Intervista. Gjekë Marinaj: Ju tregoj pse poezia ime  “Kuajt”, mbetet kaq aktuale edhe pas 30 vjetësh

 

Shumë pak gjëra rrënjësore kanë ndryshuar për mirë në këto 30 vjet. Për njeriun e sotëm shqiptar, gjunjëzimi i Shqipërisë nga regjimi komunist për gati pesë dekada është vetëm gjysma e së keqes. Gjysma tjetër i nënshtrohet realitetit se vendit tonë do i duhet po aq kohë, që nga fillimi i demokracisë që të ngrihet dhe të ecë në këmbët e veta. Pra Shqipërisë do i duhen gati edhe dy dekada të tjera që të fillojë ta ndërtojë jetën sipas mundësive dhe ideve bashkëkohore që ka.”

 

 

M.B: Gjekë, fiks 30 vjet më parë botuat në gazetën “Drita” në Tiranë, poezinë “Kuajt” e cila është konsideruar si poezi e lirisë, e antitotalitarzimit dhe e sensibilimit  njerëzor për të mbrojtur disa vlera të përhershme si liria, barazia dhe integriteti. A duhet t’i nxisim akoma të rinjtë aspirante në këtë fushë t’i përkushtohen poezisë dhe letërisë në tërësi kur ajo po bëhet gjithnjë dhe ma margjinale?

 

GJM: Pyetje që më shtyn drejt dy entiteteve të ndryshme,por që nuk veprojnë në kahe të kundërta me njëra tjetrën: roli i elementit poetik në shoqëri dhe kriza e identitetit në kaosin kulturor e politik të njeriut shqiptar të kohës. Të paktën për mua, nuk është e lehtë të përçosh me saktësi përmes sferave të mendimet deri te gjetja e një mundësie për t’i konsoliduar këto dy ekstreme kaq në nevojë për ekzistencës e njëra-tjetrës. Ndaj më lejo të përdorë një analogji të bazuar në shkencat e fizikës. Sepse nga trysnia e leksikut që përdorni kundër realitetit aktual e ndjej se fjalët: antitotalitarizëm; sensibilizim; lumturi; integritet; komunizëm; komercial; ekzistencial; deformim; tmerrshëm; korruptim, etj. janë një sekuencë jo e rastësishme e shqetësimeve apo këndvështrimeve tuaja për gjendjen e sotme të Shqipërisë.

Njeriu është faktori më inteligjent i planetit tonë, përfshi këtu edhe njeriun shqiptar.

Dhe shqiptarët duhet ta kuptojnë se sekondat e jetës që jetojmë, në një kuptim të veçantë, janë si atomet, me të cilat mund të krijosh energji elektrike dhe dritë ose bomba atomike dhe errësirë. Poetët dhe poezia e vërtet simbolizojë energjinë dhe dritën, kurse kaosi politik dhe ata pak politikanëqë e sjellin atë, përfaqësojnë errësirën dhe mjerimin. Është koha që protonistët të përcaktojnë dhe lartësojnë identitetin e shqiptarit.

 

 

 

-M. B: Keni provuar jetën e një të riu fshati ëndrimtar në Bajzë, të një poeti të revoltuar si në poezinë Kuajt, të një kundërshtari të regjimit komunsit që detyrohet të ikë përmes telave më gjemba ndërsa të rinjtë vriteshin në kufij, jetën në emigracion, veshtirësitë e para dhe pastaj edhe sukseset dhe famën si shkrimtar në SHBA ?

 

 

-GJ. M: Sepse poezia kuajt është “perfekt” në formën dhe përmbajtjen që ka. Ajo flet me popullin në gjuhën e tij. Edhe sot do e kisha shkruar ashtu si atëherë, pa ndryshuar as pikë as presje. Bile poezinë “Kuajt” e mbaj në mendje edhe sot kur studentë e poetë të rinjë nga e gjithë bota më shkruajnë,apo më pyesin direkt nëpër konferenca ndërkombëtare, duke më thënë se “dua të bëhem një poet si ju, çfarë këshille do më jepni ta arrija këtë status?”

