Intervistë me Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, zotin Skënder Lazaj. Nga Kozeta Zavalani

Me “Fjalët e Shpirtit”,… kurrë të mos dorëzohemi!

(

Muajin e kaluar, gjatë ditëve të qendrimit tim në Itali Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, na ftoi së bashku me miken poete Vitore Stefa Leka në edicionin e V-të të veprimtarisë së përvitshme “Fjalët e Shpirtit”. Me keqardhje që nuk mundëm të merrnim pjesë në këtë veprimtari të bukur, zhvillova një bisedë me kryetarin e saj, zoti Skënder Lazaj.
– Ndihem krenare kur jam jashtë Shqipërie dhe dëgjoj bashkatdhetarët tanë të flasin gjuhën tonë të bukur shqipe në çdo anë të botë. Ndaj edhe juve punoni me dashuri për gjuhën, që belbëzuat sa erdhet në jetë, gjuhën e nënës, stërgjyshërve, të rrënjëve tona, sepse gjuha e nënës të jep indentitet.
– Sigurisht që ne kemi mësuar gjuhën e vendit ku po jetojmë, se të mësuarit është kulturë, por pa harruar atdheun, që na ka gatuar me gjuhën, kulturën e zakonet shqiptare. Nese nuk dimë gjuhën e nënës, nuk kemi identitet kombëtar e nuk kemi me se të krenohemi.
Gjuha shqipe që në krijimet e saj është përballur me saktificat e shumta të shqiptarëve atdhetarë dhe ne me të njëjtën mënyre e ruajmë dhe ua trashëgojmë brezave, sepse njerzit e kulturuar dinë të ruajnë vlerat e tyre dhe t’i shfaqin ato kur u kërkohet.
– Edhe juve në vazhdimësi të mësimit të gjuhës shqipe nga brezi i ri, keni organizuar veprimtarinë – Fjalët e shpirtit. A mund të mësojmë për fillimet e kësaj veprimtarie?
– Në dhjetorin e vitit 2015, pas shumë idesh dhe shumë angazhimesh, u vu në akt edicioni i parë eventit “Fjalët e Shpirtit”, duke zbuar të gjitha pasiguritë e rrugëtimit drejt së panjohurës. Protagonisti kryesor ishte Presidenti themelues i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, poeti me talent të rrallë krijues Tonin Nikolli. Pati mbështetje të gjerë nga thuajse të gjitha organizimet shoqërore në veri të Italisë.
Para shtatë vitesh, ky event u pëlqye jashtë mase dhe mbi këtë bazë lindi dëshira dhe vullneti ta bëjmë veprimtari të përvitshme të Lidhjes. Dhe kështu arritën të realizojmë më 30 tetor 2022 evdicionin e pestë, por këtë herë me një keqardhje përnjë spostim. Ish-Presidenti i parë, i diktuar nga lëvizjet migratore, shkoi të jetojë në Zvicër.
– Mendoj se vetëm nëpërmjet frymës së bashkëpunimit, arrijtët rezultatet e dëshiruara.
– Po. Drejtuesit e Lidhjes i kërkuan bashkëpunimin Shoqatës Alba dhe drejtuesja e palodhur Alma Marku u vu në kontakt me organet drejtuese komunale, për të siguruar mjedisin ku do të zhvillohej eventi në fjalë. Ishte hera e dytë dhe falë njohjeve e bashkëpunimit të sinqertë, u arrit të gjendej mundësia e të zgjidhej problemi që kishim, duke zyrtarizuar gjithçka duhej, sipas rregullave. Drejtuesit e Lidhjes, që ishin edhe organizatorët kryesorë të aktivitetit, ndanë detyrat për secilin, ku barra më e rëndë i takoi rinisë kryesuar nga dr. Dolores Duka, njëkohësisht edhe Sekretare historike e Lidhjes.
