Intervistë me Eruditin Belg Philippe Preux : Intervistoi: Dr. Mujë Buçpapaj. “Kultura shqiptare, një kulturë e mahnitshme”

Intervistë me Eruditin Belg Philippe Preux
“Kultura shqiptare, një kulturë e mahnitshme”
Intervistoi Prof. Doc. Mujo Buçpapaj

Mujo Buçpapaj: Zoti Philippe Preux , përshëndetje nga gazeta Nacional! Keni vizituar shumë herë Shqipërinë, madje edhe në fund të epokës komuniste. Cilat kanë qenë impresionet e kontakteve tuaja të para me Shqipërinë dhe shqiptarët ?
Që në fillim dua të them se kam patur një impresion tepër pozitiv, që në kontaktet e para me njerëzit, sigurisht një habi sa i takon varfërisë ekstreme. Më duhet të pranoj se ishte një botë krejt e panjohur për mua. Ishte mahnitëse për faktin se që në fillim zbulova fragmente të kulturës komunikative shqiptare falë kineastëve, regjisorëve shqiptarë, si Vladimir Prifti, Dhimitër Anagnosti , Fatmir Koçi, e të tjerë që s’më kujtohen për momentin. Falë tyre njoha një lloj traditë dhe etnografie që s’më kish rastisur ta njihja më parë, mbi të gjitha një gjuhë origjinale, e cila kishte një muzikalitet impresionues dhe tingëllonte aq bukur për veshët e mi sidomos ajo e Shkodrës. Shqipëria kishte qenë e mbyllur dhe hapja e saj, më krijoi mundësinë e shuarjes së kuriozitetit, dhe kjo ishte diçka që ne të huajve na dukej fantastike. Një zbulim madhor në plot kuptimin e fjalës? Tani s’jemi më të huaj, se e vizitojmë gati çdo vit Shqipërinë.
Keni thënë në një prononcim tuaj, se në Mistrinë Frankofone të Kulturës të gjithë specialistët zgjodhën vende të ndryshme, ndërsa ju që kishit vizituar gjithë Mesdheun zgjodhët Shqipërinë , sepse për ju ishte një vend i panjohur; misterioz?
Ne si mistri, atë epokë kishim idenë të krijonim “Festivalin Mesdhetar të Filmit”, sepse në vitet 80 -90 vendet mesdhetare nuk prezantonin , ose nuk sillnin kinematografinë e tyre tek ne, pra kishte një vakum kultural për komunitetet e shumta kishin emigruar drejt nesh! Na ndodhte rrallëherë të shihnim filma të disa vendeve në kinematë tona, dhe këtu bëhej fjalë për gjithë Mesdheun duke përjashtuar Italinë, Spanjën dhe Francën. Nuk e dinim nëse kishte kinematografi ta zëmë në Kroaci, Liban, Izrael apo Egjipt. Kështuqë u angazhova në një punë të lodhshme, por dhe pasionante, të gjurmoja këtë kinematografi, të shihja filmat. Mbetej thjesht një vend. Ishte Shqipëria dhe askush nuk kishte idenë se çfarë vendi ishte Shqipëria! E unë thashë; do ta marr unë Shqipërinë, dhe do shkoj të zbuloj se çfarë kinematografie përfaqëson ky vend. Dhe falë një belgu që ishte përfaqësues simbolik i Shqipërisë , Zoti D’ Agonier , që më mundësoi kontaktin me Albafilmin , bëra udhëtimin e parë drejt Shqipërisë dhe u ktheva në Belgjike me një ide të qartë. Mu duk vetja astronaut, sikur kisha vizituar një planet tjetër. Nisur nga ky moment unë zhvillova një koncept në Belgjikë mbi kulturën shqiptare, përfshirë dhe gjuhën për të cilën vazhdoj të kem interes edhe në momentet e tanishme.
Mujo Buçpapaj; Pas kësaj jeni kthyer në një admirues i kulturës shqiptare, pos sidomos natyrës , ku vend të veçantë zënë malet e veriut?
