Intervistë me poetin Bardhyl Maliqi. DUKE DËGJUAR “ZËRAT E DETIT”. Bisedoi: Timo Mërkuri

Timo Mërkuri:Zoti Bardhyl Maliqi! Duke mbajtur në duar librin tuaj më të ri “Zërat e detit”, duke kujtuar edhe librat e mëparshëm “Ankthi i statujave” dhe “Perandoria e zogjve shohim se, në këtë kohë kur letërsia është në “krizë” sepse lexohet pak, ndërkohë që poezi lexohet shumë pak, pikërisht në këtë kohë “krize” ju vazhdoni të lëvroni poemën, llojin letrar që lexohet edhe më pak. Kjo është sfida juaj apo thjesht rrjedhë normale e pasionit tuaj?

Bardhyl Maliqi: -Ju më pyesni si shpjegohet, që jam një nga poetët e rrallë që shkruaj poema. Mos harroni se Historia e letërsisë botërore fillon pikërisht me poema, më lejoni t’iu rikujtoj p.sh. Epin e Gilgameshit, Mahabharatën, Iliadën, Odisenë etj. Dhe unë jam në udhën e traditës së poemës botërore dhe kombëtare. Naimi, De Rada, Fishta e deri vonë Kadare, Agolli, Arapi e në ditët tona Skënder Buçpapj e Visar Zhiti etj. si edhe unë, shkruajmë poema. Në 5 librat e mi poetikë të publikuar dy janë vetëm me poema “Ankthi i statujave” dhe “Perandoria e zogjve”, 3 janë me vjersha e poema. Le ta marrim të mirëqenë se unë shkruaj kryesisht poema.

Timo Mërkuri: Pyetja ime synonte te libri juaj i fundit.

Bardhyl Maliqi:Me qenë se e keni fjalën për librin tim të fundit me vjersha e poema, që e ka titullin “Zërat e detit”, aty siç e kini parë dhe ju vetë krijimtaria ndahet në tre pjesë.
a-Në pjesën e parë ka poezi të tipit akrostikë, të cilët konceptohen në dy mënyra: si shkrimi vertikal i fjalës kryesore varg pas vargu ose strofë pas strofe. Këto zënë rreth 30 faqe.
b-Grupi i dytë janë poezitë refleksive të konceptuara si një përmbledhje estetike e mbresave të mia nga leximi i autorëve shqiptarë ose të huaj. Ndodh që këto të jenë edhe mjaft të gjëra e të ndërfuten edhe në pjesën më të gjerë të librit me poema. Ato janë shkruar gjatë leximit ose përfundimit të një libri përkatës ose gjithë krijimtarisë së një autori.
c-Pjesa e veçuar zë rreth 50 faqe. Bashkë me pjesët e poemave si “Presheva nuse përdëllimi” apo “Për kë bien kambanat ” shkojnë 80 faqe. Këto lloj poezish refleksive janë vërtet të rralla, për të mos thënë se janë krejt origjinale, pra të miat si lloj letrar.Ato nuk i shkruan dot kushdo. Unë jam mësuar të lexoj vargjet, por edhe mes vargjeve, vertikalisht, apo në diagonale, për të marrë një tërësi kuptimesh. Kjo dhe puna mësimore me fjalët kyçe më çuan vetë tek poezitë refleksive.
Miku im, kjo kohë nuk i përket krizës së leximit, por krizës së librit, pasi vendin e tij e kanë zënë bibliotekat e hapura si televizioni, fb, leximi online, etj. Nuk lexohet letërsia
artistike aq sa më parë, por lexohet përgjithësisht më shumë. Facebook është një nga këto biblioteka të hapura, Twitër apo Istagram tjetra. Vërtet poemat e gjata si “Iliada” me 15.000 vargje,“Lahuta e Malcisë” e Fishtës me 17.000 vargje apo romani “Lufta e paqja” e Tolstoit me 1500 faqe duan të marrësh lejen e 15 ditëshit të pushimeve që të mundësh të lexosh një libër. Në kohën kur u shkruan këto vepra nuk kishte radio e televizon, jemi larg epokës së elektricitetit. Tani jemi në kohën e shpejtësive marramendëse Megjithatë poemat e sotme janë nga 2 deri në 10 faqe, jo më shumë, pra ato mund të lexohen lehtësisht.
Për sa i përket pyetjes suaj besoj se jeni ndikuar edhe prej faktit që Ju në gjithë krijimtarinë tuaj poetike keni shkruar vetëm poezi të shkurtra dhe nuk e keni lëvruar poemën, por ama keni shkruar studime mjaft të gjata për Iso polifoninë, për baladat etj.
Timo Mërkuri:- Sigurisht që një arsye më “konkrete”, më personale e keni në jetën tuaj që ju motivon. Kjo na intereson, jo thjeshtë si një kureshtje.

