Intervistë me gazetaren, pedagogen dhe shkrimtaren italiane Antonietta Micali.Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta

Intervistë me gazetaren, pedagogen dhe shkrimtaren italiane Antonietta Micali

ANTONIETTA MICALI : BESOJ SHUMË SE LEXIMI E BËN NJERIUN TË LIRË

Gjithmonë më ka pëlqyer të lexoj shumë. Që kur isha në moshë fare të re, më ka pëlqyer gjithmonë të shkruaj. Besoj shumë se leximi e bën njeriun të lirë dhe se është pikërisht takimi me shumë mendje, përmes të cilave formohet dhe pasurohet mendimi ynë kritik.

Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta

A. Kosta: Përshëndetje Antonietta. Mirë se vini në Gazeta NACIONAL. Çdo lexues dëshiron të njohë Gruan shumëplanëshe. Na tregoni për rrugëtimin e karrierës suaj, jo vetëm si krijuese, por edhe për angazhimet tuaja të shumta sociale.

Antonietta M: Përshëndetje Angela. Si fillim dëshiroj të falenderoj me shumë mirënjohje Gazetën Nacional në Shqipëri, Drejtorin e saj, Dr Mujo Buçpapaj si dhe ju për këtë intervistë.
Sapo më pyetët: cila jam unë? Jam një grua që gjithmonë kam besuar se angazhimi shoqëror dhe kultura janë themelore në jetën e burrave.
Gjithmonë më ka pëlqyer të lexoj shumë. Që kur isha në moshë fare të re, më ka pëlqyer gjithmonë të shkruaj. Besoj shumë se leximi e bën njeriun të lirë dhe se është pikërisht takimi me shumë mendje, përmes të cilave formohet dhe pasurohet mendimi ynë kritik. Babai do të kishte dashur që unë të bëhesha biologe, madje isha regjistruar edhe në universitet për degën Biologji, por, pas disa provimeve ndryshova dhe ndoqa pasionin tim për letërsinë. E kështu, u diplomova me nota të shkëlqyera në Universitetin “La Sapienza” në Romë me tezën mbi historinë e Krishtërimit, mbi kardinalin Guarino, i cili jetoi gjatë nga fundi i shekullit të XIX-të dhe fillimit të shekullit të XX-të, periudhë tepër e vështirë për historinë e Kishës dhe për ngjarjet që lidhen me Bashkimin e Italisë. Pasi isha kualifikuar në një konkurs për mësimdhënie, fillova të jap mësim, duke kuptuar se sa i vështirë dhe i rëndësishëm është formimi i njeriut duke filluar që nga moshat fëminore. Aktualisht jap mësim në qytetin e bukur të Milazzo-s, në Institutin e drejtuar nga Drejtoresha shumë e zonja, për të cilën kam respekt dhe dashamirësi të veçantë Dr. Alma Le Grottaglie. Më pas, u specializova në teknikat e shkrimit ku bëra një kurs të Trajnimit të Avancuar në shkrimin krijues dhe një master në gazetari kulturore. Gjithmonë kam qenë kurioze dhe gjithmonë kam dashur të eksperimentoj dhe të përfshihem. Për tetë vite kam qenë anëtare e FIDAPA, Federata e Grave dhe besoj se kjo ishte një periudhë trajnimi dhe reflektimi mbi talentin e grave dhe rolin e tyre në shoqëri. Kam mbajtur për disa vite, rolin e Presidentes të një Qendre Studimi Historie – Fetare. Tani afër, u bashkova me Akademinë Tiberina, e cila lëvdon mbi 212 vjet. Akademia në fjalë drejtohet në mënyrë brilante nga Dr. Franco Antonio Pinardi me të cilin bashkëpunoj me sinergji të madhe, të shoqëruar me vlerësim dhe respekt reciprok. Gjithashtu jam Drejtore e Departamentit të Letërsisë. Gjatë kohës së lirë, shkruaj dhe botoj poezi e tregime të shkurtra për fëmijë, por do të doja të gjeja kohën edhe për të përfunduar një roman që kam në dorë. Takimi me Renato Ongania më ka hapur rrugë të reja për të eksperimentuar dhe për t’u përfshirë në projekte të tjera: jam Akademike në Wikipoesia, një platformë enciklopedike e krijuar nga Renato Ongania, i cili mbledh të gjithë poetët bashkëkohorë; jam Zv. Presidente në një tjetër platformë enciklopedike Wikipace kushtuar njëqindvjetorit të lindjes së Danilo Dolci. Gjithashtu nga Ongania, u ngarkova të drejtoj Katedrën e Grave, e cila u krijua me qëllim për mbrojtjen dhe mbështetjen e të gjitha grave: https://www.cattedradelledonne.it/
Së fundi, jam Presidente e Çmimit Letrar G. Belli – F. Lami të Akademisë Tiberina, e cila këtë vit i kushtohet Danilo Dolcit dhe lindjes së një Manifesti të Humanizmit të Ri.