Admiroj gjithë Shqipërinë pa dallim, por malet janë vërtet speciale tek ju. Më kujtohet kur kam shkuar për herë të parë në Tiranë. Kishte vetëm tre apo katër hotele asokohe dhe unë u vendosa në Hotel Dajti. Shkoja shpesh ti thoja “mirdita” , mikut tim Fatmir Koçi, që banonte jo shumë larg hotelit. Ishte një qytet i vogël atë epokë, ndryshe nga çfarë është sot; një qytet shumë i madh. Asokohe , në fillimet isha mbi të gjitha i mahnitur nga disa gjëra të çuditshme, sidomos për bunkerët, të cilët i emërtoja “bunkerët e martesës”, pasi më ngjanin si “shtëpiza të vogla” për të pritur një çift të sapomartuarish. Në vend që të bëhej luftë do bëhej dashuri. Për fat të keq këta bunkerë janë rralluar shumë. Jam rikthyer shumë herë në Shqipëri, vendi është manjifik, me shumë variacion, si në jug ashtu dhe në veri, dhe e them hapur: jam dashuruar me të dyja zonat e vendit. Veriu duket më i egër me malet e larta dhe jugu mjaft “atraktiv” me plazhet dhe detin. Pra zbuloja bukurinë e një vendi që është tepër interesant për të gjithë ata që e vizitojnë. Gjithashtu një popull kompleks. Ka shumë diversitet, në popullatë dhe kulturë por karakteristikë bashkuese e vendit është gjuha dhe peizazhet impresionuese ku flitet kjo gjihë. Në vizitat e para në vitet 90 zbulova një vend krejt të virgjër, të pakontaminuar nga turizmi i masës, me atraksione turistike që të linin pa frymë, plazhe të hapura pa njerëz në të cilat mund të shëtisje me orë të tëra, dhe me male pa rrugë. Duhej të ishe shumë i dashuruar me malet, që të shkoje atje. Por unë kam patur fatin të shkoja, atëherë kur nuk kishte rrugë apo sistem hotelier. Na binte të takonim njerëz krejt autentikë, krejt të veçantë. Sot kjo ka ndryshuar, ka një zhvillim të madh por mua ajo që më intereson eshtë Kultura e këtij populli, mentaliteti, mënyra e të qenurit. Ishte bukur të shikoje një popull krenar, një popull që ka një histori të vërtetë, e që është koshient për këtë histori, pavarësisht se është konsideruar një vend vogël në raport me kultura të tjera, kam parasysh, Gjermaninë, Turqinë, apo Italinë. Shqipëria padrejtësisht ka qenë një vend disi i mënjanuar, apo i harruar kulturalisht, ndërkohë që ka pasuri kulturore të jashtëzakonshme dhe me vazhdimësi të pandërprerë. Jam interesuar për historinë e Shqipërisë, dhe më rezulton se ka një rol fondamental në gjithë Mesdheun, pavarësisht se ne nuk arrijmë ta përthithim një fakt të tillë. Ka ngulime shqiptare në të gjithë Mesdheun, sidomos në Itali dhe kjo është shumë komplekse të shpjegohet.
Mujo Buçpapaj ; Ju keni qenë konvokuar për të punuar profesor në Universitet, por keni refuzuar dhe i jeni përkushtuar erudicionit dhe udhëtimeve. Pse kjo zgjedhje? Keni braktisur karrierën universitare , për një karriere të një kërkuesi të lirë ?
Kjo ka të bëjë me natyrën time kurioze, por mbi të gjitha adhuroj lirinë time personale. Nuk më ka pëlqyer kurrë varësia ndaj një pune të përditshme statike dhe monotone. Skam pasur asnjëherë dëshirë të vetburgosem, në një botë ku të më imponohet mënyra sesi unë të funksionoj si qenie. Unë jam një “fluturak”, i padirigjueshëm me një kokë fëminore akoma dhe sot në pleqësi. Nëse më intereson një vend, unë nuk matem dy herë: shkoj atje. Po s’më interesoj, gjej diçka tjetër më interesante që më del përpara. Ndryshoj gjithë kohën, që do të thotë nuk jam specialist i monotonisë dhe stanjacioni si karakter.
Mujo Buçpapaj; Pas gjithë aventurave në për botë , ju ka rënë rasti të njiheni me gjuhëtarin dhe filozofin shqiptar Albert Vlash Nikolla, dhe vendosët ta ndihmonit atë me ekspertizë filologjike për të kryer studime të thella shkencore mbi gjuhën shqipe?
