NDIHEM I SIGURT DHE I LUMTUR SEPSE I KAM REALIZUAR SYNIMET E MIA
Aktualisht jeni përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Sa e ka dëmtuar mësimdhënien pandemia dhe sa produktive janë leksionet online?
- Mësimi online ishte një përvojë e re për ne, por që e përballuam me sukses, duke mos humbur asnjë orë mësimi. Kjo u realizua në sajë të punës së shpejtë dhe të palodhur të Departamentit të Informatikës në Universitetin tonë. Kemi një numër të madh pedagogësh të kësaj fushe, të aftë dhe të përkushtuar. Gjatë gjithë kohës nga ky Departament bëhen trajnime me pedagogët dhe studentët. Mirë do të ishte të ishim në auditore me studentët, por përhapja e shpejtë e koronavirusit na diktoi mësimin online. Për ne janë të rëndësishme dijet e studentëve, por mbi të gjitha shëndeti i tyre. Progresi në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë ka qenë i paparë. E filluam me 100 studentë në vitin 2009 dhe sot ai ka mbi 4500 studentë në tre nivelet: Bachelor, Master dhe së shpejti do të fillojë edhe mbrojtja e Doktoraturave. Në muajin nëntor u bë riakreditimi nga agjencia angleze e akreditimit, e cila na akreditoi për 6 vite, maksimumi kohor.
Situata e re e krijuar nga koronavirusi solli ndryshime në veprimtarinë e shkollës, në planin e brendshëm të saj, në rregulloret e shkollës, në kurrikulat e shkollës, në këshillimin psikologjik, në infrastrukturën e shkollës, në planin vjetor të punës së shkollës, në kualifikimin e mësuesve, në vlerësimet e nxënësve dhe studentëve, në marrëdhëniet dhe komunikimet shkollë – familje, në bashkëpunimin e stafit të shkollës me agjensitë komunitare. Post koronavirusi do të sjellë ndryshime dhe këndvështrime të reja në teoritë dhe mendimin pedagogjik, veçanërisht në psikologjinë pedagogjike dhe në didaktikë.
Në vitin akademik 2019-2020 u zhvilluan Konferencat me temë “Politika e SHBA në Ballkanin Perëndimor” dhe “Kriza e Koronovirusit: Sfidat dhe efektet ekonomiko-sociale të saj në (nivel global) dhe në Shqipëri. Çfarë do të ndodhë?” Tre ditë pas kësaj Konference mes 1600 konkurentëve, Universiteti Mesdhetar u vlerësuat me Çmimin Ndërkombëtar për Humanizëm nga Organizata Ndërkombëtare me qendër në Angli, “World Humanitarian Drive” për Ekselencë në Edukim dhe Kërkim Shkencor. Çmimi Ndërkombëtar për Humanizëm, u dha gjatë ceremonisë së zhvilluar nga organizata, e cila ka vleresuar ndër vite politikëbërës, lider të ndryshëm botërorë, personalitete të artit, shkencës, kulturës dhe institucione të njohura nga e gjithë bota.
Keni një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në fushën e pedagogjisë, duke filluar si mësues letërsie në Pac të Tropojës prej vitit 1978 e më vonë edhe drejtor shkolle. Si e kujtoni këtë periudhë të jetës tuaj?