Ngaqë po bie fjala te aktualiteti i poezisë “Kuajt”, zakonisht u jap këto 5 këshilla:

  1. Studioni mirë poetët e vendit tuaj, para se të studioni mua apo poetët e vendeve të tjera.
  2. Shkruani në gjuhën më të pastër të popullit kur shkruani për hallet e popullit.
  3. Mos i gjykoni kurrë poetët nga reputacioni që kanë derisa të lexoni poezinë e tyre nga afër.
  4. Lexoni sa më shumë poetë të vendit dhe të huaj, por mos i ngjani asnjërit prej tyre në poezinë tuaj.
  5. Dhe më e rëndësishmja, mos kërkoni kurrë shpërblim nga askush për poezitë që shkruani.

Poezia do kohën e saj të “kultivimit” dhe “fermentimit” dhe nuk mund të mbjellësh sot dhe të korrësh në të njëjtën ditë – duhet t’i jepni poezisë sot që poezia t’u japin ju nesër. U jap këto udhëzime, sepse këto pesë pika, midis tjerash, do përdorja si mbrojtje nëse do të përfundoja në rrethin e parë të “Purgatorit” të DanteAlighierit.

 

 

M.B:  Gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit keni shkruar shumë poezi të cilat janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, por asnjëra prej tyre  nuk e ka arritur famën dhe popullaritetin e poezisë “Kuajt” të shkruar në një moshë të re 20 vjecare, pa ndonjë pretendim të fortë profesional, biles edhe me një  shkujdesje teknike, metrike. A keni një shpejgim për këtë gjë?

 

-GJ.M: Një nga mësimet më të mëdha që kam marrë nga leximi i Kur’anit ka të bëjë me të vërteten: “Mos e përziej të vërtetën me rrenën, apo të maskosh të vërtetën kur e din atë” (BaqarahAyat 42). Dhe e vërteta më sublime që mund të them në këtë jetë është fakti se unë, i pagëzuar në kishë dhe i rritur si katolik nga prindërit, gjej Zotin në Poezi dhe Poezinë në Zot. Si i tillë, në varësi të ambientit, komunikoj në disa gjuhë, por para Zotit dhe Poezisë gjithmonë lutem nëGjuhën Shqipe. Kjo është gjuha në të cilën kam mësuar të flas uratë dhe lutem për veten, familjen, komshinjtë, vendin dhe për gjithë njerëzimin. Në Shqipëri fjalën Zot e shihja më së shumti në imagjinate. Këtu në Amerikë më së shpeshti e gjej të shkruar në dollarë, si njësia monetare bazë e këtij vendi: NE BESOJMË NË ZOT (IN GOD ËE TRUST).Por në këtë vend të bekuar, ku je i lirë të flasësh hapur me Zotin tënd në gjuhën tënde, prova e besimit në Zot ka më shumë vlera, te shumica e njerëzve, jo kur besimin e ke të shkruar me shkronja të arta në shpirt, por me shkronja shtypi në dollarë. E njëjta gjë ndodh me poezinë – ndoshta duke a paraparë këtë, Poeti i madh biblik nuk a ka marrë fare mundimin për të përmendur fjalën Zot qoftë edhe një herë të vetme në gjithë poemën lirike “Këngët e Solomonit” në testamentin e vjetër. Faktikisht, as unë kurrë nuk lutem as te Poezia, as te Zoti, për më tepër pasuri monetare apo materiale se ç’më duhen për të jetuar një jetë normale. Por gjithmonë lutem që së bashku me shëndetin dhe nderin personal e familjar, të gjej mundësitë të jem njeri i dobishëm për njeriun, mësues i denjë për ata që kanë dëshirë të mësojnë, dhe poet i aftë për të ndihmuar të gjithë ata që ia dinë vlerat dhe kërkojnë ndihmë te poezia. Këto kërkesa ndaj vetes dhe Zotit janë të mundshme në çdo vend të lirë të botës. Dhe jam më se i bindur, që punën dhe përpjekjet e mëdha që kam bërë këtu në Amerikë, për të qenë ky që jam sot, do i kisha bërë edhe në Shqipëri dhe rezultatet do të ishin afërsisht të njëjta. Ndoshta në një profil tjetër, por edhe atje do kisha qenë i njëjti Gjekë që jam këtu.