Bardhyl Maliqi: Për sa më përket mua do të thosha se dy janë arsyet kryesore, e para lidhet me faktin se unë në fushën e arsimit kam lëvruar edhe “troje” të tjera, p.sh, mësimdhënien krahas letërsisë edhe të lëndëve të tjera shoqërore apo të djathtësive p.sh. vizatimit dhe pikturës apo lëndëve shoqërore si filozofia dhe psikologjia, sociologjia, edukimi qytetar etj., apo dhënia në Universitet e Teorisë së Letërsisë, morfologjisë dhe fjalëformimit të gjuhës shqipe apo asaj ruse. Kështu shumësia e dijeve krahas leximeve të letërsisë artistike apo shkencore në këto fusha vjen dhe derdhet në krijimtarinë artistike në disa forma, si: poemat, studimet shkencore apo autoriale etj., që realisht të gjitha janë lloje letrare apo studimore relativisht të gjata. Gjithashtu unë kam shumë përvoja jetësore, që mbase të tjerët nuk i kanë ose të paktën nuk i kanë përjetuar si unë. Kam udhëtuar shumë, në shumë vise shqiptare dhe të huaja, të cilat e zgjerojnë këndvështrimin mbi botën. Gjetiu kam shkruar si u konceptua prej meje poema e shkurtër “Perandoria e zogjve”, sot do t’iu them se pse u titullua libri kështu.
Në një prej poemave pasqyrohet gjendja ime shpirtërore gjatë udhëtimit me avion, liria e vërtetë e fluturimit, mungesave e postblloqeve në qiell, e kufijve, doganave apo telave me gjemba, më dukej edhe mua vetja zog, ndaj qiellin e quaj Perandoria e zogjve se edhe avionët zogj janë, paçka se të hekurt dhe të duralumintë.
Timo Mërkuri: Parathënia e studiuesit kosovar Prend Buzhala më është dukur shumë interesante me këndvështrimin e tij mbi librin. Ju si e çmoni?
Bardhyl Maliqi: Prend Buzhala është autor dhe studiues mjaft i mirë. E dija që do të shkruante mirë, por ky studim më ka çuditur, sepse nuk është marrë fare me përmbajtjen e librit, me tematikën apo brendinë ideoartistike si zakonisht. Ai më bëri përshtypje me këndvështrimin e tij të veçantë siç janë hapësirat e e ekfrazës lirike, qëndrimin e artit për artin, për poezinë, skulpturën, pikturën, muzikën, filmin dhe teatrin ku studiuesi duke u mbështetur në disa referenca poetike të autorëve të mëdhenj merr një varg shembujsh për të argumentuar përqasjen estetike si në rastin me poezinë “Akrostik për Dashurinë”, që është në thelb një dialog i një vajze gjimnaziste me statujën e Johnn Lenon në Durrës. Gjithë vargun e poezive refleksive që mbështetet në librat apo në krijimtarinë e Hekuran Halilit, Ledina Brahos, Sotir Janit, Natasha Lakos, Ismet Ozelit, Lefter Voglit, Klaudja Çobos, Llambi Gjikulit, Stefan Martikos, Bilall Maliqit, apo Martin Camajt, por edhe poema “Dredhëza e erës” që i kushtohet Bilal Xhaferit, apo “Për kë bien kambana” që iu kushtohet dy krijuesve Moikom Zeqo dhe Silke Blumba, poema “Presheva nuse përdëllimi” që mbështetet në krijimtarinë poetike të Mexhid Mehmeti, ku raporti është arti për artin, poezia për poezinë, pra ekfraza lirike. Raportin midis poezisë dhe teatrit e trajtojnë poema te tilla si “Jeta është teatër apo teatri jetë”, “Arti që dhemb”, “Bir i bekuar i hises së diellit Bekim” kushtuar aktorit me famë botërore Bekim Femiu, apo “Zëri yt tulat stuhinë” kushtuar aktorit sarandit Anastas Nika. Ndërsa poema “Çatia” e shkruar në disa pentagrame është hulumtimi im poetik për muzikën e pikave të shiut.
