Veçoria e poezisë së Deaconescut qëndron tek qartësia
ION DEACONESCU, NJË ZË ORIGJINAL NË POEZINË EVROPIANE
“Thuhet se poezia përfaqëson një mysafir metafizik ose një formë universalesh të vlefshme të rebelimit (që është pozicioni i autorit) si mishërim i sintezës, i nënshtuar një ndryshimi të përhershëm”.
PËRGATITI DHE SHQIPËROI: ANILA DAHRIU
Bazuar në këtë, poezia e Ion Deaconescut bëhet thelbi dhe rilindja e lartë e dyshimit dhe e pyetjes mbi gjendjen njerëzore, përballë së cilës edhe bota është plot me çudira dhe ekstazë transcendental.
“Duke trashëguar një traditë të pasur lirike, e cila në thelb e ka origjinën në veprën e poetit të fundit të madh romantik, Eminescu, Deaconescu e strukturon poezinë e tij në tregime autentike të qenies që kërkon identitet kudo, veçanërisht në lot dhe vajtime.
Poeti e vizaton në mënyrë lirike profilin e shoqërisë bashkëkohore, ku mundimi i tij i brendshëm duket se është rafinuar në stilin e Botticellit dhe harmonive të Debussy-t” (Georges Astalos).
Veçoria e poezisë së Deaconescut qëndron në qartësi – metaforat nuk janë kurrë të vendosura me forcë, por duken sikur qëndrojnë në ajër, të organizuara në mënyrë të përsosur, jo si një artific, sepse gjykimi nuk pezullohet nga vibrimet emotive, por mbetet në një stil poetik të qetë dhe të balancuar.
I pajisur me një temperament të fuqishëm lirik, Deaconescu është një poet i jashtëzakonshëm dhe vargjet e tij burojnë nga një hapësirë mrekullie, që sfidon perspektivën e lexuesit; poezia e tij bëhet dashuri, festë, humbje dhe, në fund, një jehonë.
Nuk ka një çelës për të deshifruar vizionin e tij në favor të ëndërrimtarit, por ka lexime që shumëfishojnë kuptimin dhe filozofinë e introspeksionit. Britma e tij poetike lulëzon si një pemë kajsie, duke rikuperuar identitetin e tij në kujtime të nderuara nga koha ose në qepallat që përthithin të gjitha misteret e momenteve të ndërtuara mbi realitete ireale.
Ion Deaconescu është poet. Por një poet i pazakontë në poezinë evropiane bashkëkohore, duke imponuar pyetjen si një realizim brenda dhe jashtë botës, dhe vështrimi i tij pëson një metamorfozë të habitshme në ripërtëritjen e të ireales.
Pasqyrat që aspirojnë përjetësinë, maskat mashtruese që mbulojnë të qeshura dhe lot, dyshimi, folja rebele, mosha e dritës, gjurmët mbi ujë, përjetësia kontradiktore, fjalët e palindura janë motive të përsëritura që i janë të dashura poetit, i cili vazhdimisht mahnit imagjinatën dhe emocionalitetin tonë.
Ajo që duket e re në vargjet e Deaconescut është interpretimi origjinal i imazheve dhe mendimeve, një mënyrë jashtëzakonisht personale për të përshkruar veten në mënyrë realiste, një poetikë e shqetësimit të thellë, që përpiqet të afirmojë qëndrime dhe ndërgjegjësim, një ndjenjë e fortë përgjegjësie për botën në kërkim të identitetit të saj.
Poezia e Deaconescut karakterizohet nga nostalgjia, nga trishtimi që del nga një humnerë romantike, zbukuruar në mënyrë diskrete, me një delikatesë burrërore, e mbushur me dashuri. Poezia e tij është njëkohësisht intelektuale dhe pasionante. Në të dyja rastet, fraza përcjell besimin në botë, e shkruar dhe e modeluar nga një shenjë krijimtarie.