 

-M.B: Shpeshherë jeni pyetur për poezinë “Kuajt” e cila u bë shkak i përndjekes tuaj dhe njëkohësisht i arratisjes nga vendi për të gjetur strehë dhe siguri në SHBA, ku ti pate një karrierë të madhe poetike, letare por edhe si studiues i letërsisë dhe teoricien e saj në nivel ndërkombëtar. Nuk ju kemi pyetur asnjëherë, se cila do të kishte qënë jeta juaj nëse nuk do të kishe ikur nga Shqipëria? Cfarë do të ishte Gjekë Marinaj  tani?

 

 

-GJ.M: Unë mendoj se edhe në Shqipëri do të isha ky që jam sot në Amerikë. A ndjehem i lumtur me këto që kam arritur deri tani? Pyetje me vend por e vështirë për një përgjigje me një “po” apo “jo”. Me Dusitën kemi një jetë bashkëshortore më shumë se perfekte, do të thosha një jetë të shenjtë. Jetoj në një shtëpi që dikur as në ëndërr nuk e kisha parë. Jam shumë i vlerësuar me kolegët e punës dhe mjaft i njohur dhe i vlerësuar në botë, si njeri i letrave. U buzëqeshi me çiltërsi të gjitha fenomeneve pozitive të botës dhe u gëzohem pa masë sukseseve të familjes, miqve, shqiptarëve, dhe njerëzimit. Pra në një përkufizim të caktuar të fjalës “lumturi” kam çdo të drejtë të jem tepër i lumtur. Por jetoj si poet, shkrimtar, pedagog, si qytetar i botës. Si i tillë e respektoj faktin që bota as nuk sillet as nuk duhet të sillet rreth meje. Ndaj nuk mund të ndjehem plotësisht i lumtur ngaqë njerëzimi ka nevoja më të madha se kapaciteti im për t’i plotësuar ato. Përgjigja ime për ju dhe lexuesin është sa e thjeshtë aq dhe e komplikuar, sepse më duhet të bëj shumë më tepër: deri sa të vijë dita që të gjithë njerëzit që marrin frymë në këtë botë të ndjehen të paktën relativisht të lumtur, as unë nuk do të ndjehem dot plotësisht i tillë.

 

 

-M. B:Pse mendoni se poezia juaj “Kuajt”, mbetet kaq aktuale edhe pas 30 vjetëve nga koha e krijimit të saj?

 

 

-GJ. M: Shumë pak gjëra rrënjësore kanë ndryshuar për mirë në këto 30 vjet. Për njeriun e sotëm shqiptar, gjunjëzimi i Shqipërisë nga regjimi komunist për gati pesë dekada është vetëm gjysma e së keqes. Gjysma tjetër i nënshtrohet realitetit se vendit tonë do i duhet po aq kohë, që nga fillimi i demokracisë që të ngrihet dhe të ecë në këmbët e veta. Pra Shqipërisë do i duhen gati edhe dy dekada të tjera që të fillojë ta ndërtojë jetën sipas mundësive dhe ideve bashkëkohore që ka.Kjo gjendje më sjell ndërmend një metaforë të filozofisë indiane që gjendet në paragrafin e parë të kapitullit pesëmbëdhjetë të librit të Bhagavad Gita. Aty na jepet një pemë e madhe me degët thellë në tokë dhe më rrënjët lart, jashtë në hapësirë. Metafora ka disa domethënie, por ajo që ka të bëjë më këtë situate që jepni ju për Shqipërinë, është sugjerimi se ekziston një realitet në të cilin rrënjët tona reflektojnë vetveten dhe origjina e tyre gjendet në vetëdijen, në koshiencën tonë. Kurse mendja dhe mënyrat e të menduarit gjendet në botën e nëndheshme së bashku me degët, ku te emocionet, shqetësimet, synimet, e zhgënjimet janë si gjethet; ato nuk mund të qëndrojnë gjithmonë aty, janë të përkohshme dhe të zëvendësueshme. Pra ardhja e demokracisë nuk e shfarosi komunizmin, por e përmbysi, e varrosi me degë në tokë dhe i nxori rrënjët në diell. Dua të sqaroj që komunizmi dhe komunistët janë entitete të ndryshme. Komunizëm do të thotë nënshtrim njerëzor me dhunë gjer në kriminalitet, kurse komunist do të thotë ose militant gjakatar ose oportunist i atij sistemi.

