Intervistë me Regina Resta, kritike letrare, shkrimtare, poete, eseiste dhe editore e njohur. Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta

Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta
Sot sjellim për lexuesit në gazeta Nacional, Presidenten e Shoqatës Ndërkombëtare VERBUMLANDIART.APS, kritiken letrare, shkrimtaren, poeten, eseisten, promovuesen dhe editoren Regina Resta.

Regina Resta ka lindur në Castellammare di Stabia (Napoli – Itali), më 20 qershor 1955. Pasi mbaroi studimet në Universitetin “Federico II” në Napoli për Shkenca Biologjike, ajo u martua dhe u transferua në Galatone (Lecce – Itali). Nënë e tre fëmijëve, midis përgjegjësisë dhe bashkëpunimit në Kreun e Famullisë Karitas në Dioqezën të Nardò-Galipolit për 40 vjet, Regina kultivon pasionin e saj si poete dhe shkrimtare.
Bashkëpunon dhe shkruan në media të ndryshme të letërsisë, ashtu sikurse edhe në anglisht. Ka bashkëpunuar me webtv myboxtv, në rubrikën e artit dhe kulturës “Verbumlandia” të ideuar dhe drejtuar prej saj.
Regina ka botuar disa nga veprat e saj në revistat kulturore kombëtare, duke përfshirë “Il Saggio – I Mençuri”. Shumë poezi janë pjesë e përmbledhjeve antologjike: “Donna… Mister, Art – Grua… Mister Art dhe “Versi Diversi – Vargje të ndryshme – XI dhe XII edition”.

Është fituese e këtyre çmimeve:

– Çmimi i 2°, me përmbledhjen: “L’ultimo Sogno – Ëndrra e fundit” në Çmimin e Parë Ndërkombëtar të Artit Europclub Messina (Taormina, 2010)

– Çmimi i 2° Ndërkombëtar me përmbledhjen “Amore… a kilometro zero – Dashuri… në kilometër zero “, Europclub Messina International Art, 2011

– Diplomë Nderi “Mario Luzi”, 2010

– Diplomë Merite “Il Saggio – Auletta Terra Nostra”, 2010

– Diplomë Merite XIII dhe XIV Edicioni i Konkursit Ndërkombëtar të Poezisë së Ebolit.

– Çmimi i Shtëpisë Botuese Montedit – Le Schegge d’Oro Series – (Libri i çmimeve), 2010

– Çmimi Kombëtar i Poezisë “Io Esisto – Unë Ekzistoj”, 2011 i U.I.L.D.M. Sec. Di Ottaviano (Na)

– Përmendje Nderi në Konkursin e Parë Kombëtar të poezisë Taranto “A come amore”, (2011)

– Çmimi i 2° në Konkursin Kombëtar Letrar 2011, “Con… Versi… amo al Casale”, Miqtë e Bibliotekës Komunale San Salvatore (Telesino)

– Diplomë Finaliste për Antologjinë “Accademia Gioacchino Belli”, (Romë – 2011)

– Mirënjohje Çmimi për Kulturën i Çmimit Juan Montalvo, në vitin 2015, si dhe shumë çmime të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

Regina Resta è Autore e shumë veprave poetike ndër të cilat më të rëndësishmet janë:

– “Graffi di vita – Gërvishtje jete” (2009)
Në këtë përmbledhje ka disa poezi të vlerësuara me çmime “L’ultimo sogno – Ëndrra e fundit” (2010), Çmimi i 2-të Europclub Messina “Amore… a kilometro zero – Dashuri… në kilometër zero”(2011), Çmimi i parë Europclub Messina
– “Al mercatino delle pulci – Në markatën e pleshtave” (Edit – Santoro, 2013)

– “L’Amore è passeggero – Dashuria është kalimtare” (Edit Santoro, 2015)

