JAM DHE S’JAM
Jam bir i yjeve që s’vdesin,
Planet, që trajektore s’njeh!
Unë qesh dhe zgjoj gjithë Universin,
Nga gjumi, diellin, unë e ngre!
Në Mars, me të unë pi konjak,
Kafen e pi në Jupiter!
Te Kashta e Kumtrit çlodhem pak,
Me dorë arushat përkëdhel!
Jam bir i yjeve, ju them!
Në tokë kam zbritur përkohësisht!
Kush më kërkon, zor se më gjen!
Se jam dhe s’jam njëkohësisht!
POLUMBARI I DASHURISË
Gjithë jetën kam kërkuar të pamundurën,
Po ty nuk të bëra dot të pasur.
Polumbar i zhytur isha brenda teje,
Zoti më tha të të kem të dashur.
Ti asnjëherë nuk e paske ditur,
Se edhe varfërinë, Zoti e ka bërë
Dhe jua ndau njerëzve që krijoi,
Dikujt përgjysmë e tjetërkujt të tërë.
Unë s’pata fatin të hyj te të pasurit,
Prej kohësh pasuritë për mua kanë vdekur.
Dhe më vjen mirë që i kam ngjarë Marsit;
Gjysmë dëborë, gjysmë diell kam mbetur.
Gjithë jetën kam synuar të pamundurën,
E kam prekur me duar atë fatalisht!
Në tërë këtë botë me fitues dhe humbës,
Asnjë i mençur nuk gjykohet mençurish!
SIMFONIA E TAKAVE
– Sipas D.Buxatit-
Ai ishte një regjistrues i marrë,
S’kishte zemër në gjoks, kishte disqe!
Jetonte brenda në një kitarë,
Atje e desh dhe varrin, kur të vdiste!
Ia dha vetë atë formë shtëpizës së tij,
Se atje do flinte me Bet’hovenin e madh,
Se atje do ishte dhe zoti Paganin,
Edhe zoti Shubert, edhe zoti Moxart!
Kush tha se këta ishin të vdekur?!
Ai fliste me ta, qeshte, pëshpëriste!
Brenda kitarës së tij, vetëm e shoqja,
E urdhëruar ishte, të mos fliste(!)
Ai bëhej xhind kur ajo lante pjatat,
Kur kërcitja e tyre i futej nëpër disqe!
Ai i ulërinte kur ia dëgjonte takat,
Apo, kur padashur, ajo teshtinte!
Gjersa erdhi një çast kur vdekja,
Zgjati dorën, brenda asaj kitare,
Dhe ia mori zhurmëtaren e vogël,
Duke mos i bërë zhurmë fare!
Tani ai vë veshin jo për të dëgjuar tinguj,
Po për të dëgjuar atë zhurmën e pjatave!
Bet’hoveni!?E ç’është tani Bet’hoveni,
Para simfonisë së ëmbël të takave?!
GRA MËKATARE
Gra të puthura
jo me burrat tuaj,
Që nxitoni për në kishë
të pastroni shpirtin,
Nga gjithë mëkatet
që bota ka krijuar,
Ju keni zgjedhur ndoshta,
më të mirin!
Gra që nervozoheni
si asnjëherë tjetër,
Nga vështrimet e paturpshme
që ju hedhin në rrugë,
Nga të gjitha fjalët
që mbrapa ju ndjekin,
Unë e di mirë që ju tmerron
fjala: kurvë!
Gra që burrat tuaj
s’i bëtë dot “të dashur”,
Por dashurinë e kërkoni
gjer tek e pamundura,
Nga gjithë marrëzitë
që jeta juaj ka patur,
Unë them që kjo
është më e bukura!
Gra që keni bërë
zgjedhjet tuaja fatale,
Unë s’ju them, mos shkoni në kishë
të luteni!
Por them se është e shëmtuar
të kërkoni falje,
Kur e dini që prapë
do shkoni të putheni…
SE SI…
Se si po më ikën jeta! Se si!
Pa më pyetur fare,
sikur të mos jetë imja!
Kam çaste kur edhe vetë
unë nuk e di,
Nëse duhej ose jo, të lindja!
Se si po më ikin ditët! Se si!
Rrokullisen, rrokullisen
si toptha të vegjël.
Unë vrapoj pas tyre,
kërkoj t’i arrij,
T’i ndaloj, t’i pyes:
Çdo të bëhem nesër!?
Se si po më ikin ëndrrat! Se si!
Edhe në gjumë më kanë hyrë
e m’i kanë vrarë!
Ato që kanë shpëtuar
kanë marrë arratinë,
Duke më lënë mua
një të vdekur-të gjallë!