- Kam filluar punën fillimisht si mësues në Zogaj, Berishë, pastaj në shkollën e mesme në Pac. Gjatë kësaj periudhe botova shkrime: analiza e reportazhe në gazetën Zëri i popullit dhe Drita. Punova deri në vitin 1980 sepse u zgjodha kryetar i Këshillit të Bashkuar në një moshë të re, vetëm dy vjet pasi mbarova shkollën e lartë. Për mua kjo detyrë e re ka qenë një përvojë e shkëlqyer. Më ndihmoi të njihja më mirë njerëzit, hallet dhe shqetësimet e tyre, më aftësoi në fushën e organizimit dhe drejtimit, më lidhi më shumë me jetën dhe historinë e Bytyçit. Unë e mora këtë përgjegjësi në një situatë të vështirë. Ishin vitet e prishjes së marrëdhënieve me Kinën, çka shkaktoi rënie të ekonomisë, por edhe të furnizimit e të mirëqenies. E sikur të mos mjaftonte kjo u bë edhe tufëzimi i bagëtive, që e përkeqësoi edhe më tej jetën në fshat dhe në qytet. Në kooperativën e Zogajt, fqinjë me ne u bë tufëzimi i lopëve, kurse në Pac nuk u bë. Në mbledhjen e Aktivit të Partisë së rrethit, edhe unë, edhe kryetari i kooperativës, Ibrahim Zeneli e kundërshtuam nismën për tufëzimin e lopëve. Sekretari i Parë i Partisë së rrethit, Faik Kopaçi na mirëkuptoi dhe nuk patëm pasoja. Nuk ishte e lehtë të mos mbështesje vendimet e partisë dhe të qeverisë… Ne ishim zonë kufitare. Në vitin 1981 shpërthyen demonstratat në Kosovë, ku kërkohej Kosova Republikë. Në zonën tonë ishin të dislokuara disa reparte ushtarake, në Pac, në Stobërdë, Dobrej, Maja e Dhine. Kërkohej bashkëpunim me to, kërkohej vigjilencë dhe gatishmëri. Me qindra netë kemi kaluar pa gjumë. Gjatë kësaj periudhe u ndërtua shkolla e re e mesme dy katëshe, Pallati i Kulturës me sallë shfaqjesh, me skenë të madhe e funksionale, me bibliotekë e librari, qendër zëri, kinema, garderobë për 50 veta. U ngrit Muzeu i Krahinës së Bytyçit, u organizuan dy sesione shkencore për luftën e popullit të Bytyçi për liri e demokraci në vitet 1912-1920 si edhe rezistenca e bytyçasve kundër pushtuesit fashist italian dhe nazistëve gjermanë. U largova me dëshirën time nga detyra e kryetarit të Këshillit të Bashkuar dhe vendosa t’i rikthehem studimëve, tanimë në fushën psikologjike dhe pedagogjike.
Pikërisht në këtë kohë ju vazhduat studimet pasuniversitare për psikologji dhe pedagogji. Si ndikoi kjo në punën tuaj shkencore?
Studimet pasuniversitare më hapën rrugën për të vazhduar doktoraturën, çka do të ndikonte fuqishëm në punën time kërkimore shkencore në të ardhmen. Aty kishte pedagogë të shkëlqyer si: Bedri Dedja, Hamit Beqja, Pëllumb Gaçe, Aleko Qëndro, Bekim Çomo etj. Me profesor Bedriun dhe Hamitin pata një marrëdhënie të veçantë, tepër miqësore. Ata mbetën mentorët e mi në fushën e studimeve psikologjike dhe pedagogjike. Në vitin 1985 u riktheva në shkollën e mesme në Pac, më i aftë profesionalisht, me njohuri të thelluara në fushën e psikologjisë, të didaktikës, por edhe me një njohje më të mirë të realitetit shqiptar. Studimet në Tiranë më krijuan mundësinë të njihem e të komunikoj me shumë personalitete të shquara të arsimit, të kulturës shqiptare ,me intelektualë të njohur jokonformistë. Në këto vite unë drejtova kualifikimin e mësuesve në shkallë rrethi në fushën e psikologjisë e të pedagogjisë. Ishim një ekip shumë i përgatitur, ku bëja pjesë unë, drejtori i Kabinetit Pedagogjik (drejtori im i gjimnazit), një nga zërat më të fuqishëm të arsimit në Tropojë, Mal Buçpapa, Hasan Hyka.