Falë komunikimeve të shumta miqësore e profesionale, u vumë në kontakt me personelin e disa shkollave që janë të angazhuara në mësimin e gjuhës shqipe fëmijëve që jetojnë këtu. Po ashtu, u vumë në kontakt me persona që vazhdojnë me sukses veprimtarinë e tyre krijuese nga Lidhja dhe përsona të tjerë të njohur në botën e artit. Mbërritëm konfirmimet, u hartua programi dhe gjithçka ishte gati. Gjatë grumbullimit na prezantuan edhe tre të rinj që jetonin në Gjermani.Kishin ardhur tek njerëzit e tyre, profesorët e përkushtuar Irena e Dritan Mashi dhe bashkë me ta, u gjendëm në eventin që zhvillohej në Calcinato, afër qytetit verior Brescia.
– Kam njohuri që Brescia themeluar mbi 3200 vjet më parë ndodhet rrëzë Alpeve, disa kilometra larg liqeneve Garda dhe Iseo. Qyteti i tij i vjetër përmban ndërtesat publike romake më të ruajtura në Italinë veriore dhe monumente të shumta, mes tyre kështjellën mesjetare, katedralen e vjetër dhe të re, Piazza della Loggia të Rilindjes dhe Piazza della Vittoria. Zona monumentale arkeologjike e forumit romak dhe kompleksi manastir i San Salvatore-Santa Giulia janë bërë një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
– Pikërisht në Piazza Bertini, u zhvillua veprimtaria në bashkëpunim me shoqatën “Alba Calcinato” dhe atë italiane “Pro Loco Ghiedi”.
Ishte një ditë mrekullisht e bukur, me një diell rrezëllitës. Në sallën e prenotuar dhe e siguruar falë komunës së Calcinato (Brescia) një mrekulli tjetër na priste pikërisht në sallë, një diell ndofta edhe më i ngrohtë, ai i poezisë, që gumëzhinte prej vogëlushëve, nxënës të shkollave shqipe të shoqëruar nga prindërit dhe mësuesit, përfaqësues të shoqatave, autorë, si dhe anëtarë të Lidhjes. Prezantuesja jonë, njëherësh sekretarja e Lidhjes, Lori Duka, filloi prezantimin së bashku me një tjetër antare të Lidhjes sonë, e mira Arjeta Previzi.
Pas përshëndetjeve dhe mirëseardhjes nga ana jonë, aktiviteti filloj nën melodinë e muzikës shqiptare ku nxënësit e shkollës “Mësonjtorja” Brescia, të stolisura me kostume popullor, në kujdesin e shoqatës “Komuniteti Shqiptar në Itali” përformuan vallet tona të bukura.
– Pra pjesëmarrje kishit mjaftueshëm, sepse ishte edhe mbyllja e muajit tetor, të quajtur edhe muaji letërsisë dhe arteve, plot veprimtari të ndryshme.
– Një sallë e tejmbushur, me artistë Shqiptar dhe Italian, përfaqësues të autoriteteve vendore si kryetari dhe asesorë të komunës pritëse Calcinato si dhe asesorja e kulturës së rajonit të Lombardisë, një surprizë e bukur kjo, gjithashtu përfaqësit e trupit diplomatik të Republikës së Kosovës të akredituar në Milano me kryekonsullin z. Diamant Kastrati si dhe Konsullata e Republikës së Shqipërisë në Milano, përfaqësuar prej oficeres së diasporës znj. Luljeta Cobanaj, të cilëve i’u dha fjala e rastit ku shprehën mendimet, emocionet dhe falënderimet për aktivitete të tilla në mbështetje të komunitetit, të gjuhës amë, artit dhe kulturës sonë, për më tepër autoritet Rajonal të Lombardisë të cilët veçmas shprehën mahnitjen e tyre si dhe gatishmërinë institucionale për bashkëpunim dhe mbështetje logjistike dhe financiare për aktivitetet e radhës, që do të ketë së shpejti e në vazhdimësi Lidhja jonë.
