NGA MALET
Mortja erdhi nga fushat dhe nga deti,
u ngjita këtu lart, u miqësova me shqiponjat,
trupi sa herë më mori flakë nga rrufetë
mbështetur në trungjet e pishave, në krye të maleve,
mes thekve të barit e çajit të kuq, që thithin ujë në shkëmb…
Njëzet breza që nuk i kam mbyllur sytë i qetë
dhe njëqind herë jam mbajtur tek yjet
kur krahët dhe këmbët m’u bënë copa
duke u përballur me barbarët…
Atje poshtë shoh plot pikëllim tokat djerrë,
ndiej dallgët e detit që shkojnë e vijnë,
me rënkime të thella
duke endurnëpër shtjella frymën time të përzier
me frymën e atyre që u nisën dhe nuk arritën në breg
Çdo ditë më duhet të përcjell të tjerë që ikin
duke pritur lajmet e kthimit dhe… veç fjalë
të lagura në lotë, thermuar vijnë nëpër erën e errët
dhe halorët i tjerrin në tinguj të thershëm
me fishkëllima vajtuese…
Nëpër hënën e vonë zbres për të nderuar të vdekurit e fundit
më përmallon e më rrenqeth ndriçimi që vjen nëpër pllajat
mbushur me eshtrat stërgjyshore,
dhe në fill të agut shtrihem për t’u çlodhur
duke e vështruar yllin tim
që më jep shenjë qëndrese…
…Kur të shuhet ai edhe unë do t’i mbyll sytë…
KUR BRIDHNIM PEZULL
Të pata thënë një natë
shoh ardhje ndriçimi që nga rrënjët
dhe është thuajse e papërballueshme
ajo ndritshmëri therse!…
Në agun e një dite fundviti,
ti ike i ngarkuar përtej vetvetes
dhe arka me shënime që të dhashë ta hedhësh në detë
u kthye në varkë duke bartur zogj me krahë të thyer,
çelur nga përqfimet në brigjet e ndarjeve
Ku ti mbaja…këtu gjithçka bëhet e shkitshme
dhe mesnata mund të vij në çdo cast…
Të çmendurit e shumtë do m’i digjnin!
Të dielave dal i mbështjellë me lëkurën e vetmisë
dhe kaloj bri kullave që rriten
duke shpuar kërthizën e dashurisë time të blertë
hijet e tyre të athta më mbështjellin…
Në mesditë shtyj malet e dhimbjes që më vijnë përballë,
në pjalmin e muzgut një dorë më ngre të mos bie…
në humnerën e kujtesës që e thundron lënda e stuhive
Netëve nëse kërkoj hënën,
hiri i saj i plasaritur bie mbi vëshrimin tim,
më mbeten të tjera shënime të pambledhura
që fluturuan në ajrin e mbrëmjeve tona
enden nëpër qiej dhe më vështrojnë mbushur vajë
pa besuar të afrohen serish dhe t’iu pëshpëris
e t’i strehoj dikund…
Gjithë ajo largësi është plot me ndërpreje dallgësh
dhe mbeten vetëm mbrëmjet
kafenetë që më bëhen përditë e më të mërziteshme
dhe ajo e errta që nuk i ndahet mendimit
duke e shpuar pa mëshirë…
PRANVERA E RIPUNUAR
Me thekët e mprehtë, tani do më gjunjëzojë prilli,
dikur vinte dhe shportat plot me rreze të njoma,
m’i hidhte nga balli te këmbët,
dhe gishtërinjtë m’i bënte trëndafila fluturues
prilli i kishte rrënjët te meloditë e erës
dhe dritën te lulet e livadheve
në shtratin e ujërave të lumit notonin diamante
Tani I mbeshtjellë me myshk, asgjë nuk di të kërkojë!
