Intervistë me Kristaq Janushin – regjisor, dokumentarist dhe publicist i mirënjohur dhënë gazetës letrare dhe kulturore “Nacional”

Intervistoi: Mujë Buçpapaj

Hyrje
Në këtë intervistë të veçantë, sjellim rrëfimin autentik të Kristaq Janushit – regjisor, dokumentarist dhe publicist i njohur – një figurë me kontribut të çmuar në fushën e kulturës dhe medias shqiptare për më shumë se katër dekada. Janushi është një prej atyre personaliteteve që, me pasionin dhe përkushtimin e tij, ka ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë shpirtërore, si në skenat artistike, ashtu edhe në ekranet televizive.
Në fokus të kësaj interviste është periudha e shërbimit të tij në Tropojë, përpara viteve ’90 – një kohë kur regjimi komunist ishte ende i pranishëm, por ku jeta kulturore në fshatin Tropojë të Vjetër rrezatonte gjallëri, pasion dhe identitet. Tropoja e asaj kohe kishte një jetë të pasur artistike e sportive: një shkollë të mesme të bashkuar, një kinema funksionale, një bibliotekë të pasur, trupë teatri amator dhe një ekip vajzash në volejboll që arritën kategorinë e parë kombëtare.
Përmes kësaj interviste, z. Janushi ndan kujtime të çmuara nga puna dhe jeta në këtë trevë, përmend figura dhe ngjarje që dëshmojnë për vitalitetin kulturor të zonës dhe për përpjekjet e përbashkëta për të mbajtur gjallë artin, traditën dhe frymën komunitare në një kohë sfiduese.
Ky rrëfim nuk është thjesht një retrospektivë personale, por një dëshmi me vlerë historike për një epokë, një vend dhe një komunitet që i dhanë kulturës shqiptare më shumë se ç’mund të imagjinohet.
M.B

Intervista:
Pyetje: Zoti Janushi, kur dhe si ka nisur rrugëtimi juaj profesional në Tropojë?
Përgjigje: Rrugëtimi im në Tropojë filloi në shtator të vitit 1975, menjëherë pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Me vendim të institucioneve të kohës, u caktova me punë në rrethin e Tropojës, konkretisht në fshatin Tropojë të Vjetër – një vend që do të linte gjurmë të pashlyeshme në formimin tim si njeri dhe si profesionist.
Mbërritja ime në Bajram Curri përkoi me takimin e parë domethënës: mjeshtri i folklorit Ali Mula, një figurë e shquar e kulturës popullore dhe mik i profesor doktor Foto Totit, kushëriri i burrit të kushërirës sime. Ai më ndihmoi me zemërgjerësi që të sistemohesha dhe më mundësoi kontaktin me Bajram Azirin, një shofer i zoti nga zona, i cili më shoqëroi deri në Tropojë.
Në Tropojë, u prita nga Sekretari i Partisë së zonës, z. Ibrahim Uka – një njeri i urtë dhe me vizion, që më mbështeti në hapat e parë. Seksioni i Kulturës më caktoi me detyrën e përgjegjësit të kulturës në fshatin Tropojë, ku nisën disa prej përvojave më të vlefshme të jetës sime.

Pyetje: Çfarë mbresash ruani nga Tropoja e asaj kohe? Si e përjetuat punën dhe jetën atje?
Përgjigje: Tropoja e Vjetër më doli përpara si një perlë mes maleve – një fshat piktoresk, i rrethuar nga pyje të dendura me gështenja, ku çdo bimë dhe frut rritej me bollëk, dhe ku mali i Shkëlzenit i jepte vendit madhështi të natyrshme.
Por më shumë se bukuria natyrore, ajo që më la më së shumti mbresa ishin banorët e saj – njerëz të mençur, të etur për dije, art dhe sport, mikpritës të rrallë dhe të rrënjosur në vlera të vjetra të kulturës shqiptare. Tropoja, në atë kohë, ishte një qendër e gjallë kulturore me një trashëgimi të pasur, që përfshinte një shkollë të mesme të bashkuar, një kinema funksionale, një bibliotekë me fond të pasur, një trupë aktive teatri amator, si dhe një ekip volejbolli për vajza që arriti të ngjitej në kategorinë e parë kombëtare në fund të viteve ’80.
Fillimisht, për t’u ambientuar, më ndihmoi shumë familja e artistit Shaban Mula, zëvendësi im në detyrë. Me gruan e tij Lirien, prindërit Ramë dhe Nifën, krijova një marrëdhënie të ngrohtë e mbështetëse që më ndihmoi të gjej vendin tim në komunitet. Aty e kuptova se arti dhe kultura kishin vërtet peshë në jetën e përditshme të njerëzve.