Menjëherë më pas filloj debutimi i konkurruesve në interpretimin e poezive në gjuhën e Nënës me autorët tanë Kombëtar, nën mbikëqyrjen e mprehtë të komisionit të vlerësimit përbërë nga profesorët e gjuhës dhe letërsisë, njëherësh dhe anëtar dhe këshilltar të Lidhjes, z. Ndue Shabaku, znj. Fabiola Sali dhe kryetar i komisionit z. Myftar Gjonbalaj .
Cicërimat në gjuhën shqipe elektrizuan sallën e tejmbushur, dhe publiku italian i bashkohej pa ekuivok atij shqiptar, një atmosferë e magjishme.
Shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi i mirënjohur, letrari i mbi gjashtëdhjetë titujve në përkthim, autor i disa romaneve të botuar e ribotuar disa herë dhe i vlerësuar me disa çmime kombëtar e ndërkombëtar, më i fundit Çmimi kombëtar “Gjergj Fishta “ z. Durim Taci në fjalën e tij shprehu mirënjohjen për ftesën dhe dëshirën për t’u anëtarësuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, e cila u pranua menjëherë.-
– Thatë që në veprimtari kishte pjesëmarrës edhe nga vendasit italianë, e autoritetet drejtuese që përshëndetën veprimtarinë tuaj, që tregon edhe bashëpunimin tuaj me autoritetet lokale.
– Po! Veprimtarinë e përshëndeti Kryetarja e Komunës Calcinato (Brescia), zonja e nderuar Nicoletta Maestri, e cila vinte për herë të dytë në këtë event. Ajo çmoi shumë veprimtarinë kulturore, duke na stimuluar që të angazhohemi gjithmonë, se kështu kemi prezent gjithmonë vendin ku kemi rrënjët.
– Ju sjell përshëndetjet nga Rajoni i Lombardisë, – nisi fjalën e sajzonja Claudia Carzeri, e cila është në rolin e lartë si këshilltare e këtij Rajoni. Ajo e cilësoi veprimtarinë tonë si kontribut faktik për të zhvilluar e shpalosur traditat kulturore, sepse u takon personave të ndërtojnë urat lidhëse mes popujve. Dhe ky realitet flet vetë.
Ing. Viviana Ponzoni, e cila është komunikuesja e drejtpërdrejtë me ne si lëvizje shoqrërore dhe përçuesja e kërkesës për sallën e Teatrit në Këshillin e Bashkisë ku bën pjesë, nën dritën e bashkëpunimit edhe të forumit për barazinë e të drejtave gjinore, përgëzoi komisioneret zonjën Alma e dr. Blerina.
– Le të vazhdojmë me ecurinë e veprimtarisë, që ishte e ndarë në dy pjesë
– Ishte drejtuesja Lori që përmendi rregullat e dy konkurseve dhe ftoi jurinë të ndiqte me vëmendje ecurinë e eventit. Në pjesën e parë të eventit ishin vënë në garë recituesit e pesë shkollave pjesëmarrëse. Freski alpine solli një skuadër e bukur që kishte zbritur nga Trentino, për të shoqëruar nxënësit e shkollës “Gjergj Fishta”. Një skuadër simpatike erdhi nga Reggio Emilia bashkë me nxënësit e shkollës shqipe pranë tyre. Tre shkolla ishin të shtëpisë nga Brescia; “Shqiponja”Valecamonica, “7 Marsi” Calcinato e shkolla autoritare “Mësonjëtorja” nga qyteti Brescia. Për t’u theksuar është prezantimi me shumë dëshirë e me shumë pasion i fëmijëve. Protagonistët e vegjël përcollën momente madhështie dhe interpretimi i tyre u mirëprit e duartrokit nga publiku.