Ndihem i lëvozhgtë dhe ujë më rrjedh përbrenda
pa më çelur një syth, kaprollet shkuan
veç hijet e tyre pijnë ujë po aty
Rrallë një erë e ngrohtë më zhvesh lëkurën e brymtë
dhe në krye të pllajës mbi luspat e motit
shquaj një lule dhe rrënjët e saj që shpojne vazon e akullt
Vështroj lisat e vjeter që i mbeshtjelle një erë e thartë myshku
dhe heshtja më ther në zemër
përgjoj dhe pres të bjerë një stuhi prej qiellit tim
të më dërgojë te lumi
MIKU IM
Miku im priti vjeshtën e vonë
sa i thuri një tufë me sonete të dashurës
që e përcolli në një kodrinë selvishë
ku hëna do ti çel lulet e ëndrrave të pakryeme…
Dhe u nis për në Lion i shpuar nga një fyell i akullt,
që binte tërë vaje,
në pyjet e zemrës së tij…
atje, si ne balada e priti Ajo
duke tundur një shami që kullonte ngjyra
nga liqeni flakërues i gjetheve të vjeshtës…
U përmbajt me vështrimin e turbullt.
“Po ti këtu, Riketa, e dashuria ime!?” thirri Ai
O Zot cili kalë fluturues të solli këtu
të ndriçuar me hiret e rinisë?!
Krahët e tyre u hapën drejt përqafimit
dhe mbetën të shtrirë në ajrin e ngrirë
“Jo kurrë, kaq larg”, pëshperiti një zë!
Puthjet tuaja mbeten të çelura përtej detit.
IKJET
Në pranverën që shkoi, mbi tokat e Arbërit
në pasqyrën e qiellit u këmbyen
të rinjtë që iknin dhe dallëndyshet që vinin
Në qiejt e syve të dallëndysheve
shkiten retë e brymta të pikllimit dhe ranë
mbi çatitë e shtëpive të vetmuara
dikush nga të ikurit, nuk do të vij asnjë stinë tjetër
veç krahët prej malli do ti mbeten gjithmonë në ajër
duke shkundur endrrat e pakryeme që do të bien me shirat
të lulzojnë në muzgjet e vetmisë
Dikush i kthyer vonë do të mbeshtet te porta
Çele derën nënë çele! I përgjuar nga heshtja
do të lëshohet në vajë dhe si një kulpër vetëtime
do ti sillen rreth qafe hijet e krahëve të saj…
JAM GJALLË
Gjunjët e ngirë, ndiej të më thërmohen
puplore lageshtie më pupërrojnë ballin
kujtesa regetinë e brenjtur nga vështrimet
brymërat më afrojnë me kafshimin e akullt
Ikur qyshkur e nëper stinët e mungeses
veç me frymën tënde njomësi të kadifejtë,
si aroma e eshkës që digjet ngadalë,
në trishtimin e kaltër me therje të mprehtë
Dhe sonte në gojën me dhëmbë të akullt
kristal, në lëndinën që kositet me ngricë
psherëtima e bartur nga një natë e humnertë
e ndiej duke u shtrydhur në lotet pikë pikë
Fjollat e verdha vezullore, më afrohen
perëndim i një moti të përzier me mortë
trëndafila ngashërimesh më rriten para syve
dhe shtrydhin pikë pikë gjakun me lotë
PËRJASHTA
Dritaret kërcasin dhe hapen,
shiu dimëror i përzier me kundërmim të fortë kalbësie
shkund për deti lag dhe i mbush me lëkurat e grisura të pyllit…
Pranë këmbëve kullon ujë
nje shpirt i zi korbesh të futur brenda nëpër palcën e një klithme
në këtë orë nuk di të flas, përpiqem të krijoj gjuhën e gjendjes
një erë e ashpër më pushton dhe godet përbrenda mureve
duke shkundur hirin e zërave të shuar, fishkëllima therëse
në drithma përgjoj. Lëmshi i motit me ngjyra të errëta
më kanë strukur në një skaj, bota përjashta rënkon,
dhe pandarë vërshon në dhomën time,
Hapsira paksohet
Dy minj të murrmë dalin të kërleshur me qimet e hirta
dhe shqyejnë macen time, tërheqin perdet dhe mbulojnë
të lindurit e tyre të shumtë.
Ngrihem e strukem në qoshe
karrigia ime po noton në ujin e llumtë
katër minj larushë futen poshtë katër këmbëve të karriges
dhe e bartin për te zyrat e zbrazura
Tani e me tutje minjtë do ulen
edhe në karriget tona