Në vitet 1988-1992 kam qenë drejtor i gjimnazit në Pac. Në vitin 1990 jam dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Tretë. Mësuesit e kësaj shkolle: Sadri Oruçi, Riza Aliaj, Shpresa Oruçi, Drita Demaliaj, Xhafer Hoxha, Besim Memia, Abedin Katana, Hamdi Jahelezi ishin nga më të mirët në rreth, të përkushtuar e të përgjegjshëm për misionin e tyre. Shkolla jonë u bë një nga shkollat më të dalluara të rrethit. Kishte rreth 500 nxënës, me godinë të re, me laboratore të reja. Mësonim nxënësit, por edhe ndihmonim në punët e ditës së kooperativës. Kishte javë të tëra që nuk bënim asnjë ditë pushim, punonim edhe të dielave. Organizonim ekskursione në Majë të Fushave, në Dobrej, në Berishë, në Kam, Krumë etj. Organizonim spartakiada midis shkollave, mbrëmje argëtimi. Ishin ditë të mbushura me veprimtari kalitëse, çlodhëse dhe argëtuese. Me fondet e shkollës që siguronim nga puna, nxënësit tanë shkonin të organizuar në Kukës, Tiranë, Durrës dhe Shkodër.
Familja Demaliaj është e njohur në Tropojë për kontributin e saj në shumë zhvillime kombëtare. Si i kujtoni gjyshërit, prindërit tuaj dhe njerëzit tuaj që kanë ndikuar më shumë tek ti qysh nga fëmijëria?
- Gjyshi im, Haxhi Mehmeti ishte në krye të bytyçasve në luftërat për liri e pavarësi. Për këtë edhe është dekoruar pas vdekjes në 50 Vjetorin e Pavarësisë. Nuk pata mundësi ta njoh se ai ndrroi jetë në vitin 1938. Gjyshja, Nëna Havë, siç e thërisnim të gjithë ishte një grua burrneshë, por edhe zonjë në kuptimin e mirë të fjalës, atdhetare, humane, e mençur dhe bujare. Xhaxhai, Shaban Haxhia është organizatori, drejtuesi, udhëheqësi ushtarak dhe lideri i LANÇ në Malësinë e Gjakovës dhe në Kosovë, Komandant i Brigadës Kosovare me 17 mijë luftëtarë. Edhe xhaxhallarët e tjerë: Hasani, Hyseni, Zeqiri, Binaku dhe babai im, Bajrami ishin pjesëmarës aktivë në luftën për çlirim. Në odën e burrave, ku unë pata privilegjin të isha që i vogël dëgjoja histori për burra trima, të mençur e patriotë. Kjo ndikoi edhe në formimin tim. Babai im, njohës i shkëlqyer i Bytyçit dhe i Tropojës sepse kishte pasur detyra të rëndësishme partiake dhe shtetërore ndikoi tek unë në njohjen e historisë së kaluar të Krahinës, të rrethit, por edhe të njerëzve protagonistë të këtyre ngjarjeve, më tregoi shumë të fshehta që i dinte ai dhe vetëm ai. Isha më i privilegjuar nga fëmijët e tjerë sepse qëndrova pranë tij 40 vjet dhe kishte besim tek unë.
Studimet në shkollën tetëvjeçare dhe të mesme i mbarove me rezultate të larta. Si e kujtoni këtë periudhë, bashkënxënësit tuaj dhe sidomos mësuesit? Çfarë ndikimi patën ata në formimin tuaj dhe stimulimin e prirjes drejt letërsisë dhe shkencave shoqërore?
- Unë shkollën tetëvjeçare dhe shkollën e mesme i mbarova me rezultate të shkëlqyera. Në tetëvjeçare isha komandant çete. Në klasën e pestë pata një konflikt me mësuesin e gjuhës, vendas, i paaftë dhe tendencioz. E kundërshtova në një debat me të dhe ky debat degjeneroi keq. Më thyenë notën në sjellje, por kjo më bëri më të fortë dhe gjatë atij viti nuk mora asnjë nëntë. Në formimin tim në tetëvjeçare ndikoi mësuesi i gjuhës dhe i letërsisë nga Shkodra, Shefqet Kraja, i cili më dha mësim në klasën e gjashtë, të shtatë dhe të tetë. Ishte shumë i aftë, lexonte shumë, kishte ardhur në Pac bashkë me bibliotekën e Më jepte libra të lexoja. Dashurinë për librin e kam nga ai, prej të cilës nuk do të ndahesha asnjëherë. Fillova të shkruaja edhe poezi, recitoja. Shefqeti kishte qenë i dënuar më parë, erdhi për ridënim në Pac, u dënua përsëri në Shkodër. Punoi si berber pas mbarimit të dënimit. Pas viteve `90 shkoi në SHBA dhe atje ndrroi jetë.