Gjatë kësaj pjese të aktivitetit, nuk mungoi spektakli. Kishte menduar e kishte punuar shkolla “Mësonjëtorja”, jo vetëm me recituesit, por edhe me vallet. Ngjalli atmosferën në nisje të eventit “Katjushka” e interpretuar për bukuri e me veshje tradicionale grupi i valleve me koreografe mësuesen Adelina Qeveri dhe vajzën e saj Amantia. Nxënësit e shkollës shqipe në ReggioEmilia kombinuan një mozaik me famurin kuq e zi të Shqipërisë, flamurin yjor të Kosovës dhe flamurin trengjyrësh të Italisë, si simbol i ndërlidhjes mes kulturave e vetë popujve.
Përsëri valle dhe përsëri grupi i valleve të shkollës “Mësonjëtorja”
Po aq e bukur ishte edhe gara mes poetëve të afirmuar. Ata kishin dërguar materialet përpara dhe juria ishte njohur dhe i kishte analizuar përpara dhe ishte gati të dëgjonte prezantimin nga vetë autorët, për vendimin final. Në mungesë, recituan poezitë e tyre drejtuest e eventit; Arjeta dhe Lori. Moment i bukur ishte prezantimi i poezisë nga shkrimtari e poetii suksesshëm e me përvojë Shefqet Sulmina, nga Elbasani, dhe përshëndetja e shkrimtarit e skenaristit Durim Taçi, i cili u bë edhe anëtar efektiv i Lidhjes sonë.
Kësaj here i ftuar ishte edhe një instrumentist, të cilët shumë herë mbeten në plan të dytë, pasi vëmendja drejtohet më shumë tek këngëtarët. Preng Nikolli nga Shkodra, i cili ka marrë pjesë në disa Festivale Folklorike Kombëtare, për të përfaqësuar folklorin e Shkodrës, dhe ka bashkëpunuar me shumë këngëtarë popullorë, që është edhe mjeshtëri i punimit të veglave muzikore idiofone e frymore, në skenë luajti një melodi me çifteli për të pranishmit.
– Patët edhe çmime vlerësuese, që besoj ishte detyra juaj më e vështirë.
– Siç e përmenda, juria e kishte filluar punën më parë. Ne e kishim të freskët gëzimin e një bashkëpunimi të mëparshëm e rasti e solli që përsëri ne anëtarët prof. Fabiloa Sali, Ndue Shabaku e kryetari prof. Myftar Gjonbalaj, të kishim detyrën jo dhe aq komode të jepnim çmimet.
Juritë e kanë të vështirë të evitojnë 100% subjektivitetin. Kjo vjen nga dy vështirësi objektive. E para, fëmijët i dëgjojmë për herë të parë dhe mbetet më shumë një përshtypje e çastistit. E dyta, disa autorë i njohim mirë, u dimë mënyrën si arrijnë tek thelbi e kuptojmë elementet që përbëjnë stilin. Kjo nuk është e mundur për autorë që i hasim për herë të parë dhe ndoshta, nuk arijmë të perceptojmë drejt elementet që jep në krijim.Po ashtu, edhe kategoria e poezisë së zgjedhur, jo gjithmonë është e përshtashme për konkurs. Por duke qenë të të njëjtit profesion, kemi pasur një përkim mendimesh impresionues, sa kur lexonin shënimet e mbajtura për recitimet, nuk na besohej. Kjo edhe për faktin se Kryetari i jurisë ka përgatitje profesionale të admirueshme dhe përvojë tepër të madhe. Ndaj ka ditur të na orientojë në pikat e momentet se ku të përqendrohemi dhe kështu u bë garanci për punën tonë vlerësuese.
– A mund të njihemi me fituesit e çmimeve?
– Juria dha këto çmime për dy kategoritë e konkuruesve:
* Për kategorinë e recituesve;
Çmimi i Publikut – Aseljana Sela, shkolla “Shqiponja”, RegioEmilia.
Çmimi i Tretë – Erika Kosta, shkolla “Mësonjëtorja”, Brescia.
Çmimi i Tretë – Liza Vukaj, shkolla “Gjergj Fishta”, Trentino.
Çmimi i Tretë -Serena Kodra, Shkolla “Shqiponja”, Valecamonica (BS).