Me fjalë të tjera, siç na mëson Bhagavad Gita, identiteti i demokracisë së sotme në Shqipëri nuk mund të shihet si një sistem i sterilizuar demokratik, sepse në substancë është organik, që do të thotë se ndryshon në strukturë dhe përbërje me kohën, dhe koha në të cilin po zhvillohet tani ia bën të pamundur pastërtinë e plotë të trashëgimisë komuniste.

 

 

-M.B: Shpeshherë pyetën shkrimtarët se cila është një ditë pune e zakonshme, por edhe një ditë njerëzore, përfshirë edhe atë të poetit dhe studiuesit në studio. Kur shkruani më shumë poezi, a keni një periudhë që jeni më i frymzuar apo i destinuar t’i përkushtoheni shkrimit letrar?

 

-GJ.M: Që nga Shtatori i vitin 2001 e deri në dhjetor të 2016 kam dhënë lëndët e letërsisë botërore, Artin e komunikimeve letrare si dhe lëndë të tjera të kësaj natyre në Richland College, në Dallas. Nga viti 2016 mora detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Shtëpisë botuese dhe mediave të tjera të Mundus Artium Press, që para se të vinte në UTD (Universiteti i Teksasit në Dallas) e ka pasë gjenezën e vet në Universitetin e Ohajos (Ohio). Por që si pjesë e punës është e detyrueshme edhe dhënia e të paktën dy lëndëve në fushën letrare për çdo vit. Siç mund ta imagjinoni, lexoj, redaktoj dhe shkruaj gjatë gjithë ditës; nganjëherë edhe marr dosje me vete në shtëpi ngaqë dita nuk mjafton t’i përfundoj të gjitha në zyrën e punës. E bëj me qejf, sepse ai krijues që nuk dedikon kohë nga vetja për promovimin e krijuesve të tjerë nuk meriton që të promovohet as vetë nga të tjerët. Por pasi kam bërë të njëjtën punë për rreth 8-12 orë në ditë, është e vështirë të gjesh frymëzim për të krijuar në orët e vona të natës. Por gjatë kësaj kohë mund të lexoj, përkthej dhe të kaloj kohë cilësore me familjen. Të premten punojmë vetëm deri në drekë për t’ia filluar prapë nga e para të hënën. Kështu e premtja pasdite, e shtuan dhe e diela janë ditët e mia, që mund të shkruaj letërsi artistike, publicistike apo pune akademike, gjithmonë duke u dhënë prioritet gjërave, që më nevojiten për javën që vjen. Ndërsa për poezinë nuk kam orar. Unë shkruaj vetëm kur ajo me detyron të lë çdo punë dhe të hedh në letër frymëzimin poetiktë çastit. Pastaj më vonë, kur të kem kohë shënimet i kthej në formën dhe përmbajtjen e duhur.

 

-M.B: Bordi editorial Ndërkombëtar i gazetës letrare dhe kulturore  Nacional, me rastin e 30-vjetorit të botimit të poezisë tuaj të famshme “Kuajt”, ju ka akroduar Cmimin “Poet i paqes”. Si e vlerësoni këtë vendim të “Nacionalit” ?

 

  1. M: E falënderoj nga Zemra të gjithë stafin e gazetës Nacional për këtë nderim të madh. Çmimet dhe vlerësimet për krijuesit janë si fjala “Shëndet”! që të thotë dikush pasi teshtinë. Nëse e merr një çmim, mendon se e ke merituar, por në rast të kundërt habitesh se si askush nuk i tha një herë “Shëndet!” punës tënde. Në këtë analogji shoqërore duhet parë nëse kjo shtytje, kjo votë konference të frymëzon të shkosh përpara në punën tënde apo të ngadalëson duke të kënaqur me ato që ke bërë deri tani. Është edhe një mundësi tjetër disi e rrezikshme. Kur merr çmime të larta duhet pasë kujdes, sepse ato mund të kthehen në një presion psikologjik,që të bën të mendosh se patjetër duhet të shkruash diçka më të mirë nga ajo që ke bërë më parë, bile edhe më të mirë se të gjithë krijuesit e tjerët të fushës tënde. Pamundësia për ta bërë këtë në mënyrë të vazhdueshme, mund ta humbë besimin tek vetja dhe mund të bllokojë apo ngadalësojë në vazhdimin e krijimtarisë. Por kam besim të plotë te vetja, që titulli “Poet i Paqes së Përbotshme” do më frymëzojë të bëj të pamundurën, që krijimtaria ime letrare e së ardhmes të jetë indikativ i maksimumit të potencialit tim krijues, që letërsia ime të ndihmojë në përmirësimin e jetës së njerëzimit. Ky gjithmonë ka qenë dhe do jetë misioni im. Ndaj Gazetës “Nacional” i them “Shëndet e të mira paç gjithmonë” dhe faleminderit që u vë vesh “teshtitjeve” të mia letrare.