Kur unë shkova në gjimnaz në Bajram Curr programin e letërsisë pothuajse e kisha të ditur nga leximet në shkollën tetëvjeçare. Në provimet që u zhvilluan për njohuritë nga tetëvjeçarja në lëndët matematikë dhe fizikë unë u vlerësova me notën 10. Krijova opinion të mirë. Që në klasë të nëntë u zgjodha sekretar i rinisë për gjimnazin, këtë detyrë do ta kryeja edhe dy vjet të tjera. Kishim një drejtor të aftë, organizator dhe drejtues i talentuar, Idriz Logun, me të cilin pata marrëdhënie të shkëlqyera. Mësues të tjerë që ndikuan pozitivisht në formimin tim shkencor mund të përmend: Fahri Doçin (me kiminë e Glinës) përgatiteshim për orët e mësimit, Ndoc Paplekën (në orën e tij të letërsisë nuk pipëtinte asgjë, nuk e kuptonim kur fillonte dhe kur mbaronte ora e mësimit), Mehmet Hykën, mësuesin e matematikës, me të cilin patëm komunikim dhe marrëdhënie të shkëlqyera si brenda dhe jashtë shkollës, mësuesit e fiskulturës Dan Doçi e Ibrahim Shabani.
Atë vit që unë shkova në gjimnazin e Bajram Currit u zgjodhën nxënësit më të mirë të shkollave tetëvjeçare, gjithsej 35 nxënës. Nga këta 30 mbaruan studimet në universitet. Ishim të gjithanshëm: mësonim, punonim, organizonim veprimtari sportive, kulturore dhe artistike. Në aksionin për ndërtimin e hekurudhës Elbasan-Librazhd klasa jonë u dekorua me Urdhërin e Punës. Ishim brigada e parë në realizimin e normës ( 200% realizimi mujor), dhamë shfaqen e parë teatrale si klasë në qytet, e cila u mirëprit nga autoritetet e larta vendase dhe qytetarët. Një pjesë e madhe e nxënësve të klasës sonë ishin me ekipet e futbollit, basketbollit, atletikës të Valbonës që përfaqësonte rrethin. Ishim një familje e madhe, ku mbizotëronte harmonia, mirëpuptimi dhe bashkëpunimi.
Studimet e larta i keni kryer në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër në vitet 1974-1978 në degën e gjuhës dhe të letërsisë. Si e kujtoni këtë periudhë, bashkëstudentët dhe pedagogët? Sa ndikoi Shkodra në formimin tuaj kulturor?
- Edhe studimet e larta i mbarova shkëlqyer. Aty gjeta pedagogë shumë të mirë si: Vehbi Bala, Jup Kastrati, Fadil Podgorica, Fadil Kraja, Kol Ashta, Dhora Lloji, Llazar Misja, Safet Hoxha, Mina Gero, Hasan Leka, Selami Tabaku, Neki Lezha, Tomor Osmani, Simon Pepa, Vehbi Hoti, Islam Dizdari, Fatbardha Fishta (me të cilën pata edhe mbrojtjen e diplomës me temë për Migjenin) etj.