– “Voglia di avere Voglia – Dëshira për të pasur dëshirë”, përkthyer nga Mirjana Dobrilla dhe botuar në Serbi nga revista Maidan, 2016

– “Essere solo me stessa – Të jem vetëm vetvetja”, përkthyer nga Mirjana Dobrilla dhe botuar në Serbi nga Zlatomir Iovanoviç, 2022

Regina është autore e recensioneve dhe eseve: Sergio Camellini, Annamaria Mangione, Gennaro Carrano, Max Loy, Pierfranco Bruni, Bhagirath Choudhary, si dhe të kritikave letrare si në italisht po ashtu edhe në anglisht.
Në vitin 2015 mori Pllakën për Kulturë në Çmimin Juan Montalvo në vitin 2015, me Guaman Jara Allende Neumane, Alessandro Quasimodo, Hafez Haidar.

Qendra Lunigianese e Studimeve Danteske, organizuesja e Çmimit Ndërkombëtar të Poezisë për Paqen Universale “Frate Ilaro del Corvo”, e emëroi Ambasadoren të Paqes.

Regina ka marrë Çmimin e Kritikës, 2016 nga Çmimi Ndërkombëtar i Poezisë për Paqen Universale “‘Frate Ilaro del Corvo”.

– Çmimin për Karrierë në “Çmimin Angeli” nga Aida Abdullaeva (Pesaro, 2018)

– Doktoratë Nderi nga Universiteti i Beogradit për Letërsi, në vitin 2020

– Çmim në Konkursin Ndërkombëtar të Artit Letrar “La città della Rosa”, edicioni 2020, Çmimi i Paqes në Çmimin Ndërkombëtar De Finibus Terrae VI, edicioni “La Città bella” nga Dr. Mariateresa Protopapa

– Në vitin 2021 Çmimin Ndërkombëtar Apollo Sirmiensis – Beograd

– Çmimi Internacional “Michelangelo” Andaluzia, (2022)

– Në vitin 2023 Çmimin e “I Divinamente Donna D’eccellenza” në Romë në Sallën Zuccari të Senatit

– Nëntor 2023 edicioni 1° i Çmimit “Shembulli i Mirë” në Pesaro në Pallatin e Muzeut Aleksandër të Kontit Alessandro Marcucci Pinoli

– Në vitin 2024, Çmimin Special në Çmimin VI Letrar “Bamirësi është të dhurosh” nga Luciano Manfredi

– Çmimi Ndërkombëtar Giant of Global Culture International Award Mil Mentes por Mexico, 2024

Në vitin 2020, ideoi dhe botoi si Drejtoreshë Editoriale VERBUMPRESS
(https://www.verbumpress.it/), revistë kulturore dymujore me Drejtor Përgjegjës Roberto Sciarrone, gazetar, historian, pedagog në Universitetin “Sapienza” në Romë.
Krijesa më e rëndësishme e saj, është Shoqata Ndërkombëtare VerbumlandiArt.Aps të cilën e themeloi në vitin 2013, ku është Presidente.

– Anëtare Nderi e Jurisë së Çmimit Ndërkombëtar “Dafne” nga Marina Pratici, 2021

– Anëtare themeluese dhe Zv. Presidente e Assit. “Angeli-Aps” të Aida Abdullaeva

– Në vitin 2019 themeloi lëvizjen artistike “Ngjyrat e Salentos”

– Në vitin 2022, organizoi “Catena Donna” për Paqen, ligjshmërinë dhe mbrojtjen mjedisore me figura femërore nga bota e kulturës ndërkombëtare dhe mbështetjen e një komiteti me figura të shkëlqyera burrash të kulturës.