Çmimi i dytë – Gjulio Nikolli, shkolla “7 Marsi”,Calcinato (BS).
Çmimi i dytë – SaraYzeiraj, shkolla “Mësonjëtorja, Brescia.
Çmimi i Parë -Marjel Vila, shkolla “Shqiponja” ReggioEmilia.
* Për kategorinë e autorëve;
Çmimi i Tretë – Daniela Dante (poete italiane).
Çmimi i Tretë – Mimoza Leskaj.
Çmimi i Dytë – Trandafile Molla.
Çmimi i Dytë – Tonin Nikolli.
Çmimi i parë – Fatmir Gjata.
– Shumë urime, përgëzime e suksese gjithë fituesve!
– Dua të theksoj se Piktori Xhemal Lufta ka qenë për dekada mësuesi i arteve figurative në ish-shkollën Normale në Elbasan. Kam fiksuar një detaj të këmbënguljes së tij kur na vinte përpara një tablo a kuadër ilustrues. Na pyetse:
– Si ju duket?
– E bukur, – përgjigjeshim ne.
– Pse është e bukur? – ishte e pashmangshme pyetja pasuese. Qëllimi i tij ishte që ne ta gjenim e ta interpretonim këtë bukuri të maskuar të piktorit.
Kështu edhe të pranishmit e eventit “Fjalët e Shpirtit”, shprehën kënaqësi e konsiderata.
– Po konkretisht, çfarë vlerash pozitive pati zhvillimi i këtij eventi?
– Po përmend vetëm tre argumenta;
Së pari, fëmijët mbajnë kontakt të drejtpërdrejtë me gjuhën tonë, me fjalën artistike, me kulturën tonë e me etnorafinë tonë, që janë elemente të identitetit si komb. Përmes këtij kontakti ushqehen dhe zgjohen dëshira që këto lidhje me vendlindjen të shtohen e flaka e zjarrit që provokon vendlindja, të mbesë gjithnjë e ndezur.
Se dyti, ne si komunitet, i demostrojmë mjedisit shoqëror ku jetojmë, se kemi vlerat e identitetin tonë dhe njohjen e intergrimin e bëjmë më normalisht përmes larmisë së vlerave.
Së treti, ka vlera të padiskutueshme shoqërore. Sepse në këto veprimtari ne shkojmë edhe për motivin se takojmë miq e shokë, kolegë e bashkëpunëtorë të specialiteteve të ndryshme. Flasim për kujtimet e eksperiencat nga vendlindja, për angazhimet tona relativisht të vogla këtu ku jetojmë dhe këto bëhen motiv lidhjesh, marrëdhëniesh e bashkëpunimesh miqësore. Përmendim gjestin bujar të çiftit Antoneta e Ahmet Bendo, të cilët ofruan për të gjithë të pranishmit kafe apo diçka për të pirë. Një pjesë u mblodhëm në në darkë, ku patëm rastin të rrinim me çiftin Alban e Lujeta Çobanaj. Koordinatorja Luljeta dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës Diamant Krasniqi ishin të pranishëm e përshëndetën në event, pikërisht për të qenë pranë njerëzve që kanë vullnetin e pastër për të punuar. Por edhe vullnetin për të interpretuar. E gjatë interpretimit të një vallje, një vajze të vogël iu krijua një vështirësi me kostumin. Virtuozja nuk e ndërpreu vallen dhe e çoi deri në fund. Në momentin kur publiku duartrokiste vallëtaret e vogla, që i dhanë tonin veprimtarisë, prezantuesja “rebele” Arjeta mori vajzën për dore, u vunë në plan të parë dhe iu drejtua publikut:
– E patë pengesën që iu krijua vallëtares së vogël, por ajo nuk e ndërpreu për asnjë çast vallen. Ky gjest përcjell mesazhin që kurrë, kurrë të mos dorëzohemi!
– Mesazh shumë i bukur, që tregon vazhdimësinë e punës suaj fisnike. Ndaj ju uroj suksese gjithmonë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here