Po ju them që në fillim, se para se të takoja zotin Nikolla kam takuar shumë të tjerë në Shqipëri, për më kam punuar me ta dhe ruaj respekt të madh ndaj tyre. Me zotin Nikolla jemi takuar rastësisht me ndihmën e një miku shqiptar, dhe dua të them se u kuptuam që në fillim. Ai më foli mbi punën e tij shkencore dhe unë u interesova, lexova dorëshkrimet e tij, si ato gjuhësore, po ashtu edhe prozat e tij. E kam gjetur një shkrimtar shumë të veçantë modern e identik, në fushën e prozës, i panjohur në atë epokë sa duhet tek ne, por të publikohesh në Francë apo Belgjikë nuk është e lehtë, për të mos thënë gati e pamundur për “një të huaj”. U fasinova menjëherë sidomos për studimet e tij filologjike, në kërkimet për gjuhën nënë të gjuhëve të tjera, hipotetike si fillim. E inkurajova të mos trembej, por të parashtronte tezat e tij pa kurrfarë droje. Interesant ishte fakti që shqipja gege, mund të ishte gjuha nënë e gjuhëve indoevropiane, dhe jo vetëm , dhe kemi diskutuar shumë bashkërisht rreth këtyre temave. I kam thënë gjithmonë; “ le ta shtrojmë dhe të punojmë në sencin e hipotezës, pasi shkenca evoluon gjithë kohën , aq më tepër që shkenca nuk është njëherë e përgjithmonë; ‘definitive’. Gjithashtu dhe ne evoluojmë dhe hipoteza na çon drejt të vërtetës. Nisur që nga momentet e para të miqësisë filozofike, i këshillova të jetë rigoroz, të mbajë një linjë për të mos krijuar dyshime rreth hipotezës. Kur të kemi një hipotezë, duhet të përballemi me kundërshtarë në vazhdimësi, të mos kemi frikë të konfrontohemi filologjikisht me argumente. Sigurisht ekzistojnë probabilitete që të gabohemi, por duhet të korrigjohemi gjatë rrugës. Por tek Albert kam zbuluar vendosmërinë edhe për faktin se ai ka lidhjen e nevojshme me gjuhën dhe mbi të gjitha ai nuk e bën për arsye monetare apo ekonomike, por thjesht për pasion, dhe e gjej këtë të mrekullueshme. Zbulova se ai ka një shpirt të lirë, ashtu siç e kam dhe unë, një njeri që kërkon gjëra të reja, që shikon dhe shkon më larg, pra edhe mua më ka pasuruar kjo eksperiencë. Alberti ka pasuruar botën time filozofike dhe shpresoj që dhe unë ta kem pasuruar botën e tij filologjike. Por i kam dhënë edhe një këshillë; Bota universitare është një botë e vështirë, e veçantë , sa herë që ne propozojmë diçka, do të ketë opozicion, kundërshtim, mospranim. Por asnjëherë nuk duhet të dekurajohemi, derisa ta vërtetojmë se kemi të drejtë.
Mujo Buçpapaj : Të gjitha tezat e zotin Nikolla, fatmirësisht janë provuar nga publikimi i artikullit mbi gjuhën në revistën Science:
Jam i gëzuar që ai ka ndjekur këshillat e mia, dhe falë kësaj nuk ka gabuar në punën e tij shkencore, dhe natyrisht kjo përbën një krenari për mua., edhe për faktin se një grup i madh shkencëtarësh janë marrë me gjuhën dhe në mënyrë shkencore dhe kanë provuar tezat mbi vjetërsinë e shqipes. Por unë luaj lojën time si drejtues shkencor dhe si oponent; Vazhdoj ta pyes; Ka pasur vërtet një gjuhë nënë ? Në historinë e studimeve gjuhësore, kanë ekzistuar shumë hipoteza, si ajo Kurgane, ajo Armene, Hititase dhe ajo Fenikase, por nuk kemi pasur diçka me prova të forta. Tek Alberti ajo që mbizotëron në studimet e tij janë provat, artefaktet gjuhësore. Dhe kjo Shqipja Gege monosilabike që intrigon, edhe për faktin se një gjuhë fillestare nënë s’mund të ketë qenë vetëmse “monosilabike”. Tani duhet të verifikohet akoma më thellë, duhet vazhdimësi, por mendoj se ka një nisje shumë të mirë dhe premtuese. Kjo na mundëson të shohim jo vetëm evolucionin e popujve por edhe të gjuhëve të tyre dhe të themi disa gjëra të forta që : Burimi fillestar i gjuhëve dhe popujve nuk janë të shumta dhe se humaniteti ka filluar nga ato strehëzat ose foletë e vogla kulturore, dhe kultura u shpreh sigurisht nisur nga gjuhët muzikore të fillesës. Fillesa e popullatave janë komunikative, pra gjuhësore. Për të komunikuar, mund të përdoren dhe gjeste, por në një komunikim të komplikuar nevojiten tingujt , dhe ne mund të themi: Vini re, kjo gjuhë monosilabike (geg’ja njërrokëshe) është e aftë të gjenerojë gjuhë të tjera, në saj të kombinimit të fjalëve, të modifikimit të fjalëve, të derivacionit dhe të morfologjisë fillimisht të thjeshtë e më vonë shumë komplekse! Studimi dhe imponimi në qarqet universitare bëhet me argumente. I kam thënë Albertit: Kjo punë kërkon energji e privime personale. Unë jam i vjetër për tu angazhuar në studime të tilla, por të gjitha këshillat e mia ja kam dhënë me shumë bujari, këtij shqiptari të mirë. Ka brenda kësaj pune shkencore diçka mahnitëse, entuziaste gjithashtu, për faktin se ai i është afruar të vërtetës gjuhësore më shumë se çdo gjuhëtar tjetër që kam lexuar.
Mujo Buçpapaj: Faleminderit për intervistën tuaj kaq miqësore për gjuhën dhe kulturën tonë.
Për mua është kënaqësi të jap një intervistë për njërën nga gazetat më të fuqishme kulturore në Ballkan siç është gazeta kulturore “Nacional”.