– Gjithashtu në vitin 2022 krijoi projektin DIVINAMENTE DONNA, kundër dhunës gjinore

Në 25 Tetor 2024, organizoi dhe bëri prezantimin e autorëve të poezisë, narrativës dhe eseve: Edicioni XI i Çmimit Ndërkombëtar të Përsosmërisë “Città del Galateo-Antonio De Ferrariis” (Milano), event i cili u trasmetua në lajmet e kanalit televiziv Tg4

– INTERVISTA –

A. Kosta: Përshëndetje Regina… Mirësevini në Shqipëri dhe në gazetën NACIONAL. Lexuesit do të donin t’ju njihnin: kush është Regina Resta?

Regina. R: Faleminderit për ftesën dhe mikpritjen! Unë kam lindur në Castellammare di Stabia në provincën e Napolit, nga nënë napolitane dhe baba pugliese nga Galatone (Lecce). Në moshën 23-vjeçare u martova dhe shkova të jetoja në qytetin e babait tim në Puglia. Gjithmonë kam pasur një pasion të madh për artin dhe kulturën. Kjo më nxiti të bëhem promotore kulturore, dhe më shtyu të themeloj Shoqatën Ndërkombëtare VerbumlandiArt Aps, e cila nxit dialogun ndërkulturor dhe u jep hapësirë artistëve dhe shkrimtarëve ndërkombëtarë. Jam gjithashtu mbështetëse e pasionuar për paqen dhe respektin reciprok midis kulturave.

A. Kosta: Cila është arsyeja juaj kryesore dhe themelore për të udhëhequr Shoqatën e rëndësishme ndërkombëtare Verbumlandi Art?

Regina. R: Misioni im është të përhap kulturën e paqes dhe dialogut midis popujve. Besoj se arti dhe letërsia janë mjete të fuqishme për ndërtimin e urave mes njerëzve. Për mua, të udhëheq VerbumlandiArt-in, do të thotë të jem në gjendje t’u jap një zë artistëve dhe shkrimtarëve nga të gjitha prejardhjet, duke u ofruar një vend për t’u takuar dhe shkëmbyer opinionet e tyre në lidhje me letërsinë, artin dhe kulturën. Ëndrra ime është të bashkoj botën nëpërmjet bukurisë dhe forcës së kulturave të ndryshme.

A. Kosta: Kur u themelua Shoqata juaj? Na tregoni më gjerë për çmimet, eventet, etj…

Regina: R: Shoqata Kulturore Ndërkombëtare Verbumlandiart-APS u themelua në vitin 2013 dhe që atëherë, ka krijuar një rrjet nismash kulturore dhe me interes kolektiv nëpërmjet takimeve, konferencave, shqyrtimeve, leximeve, shfaqjeve, prezantimeve të autorëve, interpretimeve nga artistë botërorë, kineastë, ekspozita, konkurse dhe evente studimi, eksperimentime, promovime dhe përhapje kulturore. Investimi në ndarjen e kulturës, artit dhe informacionit të lirë dhe të përgjegjshëm, ka qenë zgjedhja e sigurt dhe strategjike e së ardhmes për një Itali, që është gjithnjë e më e vetëdijshme për historinë, identitetin dhe aftësinë e saj, për të promovuar kreativitetin dhe inovacionin, duke përfshirë aktivisht shkollat, universitetet dhe agjencitë e trajnimit, që luajnë një rol themelor në pjekurinë pjesëmarrëse të gjuhëve dhe mjeteve të dobishme për promovimin kulturor. Për këtë arsye, Shoqata gjithmonë ka vlerësuar dhe promovuar artin

