Në një intervistë të publikuar sot në gazetën prestigjioze italiane II Tempo, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka ndarë pikëpamjet e tij mbi zhvillimet politike, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.
-Çfarë ka përfaqësuar Papa Françesku për Shqipërinë?
-Papa Françesku ka pasur një lidhje të veçantë me vendin tonë. Mjafton të kujtojmë se vizita e tij e parë shtetërore jashtë Italisë, pas zgjedhjes si Papë, ishte pikërisht në Tiranë, njëmbëdhjetë vjet më parë. Një vizitë historike, krahasueshme me atë të Papa Gjon Palit II pas rënies së komunizmit. Është një kujtim që do të mbetet përgjithmonë në memorien e popullit tonë: atëherë përkujtuam martirët e Kishës Katolike Shqiptare, të rënë nën diktaturën komuniste. Në atë rast, Papa Françesku gjithashtu vendosi ta emëronte kardinal Dom Ernest Simoni Troshanin, një prift që kishte kaluar tridhjetë vjet në burgjet e regjimit.
-Keni pasur mundësinë të takoheni personalisht me Papa Françeskun. Cilat janë kujtimet tuaja?
-Begaj: Kam pasur nderin të pritesha në audiencë vetëm disa muaj pas zgjedhjes sime, më 2 dhjetor 2022, dhe përsëri vitin e kaluar. Do të mbeten të pashlyeshme në kujtesën time vëmendja dhe dashuria e tij për popullin dhe vendin tim. Kujtoj interesimin e tij të thellë për gjithçka që folëm. Papa Françesku i njihte mirë shqiptarët që në kohën kur ishte në Argjentinë, përmes komunitetit arbëresh në Buenos Aires. Ai ishte shumë i lidhur edhe me figurën e Nënë Terezës, Shenjtja shqiptare, të cilën ai e kanonizoi gjatë pontifikatit të tij. Megjithë moderimin fetar të vendit tonë, Papa Françesku gjithmonë ka pasur një vëmendje të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Me mirënjohje kujtoj që ishte ai që vendosi krijimin e Dioqezës së Prishtinës në Kosovë, si një shenjë angazhimi për dialogun ndërfetar.
President, Shqipëria është një vend multireligjioz, i njohur për bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve. Çfarë domethënie pati për ju pjesëmarrja në funeralin e Papa Françeskut?
Begaj: Delegacioni ynë përbëhej nga unë dhe dy ministra. Ishte një nder i madh dhe një përgjegjësi e madhe të përfaqësoja Shqipërinë në këtë ceremoni historike. Pjesëmarrja jonë ishte një dëshmi e lidhjes së fortë që vendi ynë ka me Selinë e Shenjtë dhe me vetë Papën Françesku. Për mua personalisht, ishte një moment thellësisht emocional dhe një rast për të nderuar kujtimin e një njeriu që dha kaq shumë për njerëzimin, për paqen, për dialogun ndërmjet feve dhe për të varfrit.
Shenim i redaksise: Presidenti shqiptar Bajram Begaj ne krye te një delgacioni shqiptar mori pjesë në ceremonitë me rastin e përcjelljes së Papa Franceskut në banesën e fundit në Vatikan, te shtunen me 26 prill 2025.