ISKRA THOMA TATA,  NJË RRËFIM I RRALLË PËR LETËRSINË DHE SHQIPËRINË E DY  EPOKAVE.

Intervistë ekskluzive,  rrëfimi i redaktores Iskra Thoma Tata që jetoi historinë nga brenda

 

ISKRA THOMA TATA,  NJË RRËFIM I RRALLË PËR LETËRSINË DHE SHQIPËRINË E DY  EPOKAVE

“Nga redaktimi i dorëshkrimeve të Ismail Kadaresë dhe poetëve më të rëndësishëm shqiptarë, te përballja me censurën, lindja e pluralizmit dhe jeta në emigracion , një rrëfim i rrallë për letërsinë dhe Shqipërinë e një epoke”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Hyrje redaksionale

Në historinë e botimeve dhe të kritikës letrare shqiptare, emri i Iskra Tata Thoma zë një vend të veçantë. Ajo është një ndër gratë e para që afirmuan veten në fushën e kritikës letrare shqiptare, redaktore dhe më pas zv/drejtore e shtëpisë më të rëndësishme të letërsisë artistike në Shqipërinë e shekullit XX, Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Me kontribut të gjerë në redaktimin e autorëve kryesorë të letërsisë shqipe, në përkthimin e letërsisë botërore dhe në zhvillimin e mendimit kritik letrar, ajo është dëshmitare e gjallë e një epoke të ndërlikuar, ku arti, ideologjia dhe pasioni për librin bashkëjetonin në mënyrë paradoksale. Në vijim, një bisedë e gjatë dhe e thellë me znj. Iskra Tata Thoma, e zhvilluar posaçërisht për Nacional, që ndriçon rrugëtimin e saj profesional e krijues, sfidat e botimeve nën diktaturë dhe kontributin e saj në përhapjen e kulturës shqiptare në Itali. Rruga e Iskra Tata Thomës është historia e një gruaje që ka jetuar në kufijtë midis artit dhe ideologjisë, letërsisë dhe politikës, Shqipërisë dhe botës. Ajo i përket brezit të atyre që ndërtuan themelet e kulturës moderne shqiptare dhe që, pa bujë, vazhdojnë të jenë ura të pazëvendësueshme ndërmjet traditës dhe përbotësimit.

Për kontributin e saj është vlerësuar:

  1. Nga Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës, në maj të 2024, me Certifikatë mirënjohjeje me motivacionin: “Për veprimtarinë e saj krijuese, kontributin në gjini e drejtime të ndryshme, pasuri e pakrahasuar intelektuale”.
  2. Nga Këshilli i Bashkisë së Qytetit të Tepelenës, më 30 janar2025, “Qytetare Nderi” me motivacionion: “Intelektuale me mbivlera të padiskutueshme, shkrimtare e pajisur me një ekuilibër të përkryer mendimi dhe veprimi. Një “urtësi e mençur”.

  3. Nga Këshilli Bashkiak i Vlorës, më 28.07.2025, me titullin: PERSONALITET I SHQUAR I BASHKISË VLORË Me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në zhvillimin e letërsisë bashkëkohore dhe gjallërimin e jetës letrare në qytetin e Vlorës.”

 

 

Do të ishte kurioze të na thoshit shkurt se si hytë në botën e librit? E më pas si kaluat nga filozofia në letërsi?

 

Leximi, libri, letërsia kanë qenë pasioni im që në fillore. Ndoshta kam qënë në klasën e dytë apo të tretë kur im atë iu thoshte me krenari të tjerëve se unë lexoja romane. Unë skuqesha, po ishte e vërtetë, kisha vullnetin që librat t’i çoja deri në fund edhe pse kishte pjesë të tëra që nuk i kuptoja. Në shkollë filloi të më tërhiqte poezia. Recitoja në shtëpi me zë të lartë e shpejt edhe para publikut duke fituar çmime në konkurset e fjalës artistike. Veç hartimeve që mësuesja i lexonte para klasës shkruaja vargje. Më tërhiqte rimimi i vargjeve e sidomos muzikaliteti i brendshëm i tyre. Mbarëvajtja në mësime, pasioni për letërsinë e diksioni i mirë për të folur e recituar (më bënë të dallohem ndër nxënëset më të mira të shkollave të mesme të qytetit të Vlorës. Kjo ishte arsyeja që edhe pse kisha kërkuar të vazhdoja për letërsi, m’u akordua e vetmja e drejtë studimi për degën e Filozofisë, që do të hapej atë vit. Ishte viti 1969, e orientimi ishte që kjo degë e re të fillonte me 22 studentët më të mirë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë.

 

Çfarë ndikimesh formuese keni pasur gjatë studimeve tuaja për filozofi?

 

Siç përmenda më lart dega e Filozofisë u hap më 1969. Hyra në atë fakultet pa entuziazëm, po vit pas viti lëndët ishin mjaft interesante. Që nga termi “filozofi” rrjedhur nga greqishtja e lashtë, që do të thotë dashuri për urtësinë/mençurinë. Të jesh  filozof do të thotë të kërkosh të vërtetën për: jetën, njeriun, dijen, moralin, realitetin… Si dhe të studioje historinë e filozofisë, që nga filozofët grekë e më vonë ishin me të vërtetë joshëse. Gjithashtu duhet theksuar se programi i vitit 1969 ishte shumë modern dhe i gjerë. Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik(1961), kuadrot e vjetër që kishin studiuar në vendet e Lindjes u konsideruan “të pavlefshëm”, prandaj duhej një brez i ri i formuar në vend. Për të na dhënë mësim u mblodhën profesorët më të mirë të kohës, jo vetëm nga katedra e filozofisë, historisë, filologjisë, juridikut, ekonomisë, nga Instituti Bujqësor por edhe profesorë nga Shkencat e natyrës që ishin specializuar në vendet perëndimore. Ishte dhe ndikimi i Kinës, nga e cila u importua fryma e idesë së lidhjes së filozofisë me shkencën. Megjithëse vendi ishte super i izoluar, regjimi kërkonte të tregonte se universiteti ishte modern dhe se filozofia shqiptare ishte e zonja të dialogonte me shkencën bashkëkohore. Në program u futën nga një vit lëndë si: matematika e lartë, leksione të logjikës matematike, fizika me teorinë e relativitetit, gjenetika e veç studimit të thelluar të historisë së filozofisë dhe historisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme u futën edhe mjaft kurse specialë të studimit të rrymave të ndryshme në art e letërsi, veç estetikës së zgjeruar, etikës, ateizmit, ku studioheshin gjithë fetë, kishte lëndë si teoria e shtetit, historia e Rilindjes shqiptare, logjika dhe oratoria etj. Pra, ishte një projekt ambicioz për të krijuar një elitë filozofësh me një stof të pasur kulturor e që të përdornin shkencat moderne. Sidoqoftë, studentët merrnin një formim të vërtetë teorik shumë më të gjerë se në degët e tjera shoqërore. Këtë fat e patëm vetëm ne studentët që filluam me çeljen e kësaj dege nga 1969 deri 1973. Plenumi i IV i Komitetit Qendror të PPSh (1973) shënoi kthesën më të ashpër konservatore, kundër “liberalizmit” në kulturë e arsim, kundër kuadrove intelektuale të pavarur. Rezultatet për degën e Filozofisë qenë dramatike. Shumë pedagogë u kritikuan rëndë, disa u larguan nga universiteti, disa u larguan në punë fizike, pati dhe burgosje, të tjerë heshtën duke u zhdukur nga jeta publike. Programi u ristrukturua tërësisht, shumë lëndë u hoqën ose u ideologjizuan thellësisht. Pra¸ para vitit 1973 ishte  degë  e filozofisë, ku merrje njohuri të gjera, që nuk i gjen edhe në mjaft universitete të huaja. Pas vitit 1973 u bë degë ideologjike e Partisë, u ul niveli teorik, liria akademike u zhduk, u shfaq frikë e madhe midis pedagogëve dhe studentëve.