 

-M. B: Keni një jetë të ngarkuar si pegadog i letërsisë bashkëkohore, si drejtues i Shtëpise Botuese të Univeristetit të Dallasit, përfshirë edhe shumë takime nderkombëtare jashtë SHBA, me lexues, shoqata shkrimtarësh dhe mjedise uinveristare ku Ju keni prezantuar edhe teorinë tuaj letrare të “Protonizmit”? Pyetja ime ka të bëjë me interesimin e lexuesve tuaj në Shqipëri dhe rajon ku edhe shpërndahet e printuar gazeta Nacional, kur do të kemi një libër të ri me poezi nga Ju?

 

-GJ. M: Jam katalizator në shërbim të një botë më të mirë, për të gjithë racën njerëzore. Si protonist që jam, kërkoj dhe promovoj anën cilësore dhe të bukurën në jetë, duke mos u kënaqur kurrë me pak. Sepse, nëse do të mjaftoheshim duke e përkufizuar Diellin thjeshtë si ylli rreth të cilit rrotullohet planeti ynë; Paqen veç si qetësi nga trazirat politike, shoqërore apo personale; Lirinë jo më tepër se të drejtën tonë të flasim, veprojmë dhe mendojmë, kur dhe si të duam, pa pengesa, kufizime të brendshme apo të jashtme; Poezinë vetëm si pjesën e krijimtarisë letrare ku poetët u japim jetë shpërthimeve të ndjenjave dhe ideve me një stil dhe intensitet të veçantë pa qenë subjekt i censurës, do të ishim dhe mbeteshim “viktima” të mendimit të kufizuar e të kënaqurit me pak. Sepse Dielli, Liria, Paqja dhe Poezia janë shumë madhështore në shërbim të njerëzimit që të futen në parametrat e një përkufizimi normal. Së bashku, në rolet dhe madhështitë respektive, kanë një emërues të përbashkët shumë domethënës. Midis tjerash, janë fenomene të domosdoshme jetësore për të gjithë njerëzit, u përkasin të gjithë njerëzve, dhe të gjithë njerëzit i meritojnë ato, pavarësisht se kush janë apo në cilin pozicion gjeografik të globit pasurojnë botën humane me ekzistencën dhe mirësinë e tyre. Breza të tërë ndër shekuj kanë dhënë ndihmesën e tyre, që ne të shijojmë sot këtë botë që kemi. Duke e vlerësuar lart këtë aspekt të civilizimit njerëzor, ia kam dedikuar veten avancimit të mëtejshëm të këtij civilizimi. Por ngaqë liria humane dhe krizat bashkëkohore planetare akoma kanë nevojë për përmirësime urgjente në çdo aspekt të jetës, do të thotë që edhe unë si njeri, intelektual, edukues, shkrimtar, poet dhe aktivist i të drejtave të njeriut, kam nevojë të ngutshme për intensifikimin e misionit tim për një botë pa kufij gjeografikë, ku secili prej nesh të ndjehet i vlerësuar, i nevojshëm, kontribues, i lirë dhe qytetar i barabartë i qytetërimit botëror.

 

1 Koment

  1. Kualiteti ne te shkruar, eshte Individualitet…
    Ne asnje nga rreshtat, nuk gjen perseritje.
    Kuajt ishin thjesht mbartesit e autorit per te Liria…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here