në të gjitha format e saj, duke u dhënë hapësirë artistëve dhe autorëve të njohur, duke evidentuar njëkohësisht talentet e reja, në shprehje dhe kërkime, duke u dhënë atyre mundësinë për t’u rritur në nivel, duke krahasuar dhe duke ofruar krijimet e tyre me vlerësimin e sinqertë të ekspertëve të çdo sektori, të cilët janë përzgjedhur për kompetencën e tyre në dhënien e një gjykimi të arsyetuar, dhe mbi të gjitha, si dëshmi e privilegjuar e përvojës, për të përmirësuar cilësinë e krijimit të tyre artistik.
E kam themeluar Shoqatën pas bashkëpunimit tim në formatin “VERBUMLANDIA”, të cilin e kam krijuar, me webtv Mybox, i Dr. Michele Mariano, duke ndjekur ëndrrën për zgjerimin e aktivitetit tim, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar. Më pas përfshiva në projektin tim, miq profesionistë, të cilët më ndjekin, më mbështesin dhe më ndihmojnë prej 11 vitesh. Atyre u janë bashkuar ndër vite ekspertë të shumtë profesionistë nga çdo sektor kulturor, ekonomik, social, jo vetëm italian por edhe të huaj. Shoqata është një organizatë jofitimprurëse dhe, për këtë arsye, promovon veprimtari artistike dhe kulturore duke i shpërndarë ato në territorin kombëtar dhe ndërkombëtar, për të lehtësuar komunikimin dhe aksesin në njohuritë kolektive, duke rritur identitetet dhe veçantitë lokale, që dallojnë dhe bëjnë unike madhështinë mikpritëse dhe gjithëpërfshirëse të Italisë. Shoqata pra, është e aktivizuar nga kontributi i profesionistëve që vënë në dispozicion njohuritë dhe talentin e tyre, të cilët bashkëpunojnë në nisma të shumta, dhe që kohë pas kohe thirren të marrin pjesë si ekspertë në jurinë e vlerësimit dhe në çmimet vjetore. Projektet tona kanë marrë njohje nga organizmat kombëtare dhe ndërkombëtare, gjë që ka forcuar entuziazmin, që të vazhdojmë të rritemi dhe t’u ofrojmë mundësi të reja artistëve.

A. Kosta: Si ju lindi ideja të vini në dispozicion të kulturës revistën VERBUMPRESS? Lexuesit vlerësojnë tej mase jo vetëm përmbajtjen, lekturën, përgatitjen, por edhe kontaktin e vazhdueshëm me ta…

Regina. R: VERBUMPRESS është revistë kulturore dymujore, në të cilën jam themeluese dhe botuese së bashku me Drejtorin Përgjegjës Roberto Sciarrone, gazetar, historian dhe shkrimtar. Kjo revistë lindi si një evolucion natyror i Shoqatës. Ndjenim nevojën për një media që mund të arrinte në shumë njerëz, duke ofruar përmbajtje cilësore dhe njohuri mbi botën e artit dhe kulturës. Revista na lejon të jemi gjithmonë në kontakt me lexuesit tanë, për t’u dhënë atyre një hapësirë ku ndihen të përfaqësuar dhe të informuar. Jam e lumtur që vlerësohet dhe që ka një ndikim pozitiv, sepse qëllimi ynë është pikërisht të pasurojmë ata që na lexojnë.

A. Kosta: Keni patur vështirësi në fillim, që të arrini këtu ku jeni tani?

Regina. R: Sigurisht! Ashtu sikurse në çdo rrugëtim ambicioz, vështirësitë nuk kanë munguar. Në fillim ishte e çmuar ndihma, besimi dhe mbështetja e Kryetarit të Bashkisë, (në atë kohë, Livio Nisi), pastaj na u desh të zgjidhnim një ndryshim kursi dhe t’i transferonim të gjitha nismat në qytetin e Romës, sepse në Galatone ishte bërë e vështirë të gjenim burime dhe mbështetje dhe njerëzit nuk e kuptonin plotësisht misionin tonë. Megjithatë, pasioni dhe vendosmëria na kanë udhëhequr gjithmonë, dhe hap pas hapi kemi arritur të ndërtojmë diçka konkrete. Në Romë dyert na janë hapur gjerësisht, ashtu sikurse edhe në qytete të tjera të Italisë apo jashtë saj. Tani aktivitetet tona mbulojnë të gjithë kombin e Italisë dhe pothuajse të gjitha vendet e botës me bashkëpunëtorë dhe anëtarë. Çdo pengesë, na ka bërë më të fortë dhe na ka shtyrë të përmirësohemi.