Ai ka shkruar mbi 30 vëllime me poezi, shumë prej të cilave janë përkthyer në gjuhë të ndryshme. Ion Deaconescu është një zë i fuqishëm në poezinë evropiane, të cilën e ka fisnikëruar më tej me krijimin e tij të ndritur dhe serioz, të rrënjosur në qiell, dhe që duket si një bimë e rrallë që mbin në duart e lexuesit.
Mario Luzi
Ion Deaconescu shpalos një bukuri të rrallë në poezitë e tij, të shprehura me një finesë ekstreme, të diktuar nga dhimbja dhe humbja, por pa teprime. Ai arrin të shkruajë duke distiluar çdo fjalë, duke e rrëfyer tronditjen e humbjes, boshllëkun që mbetet pas dhe ndjesinë e padobishmërisë së të jetuarit. Deaconescu është një poet me rigorozitet të skajshëm gjuhësor dhe, për këtë arsye, ekspresiviteti i tij është i prerë dhe i pastër, pa përdorime të tepërta të mbiemrave apo përshkrime të kota. Ai depërton drejtpërdrejt në thelbin e ndjenjave dhe, me pak aludime, arrin të fotografojë tragjedinë që e ka goditur, humnerën ku ka rënë.
Poezia e tij është një pasqyrë e thellë e brengës dhe humbjes, siç shprehet në vargjet e tij:
“Do të thërras nëpër dhomë
Të shndërruar në një shpellë të thellë
Pa dritare dhe pa dyer.
Të dobëta duar zgjaten së bashku
Duke të kërkuar.
Thirrja shndërrohet
Në lot të ngurtësuar.
Do të ngjitem sipër një reje,
Por më mëso si të ndal
Jehonën e klithjes!”
Toni i përgjithshëm i këtyre poezive nuk është thjesht një qëndrim letrar, por një reflektim i thellë i një gjendjeje emocionale të shkatërruar, që e ka çuar poetin në një lojë të pafund dhe të rëndë mungese — një deliri mizor, i cili është njëkohësisht edhe një heqje dorë fatale nga jeta. Poeti përshkruan me mjeshtëri tronditjet më të vogla të qenies së tij si i ve, por nuk i dorëzohet patetikës. Ai ka aftësinë të shndërrojë lotët në një formë bisede për të kuptuar atë që fshihet pas tyre: vdekjen dhe çka vjen përtej saj.
Në poezinë e tij, reflektimi mbi gjendjen njerëzore bëhet i natyrshëm dhe i thellë, siç shprehet në vargjet:
“Një përmbytje fluturash të humbura
Ato do të zbresin mbi supet e mia,
Si shenjë se fluturimi ka përfunduar.”
Poezitë e Deaconescut janë poezi dashurie, vdekjeje dhe dhimbjeje, të ndërtuara mbi një fill të pafund dhe të pashtershëm ndjenjash. Ato luajnë me ndërprerjet e një pranie-mungese që vazhdon të mbijetojë në shpirt. Nuk ka trillime letrare në këto poezi, të cilat janë të mbushura me jetë, dhe nuk përdoren artificialisht arketipat e së shkuarës apo peshat e shembujve të mëdhenj. Ion Deaconescu e vendos jetën e tij mbi një pjatë të zhveshur nga zbukurimet dhe e paraqet ashtu siç është: me humanizmin dhe dashurinë e tij, që përfundojnë në greminën e dhimbjes, pa shërim.
Kjo pastërti e diktimit poetik është ajo që na magjeps dhe na bën të ndihemi pjesë e gjallë e gjendjes sonë njerëzore, pra universale.
ANILA DAHRIU
Ajo quhej Natasha
Zot, përse gjithë ky nxitim?
Përse e shpure aq larg,
në një qiell pa yje dhe hënë?
Përse e thirre?
Kur dyert u mbyllën,
i shqyve zinxhirët e ndryshkur
për ta lënë në një udhëtim të lirë,
madje si uji i rrjedhshëm,
pa mbërritur askund.
E kam shpirtin të copëtuar,
ngjan me një kasolle të vjetër,
të pushtuar nga merimangat e pangopura.
Pres një përgjigje,
një shpjegim, një telefonatë,
ndoshta një krah tjetër.