Timo Mërkuri:Dje “kultivimi’ i poemave dhe paraqitja e tyre te lexuesi ishte monopol i disa ‘kopshtarëve”. Si e shpjegon “zhdukjen” e tyre në këtë kohë lirie.
Bardhyl Maliqi: Poemat nuk janë “zhdukur”, por mbase shkruhen më pak. Kohërat sjellin gjithmonë ndryshime. Në kohën e socializmit në Shqipëri kishte fare pak vetura e shumë trena. Numri i aksidenteve ishte mjaft i ulët e sot që morën të gjithë vetura e u zhdukën trenat kemi aksidente me shumicë. Sot u duket vetja të gjithëve poetë apo shofer. Kemi me dhjetëra e qindra autorë të mbirë si kërpudhat mbas shiut. Pikë vlere nuk kanë librat e tyre.
Timo Mërkuri: Konstatojmë se shumë poetë krijojnë një seri poezish me temë stil e formë të njëjtë, që të duket se janë copëzime të një poeme apo bashkimi i tyre në një krijim (poemë) do dukej tepër normal. Është si një diaman i madh i copëzuar në disa diamante.
Bardhyl Maliqi:-Dihet se një poemë mund të shkruhet edhe si një përmbledhje e poezive të veçanta me përafri tematike, por mund të ndodhë që ajo të pjesëtohet në dhjetëra poezi, që formojnë një libër poetik me lirikat më të bukura. Si krijues, sinqerisht unë të dyja nuk i konsideroj normale. Për mua poezia apo poema është ajo që vjen natyrshëm si e tillë. Kam provuar që nga ujërat e shpërndara nëpër deltat e grykëderdhjes së lumenjve poetikë të ngre poemat e mia, por më ka rezultuar e vështirë dhe me “firo” të madhe artistike. Shpërndarja e “lumit” poemë në përrenj e rrëke poezish është më e lehtë, por humbet forcën dhe bukurinë estetike. Krahaso madhështinë e një diamanti të madh mbretëror me copëra diamantesh të unazave. Të thashë se është punë pa dobi. Një grusht me xixëllonja mbeten xixëllonja, nuk bëhen dot vajza të bukura. E theksoj se tek unë poezia vjen si poezi e poema si poemë. Poemat është vështirë t’i zhbësh, atyre mund t’iu bësh vërejtje apo ndreqje, por ato mbeten brenda teje, sepse pas çdo poeme ka një histori, një ngjarje, apo personazhe realë të cilët nuk janë të drejtpërdrejtë, pasi këtu nuk sundon epizmi apo dramaciteti, por lirizmi që të kacavirret si kulpër apo çel gonxhe si trëndafilishte, gjelbëron si bari apo pjek fruta vjeshtake.
Timo Mërkuri: – Ju kini lëvruar poezinë, prozën, kritikën, studimet dhe poemat pothuaj gjithmonë dhe paralelisht. Ku ndjeheni më komod dhe më produktiv?
Bardhyl Maliqi -Po, shpesh ato janë lëvruar paralelisht. Besoj se kjo e ka origjinën tek ndryshimii drejtimit të studimeve të mia, që kanë qenë herë rastësore e herë të programuara. P.sh. vendimin për të shkuar në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja e mori babai pa më pyetur. Ndryshimin e profilit nga frëngjisht në rusisht e mori drejtori i shkollës, gjithashtu jashtë dëshirës sime.Këto dhe klima pedante në klasat e gjuhës ruse bënë që si kundërveprim të zhvillohen tek unë sythat e artit të