Shkodra kishte një bibliotekë të pasur, po kështu edhe Univesriteti. Unë i shfrytëzova me efikasitet, çdo ditë lexoja, ndërtova marrëdhënie me disa librari në qytet që m’i ruanin botimet e reja. Unë dalngadalë po e pasuroja bibliotekën personale. Këtë traditë e vazhdova edhe kur dola në punë. Në Kam, shitësja Nurije Zeka m’i ruante librat e rinj, pastaj u hap libraria në Pac.Vazhdimisht e kam rritur nga viti në vit numrin e librave dhe të koleksionit të revistave dhe të gazetave. Aktualisht kam një bibliotekë me mbi 4 mijë libra. Marrëdhënie të veçantë pata me pedagogun Hasan Leka. Ai kishte një bibliotekë të madhe nga më të mëdhatë në Shkodër dhe kishte lexuar shumë. Unë shkova disa herë në shtëpinë e tij, më ftonte vetë. Aty u njoha me veprat e Gjergj Fishtës, të Ernest Koliqit, të Kafkës, Kamy-së, të cilat m’i dha dhe fshehurazi i lexova. Kur po punoja për temën e diplomës më dha disa libra me studime nga Rexhep Qosja, poezi nga Ali Podrimja etj. Në shkollën tetëvjeçare nuk kisha bërë rusisht. Në shkollën e mesme nuk e studiova shumë. Notat në rusisht i merrja të mira për inerci të lëndëve të tjera. Sapo fillova mësimin në rusisht në Universitet e pashë se kisha dobësi. Punova shumë me metodat e rusishtes dhe për një vit e përvetësova shumë mirë. Nga gjithë studentët e vitit të tretë, me katër grupe vetëm unë u vlerësova me notën dhjetë në provimin e lëndës së vështirë, Gramatika historike. Gjatë kohës së studimeve në Shkodër u zgjodha kryetar i rrethit të folkloristëve të Universitetit, botova disa shkrime në gazetën e Shkodrës, drejtova veprimtari shkencore të studentëve, konkurse (si anëtar jurie) në shkollat e mesme të qytetit.
Me kthimin tuaj në Tropojë, tashmë i diplomuar patët mundësinë të luanit rolin tuaj si një intelektual i ri. Si ishte Tropoja e atyre viteve me një numër shkrimtarësh, poetësh dhe piktorësh të rinj që po imponoheshin në nivel kombëtar?
- Kur unë fillova punën si mësues në Tropojë ishte krijuar Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ishte ndërtuar Pallati i Kulturës. Poetët: Ndoc Papleka, Skënder Buçpapa, Hamit Alia, Avni Mula botuan vëllimet e tyre poetike. U bënë të njohur në gjithë vendin dhe fituan çmime. Në pikturë dallohej Nazmi Hoxha. Kam parasysh ekspozitën e tij me Eposin e Kreshnikëve. Në skulpturë veçohet Isa Balija. Në muzikë Fatime Sokoli, këngëtare, vallëtarët Xhevahire Gashi e Hazir Rustemi, instrumentistët Ali Mulaj dhe Shaban Mulaj, kompozitorët Kolë Susaj e Skënder Dozhlani, në teatër Sali Prengjoni e Gjelosh Marku etj. Tradita u çua më tej me botimet e Jah Margjekës, Mujë Buçpapës, Halil Buçpapës, librat për fëmijë të Shkëlzen Zallit, romanet e Besnik Mustafës e Brunilda Zllamit, me këngëtarë si Gëzim Nika, Fatmira Breçani, Ibrahim Muça, Brahim Mustafa e shumë të tjerë. Tekstet e këngëve të Marash Mëhillit, Hamit Alisë, Selim Alisë u bënë të njohura në shkallë kombëtare për mjeshtërinë dhe vlerat e tyre artistike.
- Pas vitit 1992 ju shohim në Tiranë të jepni mësim në shkollat e mesme dhe disa universitete, ku një nga arritjet tuaja më të mëdha është mbrojtja e Doktoraturës. Si ka qenë për ty kjo periudhë?