 

Pas mbarimit të universitetit si filluat punë në Gazetën “Drita”?

 

Në katedrën e filozofisë ndihej nevojë për pedagogë të filozofisë. Mua më aktivizuan që në vitin e katërt duke marrë studentë në provim nga Instituti i Lartë i Arteve, ku mendohej të përgatisja leksione për të dhënë historinë e arteve, po pikërisht atë verë doli urdhëresa që pedagogët e rinj duhet të njihnin jetën. Me dy-tre studentë Thimi Nika, gazetar i njohur, na çoi në zyrën e kryeredaktorit të gazetës “Zëri i Popullit”, i cili na ftoi të aktivizoheshim e të punonim në atë redaksi. Sinqerisht, mua nuk më tërhiqte “Zëri i Popullit”, dy bashkë studentë filluan stazhin aty  Unë isha e vetmja që punoja për të mbrojtur temën e diplomës me figurën e Fan Nolit, i cili ishte idhulli im, prirjet e mija ishin për letërsinë e sigurisht kisha dhënë disa prova me shkrime letrare në shtyp. Me rekomandim të shkrimtarit Dritëro Agolli, të cilit i dhashë disa shkrime për t’i lexuar (nuk e prisja që t’i lexonte e redaktonte me shënime aq shpejt), fillova stazhin në gazetën “Drita”, të vetmen e të përjavshmen letrare-artistike, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Pra, ishte fat që unë u largova nga Universiteti më 1973, më ndihmoi pasioni për letërsinë.

 

 

Ju mendoni se kultura filozofike ka ndikuar në formimin tuaj si krijuese në fillim si studiuese e kritike letrare?

 

Sigurisht, formimi dhe kultura filozofike janë shumë të rëndësishme për një kritik letrar, edhe pse nuk janë domosdoshmërish të vetmet që përcaktojnë vlerën e tij.

Stofi apo kultura filozofike e një kritiku përbën një bazë themelore të formimit të tij dhe e ndihmon ta shohë letërsinë jo thjesht si art të fjalës, por si formë perceptimi të botës, analizon botëkuptimin që fshihet pas veprës.

Njohja e me themel e historisë së filozofisë, nëpërmjet veprimtarisë e krijimtarisë së  filozofëve të shquar që nga Platoni, Aristoteli, Kant, Hegeli, Nietzsche, Heidegger apo Sartri ndihmojnë kritikun që të kuptojë jo vetëm çfarë thotë një tekst, por edhe si e thotë dhe pse e thotë në atë mënyrë.

Në traditën evropiane, mendimtarë si Lukács, Benjamin, Sartre, Barthes, Eco e Ricoeur treguan se kritika pa filozofi mbetet përshkruese, ndërsa kritika me bazë filozofike bëhet krijuese, sepse kupton letërsinë si mendim për botën. Pa filozofi, kritika mbetet përshkruese; me filozofi, ajo bëhet krijuese dhe interpretative.

 

Shumë kritikë të mëdhenj, shkrimtarë kanë qenë edhe filozofë si: Zhan Pol Sartre, Umberto Gallimberti, Umberto Eco, Paul Ricoeur etj. dëshmojnë se letërsia dhe filozofia janë dy mënyra të ndërthurura të të kuptuarit e interpretuarit të jetës.

 

Ndikimi filozofik ka qenë i dukshëm edhe te autorë shqiptarë si: te Noli, Fishta, Lasgushi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, te Eqrem Çabej, Rexhep Qosja, e te më të rinjtë si: Rudolf Marku, Robert Martiko, Kastriot Fetahu, Lea Ypi, Zekerija Idrizi etj., te estetë e filozofë si Alfred Uçi, Rexhep Qosja, Ali Aliu, Përparim Kabo, Josif Papagjoni, etj. të cilët nuk janë vetëm gjykues të letërsisë, por bashkëmendimtarë të saj, që e ndihmojnë artin të vazhdojë dialogun e tij të përjetshëm me jetën.

Por në formimin e një kritiku nuk mjafton vetëm njohja e filozofisë, duhet të njohë historinë e teorinë e letërsisë, të ketë aftësi për analizë stilistikore e strukturore të një vepre, të ketë ndjeshmëri estetike, të dojë librin e leximin, të jetë aktiv, të ndjekë rregullisht procesin letrar etj.

Filozofia është një shtyllë, por jo e vetmja – ajo është si skeleti i mendimit, ndërsa ndjeshmëria letrare është shpirti i kritikës. Kultura filozofike e mbron kritikën nga cektësia.

 

 

Si e kujtoni atmosferën intelektuale të viteve ’70 në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntori”, dy organet më të rëndësishme letrare të vendit?

 

Në gusht të 1973, kur unë fillova punë në gazetën “Drita” atmosfera ishte e zymtë dhe e frikshme edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Disa redaktorë gazetarë të njohur ishin larguar, vazhdonin mbledhjet me shkrimtarë e artistë ku ishin gjallëruar e përfitonin nga situata disa të patalentuar. Kryeredaktori ku unë fillova punë ishte shkrimtari Duro Mustafaj, i cili kishte ardhur nga gazeta “Zëri i Popullit” e ishte me përvojë në fushën e gazetarisë e shumë i përkushtuar. Ndërsa në revistën “Nëntori” punova disa kohë me shkrimtarin e talentuar Faik Ballanca, nga i cili përfitova shumë në disa drejtime. Po dhe gjithë puna në Lidhje, pranë shkrimtarëve, e artistëve më të shquar ishte një eksperiencë shumë e pasur për një stazhiere.

 

 

Si ndodhi kalimi juaj nga Lidhja e Shkrimtarëve e artistëve në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”?

