nip, Ezrën që ka lindur pas vdekjes të euruditit shqiptar.

Me Pandorën e vogël gjyshi ishte shumë i lidhur.

Epidamn Zeqo pyet vajzën e tij të vogël Pandorën kur gjyshi i saj i dashur Moikom Zeqo prej tetë muajsh është i ndarë nga kjo jetë

“Ku është Gjyshi Moikom tani?

Pandora as 3 vjeçe i përgjigjet: Në libra!”

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here