- Në vitin 1996 mbrojta Doktoraturën në fushën e psikologjisë sociale. Mora vlerësimin shumë mirë. Me këtë rast duhet të falenderoj udhëheqësin tim, Profesorin e psikologjisë, Adem Tamo, Akademikët Bedri Dedja e Hamit Beqja, të cilët më ndihmuan me këshillat, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, punonjësit e Institutit të Studimeve Pedagogjike, Anton Dede e Qazim Kashari. Fillova të botoj në Revistën pedagogjike, në revistën “Politika dhe shoqëria”, në revistën “Të drejtat e njeriut”, “Pajtimi”. Fillimisht punova zëvendësdrejtor në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, pastaj këshilltar i Ministres së Integrimit Europian, Ermelinda Meksi, një intelektuale e zonja dhe me integritet të lartë moral dhe profesional. Gjatë kësaj kohe kam marrë edhe titullin Ambasador i Paqes. Dhashë mësim në disa shkolla të larta për t’u vendosur përfundimisht në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Që nga viti 2015 jam përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike. Në 10 vjetorin e Universitetit në vitin 2019 u vlerësova me Dekoratën e Mirënjohjes nga Universiteti. Gjatë këtyre viteve drejtova rubrikën “Bashkëbisedim me psikologun” në gazetën “Intervista”, e cila më bëri të njohur në gjithë Shqipërinë, veçanërisht tek adoleshentët. Drejtova projekte me Fondacionin Soros, Bankën Botërore dhe Këshillin Britanik dhe kualifikimin e mësuesve të letërsisë në shkallë kombëtare. Ishte një eksperiencë e bukur. M’u dha mundësia të komunikoja e të punoja me studiues e akademikë si: Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi, Marenglen Verli, Gazmend Shpuza, Luan Hajdaraga, Pëllumb Gaçe, Ilindin Spase, Marjana Sinani, Mimoza Gjokutaj, Kujtim Kapllani, Lekë Sokoli, Mark Tirta, Afërdita Onuzi, Yllka Selimi, Shefqet Hoxha, Sali Onuzi etj.
Keni botuar disa libra publicistikë me tematikë Kosovën. Pse ju ka tërhequr kjo temë?
- Kam botuar librin: “Masakra e Gjilanit”, kujtimet e xhaxhait tim, Shaban Haxhia, monografinë “Kthimi i shpejtë i shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre mijëvjeçare në Verën e vitit 1999”, shkrime e studime në shtypin shkencor e periodik brenda dhe jashtë vendit me temë Kosovën. Që në moshë të vogël dëgjoja në shtëpi rrëfime, biseda, kujtime nga njerëzit e mi për Kosovën. Ata kishin luftuar për të, madje xhaxhai, Hyseni ra dëshmor në Babaj të Bokës. E njihnin shumë mirë fshat më fshat, qytet më qytet. Xhaxhai, Shabani është firmëtar i Rezolacionit të Mbledhjes së Bujanit për vetëvendosjen e shqiptarëve të Kosovës, ka pasur funksione të rëndësishme shtetërore në vitet 1946-1948 në Prishtinë. Shtabi i KOSMET-it ka qëndruar në shtëpinë time gjatë viteve 1942-1944. Malësia e Gjakovës ka pasur lidhje ekonomike, politike, psikologjike, historike me Kosovën. Tregtinë ne e bënim me Kosovën. Nga shtëpia ime për një orë e gjysëm me kalë shkoje në Gjakovë. Librat që dilnin për Kosovën i merrja menjëherë dhe i lexoja. Radio Prishtinën, TV Prishtinën dhe TV Beogradin i ndiqja rregullisht. Daja im, Hysen Papa ka qenë Sekretar i Parë i Komitetit të partisë së rrethit Tropojë në vitet 1971-1978. Atij i vinin rregullisht informacione të veçanta nga KQPPSH, një pjesë e të cilave bënin fjalë për Kosovën. Unë pata privilegjin që daja të m’i jepte për t’i lexuar dhe diskutuar me të. Pra kisha një informacion që të tjerët nuk e kishin në atë kohë. Jetoja intensivisht çdo ditë me ngjarjet e Kosovës. Edhe sot i ndjek me vëmendje të veçantë zhvillimet atje. Kam lexuar shumë nga historia, letërsia, folklori, demografia, etnografia e Kosovës. Kam parë me qindra dokumente arkivore. Kjo më ka nxitur, por edhe më ka ndihmuar për të shkruar e botuar për Kosovën, e cila është pjesë e trungut shqiptar. E kemi detyrim të shkruajmë, të punojmë e të ndihmojmë për bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Është një aspiratë e ligjshme, nga e cila nuk duhet të heqim dorë kurrë deri në realizimin e saj.
Keni marrë pjesë dhe kumtuar në disa Konferenca Kombëtare dhe Ndërkombëtare të karkaterit akademik. Çfarë është për ju kjo eksperiencë?