 

Nga Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” unë u transferova në gusht të 1976, sepse nga Kryesia e Lidhjes ishte aprovuar ideja e krijimit të redaksisë së veprave në seri. Ishte aprovuar lista e autorëve dhe një rregullore se si do të punohej me çdo autor. Unë u mora disa muaj me këtë punë. Disa vështirësi burokratike po e zvarrisnin hapjen e kësaj redaksie. Ndërkohë fillova të punoj në redaksinë e poezisë, dramës e kritikës letrare.

 

 

Çfarë përfaqësonte për ju ajo shtëpi botuese në peizazhin kulturor të kohës? Si ishte strukturuar, si arrinte të seleksiononte gjithë prodhimin letrar e të botonte veprat më të mira të letërsisë botërore?

 

Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” nuk ishte thjesht një institucion botues, ajo ishte shtylla qendrore e kulturës zyrtare shqiptare për më shumë se 30 vjet. Ajo funksiononte nëpërmjet një rregulloreje të brendshme, ku përcaktoheshin detyrat e çdo hallke. Nëpërmjet kolegjiumit si dhe recensentëve që ishin bashkëpunëtorët e jashtëm të çdo redaksie tërhiqej mendimi më i kualifikuar i elitës intelektuale të kohës. Bashkëpunëtorë të Shtëpisë Botuese ishin: shkrimtarë, poetë, gazetarë nga organe të ndryshme të shtypit, kryesisht atij letrar, dramaturgë, studiues, kritikë letrarë, profesorë të Universitetit dhe të Institutit të Lartë të Arteve, akademikë, përkthyes, piktorë etj. Të gjithë këta jepnin mendime si recensentë, por bënin punë edhe si redaktorë të jashtëm e paguheshin me honorarë. Redaksia e letërsisë së huaj nëpërmjet kolegjiumit hartonte planet e botimit afatgjata, të mesme e afatshkurtra të përkthimit të kryeveprave e veprave të autorëve më të shquar nga vende të ndryshme të botës. Zgjidheshin përkthyesit e përshtatshëm për autorë e vepra të ndryshme, jo vetëm ata që punonin në shtëpinë botuese por edhe jashtë saj.

Organika e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” përbëhej nga: drejtori, zv/drejtori, administrata. Në përbërje të saj kishte shtatë redaksi që funksiononin në mënyrë të pavarur. Ishte redaksia e prozës së gjatë, romanit, redaksia e prozës së shkurtër, redaksia e poezisë, dramës, kritikës letrare, redaksia e letërsisë për fëmijë, redaksia e letërsisë së huaj, redaksia e veprave në seri, redaksia e ilustrimeve dhe kopertinave. Çdo redaksi kishte një shef redaksie, i cili drejtonte e organizonte punën nga marrja në dorëzim e dorëshkrimeve e deri në dorëzimin për shtyp apo kthimin e përgjigjeve autorëve në rast ripunimi apo mos botimi. Gjithashtu, secila redaksi kishte një korrektor letrar dhe një daktilografiste. Sipas rregullores redaktori, korrektori letrar, përkthyesi ishin me normë ditore. Fluksi i dorëshkrimeve, i seleksionimit, i rishikimit i kthimit të përgjigjeve ishte i madh.

 

 

Si funksiononte procesi botues në “Naim Frashëri” nga përzgjedhja e dorëshkrimit, redaktimi, deri te aprovimi për botim?

Dorëshkrimet dorëzoheshin nga autori në sekretari në dy kopje të daktilografuara me nr.protokolli. Shtëpia botuese ishte përgjegjëse në ruajtjen e veprës dhe privatësisë së autorit. Nga sekretaria vepra sipas gjinisë dorëzohej te shefi i redaksisë përkatëse. Shefi i redaksisë në mënyrë sekrete përcaktonte dy recensentë, bashkëpunëtorë të jashtëm, të cilët paguheshin për punën që bënin në bazë të tarifave të përcaktuara në rregulloren e shtëpisë botuese. Pasi vinin dy recensionet tek shefi i redaksisë ai vendoste se cili redaktor do të merrej me shqyrtimin e veprës. Gjatë shqyrtimit të veprës nëse redaktori kishte nevojë edhe për një mendim të tretë, kërkonte me argumente një recension nga një bashkëpunëtor tjetër. Redaktori pasi binte dakord me autorin, pasi e kishte firmosur edhe korrektori letrar çdo faqe të librit, së bashku me kopertinën e librit, të firmosur në çdo faqe, e dorëzonte librin të përfunduar te shefi i redaksisë. Shefi i redaksisë përcaktonte formatin, tirazhin e librit dhe e dorëzonte te zv/drejtori i cili jepte aprovimin përfundimtar për të shkuar në shtypshkronjë.

 

Kush i merrte vendimet dhe cilat ishin kufijtë midis kriterit estetik dhe atij ideologjik?

 

Siç del edhe nga rruga që përshkonte një dorëshkrim për t’u kthyer në libër kalonte në disa duar, madje pas realizimit në shtypshkronjë shkonte në sektorin e shtypit në K.Q të PPSH për të marrë firmën e qarkullimit për tek lexuesi. Po përgjegjësi kryesor i botimit të një libri ishte redaktori.

 

Kur lindi Shtëpia Botuese “Naim Frashëri?

 

Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” u krijua më 1946 e mori emrin e një prej figurave më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, poetit kombëtar Naim Frashëri. Ishte institucioni kryesor shtetëror i botimeve në Shqipëri: ajo kishte monopolin mbi gjithë librin – letërsi, shkencë, tekst shkollor, përkthime e fjalorë. Në ngritjen dhe drejtimin e saj kontribuan figura shumë të rëndësishme të letërsisë, gjuhës e kulturës shqiptare si: Aleksandër Xhuvani gjuhëtar i shquar, autor tekstesh dhe redaktor; Dhimitër Shyteriqi studjues, shkrimtar, një nga figurat kyçe të botimit dhe historisë së letërsisë; shkrimtarë si: Drago Siliqi, Alqi Kristo, Ali Abdihoxha, Dhurata Xoxe, Moisi Zaloshnja, përkthyes si: Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko, Pashk Gjeçi, Gjon Shllaku, Misto Treska, Vedat Kokona, Robert Shvarc, Petro Zheji, Klio Evangjeli, Bujar Doko, Sotir Caci, Halit Selfo, Afrim Koçi etj. Donika Omari ka qënë një nga veteranet e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, në fund ishte shefja e redaksisë së letërsisë së huaj, po shefa redaksish kanë qënë edhe Pirro Misha, Preç Zogaj, Ilirian Zhupa, Fatos Kongoli. Kanë punuar shkrimtarë si Odhise Grillo, Ardian Klosi, vitet e fundit drejtorë erdhën Visar Zhiti e Daut Gumeni. Në vitin 1969 u krijua më vete Shtëpia botuese “8 Nëntori” e specializuar për literaturën politike e ideologjike të Partisë së Punës. Shtëpia botuese “N.Frashëri” vazhdoi me botimet e letërsisë artistike, të autorëve të huaj klasikë, letërsisë për fëmijë, teksteve shkollore, fjalorëve etj. Duhet theksuar që para viteve 90’ Shtëpia Botuese “N.Frashëri” ishte një ndër dritaret e vetme që shpërndante kulturë edhe pse ishte nën presion të vazhdueshëm.