A. Kosta: Si arrini ta gërshetoni aktivitetin tuaj profesional me atë të jetës së përditshme dhe angazhimeve tuaja familjare?

Regina. R: Padyshim, kjo është një sfidë e vazhdueshme, por fatmirësisht, unë gjej mbështetje të madhe në familjen time, të cilët më inkurajojnë dhe e kuptojnë rëndësinë e asaj që po bëj. I planifikoj me kujdes ditët e mia për të qenë në gjendje të plotësoj gjithçka, duke i kushtuar kohë, si jetës sime personale, ashtu edhe aktiviteteve kulturore. Besoj shumë se, me organizimin e duhur dhe mbështetjen e të dashurve, është e mundur të vazhdosh ëndrrat dhe projektet e tua, pa u ndalur.

A. Kosta: Ju drejtoni konkursin e rëndësishëm CITTA’ DEL GALATEO. Keni pasur autorë arbëreshë në konkurset tuaja? Njihni krijues apo ndonjë artist shqiptar?

Regina. R: Konkursi CITTA’ DEL GALATEO, për nder të figurës së shquar të Antonio De Ferrariis, edhe këtë vit, mirëpriti pjesëmarrës nga kultura dhe komunitete të ndryshme, duke përfshirë autorë me origjinë arbëreshe dhe artistë shqiptarë. Jam gjithmonë e lumtur që shoh pjesëmarrës me tradita dhe gjuhë të ndryshme, sepse kjo pasuron jashtëzakonisht cilësinë e konkurrencës. Kam takuar edhe autorë shqiptarë shumë të talentuar, dhe jam gjithmonë e interesuar të zbuloj artistë të rinj, të cilët sjellin me vete historitë dhe perspektivat e tyre unike. Këtë vit, pata nderin t’ju kem gjithashtu edhe Juve Angela, një figurë tashmë e njohur ndërkombëtare, në edicionin e XI-të, si anëtare jurie për autorët e huaj.

A. Kosta: Dëshironi ta vizitoni Shqipërinë dhe Kosovën, në një të ardhme?

Regina. R: Absolutisht që po! Jam shumë e magjepsur nga Shqipëria dhe Kosova, nga traditat tuaja dhe nga ndjenja e fortë e identitetit kulturor që i karakterizon këto troje. Të jesh në gjendje të takosh artistë vendas, të njohësh historitë dhe veprat e tyre personalisht, do të ishte një mundësi e shkëlqyer për mua dhe për Shoqatën. Shpresoj të më jepet mundësia t’i vizitoj këto vende të bukura dhe të ndërtoj lidhje edhe më të forta. Së shpejti, do të jem në Tiranë për një simpozium, ndaj kjo do të realizohet.

A. Kosta: Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që dëshirojnë të marrin rrugëtimin e artit dhe shkrimit?

Regina. R: Këshilla ime është të ndjekin gjithmonë zemrën e tyre dhe të mos shkurajohen përballë vështirësive. Rruga e artit dhe e shkrimit mund të jetë e gjatë dhe komplekse, por është gjithashtu plot kënaqësi. I rekomandoj të lexojnë shumë, të eksperimentojnë pa frikë dhe të mos heqin kurrë dorë nga ëndrrat dhe vetvetja e tyre. Arti është një dhuratë e çmuar dhe ia vlen ta kultivosh me angazhim dhe pasion.