- Në vitin 1999 unë isha nismëtar me një grup studiuesish dhe politikanësh për krijimin e Institutit të Shkencave Politike dhe Sociale (tani ai mban emërtimin Instituti Shqiptar i Sociologjisë). Çdo vit nga ky Institut organizohen Konfernca Shkencore Ndërkombëtare, në të cilat unë kam marrë pjesë rregullisht me temat dhe referatet e mia, ku një punë të shkëlqyer bën çdo ditë në këtë Intstitut Profesor Lekë Sokoli. Edhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, pjesë e të cilit jam që nga viti 2010 organizon dy Konferenca Shkencore Ndërkombëtare çdo vit. Edhe këtu kam qenë pjesëmarrës aktiv me punimet e mia shkencore. Kam botuar në revistat shkencore të këtyre institucioneve shkencore shkrime rregullisht. Kam qenë anëtar i Bordit të Institutit Shqiptar të Sociologjisë, anëtar i Kryesisë së Bordit, Anëtar i Bordit të Botimeve të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Aktualisht jam ekspert për akreditimin e shkollave të larta të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të Etikës në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale.
Për interesin e lexuesve tanë a mund te na flisni rreth familjes tuaj dhe sa ju ka ndihmuar dhe mështetur ajo në karrieren tuaj shkencore?
- Familja ime ka qenë mbështetja kryesore në punën time akademike dhe shkencore. Më kanë mirëkuptuar edhe kur nuk kam qenë prezent pranë saj për shkak të angazhimeve të mia. Bashkëshortja ime ka mbaruar Master Shkencor në Psikologji Komunitare me rezultate të shkëlqyera, është pjesëmarrëse në disa projekte, në disa Konferenca Shkencore Ndërkombëtare dhe revista shkencore. Më ka ndihmuar në redaktimin dhe botimin e librave të mia. Vajza e madhe studion në një Universitet Amerikan për Shkenca Politike dhe Psikologji, vajza e vogël në Shkenca Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Kanë qenë nxënëse dhe janë studente të shkëlqyera. Zotërojnë disa gjuhë të huaja. Kanë marrë pjesë në disa projekte kombëtare dhe janë të angazhuara në disa organizata rinore.
Çfarë punësh të reja, studimore kërkimore, do të presim nga ju, çfarë jeni duke shkruar për momentin?
- Kam botuar: “Masakra e Gjilanit”, 1999.
“Figura dhe ngjarje historike”, 2001.
“Poem kosovar në pendën e Mitrush Kutelit”, 2002.
“164 pyetje për dashurinë”, 2002.
“Dashuria pret…”, 2003.
“Njerëz të mëdhenj: anekdota , fjalë të mençura, kuriozitete”, 2003.
“Poezi për gjuhën shqipe”, 2005.
“Mësimdhënia e të menduarit në letërsi”, 2010.
“Kthimi i shpejtë i shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre mijëvjeçare në Verën e vitit 1999”, monografi, 2020.
Punë të reja, studime të reja, botime të reja më presin… Kam në dorë një monografi për adoleshentët në tre pjesë. Pjesën e parë e kam bërë gati për botim, një libër me studime për Kosovën, për Murat Pacin si folklorist i parë i Malësisë së Gjakovës, një libër Kanuni i Bjeshkës së Sylbicës, kam mbaruar librin për xhaxhain, Shaban Haxhinë dhe librin me kujtime të babait. Në planet e mia në të ardhmen është monografia për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare në vitet 1939-1944 në Malësinë e Gjakovës, në disa vëllime dhe Historia e Shqipërisë në këndvështrimin e psikoanalizës. Po kështu po punoj për tekstin “Menaxhimi i Institucioneve Arsimore”, lëndë të cilën e jap në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë në degën Menaxhim Arsimi në nivelin Master. Gjatë rrugës së gjatë së studimeve shkencore mund të kemi edhe vepra të tjera. Dua të falenderoj Akadmik Anastas Angjelin dhe Profesore Greta Angjelin, biznesmenët Ramë Geci e Avni Ponari për mbështetjen financiare që më kanë dhënë për botimin e librave. Ndihem i sigurt dhe i lumtur se i kam realizuar synimet e mia dhe i kam përmbushur ato që kanë pritur të tjerët nga unë.