Por, brenda kufijve të sistemit, ajo ruajti standarde të larta redaktimi, përkthimi dhe botimi, dhe kultivoi një brez të tërë intelektualësh që do të kishin rol pas 1990.

Arkivat, përkthimet, fjalorët, tekstet bazë që kishte botuar “Naim Frashëri” u bënë themelet e edukimit dhe kulturës shqiptare të tranzicionit.

Për shumë autorë klasikë si: Naim Frashëri, Migjeni, Kadare, Agolli, Shuteriqi etj botimet e “Naim Frashërit” mbeten botimet më të mira  deri sot.

Redaktorët dhe përkthyesit e “Naim Frashërit” pas vitit 1990 u bënë figura kyçe në:

mediat e reja, akademi, institucione kulturore, arsim.

Ata sollën me vete etikën e punës dhe ndjenjën e përgjegjësisë kulturore që mungonte në sistemin e ri të tregut të lirë. Mbyllja e Shtëpisë botuese “Naim Frashëri” për mendimin tim ishte krejtësisht e gabuar.

 

 Ju jeni kujtuar me respekt nga shumë autorë për mënyrën bashkëpunuese me të cilën redaktonit tekstet. Si ruhej balanca mes kërkesës artistike të autorit dhe kontrollit ideologjik të strukturave shtetërore?

Kam pasur fatin të redaktoj e bashkëpunoj pothuaj me gjithë poetët, dramaturgët, studiuesit, kritikët, shkrimtarët me në zë të kohës, tashmë mjaft prej tyre nuk jetojnë ndërsa më të rinjtë janë personalitete e shkrimtarë të shquar. Pikërisht në atë kohë kur libri ishte i nderuar po edhe i rrezikshëm. Padyshim që poetët e shkrimtarët janë “marka intelektuale” që lënë gjurmët e veta në çdo kohë, edhe  në diktaturë.

Është fakt që poezia po dhe drama si kurora e poezisë ishin gjinitë më të përndjekura nga sektori i shtypit të Komitetit Qendror të PPSH, që ishte edhe censura e vërtetë ideologjike, që të bënte gjëmën. Sa poetë u dënuan me burg e internim, me heqjen e të drejtës së botimit, ndërsa redaktorëve iu hiqej e drejta e ushtrimit të profesionit. Poetët me “mendje të hapur” konsideroheshin të “rrezikshëm”. Nuk ishte e lehtë të punoje sidomos me poetët pasi iu jepej e drejta e botimit. Më kujtohet kur i dhanë të drejtën e botimit Faslli Halitit, pas dënimit librin ma dhanë mua për redaktim. Faslliu erdhi në redaksi me Ismail Kadarenë, i cili kur iku la në tryezën time një pusullë: “… Me buon sensin tënd do ta ndihmosh.” Sot duket një pusullë pa rëndësi atëherë në atë atmosferë asfiksuese interpretohej gjithçka.

Apo kur redaktoja librin e Xhevahir Spahiut pas dhënies së të drejtës së botimit, për disa poezi ambigue kemi diskutuar në autobusin e linjës, që mos na përgjonin. Unë ndoshta si grua, apo për “buon sensin” po me siguri për guximin që duhej në atë kohë u bëra e kërkuar si redaktore. Kështu në atë kohë redaktova libra të Fatos Arapit, të poetëve si: Natasha Lako, Ndoc Gjetja, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Vllasova Musta, Mimoza Ahmeti, Bardhyl Londo, Skënder Buçpapaj, Izet Duraku, Besnik Mustafaj, Vojsava Nelo, Fatmir Musai, Hamit Aliaj, Vangjel Kozma etj., poetë që aspironin të thoshin një fjalë të re, që kërkonin ndryshime. Po kështu redaktova libra nga studiues si: prof. Dhimitër Shyteriqi, prof., Ali Aliu, prof. Koço Bihiku, nga piktori, kritik arti Llambi Blido, nga esteti Tefik Caushi, nga shkrimtarë e dramaturgë si: Teodor Laço, Ruzhdi Pulaha, Leka Bungo etj. etj.

 

 

Ka mendime se krijimtaria letrare artistike para 1990 nuk ka vlerë artistike.Si mendoni?

 

Edhe në periudha të errëta politike letërsia e arti zhvillohen. Njeriu edhe në kushtet më të egra të kufizimit të lirisë, madje edhe në ato më ekstremet, në burgjet e internimet ka nevojë të ëndërrojë, ka nevojë të krijojë një realitet më të mirë, të shpresojë për ndryshime, ka nevojë të zbavitet, të qeshë. Ashtu siç shkruan shkrimtari humorist, regjisori Pëllumb Kulla se edhe në diktaturë kemi qeshur, madje më shumë se sot. Pra, janë krijuar jo vetëm drama po shumë tregime, poezi, skeçe, parodi, komedi, të cilat edhe sot ruajnë vlerat e tyre artistike.

Por është fakt që në atë atmosferë të zymtë propagandistike ishte predominuese autoçensura e cila shpesh bënte që të lindnin e botoheshin libra skematikë. Shkrimtarët nuk kishin humbur vetëm lirinë po dhe dinjitetin, zërin e tyre. Frika sundonte dhe ëndrrat dënoheshin si faj. Kuptohet që mungesa e lirisë sillte autoçensurën e cila ndikonte në një nivel mediokër të krijimtarisë letrare.

Ballafaqimin e parë me lexuesin krijuesit e rinj e bënin nëpërmjet shtypit letrar ku çonin cikle me poezi apo tregime. Sigurisht paraqitja me libër ishte një shkallë më e lartë, pasi të ishte krijuar edhe një mendim në rrethet letrare për talentin e vlerat e një autori. Sidoqoftë një pjesë e madhe e dorëshkrimeve që dorëzoheshin në shtëpinë botuese iu ktheheshin autorëve sepse ishin me nivel të ulët artistik ose për ripunim. Ishte kënaqësi për një redaktor të çonte për botim një libër të një autori të talentuar, jo vetëm për faktin se të ktheje përgjigje norma ishte tre herë më e lartë por edhe sepse botimi i një libri kishte tjetër prestigj, redaktorit i vihej edhe emri në libër e i vlerësohej puna.

 

Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” është vendi ku u botuan veprat më të rëndësishme të Ismail Kadaresë si: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, “Prilli i thyer” e të tjera. Si përgatitej një roman i Kadaresë për botim në atë kohë?

Shtëpia botuese “Naim Frashëri” ishte vendi ku u botuan për herë të parë veprat që e bënë të njohur Ismail Kadarenë në botë. Libri i parë që u botua në Francë ishte një përmbledhje me poezi, e kujtoj sepse sapo kisha filluar punë në Gazetën “Drita”. Librat kishin ardhur në Bibliotekën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kadareja ishte me të vërtetë i emocionuar. Meqë unë lexoja frëngjisht më dha edhe mua një kopje libri me dedikimin e tij, e kam në bibliotekën time. Më vonë u botua “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave”, “Dimri i madh” etj. Kadareja ishte autor sa i rëndësishëm dhe problematik për Shtëpinë Botuese. Veprat e tij sidomos pas diskutimeve të gjera që u bënë për romanin “Dimri i vetmisë së madhe” lexoheshin edhe nga sektori i shtypit në K.Q. të PPSh. Problematik ishte edhe Petro Marko e ndonjë autor tjetër. Sepse autorët cilësorë përdornin figuracionin si: metaforat, alegorinë e nëntekstin, dykuptimësinë, që të kalonin filtrat ideologjikë. Redaktorët përpiqeshin të mbronin vlerat botuese të një vepre duke gjetur formulime duke ruajtur integritetin e tekstit sa të ishte e mundur. Është fakt që pavarësisht kufizimeve të kohës, botimet e Shtëpisë Botuese “Naim Frashërit” ishin ato që u përkthyen dhe e bënë të famshëm Ismail Kadarenë në botë, kontribuan që ai të propozohej për çmim Nobël në letërsi, para vitit 1990.

 

Si përgatitej një roman i Kadaresë për botim në atë kohë?

 

Duhet theksuar se veprat e Kadaresë ishin të strukturuara e të përpunuar me shumë kujdes nga autori. Redaktorët bënin vërejtje të vogla gjuhësore ose stilistikore. Shumë romane që u botuan në Shqipëri më pas u përkthyen dhe u ribotuan në Francë, ku autori shpesh ka bërë ripunime e rishikime të vogla të tekstit. Po kjo ishte në natyrën e vetë autorit që veprën kërkonte gjithmonë ta përmirësonte, rishikonte e ta përsoste. Shpesh më kritikojnë si mendjemadh, thoshte Kadareja, po unë në fakt jam shumë modest sepse gjithmonë përpiqem t’i përpunoj e përmirësoj veprat e mija.

 

 Ju keni qenë ndër të paktat gra që mbajtën poste drejtuese në një institucion të madh kulturor. Si përjetohej kjo përgjegjësi në një realitet të dominuar nga strukturat patriarkale dhe politike të kohës?

 

Ishte post me shumë përgjegjësi, ishe në vëmendjen e elitës intelektuale të vendit, aq më shumë që unë ndihesha pa mbështetje sepse nuk isha as anëtare partie. Dihet që në atë kohë roli i organizatës e sekretarit të partisë në një institucion ishte absolut. Hera e parë që vihej në drejtim një individ pa parti. Gjithçka diskutohej e vendosej në mbledhjet e organizatës së partisë në pushtet, sidomos problemet e kuadrit. Sigurisht unë u emërova në një periudhë kur po ndihej era e liberalizmit. Propozimi erdhi nga krijues në një mbledhje të plenumit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

 

Ju keni ndjekur studime pasuniversitare dhe keni qenë kandidate për Akademinë e Shkencave, krahas punës si botuese si arritët ta përballoni?

Krahas punës intensive në Shtëpinë botuese së bashku me një miken time, redaktore në redaksinë e tregimit Tatjana Buda Haxhimihali, vendosëm të përgatiteshim për shkallën e parë për kandidate të Akademisë së Shkencave. Përgatitëm për gati dy vjet provimin e gjuhës së huaj, ishin kërkesa të larta e dhamë me sukses frëngjishten, pastaj dhamë provimin e filozofisë e më pas provimin e teorisë së letërsisë. Ndërkohë unë mbarova kursin e lartë për Kritikë letrare një vit me shkëputje nga puna. Kjo periudhë më dha dorë të punoja për një studim me temë “Individualiteti krijues i shkrimtarit”, të cilin e paraqita si temë diplome për kursin.

Çfarë do të thotë të jesh kritike letrare grua në një kulturë ku edhe fjala “kritikë” ishte e kufizuar? 

Kritika letrare në vitet 70-80 zyrtarisht mbështeste realizmin socialist, në praktikë, ajo mbante gjallë mendimin estetik, duke i dhënë letërsisë shqiptare një dimension intelektual që sfidonte, në mënyrë të heshtur, kufijtë ideologjikë. Vështruar nga një distancë kohore mund të them se shpesh disa kritikë shiheshin keq e kritikoheshin nga shkrimtarët, jo vetëm për faktin që këta të fundit e kishin të pamundur të kritikonin linjën politike apo zyrtarët e politikës po edhe se vinin re një lloj servilizmi të padenjë te ndonjë kritik, tek i cili vihej re dëshira për t’i kapur autorët në gabim me qëllim përfitimi në karrierë. Kjo varej shumë nga karakteri i njeriut, ashtu si edhe sot jo vetëm në fushën e kritikës por edhe në fusha të tjera. Për natyrën time si grua por edhe nga karakteri im, nuk jam nisur kurrë të shikoj anë negative te një vepër artistike. Kam shkruar kur jam entuziazmuar nga një vepër, jo për të denigruar një autor.

 

Libri juaj “Individualitete dhe vepra letrare” (1988) u cilësua si i pari libër kritik nga një grua në Shqipëri. Si u prit në atë kohë dhe si e lexoni sot, në retrospektivë?

Ishin vitet ’80 që shënojnë një fazë shumë interesante dhe të dyfishtë për mendimin kritik në Shqipëri: nga njëra anë, kontrolli ideologjik mbeti ende i fortë; nga ana tjetër, filluan të shfaqen shenjat e hapjes kulturore dhe një pjekuri e re estetike. Para viteve ’85-’86 nuk mund të flisje për individualitet krijues të shkrimtarit, talentin e lindur. Poeti, shkrimtari, thuhej, formohej në kudhrën e popullit aty e gjente frymëzimin. Ndërsa në qendër të studimit tim unë vura figurën e poetit, fazat e lindjes e të fuqizimit të tij, rolin e madh të tij në shoqëri të ndryshme. Kjo ishte një risi për kohën. Studimi ishte i gjatë e unë mendova që së bashku me disa artikuj e studime, ese e recensione të botuara në shtypin letrar, t’i përpunoja e përmblidhja në një libër dhe e paraqita në Shtëpinë Botuese. Ishte libri i parë me studime e artikuj kritikë nga një grua. Libri iu dha recensentëve autoritarë të kohës e tepër seriozë, po kështu edhe redaktimi u bë jashtë Shtëpisë Botuese, ku unë punoja. Libri u prit shumë mirë u shtyp në 8000 kopje e u shit shpejt. Kam shumë vlerësime nga shkrimtarë e studiues të ndryshëm, pavarësisht kufizimeve të kohës.

 

Ju keni qenë ndër nismëtaret e krijimit të Partisë Socialdemokrate dhe presidente e parë e Organizatës së Gruas Socialdemokrate. Mund të na përshkruani shkurtimisht atmosferën e atëherëshme?

Dëshira për ndryshime ekzistonte pothuaj tek të gjithë intelektualët e vërtetë. Izolimi i gjithanshëm kishte krijuar asfiksi. Shqipëria s’ishte as me perëndimin as me lindjen. Jehona e rënies së murit të Berlinit krijoi shpresa të mëdha për ndryshime themelore. Filloi të flitej për çeljen e kulteve fetare, për lirinë e fjalës e të shprehurit, për pluralizmin e ideve e pluripartizmin. Në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” gumëzhinin idetë e shpresat e reja. Në zyrën time erdhën Sabri Godo e Namik Hoti për të daktilografuar Statutet e materialet për të kërkuar krijimin e Partisë Republikane e asaj ekologjike. Më 1989-’90 pas revoltave të studentëve u konsolidua lëvizja demokratike, që solli krijimin e Partisë Demokratike. Preç Zogaj, Ardian Klosi, Ilirian Zhupa etj. që punonin në Shtëpinë tonë botuese ishin ndër nismëtarët e parë të krijimit të Partisë Demokratike. Më kujtohet që në zyrën time mblidheshin shkrimtarë të ndryshëm e diskutonim. Mua më tërhiqte ideja e krijimit të Partisë Socialdemokrate. Lenini në veprën e tij “Materializmi dhe empiriokriticizmi”, i kritikonte rëndë socialdemokratët, duke i quajtur “pelte e neveritshme” sepse donin të zgjidhnin problemet me rrugë paqësore e jo me dhunë e luftë klasash si bolshevikët. Në Shqipërinë tonë të zvogëluar nga copëtimet rreth e rrotull, mendoja, që duhej të ndalohej lufta midis shqiptarëve, të zgjidheshin problemet e krijuara nga diktatura me ligje, vendime, marrëveshje midis partish ashtu siç veprohej në vendet e zhvilluara të Europës. Unë isha e vetmja grua në grupin nismëtar të krijimit të Partisë Socialdemokrate, rrjedhimisht edhe në Kryesinë e saj. (Idealizmi i atyre viteve nuk mund të imagjinohet e krahasohet me karrierizmin e arrivizmin e sotëm) Në koalicionet qeveritare nuk pranova asnjë post, madje me insistim hoqa emrin nga lista e zgjedhjeve për deputete duke argumentuar se kishte të tjera figura e personalitete që mund të sillnin më shumë vota për partinë tonë. Ndërkohë nga kontaktet me politikanë të ndryshëm të partive socialdemokrate evropiane edhe unë arrita të sjellë ndihma si: materiale kancelarie, pesë makina, fonde të domosdoshme për fillimet e veprimtarisë së partisë, për gazetën “Alternativa socialdemokrate”, titull i vënë nga unë. Në kongresin e parë të gruas socialdemokrate me pjesëmarrje shumë të gjerë, të rreth 2000 grave nga gjithë Shqipëria më zgjodhën unanimisht Presidente të grave socialdemokrate. Në atë Kongres asistuan shumë delegazione me gra nga Partitë e majta të cilat sollën eksperiencën e tyre dhe mjaft donacione financiare.

Pse u larguat nga Shqipëria, kur ju ishit në kulmin e karrierës suaj?

Im shoq një nga tregëtarët e parë të suksesshëm u vu në shënjestër. Gjendja e rëndë  e krijuar në vend nga banda kriminale bën që në fillim të largonim fëmijët për t’i mbrojtur e për të vazhduar shkollën. Më 1997 pas shkatërrimit të magazinave me mallra ushqimorë e humbjeve të mëdha që pësoi im shoq u detyruam të largoheshim edhe ne e të vendoseshim pranë fëmijëve në Modena të Italisë. Pra, largimi ynë nuk u bë me dëshirë, ishin rrethana shumë të vështira që na detyruan të emigronim.

Si u integruat në një periudhë me shumë paragjykime për shqiptarët sidomos në veri të Italisë…

Duhej punuar fort, në shumë drejtime po sidomos të bëje të njohur historinë e vendit e të nxirrje në pah vlerat, traditat e popullit tonë. Përgatita leksione për historinë e Shqipërisë, për Skënderbeun, për figura të tjera të shquara, për prejardhjen e gjuhës shqipe, për legjendat shqiptare, për kështjellat, për bukuritë natyrore të Shqipërisë etj.etj. Leksione, të niveleve të ndryshme që i zhvilloja në universitete, biblioteka, shoqata shkrimtarësh e artistësh, rrethe letrare, nëpër shkolla të mesme e tetë vjeçare në qytete të ndryshme të Italisë si: në Modena, Bolonja, Piacenza, Carpi,  Maranello, Prato, Montemurlo (Toscana) etj. Arrita me përpjekje të më akordohej një fond financiar që e aprovoi Këshilli i Komunës së Modenës për të sjellë mbi 350 libra nga Shqipëria, duke krijuar një kënd me libra shqip në bibliotekën e njohur “Delfini” të qytetit të Modenës, në ndihmë të emigrantëve shqiptarë. Për disa vjet isha e zgjedhur si anëtare e jurisë së konkursit “Scrittori inediti”(Shkrimtarë të pabotuar) shpallur nga Rajoni i Emilia Romanjës dhe Komunës së Modenës për talentet e reja kryesisht italianë por edhe të huaj. Gati për dhjetë vjet drejtova “Sportello donna”(Dritare për gratë) pranë sindikatës Cisl, në ndihmë të grave emigrante të të gjithë kombësive.

 

Pas vendosjes në Modena, ju vazhduat të shkruani, të përktheni.

Krahas punës intensive për të bërë të njohura vlerat e Shqipërisë dhe shqiptarëve vazhdoja të shkruaja tregime, novela, shënime për ngjarje, shfaqje kulturore, intervista me shkrimtarë e artistë të njohur italianë, fillova të përkthej edhe nga italishtja autorë të shquar e nobelistë.

Puna si studiuese e kritike kërkonte ndjekje të procesit letrar në Shqipëri, në ato vite nuk kishte as internet. Ndërsa krijimtaria e mirëfilltë letrare apo përkthimi mund të bëheshin edhe pa pasur nevojën e skedave, referimeve. Mbaja gjithmonë bllokun me vete, shkruaja e përktheja kudo: kur prisja të më vinte radha për një vizitë mjekësore, kur prisja të fillonte takimi me prindërit në shkollën e fëmijëve, kur prisja autobuzin apo gjatë rrugës në linjat për t’u kthyer në shtëpi.

 

Ju keni përkthyer autorë të njohur francezë e italianë si Maupassant, Perrault, Pascoli, De Amicis, Pirandello, Grazia Deledda, Alda Merini e të tjerë. Çfarë kriteresh ndiqnit në përzgjedhjen e autorëve dhe si është të përkthesh në shqip një kulturë tjetër?

E konsideroj krijimtarinë letrare, ku futet edhe përkthimi, mision, një punë shumë serioze e me përgjegjësi. Prandaj te përkthimi më pëlqen të ndalem, së pari: te përzgjedhja që në morinë e madhe të botimeve, është nga momentet më të rëndësishme që lidhet ngushtësisht me suksesin e përkthimit dhe sa ky libër do i shërbejë problematikës së shoqërisë shqiptare, së dyti: te përgjegjësia e madhe që ka përkthyesi te një përkthim, sa më përshtatet mua si përkthyese bota e brendshme dhe stili i autorit që marr përsipër të përkthej, gjë që në Shqipëri është nënvleftësuar e abuzuar tej mase, sidomos nga shtëpitë botuese. Të përkthesh keq e shkel e shko do të thotë të bësh dy dëme të rënda, e para: ta largosh lexuesin nga libri e letërsia dhe e dyta: të zhgënjesh lexuesin nga autori. Unë mendoj se përkthyesi duhet të apasionohet nga vepra që përkthen.

Pothuaj të gjithë autorët të cilët kam përkthyer janë autorë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë evropiane. Një ndërmarrje jo e lehtë të sjellësh në shqip krijime nga autorë me stile krejt të ndryshëm. Ishte sa e vështirë e me përgjegjësi të përktheje prozën poetike të Paskol-it, apo të mjeshtrit të fjalës dramaturgut të madh Pirandelo-s, të shkrimtarit të shquar De Amicis, apo të shkrimtares Nobeliste Gracia Deleda dhe tregimet nga figurat e shquara të kritikës së artit si Diego Anxheli e Ugo Fleres. Poetes së madhe Alda Merini. Dhe nga letërsia franceze, nga shkrimtari i madh Gi de Mopasan, i shquar për stilin e tij të rafinuar, apo nga shkrimtari e përrallëtari i madh Sharl Perro. Fatmirësisht ne kemi një traditë të pasur me përkthyes të shquar si: Noli, Kuteli, Zheji, Shvarc etj. unë mundohem të ndjekë këtë traditë që përkthimet e mija t’i qëndrojnë sa më besnik origjinalit por të rishkruara me stilin tim në shqip. Që ata autorë të mëdhenj siç na mahnisin në origjinal, duhet të na mahnisin edhe në shqip. Lexuesi duhet të hyjë në ngjarjet, në botën e personazheve, të harrohet në përshkrimet, të harrojë që po lexon. Kryeveprat botërore të përkthyera nga përkthyes të talentuar hyjnë në fondin e artë të letërsisë kombëtare, ato emancipojnë shoqërinë ngrenë nivelin kulturor të lexuesit, ndikojnë edhe në ngritjen e nivelit të letërsisë kombëtare.

 

Ç’mendoni për botimet sot?

 

Sot janë shtuar shumë shkrimtarët, poetët, shkruhet e botohet shumë. Tregime, romane me përshtypje, mbresa e ngjarje nga jeta mund të shkruhen po në një libër rëndësi ka mendimi filozofik, mesazhi që përcjell autori e që në kryevepra ky mesazh emancipon, ndryshon botën. Unë mendoj se kjo është një nga kërkesat kryesore që duhet të shtrojë çdo shkrimtar para vetes kur ulet të shkruajë një libër: kujt do t’i shërbejë ky libër, pse duhet ta shkruaj. Kjo më ka bërë që të matem shumë para se të botoj, procesi i përpunimit dhe i redaktimit më ha shumë kohë, ndonjëherë edhe vite. Synimi im nuk ka qënë të rend pas sasisë së botimeve por të botoj libra me cilësi që t’i qëndrojnë kohës duke kontribuar në gjini e drejtime të ndryshme si: në fushën e kritikës, të përkthimit nga dy gjuhë (frëngjishtja, italishtja), si prozatore, publiciste, intervistuese, si mbledhëse e studiuese e frazeologjisë popullore.

 

Në vitin 2019 ju botuat librin voluminoz me tregime, novela, intervista e publicistikë “Jetë buzë detit”, libër që u pëlqye për pasurinë e ideve dhe stilin e kristaltë të të shprehurit. Më 2020, 2021, 2022 botuat 3 libra me tregime e novela në bashkëautorësi me shkrimtarin Pajtim Xhelo. Dhe në dhjetor të 2023 librin “Shprehje frazeologjike sjellë përmes rrëfenjave”. Si ndryshoi në këtë periudhë mënyra juaj e të shkruarit? Le të ndalemi pak te libri “Jetë buzë detit”, të cilin mund ta quaj surprizë.

Pas një eksperience të gjatë si kritike letrare, botuese e redaktore për shumë vite të sa e sa librave të autorëve shqiptarë, paraqitja në një rol të tillë, dalja para publikut me krijimtari letrare nuk ishte pa emocione e përgjegjësinë për t’u paraqitur sa më denjësisht.

Dëshiroja që libri im mos ngjante me librat e autorëve të tjerë, me përmbledhjet e zakonshme me tregime, po të kishte larushi në formë dhe në pasurinë e ideve.

Dikush e quajti libër mozaik, libër plot variacione. Nga arkivi im zgjodha që të përfshiheshin tregime, novela, etyde, përshkrime, prozë poetike, intervista, bashkëbisedime, reportazhe, përkthime, të gjitha të shkruara, të ripunuara disa herë e të redaktuara me kujdes e në kohë të ndryshme. Synimi im ishte të tingëllonin sa më mirë edhe nga ana gjuhësore, çka duhet theksuar sepse kjo cilësi sot po bëhet shumë problematike. Nga shumë miq shkrimtarë, poetë, lexues të kulturuar kam vlerësime e komente me superlativa. Shkrimtari Pajtim Xhelo, pëlqeu veçanërisht stilin e të shkruarit e mbi bazën e disa krijimeve të këtij libri lindën disa tregime e linja në vazhdim. Kështu nisi bashkëpunimi ynë për librin titulluar “Nata e kuajve të bardhë”(2020), pastaj “Netët cigane”(2021) dhe “Mes dy dashurive”(2022). Pajtimi jetonte vetëm e i ishte kushtuar tërësisht krijimtarisë veç prozës shkruante gati përditë poezi të reja, ishte poet i lindur. Ndërkohë unë kisha lënë mënjanë një dorëshkrim me rreth 200 faqe, rrëfenja për shprehje frazeologjike të mbledhura në vite. Kur e mori vesh Pajtimi u entusiazmua e filloi të më dërgonte në postën elektronike gati çdo ditë rrëfenja me shprehje frazeologjike nga të gjitha trevat shqiptare, unë i seleksionoja dhe i redaktoja. Shumë shpejt libri nga 200 faqe arriti 400 faqe. Pajtimi nxitonte të botonte sikur e ndjente që do ikte shpejt nga kjo botë. Në dhjetor të 2023, edhe me ndihmën e djemëve të mi Grid Thoma bëri faqosjen e paraqitjen grafike, ndërsa Arditi financoi shpenzimet arritëm të realizojmë botimin e librit voluminoz “Shprehje frazeologjike sjellë përmes rrëfenjave”, një kontribut për t’u shënuar, një libër i veçantë, një risi në punën studimore të gjuhësisë, që është vlerësuar jo vetëm për nivelin e lartë, po edhe si diçka që sillet për herë të parë, në një formë krejt të veçantë, që nuk njihej më parë. Në këtë libër janë përmbledhur 346 njësi ose shprehje frazeologjike të shoqëruara me rrëfenjëza, nëpërmjet të cilave, duke gërmuar në mençurinë popullore, bëhen përpjekje për të shpjeguar origjinën apo historinë e lindjes së këtyre shprehjeve frazeologjike. U zgjodh kjo mënyrë origjinale e paraqitjes së shprehjeve frazeologjike nga të gjithë trevat e Shqipërisë me histori të shkurtra e të thjeshta për të rritur mundësinë e të fiksuarit të tyre në kujtesën e lexuesit. Herë-herë përmenden emrat e disa njerëzve të shquar të Kombit në ndodhi të ndryshme. Po kështu përmenden qytete e krahina të lashta të trevave ku flitet shqip, disa prej të cilave sot janë territore të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë etj.

 

Emigracioni është temë e shpeshtë në tregimet tuaja. Cilat janë për ju vlerat e letërsisë së diasporës shqiptare sot? A po krijohet një kanon i ri jashtë kufijve?

 

Në të shpërngulurit ka edhe mjaft intelektualë, shkrimtarë, poetë, gazetarë, studiues, artistë. Një pjesë e tyre vazhdojnë të shkruajnë në gjuhën amë, të tjerë shkruajnë edhe drejt për së drejti në gjuhën e vendit ku kanë emigruar, duke vazhduar kështu traditën bilinguiste o polilinguiste në letërsinë shqipe. Po kjo është një temë e gjerë të cilën unë e kam trajtuar në një studim. Desha të theksoj se në Diasporë ka shumë personalitete shkrimtarësh që janë shquar si: Gëzim Hajdari, Lea Ypi, Elvira Dones, Ornela Vorpsi, Anilda Ibrahimi, Gazmend Kapllani, Besa Myftiu, Anisa Markarian, Thanas Medi, Tedi Papavrami, Ron Kubati etj.

Në këtë pikë do desha të citoj të ndriturin Robert Elsie, një nga albanologët e shquar e studjuesit besnikë të letërsisë shqiptare ka parashikuar se: “Pas tronditjeve të rënda politike, ekonomike por edhe kulturore të 15 viteve të fundit, Shqipëria dalëngadalë po e merr veten, në mënyrën e saj, dhe jam i bindur – vazhdon Elsie se do të ketë autorë me shumë talent por ndoshta shumica do të jenë në emigracion”.

Po në Shqipëri mungojnë qendrat e ndjekjes së krijimtarisë letrare artistike për të evidentuar fenomenet e reja letrare si dhe autorët e shquar. Ёshtё i patolerueshёm qëndrimi jo i vëmendshëm i Ministrisё sё Kulturёs dhe asaj tё Jashtme, Gazetave, institucioneve tё ndryshme kulturore, Universiteteve shqiptare ndaj shkrimtarёve, poetëve e artistëve shqiptarë qё jetojnë e punojnё jashtё kufijve tё Shqipёrisё. Veprat e atyre mё tё talentuarve i studjojnё universitete tё ndryshme, vlerёsohen me çmime nga juri prestigjiose, botohen artikuj e studime nё gazeta e revista tё ndryshme me mjaft emёr nё botё dhe nё Shqipёri heshtet.

“Ajo që më bën përshtypje – thotë në një intervistë dhënë nga botuesi italian Livio Muçi, është se këtu (në Shqipëri – shën.i ynë) as nuk flitet për letërsinë e autorëve shqiptarë në diasporë… Nuk mund të mendohet se kultura shqiptare është mbyllur në qendrën e Tiranës. Ajo është e shpërndarë në gjithë Evropën, në gjithë botën. Ose duhet të besojmë që kjo letërsi mund të jetë në shijet e italianëve apo francezëve dhe nuk i shkon shijes së vetë shqiptarëve. Kjo më duket e pamundur.”

 

Cilat janë mësimet më të rëndësishme që keni marrë nga jeta mes librave,  si redaktore, kritike, përkthyese dhe shkrimtare?

Jeta mes librave nuk është thjesht profesion apo hobi, ajo bëhet një mënyrë për të kuptuar njerëzit, për të jetuar shumë përvoja, për të kërkuar të vërtetën përmes gjuhës dhe për të përcjellë te njerëzit mesazhe të rëndësishme për ndryshime të përhershëm drejt përparimit shoqëror.

 

Nëse do t’u drejtoheshit sot të rinjve që duan të merren me kritikë, botime apo përkthim, çfarë do t’u thoshit?

Në epokën e internetit dhe të robotizimit që po jetojmë, shkenca po ngjit shkallët drejt majave të të panjohurës dhe shoqëria njerëzore është lehtësuar nga shumë ngarkesa të vështira që mbarte mbi supe në të kaluarën, por duhet theksuar se, ndërsa mendimi njerëzor po ngjitet shumë lart, bota shpirtërore e shoqërisë së sotme po shter e po thahet. Prandaj të rinjtë duhet të njohin e lexojnë traditën, është domosdoshmëri. Nuk mund të shkruash kritikë serioze pa njohur historinë e letërsisë shqipe dhe atë botërore. Jo për ta imituar po për të kuptuar se ku ke qëndruar e si do ecësh. Botimi, përkthimi, dhe kritika ndërtohen ngadalë, me reputacion dhe besueshmëri. Kjo nuk është fushë e shpejtë për sukses. Shpesh puna më e mirë është ajo që nuk bie menjëherë në sy. Dua ta mbyll me një thënie të shkrimtares Virginia Wolf: “Për të shkruar libra duhet të lexosh libra.”

 

Modena, 20 qershor 2026