A. Kosta: Ju jeni Drejtore e Katedrës së Grave e cila ka një vizion të gjerë global. Na thoni diçka më tepër… Cili është “boshti” thelbësor i këtij bashkimi jo vetëm i grave intelektuale por edhe i burrave që janë ekspertë në sektore të ndryshme.

Antonietta. M: Katedra e Grave është një projekt edukativ me rëndësi kombëtare i krijuar për të kundërshtuar nën-kulturën dominuese, ende tepër aktive drejt një vizioni të mbizotëruar nga meshkujt, me shembuj të reformës etike-sociale-kulturore, për të prodhuar një model të bashkëjetesës civile të bazuar në harmoninë e plotë të marrëdhënieve midis burrave dhe grave, të barazisë, të vërtetuar në thelbin e saj nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948. Pak ditë më parë, më 11 tetor, morëm lajmin e autorizimit nga UNWOMEN për të përdorur logon e Fushatës “Barazia e Brezave”. Ndaj, të gjitha nismat e sponsorizuara nga Katedra e Grave mund të përdorin logon e OKB-së të Fushatës të kombinuar me logon e Katedrës së Grave. Për më tepër, duke pasur një rol të rëndësishëm në Akademinë Tiberina, Katedra e Grave sponsorizohet edhe nga Akademia Tiberina si dhe nga Wikipace dhe Wikipoesia. Jo vetëm gratë shumë të talentuara, por edhe burrat janë pjesë e Katedrës së Grave të cilët luftojnë për respektin dhe mos-dhunën e grave dhe mbrojnë vlerën e tyre dhe rritjen e tyre kulturore dhe sociale.

A. Kosta: Ju jeni edhe arsimtare. Si arrini ta organizoni kohën tuaj midis jetës shoqërore dhe asaj të përditshme?

Antonietta. M: Shumë ma kanë bërë këtë pyetje… mendoj se dashuria dhe pasioni për atë në të cilën besoj, e fshin lodhjen e pushimeve kurrë të marra, orët e pakta të gjumit, përkushtimin ndaj nevojave të mia të përditshme, etjer… por, pavarësisht kësaj, ia arrij të bëj gjithçka duke u përpjekur të jap maksimumin nga vetvetja.
Mos entuziasmi do të ishte një pengesë e madhe për jetën.

A. Kosta: Sa libra keni botuar dhe cila është tema kryesore që trajtoni në to?

Antonietta M: Kam botuar shumë tregime për fëmijë, tekstet e të cilëve i kam redaktuar, gjithashtu një libër të ilustruar, i botuar nga Curcio dhe 4 vëllime me poezi. Jam përfshirë në shumë antologji italiane dhe të huaja si dhe në katalogë të rëndësishëm të artit italian dhe atë të huaj. Tani jam gati të botoj një përmbledhje të re si dhe një libër për fëmijë. Kam botuar një ese mbi jetën e një kardinali dhe kam bashkëpunuar në hartimin e eseve të tjera, një mbi shkrimin, botuar nga Erikson, një mbi Alessandro Manzoni botuar nga Solfanelli dhe një mbi Eleonora Duse botuar nga Solfanelli.