Një shtizë më copton mishin,
por nuk ndiej dhimbje,
vetëm një rënkim të shurdhër,
ndoshta jehonën e mbytur të heshtjes
apo lotin,
më të madh se shpirti i mundur?
Loti që mban emrin tënd:
Natasha.
Mure mospërfillëse
Rrëzohen librat e bibliotekës,
si tullat e një muri të vjetër.
Do të jetë shenjë që fletët
fshihen nëpër cepat e dhomës
nga frika,
apo kanë turp të lexohen?
Llamba fiket,
perdja e rëndë refuzon dritën.
Të telefonoj, por fjala përhapet
nëpër muret mospërfillëse.
Atëherë, heshtja bëhet inkandeshente,
flakët më mbështjellin trupin.
Përkëdhelja e hijes
Kam besuar në ndriçim,
në vesë dhe në ylber,
në rrugëtimin që po përkoj,
teksa nëna ime lëshon
britmat e fitores.
Shqiptova shumë rrokje ëndrrash
kur ishe pranë meje,
madje edhe kur mblidhja
lulet e mëngjesit
të zemrës dhe të mendimeve.
Që nga dita kur
përkëdhelja e hijes
të la gjurmë në mish,
hieroglife të kohës së pabesë,
tufat e mjellmave të zeza
të fshehën diellin,
pa mëshirë,
pa rrugëdalje,
për të fshehur lotin e fundit.
Jehona e klithjes
Do të thërras nëpër dhomë,
të shndërruar në një shpellë të thellë,
pa dritare dhe pa dyer.
Duart e dobëta zgjaten së bashku,
duke të kërkuar.
Thirrja shndërrohet
në lot të ngurtësuar.
Do të ngjitem sipër një reje,
por më mëso si ta ndal
jehonën e klithjes!
Një fjalë, të fundit
Nuk ka më adresë shtëpia ime,
as letrat që të dërgoj
nuk marrin përgjigje.
Dhe, megjithatë, pres çdo ditë
postierin para derës,
duke thithur të njëjtin aktgjykim:
“Asgjë.”
Sikur të mos jem më gjallë
që kur u largove.
Por di që kam ende kohë
të të them fjalën e fundit.
Biografia
Ion Deaconescu lindi në vitin 1947 në Târgu Logrești, Rumani. Ai është studiues i filologjisë dhe u diplomua si profesor në Universitetin e Bukureshtit. Që nga viti 1974, ka shërbyer si profesor në Universitetin e Craiovës dhe më pas, nga viti 1984 deri në 1990, ka qenë Maître de Conférences i gjuhës rumune në universitetet e Shkupit, Novi Sadit dhe Beogradit. Doktoraturën në filologji e mbrojti në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe Letërsisë në Universitetin e Bukureshtit në vitin 1982.
Ion Deaconescu është autor i disa përmbledhjeve poetike, përfshirë:
• Pajisje për fotografimin e shpirtit (1981)
• Tango e nebisë (1985)
• Klithma e kujtesës (1986)
• Përjetësia e çastit (1987)
• Maska për zërat (1991)
• Gramatika e shansit (1993)
• Testi i vetmisë (1995)
• Ylli i rojes (1997)
• Kopshti i shkretëtirës (1998)
• Shkrimi i errësirës (2001)
• Festimi i humbjes (2003)
• Ekstaza e asgjësë (2014)
• Les fenêtres encastrées (2017)
• Mallkimi i poetëve (2017)
Poezitë e tij janë botuar në revista letrare të shumta në Greqi, Portugali, Itali, Luksemburg, Spanjë dhe Maltë.
Deaconescu është gjithashtu themelues dhe drejtor i shtëpisë botuese Europa dhe president i Akademisë Ndërkombëtare “Mihai Eminescu”. Ai është anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve në Salzburg, i Akademisë Evropiane të Shkencave, Arteve dhe Letrave në Paris, si dhe i Akademisë së Shkencave të Moldavisë.
Gjithashtu, ai është organizator i Festivalit Botëror të Poezisë “Mihai Eminescu”.
PËRGATITI DHE SHQIPËROI ANILA DAHRIU