lindur në arsimin tetëvjeçar, dashuria për pikturën, letërsinë dhe filozofinë si dhe sprovat për të shkruar në lloje e gjini të ndryshme. Vendimin që pas shkollës së mesme të gjuhëve të huaja të shkollohem për letërsi e mora unë. Ndryshimi i profilit në arsimin pasuniversitar ishte rastësi, pasi atë vit nuk kishte të drejta studimi për kritikë letrare apo thjesht letërsi apo teatër, ndaj unë zgjodha psikologjinë, që gjithashtu më pëlqente. Kjo bëri që edhe të doktorohesha në këtë drejtim.
Poema kam shkruar që në fillimet e mia letrare, ato janë rrugë e shkelur herët, prozat e shkurtra humoristike dhe karikaturat gjithashtu, kritika letrare dhe studimet lindën gjatë kohës kur punoja fshatrave në arsim. Ishte një mënyrë produktive të shpenzoje kohën e lirë, ndryshe i binte të pije raki koçimarje çdo mbasdite për të vrarë kohën, Edukata ime familjare nuk ma lejonte këtë. Të dy prindërit e mi kanë qenë arsimtarë ata më kanë edukuar dashurinë për librat dhe krijimtarinë.
Timo Mërkuri: Ju jeni një emër i njohur në fushën e letërsisë, me disa botime dhe me paraqitje gati të përditshme në portale dhe gazeta. Veç kësaj panorame të përgjithshme do dëshironim të dinim më shumë për krijimtarinë tuaj të botuar dhe të “mbetur në sirtar”.
Bardhyl Maliqi:Kjo është pyetja që e bëjnë të gjithë intervistuesit ndaj është e lehtë të parashikohet. Natyrisht edhe unë kam më shumë libra të mbetura në sirtar se sa të botuara. Jo të gjithë krijuesit janë me fat. Ndodhi që ranë në duart e mikut të tij Maks Brodit dorëshkrimet e Franc Kafkës, ndryshe emrin e autorit më të ndrituara të letërsisë botërore të shekullit XX bota nuk do ta njihte. Ndodhi që edhe unë të mos kem “fat” herët, në derën time “fati” trokiti me vonesë. Por më mirë vonë se kurrë. Duke qenë pa mbështetje financiare dhe pa strehim nuk mund të mendoja me përparësi për botimet. Botoja kur më vinte ndonjë rast dhe jo atë që doja unë, por atë që donin donatorët. P.sh. në 1998 shkrova një libër për talentet e reja. AEDP-ja Fondacioni për Arsimin Demokratik në Shqipëri më kërkoi një libër më gjithëpërfshirës, p.sh. si ai për qortimin e hartimeve, që u shkrua dhe botua menjëherë. Tjetri mbeti në sirtar.
Kështu mjaft libra me poezi, me humor, me proza të shkurtra, me ese letrare apo pedagogjike, punime për doktoratën etj. kanë mbetur të pa botuar.Por tani po troket sërish një stinë pozitiviteti, botova së bashku me një poete rumune librin me poezi “Shija e shikimit” në Bukuresht, njl libër me vjersha e poeme “Zërat e detit” dhe një me studimin tim të gjatë për prozën për të rritur të Mexhid Mehmetit “Vrasja e heshtjes”. Kam gati edhe një libër tjetër për 50 autorët e Sarandës me shkrimet e mia kritike apo paraqitëse nga viti 1984 e deri më sot që e titulloj “Kambanat e zgjimit”.
Timo Mërkuri: Ju urojmë që të “gjeni veshë” që ta dëgjojnë tingullin thirrje të saj për financim. Dhe faleminderit për përgjigjet tuaja, si përgjigje të interesimit të lexuesve.

Sarandë, më 04.02.2022

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here