A. Kosta: Cilat janë çmimet prestigjioze që keni marrë gjatë krijimtarisë suaj?

Antonietta. M: Kam marrë shumë çmime në Itali dhe jashtë saj. Por po përmend vetëm disa: Çmimin Canaletto, Çmimin Margherita Hack, Çmimin Modigliani, Çmimin Menotti për përmbledhjen time Il Vento Scompiglia i Pensieri botuar nga Armando Siciliano, e shumë të tjerë… Dhe në fund, pikërisht javën e shkuar, m’u dha një çmim të cilin ia dedikoj të gjitha grave nga Shoqata Amici di… Versi në të cilën është Presidente Daniela Cococcia.

A. Kosta: Po afron 25 nëntori… Çfarë do të bënit më tepër (përtej asaj që tashmë kryeni) për të “eliminuar” egon mashkullore?

Antonietta M: Do të doja të anulloja paragjykimin e tyre që me epërsi ekziston ndaj grave që kanë talent të rrallë dhe pamje të bukur. Një grua që ka talent fiton më me shumë vështirësi sesa burri “një vend në rreshtin e parë”. Këtu, do të doja përpjekjen për të qenë e barabartë, që burri të mësonte të kishte respekt për cilësitë e gruas. Do të doja gjithashtu që vlera e jetës së grave të mirëkuptohej nga të gjithë ata burra që pa mëshirë, vrasin gratë e tyre dhe do të dëshiroja gjithashtu që ata, t’i edukojnë fëmijët e tyre që në moshë të vogël për të respektuar barazinë gjinore.

A. Kosta: Cili është xhevahiri juaj i çmuar që nxjerr në pah muzën tuaj?

Antonietta. M: Oh! Pyetje e mrekullueshme kjo! Unë jetoj në ishull, një nga më të bukurit në botë, në Sicili dhe më mjafton vetëm të shoh përreth, për t’u frymëzuar.

A. Kosta: E njihni atdheun tonë, Shqipërinë apo shkrimtarët tanë? Dëshironi të vini ta vizitoni?

Antonietta M: Nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri ndaj do të më pëlqente shumë ta vizitoja. Gjatë periudhës së Covidit kam bërë intervista për agjencinë letrare në Romë “TraLeRighe” dhe pata rastin të intervistoj mikun tim Arjan Kallço për të cilin kam shumë vlerësim dhe dashamirësi. Ju premtoj se do të vij, ia kam premtuar edhe Arjanit këtë. Më duhet të gjej veç kohën e duhur…

A. Kosta: Çfarë mendoni për letërsinë e sotme, autorët e rinj dhe inteligjencën artificiale që përfshin pikërisht shkrimin dhe krijimtarinë?

Antonietta M: Inteligjenca artificiale quhet kështu sepse u krijua nga njeriu, ndaj shpresoj që pikërisht njeriu ta shfrytëzojë më së miri.
Kam lexuar shumë autorë të rinj dhe ka disa me të vërtetë shumë cilësorë. Sot, letërsia dhe poezia kanë një rol të madh dhe të rëndësishëm, atë të vazhdimit për t’i bërë njerëzit të reflektojnë dhe të emocionojnë, por edhe të jenë një urë paqeje në këtë periudhë komplekse të përbërë nga luftërat në veri dhe në jug të botës.

A. Kosta: Cilat janë ëndrrat tuaja në sirtar? A mendoni se do t’i realizoni në të ardhmen?

Antonietta M: Kam shumë ëndrra, por një në veçanti, është, të shkruaj një libër autobiografik, dhe një roman dedikuar grave.

Intervistoi: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese

BIOGRAFIA

Antonietta Micali, Shkrimtare, Poete, Gazetare është diplomuar për Letërsi Moderne në Universitetin “La Sapienza’ në Romë. Më pas, ajo mori një Diplomë Master në Gazetari Kulturore dhe Komunikim, në Specializim në Shkrim dhe u kualifikua në një Kurs Trajnimi të Avancuar në Shkrimin Krijues dhe Redaktimin. Antonietta është Akademike në Shoqatën Tiberina si dhe Drejtore Kombëtare e Departamentit të Letërsisë të Akademisë Tiberina, Presidente e Konkursit Ndërkombëtar G. Belli – F. Lami, Drejtore e Katedrës së Grave dhe Zv. Presidente e Projektit Kombëtar kushtuar Njëqindvjetorit të Danilo Dolcit. E angazhuar në veprimtaritë shoqërore – kulturore, ajo merret me letërsi prej disa vitesh. Aktualisht jep mësim në Milazzo dhe beson fuqishëm se formimi i njeriut dhe i qytetarit të ardhshëm bëhet që në moshë të re. Antonietta organizon vazhdimisht konferenca dhe veprimtari kulturore. Antonietta i ka dashur librat që nga momenti kur mësoi të shqiptonte rrokjet e para njëra pas tjetrës, duke u harmonizuar me tingujt e çuditshëm të fjalëve. Krijimin e konsideron një udhëtim të brendshëm të shpirtit. Micali ka qenë Presidente e Qendrë Studimmore “Kardinali Giuseppe Guarino”. Shkruan trillime dhe ese për fëmijë, krijon dhe boton poezi në Itali dhe jashtë saj, bashkëpunon me shoqata dhe institucione të tjera, duke përfshirë Fondacionin Writers Capital International.

NËNË

Lëkura jote e regjur
nga koha dhe dhimbja,
mendime të thjeshta
jetë mundimesh.
Ti, Nënë e fortë dhe e vullnetshme
dite t’i kërkoje jetës
pavarësisht nga rruga e vështirë
udhën tënde vazhdon
me kurajo dhe vendosmëri.
Ti, bijë e një kohe të largët,
jetoje këtë kohë
me lehtësinë e flladit
e me kokëfortësinë dhe moshën e një lisi.

JE DASHURI

Je fryt i dashurisë,
me ty u bëra nënë.
Nuk ka gjë më të bukur
kur një grua
lind një tjetër grua.
Është të jetosh dy herë,
të përshkosh të njëjtën udhë,
të njëjtat shqetësime,
më pas vjen dita
që vajza ëndërron
“përgjithmonë” me atë që dashuron.
Lëshon shtrëngimin e dorës
që e shoqëron.
Ajo është dashuria që prodhon dashuri
sa udhë së bashku,
sa shumë mundime,
sa hëna, sa diej!
Muzika çorodit mendimet,
fjalët dhurojnë emocione,
të shikoj teksa rrotullohesh e lumtur,
një lot rrëshqet në fytyrën time
plot gëzim dhe nostalgji.
E di që i përket botës,
që nuk do të jesh më vetëm e imja.

DEDIKUAR TY

Imazhe shfaqen
në mendjen time
në mëngjes
porsi një rreze dielli
në mjegullën e kujtimeve.
Ndiej aromën
e bukës të sapo pjekur
shijoj shijen.
Shoh nënën time,
kurrë e lodhur nga mundimet.
U rrita
me bukë, sheqer dhe dashuri,
me buzëqeshje në fytyrë,
dhe shumë dëshirë të vrapoja.
Ndiej profumin
e salcës së domateve
në orën pesë të mëngjesit.
Rishoh shikimin e saj
që përkëdhel timin.
Macja më bën shoqëri,
e di që është e vetmja
që i kupton ëndrrat.
Me të tashmen rivishem
strehoj mallin tim.

Përktheu: Angela Kosta