Pyetje: Cilat ishin objektivat dhe arritjet tuaja kryesore në atë periudhë?
Përgjigje: Objektivat e mia ishin të qarta: ringritja e jetës kulturore në fshat në të gjitha dimensionet. Bashkë me banorët, ngritëm nga e para Muzeun e Fshatit, sistemuam dhe pasuruam bibliotekën, promovuam emulacionin socialist, dhe morëm pjesë aktive në propagandën e aksioneve bujqësore e blegtorale, që ishin pjesë e jetës kolektive të kohës.
Por krenaria ime më e madhe ishte puna me grupin artistik dhe teatrin amator, të cilin e rikrijuam me pasion. Çdo anëtar i grupit artistik u pajis me kostume popullore origjinale, të ruajtura me përkushtim nga vetë banorët – thesare të trashëgimisë që dolën nga sepetet për të ndriçuar skenën. Vallet, këngët, instrumentistët… të gjithë formonin një ansambël që gjithmonë dilte fitues në nivel rrethi dhe përfaqësohej denjësisht në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.
Në këtë udhëtim kulturor më ndihmuan mësuesit e shkollës bujqësore të Tropojës, të cilët ishin jo vetëm profesionistë të përgatitur, por edhe shokë të vërtetë. Veçanërisht do të përmend me respekt mësuesin Ali Bajraktari, që ishte përgjegjës i grupit të valleve për vajzat dhe një çiftelist i talentuar.

Pyetje: Cilat janë disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët që ju kanë lënë mbresa të veçanta?
Përgjigje: Janë të shumtë, dhe të gjithë të paharruar. Përveç Shaban Mulës, që mbetet figura më e afërt dhe e dashur për mua, përmend me respekt mësuesit Ferit Hyka, Skënder Doishlani, Zoje Hyka, Hasan Meta, Shpend Hoxha, Muharem Kuçana, doktorin nga Durrësi Edmond Qeramixhi, mësuesin e fiskulturës nga Korça, Petrika Trajani, agronomin nga Shkodra Fatbardh Volumi, veterinerin nga Dragobia Zenel Demiraj, veterinerin nga Shkodra Zef Paci, agronomin nga Vlora Lluka Babë, ekonomistin nga Vlora Vasillaq Mita, si dhe komandantët e pikave kufitare në Kamenicë – Ibrahim Totani nga Kavaja dhe Valentin Hida nga Tirana.
Të gjitha këto miqësi më kanë pasuruar shpirtërisht. Tropoja ishte dhe mbetet një përvojë unike, e cila më dha jo vetëm përvojë profesionale, por edhe njerëz të cilët sot i quaj miqtë më të mirë të jetës sime.

Pyetje: Kur u larguat nga Tropoja dhe si vazhdoi karriera juaj?
Përgjigje: Nga Tropoja u transferova në gusht të vitit 1982. U ktheva në Tiranë dhe u vura në dispozicion të Seksionit të Kulturës së kryeqytetit. Atë kohë shef ishte z. Spiro Gjikondi, ish-pedagogi im, i cili më dha mundësinë të drejtoj dy nga aktivitetet më të rëndësishme të kohës: koncertin për 40-vjetorin e Ushtrisë dhe Kongresin e 8-të të Rinisë. U vlerësova për punën time dhe më pas u emërova përgjegjës kulture në fshatin Zall Dajt të rrethit të Tiranës, ku qëndrova për katër vite dhe organizova një grup artistik që u vlerësua në Festivalet Folklorike dhe Dekadat e Majit.
Në vitin 1986 u emërova drejtor i Shtëpisë së Rinisë Nr. 1 në Tiranë, ku formova grupin e parë me instrumentistë dhe këngëtarë. Aty filluan hapat e para disa nga artistët më të njohur sot: Redon Makashi, Bledar Sejko, Artjola Toska, Ilir Balla dhe të tjerë.

Pyetje: Cfare pune keni bere pas vitit 90?
Pergjigje: Pas vitit 90, me ndryshimet drastike qe ndodhen si edhe me mbylljen e aktiviteteve artistike dhe kalimin e Shtepise se Rinise ne Degen e Partise Demokratike, me ndihmen e z.Shaban Memia, ne ate kohe Sekretar i Deges se Partise Demokratike Tirane, deri ne vitin 1997 kam punuar si Administrator i Deges se Partise Demokratike Tirane.
Me pas, me iniciativen e Deges se Partise Demokratike Tirane, me kuoten 10%, te bizesmeneve Italiane Gianfranco Luizi dhe Domeniko Verna me kuoten 45%, dhe te biznesmenit shqiptar Ardian Takaj me kuoten 45%, u krijua dhe filloi aktivitetin Televizioni Tele Arberia, ku kam punuar si drejtor, pune te cilen e vazhdova deri ne vitin 1998. Angazhimet e mia te mevonshme kane qene Drejtor i Neser TV, Real TV, Adriatik TV dhe gjate kesaj kohe edhe korrespondent i RAI-it, DSF dhe TSF.

Ne vitin 2000 filloi puna ime si menaxher i TV lokale dhe ne realizimin e dokumetareve, duke punuar per keto te fundit me emra shume te njohur si regjizoret Kujtim Gjonaj dhe Saimir Kumbaro dhe operatorin Ilia Terpini. Detyra ime ne keto vepra ka qene here operator, here asistent regjizor, derisa me kalimin e kohes dhe eksperiencen e fituar, fillova krijimtarine time si regjizor, njekohesisht skenarist dhe operator. Ne kete periudhe numerohen rreth 29 dokumentare, prej te cileve kater jane teresisht krijimtaria ime.

Pyetje: Nje pyetje te fundit, cfare projektesh keni tani?
Pergjigje: Per momentin projektet e mia jane pese dokumentare me porosi, dy ne zonen e Pogradecit dhe te Korces, nje per Kalane e Lezhes, nje per fshatin Kcire ne Puke dhe nje te fundit per nje shkrimtar.Puna ime vijon pa nderprerje me shume projekte te rendesishme kulturore
-Ju faleminderit!