Istref Haxhillari: Zonja prej shiu, tregim

Zonja prej shiu

Qielli i ngarkuar dhe shiu hollak që spërkaste shtruar tokën, nuk i pengonte njerëzit të dyndeshin dyerve të tregut të madh. Makinat, karrot e furnizimit, këmbësorët zhurmonin si zgjoje bletësh, shitësit rreshtuar trotuareve, ftonin blerësit me vështrime të përvuajtura mikluese.
Në sheshin para magazinës së frutave më tërhoqi vëmendjen një grua e gjatë pa çadër me flokët lidhur prapa. Nuk ngutej të hynte në ndonjë strehë si të tjerët, përkëdhelte me sy piklat e shiut, sfidonte motin me qëndrim shpenguar prej zonje nazike. Kisha përshtypjen se e njihja, po tamam nuk më kujtohej.
“Tërë kjo grua! – përtypa habinë, – e lë veten të laget!”
E hoqa nga mendja, sapo u ndodha ballas mikut tim të hershëm Llazi Vako. Sillej rrotull fillikat, shiu s’i bënte kurrfarë përshtypje. I shtynte ditët me brengën e hidhur të humbjes së gruas dhe djalit. Sa herë e shihja më këpuste shpirtin.
– Qenke bërë ujë! – e qortova miqësisht!
Më kundroi me sytë qelibar prej fëmije të pafajshëm. Flokët e rralluar ruanin gjurmët e dallgëzimit të dikurshëm, balli i gjerë me rrudha të lehta jepte imazhin e burrit fin, po mjekra e rritur, pantallonat e pahekurosura, xhaketa gjithë zhubra e nxirrnin faqe botës në pikë të hallit.
– Si je?
– Oh! – buzëqeshi i çuditur, si të kisha pyetur për diçka të parëndësishme. Mbase nuk qe fare e qeshur, m’u përhitën vegimet e dikurshme.
– Me se merresh?
– Punojmë vreshtin me Koço Binishin, – u përgjigj sikur recitonte.
Ma thoshte gjithnjë. Harronte, a donte të cekte të vetmin përjetim të ditëve të veta pa ngjyrë, vështirë ta ndaje.
– Sa mirë, mbush kohën.
– I kemi bërë tërë atë hyzmet. Sot e krasitëm, lëngu rrodhi lumë, gjak i lig, do t’i mbushim butet sivjet.
– Sigurisht, – i erdha osh.
U gëzua, sido që e dinte se s’kisha haber nga kultivimi i hardhive.
– Shiu s’ka pushuar fare, – më shikoi ngultas, si të varej nga unë nëse do t’i binte vrugu rrushit të tyre.
– Nuk besoj, – i thashë, – tërë ajo punë!
– Ashtu mendon Binishi.
Si të pendohej pse foli aq shumë, u krodh në botën e vet të errët, zaptuar nga heshtja dhe shpërfillja.
E kapa për krahu.
– Pimë kafe? – i tregova me kokë klubin e çobankave.
Seç pëshpëriti nëpër dhëmbë, mbase ndjesë për kohën.
– Unë s’kam si e shtyj, – u përgjigj pas pak.
Zumë tavolinën e lirë afër dritares. Zhytur mes pallateve bari i vogël me tre tavolina mezi shquhej, ama pijanecët në moshë të re e gjenin symbyllur. Pasi hidhnin ca gota nëpër klubet e tjera, afër mbrëmjes përfundonin aty. E vetmja stoli e barit qenë çobankat. Më e vjetra kaluar të pesëdhjetave, po fytyra e pudrosur, sytë e mëdhenj ndjellës, vetullat e ngritura, i shtynin qejflinjtë të besonin se ende mund të jepte. Kamerierja më e re, stërhell zeshkane me nishan të madh ngjyrë ndryshku nën mollëzën e majtë, erdhi të merrte porosinë. I shkela syrin, qeshi plot kuptim.
Dikur Llazi lëshonte batuta të kripura, tani as e vuri re, nisi të rrufisë kafen siç ia shërbyen.
– Sheqerin! – e kujtova.
– Oh, pa shiko!
Grisi paketën me ngathtësi pleqsh. Sado u kujdes ta shtinte në filxhan, gjysmën e lëshoi mbi tavolinë.
– M ’u derdh, – u shfajësua.
– S’ka gjë, e pastron ajo.
I bëra shenjë zeshkanes me nishanin petashuq sa një lajthi.
Çatisi me pecetë në dorë, fshiu mbulesën, i buzëqeshi për ta inkurajuar, u largua, duke tundur vithet me lezet.
Llazi nuk e ngriti kokën ta shihte.
– Kemi punuar, jo shaka, – u orvata ta nxjerr nga apatia.
– Eh, – bëri me dorë gjest shpërfillës, – ikën ato.
Çobankat kishin shtrirë llërat mbi banak, vështronin rrugën matanë dritares, ku gëlonin burra e gra me shpatullat qëndisur pikla uji.
– Sa njerëz! – psherëtiu.
Zëri erdhi i mbytur si nga tjetër planet.
– Çfarë the?
– Asgjë, asgjë?!
Nuk më ra ndërmend diçka për të vazhduar, u ngujuam tavolinës me sytë nga sheshi para barit.
Mes kalimtarëve u shfaq gruaja misterioze me gërshetin mbledhur topuz prapa zverkut. Çapiste ngeshëm, rrotullonte sytë, si të grishte dikë të largët, godiste me thua pikat e ujit varur cullufeve.
“Gruaja e shiut!” – mërmërita jo pa habi.
Më shkonte mendja vetiu qyshkur e hasa së pari në sheshin e pazarit. E gjatë, e hirshme, e lagur, më cyste kujtesën si vegim i vjetër absurd.
Llazi i shpëtoi plogështisë, zgjati kokën sipër tavolinës, e ndoqi plot ankth, gjersa u zhduk pas kthesës. Fytyra e zverdhur, trupi i kontraktuar, sytë e skuqur të thatë, më futën dridhmat.
– Ç ’pate? – mezi nxora zë.
Vështroi disa çaste përreth i dyzuar.
– S’ka gjë, – u tërhoqa, – mos u verë në siklet.
U koll të qëronte zërin, më kapi dorën.
– Çdo natë e shoh ëndërr, – tha si t’i fliste vetes, – nganjëherë ditën syhapur.
– Çfarë shikon?
– Atë gruan.
– Je i sigurt?
Miratoi me kokë.
– Çfarë bën?
– Zë rrugën, tjetërsohet, shqyen sytë.
– Flet?
– Prit më thotë, pastaj harron, largohet.
– Kaq?
– Mbrëmë pyeti: “Ku e ke djalin?”
Ktheva kokën nga ana tjetër të mbajta lotët.
– Ia ke thënë Koços? – m ’u dha ta pyes ashtu kot, sa për të mos e lënë gjatë në dhimbjen e vet.
– Jo, jo, – u çel, – vreshti do punë, jo llafe.
Kisha qëlluar në shenjë…
Shiu pushoi, rrezet e diellit mësynë dritaren, i përkëdhelën ballin e vrarë, flokët me dredha të shprishura, supet e lagur.
– Dalim tani? – e pyeta.
– Dalim, – u përgjigj.
I ramë qark tregut. Gruan e gjatë me flokët lidhur topuz prapa kokës nuk e pamë më.
Treti me shiun.