A. Kosta: Ju jeni një grua shumëplanëshe dhe plot burime… Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?

Regina. R: Faleminderit për komplimentin! Kam shumë projekte në zhvillim e sipër, përfshirë atë të zgjerimit të mëtejshëm të Shoqatës, krijimin e bashkëpunimeve me institucione dhe artistë nga vende të reja. Dua gjithashtu ta pasuroj revistën VerbumPress, me përmbajtje dhe përfshirje edhe ndërkombëtare. Së fundi, dua të zhvilloj një projekt edukativ për të rinjtë, një program i cili, i prezanton ata në botën e artit dhe të shkrimit, duke i mësuar se si të përdorin krijimin për të ndërtuar ura kulturore dhe për të nxitur paqen.

A. Kosta: Ju falenderoj përzemërsisht për intervistën dhe ju uroj shumë suksese në rrugëtimin tuaj si promovuese e po ashtu edhe si krijuese plot vlera.

Regina. R: Unë ju falenderoj Juve, ashtu sikurse dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen time të thellë Drejtorit të kësaj gazete prestigjoze NACIONAL, Dr Mujo Buçpapaj. Faleminderit dhe respekt!

TË DASHUROJ LËKURËN TIME TË PËRDHUNUAR

Janë vetëm hije kineze
ato që sheh të reflekuara në pasqyrë
trupa të etur detajesh pakuptim.

Kam frikë nga kjo natë e thellë
me ankth hyn dhe më ngre në fluturim
aty ku kujtimet, e riarnuara nga koha
më sjellin nën tingëllimin e kambanës.

Nëse do të mundesha, do ta mbuloja me blozë këtë jetesë të ngadalshme dhe të pamëshirshme
që shkarravit një jetë
shtrirë në një fletë transparente
duke kërkuar simbole dhe masa
dhe shumë përgjigje të çdo dyshimi
të pashprehur.

Shpirti yt pëshpërit fjalë të ashpra
nuk krijon emocione
sepse je i dehur nga dhimbja
përpiqesh të kapësh zemrën time të brishtë
vetëm për ta lënduar.

Kërkoj psherëtimat e hënës,
spirale yjesh
për të dëgjuar detin,
për të dashur lëkurën time të përdhunuar.

VELLOJA BLU E NATËS

Është vetëm një vello e lehtë, blu
që mbulon fytyrën time.
Ngadalë rrëshqet duke më zbuluar sytë
koha ndalon pa mëshirë
teksa i lejon ajrit të më mbështjellë.
Në qiell zgjidhen nyjet e imazheve të jetës sime
shtrihen derisa të arrijnë retë
të mbledhin grushte oksigjeni për t’u ngopur.
Dëgjoj zëra të largët, aroma të njohura
gjëra të dashura dhe të çmuara
esenca të dashurive dhe të mundimeve të së shkuarës.
Dëgjoj fjalë dhe tinguj të huaj
të cilët bëjnë të më përgjakosen plagosje kurrë të mbyllura.
Jeta shpesh nuk i shëron plagët
dhe vendos nëse do ta shesë apo jo ilaçin e saj mrekullibërës
kë të spërkasë me pluhurin magjik
por për mua duarbosh ka kaluar.
Ngadalë sytë mbyll
dhe velloja blu e natës
fytyrën time kthehet të mbulojë.

ËNDËRROJA TË UDHËTOJA

Ëndërroja të udhëtoja
të shkoja larg
të humbisja veten përtej kufijve të ditës
përtej kufijve të detit.

Të përshkoja shtigje yjesh
të gjurmuar nga era
ku ëndrrat gërshetohen
me rërën e kohës.

Doja të humbisja
në rrugicat e panjohura
ku zërat e lashtë
tregojnë histori të heshtura.

Ndër qytete kurrë të papapara
dhe shkretëtira të pafundme
ku qielli është i thellë
dhe horizontet të kthjellëta.

Dhe ndoshta, kush e di,
të gjej vetveten
ndër hapat e gabuar endacake
dhe një qiell të reflektuar.

Por pastaj e kuptova
se udhëtimi tashmë është këtu,
në këtë shikim të përhumbur
mes ëndrrave të mia dhe të tuave: Po!

Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese