Ismet TAHIRAJ: ÇEZMA E NEKUT, TREGIM

Pas u zgjua nga gjumi, Rama plaku, e mori mikun e vet, nga Akrashtica, që e kishte në konak dhe dolën të shëtitin fushave, për t`i pa miku livadhet, arat me drithëra dhe malin që kishte filluar gati në të mbyllur të dushkut të vet.
Në një faqe bregu, aty afër shtëpisë së Nekut, po i thotë mysafirit, ehhh, e sheh këtë dhe, është pak i rituar në të lagështë, me këtë bardhësinë, si në të hirtë, por kur teret, bash bëhet si miell i bluar. Porsa e merrte në duar, gjyshja loke, më thoshte, këtu ka burime të ujit.
Po ia priti miku, këtë bile me ujë të shumtë gurgullazë dhe tepër i mire për pije.
Jo veç për pije, po edhe për tanë këtë katund tëndin.
Kur hynë në kullë i lanë duart për kaftjell. Rama i tha, erdhën dy djemtë e Delisë e sofra tani mori edhe një pamje më të bukur nga këta burrra kreshnikë.
Pas kaftjallit, Rama prapë mori fjalën se në këtë katund të moçmit kishin thënë se ka ujë me bollëk, për tri çezma.
Eeh, lum miku, ia priti i Akrashticësi pse jo, djem keni si zana bini punës e bitiseni.
Po, edhe te krekci i Mahmitit ka ujë, por disi me ngjyrë, si ndryshku, as gjaja nuk po e pijnë.
Rama i tha mikut, Delia e ka një lis pak më larg në lindje të shtëpisë, dy veta nuk mund ta përthekojnë.
Po, tha i Akrashticësi e kam pa atë lis disa herë, por edhe dje kur erdha tek ju.
Eeeh, foli Rama, thojnë se aty nën rrajën e lisit është një lumë, nën tokë, që shkon në veri dhe tjetri kah jugu. Do inglizë*, moti, ashtu e kishin hetue me do hekura që i endeshin poshtë e përpjetë, e u pjekshin prapë, në atë trup lisi.
Djali i vogël, i Delisë, kur mori vesh për dheun e bardhë, te shtëpia e Nekut, i tha baci Ramë, a i marrim kaciat* dhe shatnejtë e rrëhmihim deri të del uji.
I Akrashticësi, u tha dëgjoni, o mik merrne një qyski*, një çekan të rëndë dhe një gyp hekuri, afër dy-tri mera, por jo edhe aq grykën e gjanë.
Mirë fort, tha Rama, dhe po thua mik më ia nisë fill punës, a?
Po, edhe përhajër u qoftë e më bereqet uji. Besoni se ujë më të mirë nuk keni me pasë në jetën tande mikooo.
Nuk vonoi edhe shumë kohë, në vendin ku ishte dheu i terur si miell, i Akrashticësi u tha, së pari ngulne me qyski, koxha thellë dhe tue zgjanue birën. Kjo lypë punë dhe krah të forte, po ju delni në selamet* dhe aty për aty filloi puna.
Fëmijët në vrap, kush sillte petulla, kush ndonjë dardhë turrshije, dhe kafet po se po, për dy pleqtë.
Nëna Hajrije vuri dorën mbi ballë dhe i tha Danit
Danooo, çka po bajnë ata gjini* aty që janë tubue?
Ojjj nanë, kronin po dojnë më çel.
Nana e jeme, ooo nana e jeme, pashë mua a ma jep gjysë llokumi t’ua dha argatëve, po thonë ka më dale uji që nuk shterret kurrë, ama bash kurrë hiç.
Po, djali i jem, merri llokumat edhe pesë vo të zime* me hallall jepu.
Puna po vazhdonte dhe dielli kishte shkuar bukur lart.
Po vjen Halili i vogël e po i thotë, baci Ramë, bukën ua pruna te dardha ugere, edhe dy knata më ujë* ju bafshin mirë. Selamet.

Oooo, ju rritë nera e bereçeti shpisë të juve.
Mbas buke, Lyka i pruni tetë kafe me filxhana veç vizëllimë.
Po e kujna je ti bre bijë, i tha Ramë plaku?
E Demë Fazlisë, bac, e Demë Fazlisë.
Shpi e oxhak honedon jeni kanë baco, zoti ju qittë në selamet.
Akrashticësi si një lloj mjeshtri i rrymë*, u tha deri kah tre sahat mas përendimit të diellit do të ta hetoni baltën e qulltë dhe pikat e ujit, po durim se duhet derisa gypi të jetë jashtë, së paku 40 santin*.

Po o bac, kjo nuk ka mbetë edhe shumë, na kanë ndihume edhe do djem kah pesëdhjetë veta, kur ju pushoni nën hije dhe tjera edhe pak se këtu kanë me ardhë edhe tetë veta me çekanët e tyne, nja pushon, tjetri e rreh gypin, tjetri pushon i treti e rreh gypin.
Veç ta dini, tha Akrashticësi, se kur gypi bje në ujë, duhet pritë ma së paku gjysëm ore, se uji merr fuqi gypit, po përpara e ka mbërthye baltën, dhe atë dakik që vjen te gryka e gypit jashtë, me hez, ka më gjue baltën dhe ka më vizëlluue uji si lirat e kuqe, mbane në mend.
Po gjithë ky ujë kur derdhë nga korita, ka e merr udhën e vet?
Miko, i tha i Akrashticësi, uji shkon në veri, në shtratin e Lushtës, e drejt në Ibrin plak të Mitrovicës.
Vërtet, atë ditë shpërtheu ujë bilur, dhe sot e mot, niihet si Çezma e Nekut të Preakzit.

*Kaci, lopatë, bel
*ingëlizet, aludohet në Anglez
*Qyski, qysqi, daltë e gjatë hekuri
*Selamet, turqisht, dritë
*Vezë të ziera
*Knata me ujë, bulere me ujë
*Sahatin, orën
*I rrymë, i kalitur

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here