Se si po më ikin dashuritë! Se si!
Një sot. Një nesër.
një tjetër pas një jave!
Marr kokën mes grushtash,
I bie me zemërim,
Sikur të më ketë bërë
mijëra faje!
Se si po më ikin dëshirat! Se si!
Si ata zogjtë shtegtarë
që dimrit i tremben!
Po ç’them edhe unë,
do të ish mrekulli,
Të ishin zogj shtegtarë
që ikin e kthehen!
EKLIPSIN PRES…
Unë me ty-si toka me diellin,
Të vij rrotull vazhdimisht, vazhdimisht,
Por asnjëherë s’të jam afruar sadopak,
As jam larguar sadopak, natyrisht!
Astronomia ka ligjin e vet,
Që unë e përfill me aq sa mund!
Të të afrohem më shumë
kam frikë se më djeg!
Të të largohem
kam frikë se më humb!
E ja, kështu, vetëm rrotull të vij,
Po s’jam i marrë që rri e pres më kot!
E di që një ditë ti do të kesh eklips,
E atëherë nuk do më djegësh dot!
KJO MOSHË RRON
Dhe vjen një moshë. Vjen.
Kur s’je më djalkë si dikur!
Lëndinash netëve më s’rend,
As qiellit, hënën, më s’ia shkul!
As nëpër pemë nuk gdhend më,
Emrin e bukur të asaj vajzës,
As yjet s’i arrin më dot,
T’ia vësh si gurë të unazës!
As shiun s’ia bën dot parfum,
Ylberin s’ia hedh dot si shall,
As qiellin e kaltër në gusht,
S’ia pret dot për fustan!
S’të lenë thinjat për këtë,
Dëbora që po të mbulon,
Megjithëse ndodh edhe mes thinjash,
Kjo moshë rron! Kjo moshë rron!
NË SYTË E TU DIGJEN METEORË
Në sytë e tu digjen meteorë!
Ti rri e heshtur, si një Perëndi!
Unë fshehur jam ,ku burojnë lotët,
E kam një vend që s’ma gjen dot as ti!
Në sytë e tu digjen meteorë,
Përmbysen qiej, ashtu, kot më kot!
Unë fshehur rri, ku burojnë lotët,
Bëj të të flas, po nuk të folkam dot!
Në sytë e tu digjen meteorë,
Qerpikët po të përcëllohen krejt!
Unë fshehur rri, ku burojnë lotët,
Dua të ik, por s’po e gjej një shteg!
Kam frikë,
Mos dhe mua
Ti më djeg!
NJË GRUAJE QË MË TRADHËTOI
Harroje zërin tim. Edhe fytyrën.
Ato miliona çaste kur të kam puthur!
Gjer në kufirin e marrëzisë
e pranoj torturën,
Harroji netët që binin erë kumbull!
Harroji pëllumbat e duarve mbi supe!
(o, po ata nuk uleshin aty rastësisht!)
Nuk do kesh më rast
t’i ushqesh me puthje,
Siç bëje dikur gabimisht!
Harroje kepin e Shpresës së Mirë,
Ata dhjetëra shekuj që kaluam bashkë!
Harroje hënën që e linim roje,
Tek dera e qiellit, në Parajsë!
Se nuk do jesh më mes paraleleve,
Dhe meridianëve të mi, e lidhur!
Unë do ik larg, gjer përtej qiejve,
Në ndonjë botë më pak të hidhur!
ATA DY PLEQ…
Një plak. Një plakë. Dhe një park.
Edhe një stol. Dhe bëhen katër.
Dhe një neon që ndizej, shuhej,
Sikur ta shkelte syrin, natën!
Po pas një viti mbetën tre.
Një plak. Një stol. Një park i gjelbër.
Dhe një neon që më nuk ndizej,
Që mbeti si një sy i verbër!
Në vjeshtë, ah, mbetën veç dy.
Një park. Një stol krejt i vetmuar,
Që pret mos kthehen prap’ aty,
Ata dy pleq të dashuruar…
MËKATAR PA FAJ
E dashur, mbrëmë të kam tradhtuar!
S’di ç’magji, a ç’dreq mua m’u bë!
Unë jam një diell në të perënduar,
Ndaj më vjen, sikur, nuk do lind më!
S’di se si, ajo, m’u fut në dhomë!
Si më erdhi, drejt edhe në shtrat!
Sepse çelësi i derës nuk lëvizi,
Vetëm zemra ish që bëri ‘’trak!’’
O Zot, ç’të bëja, mbylla sytë!
(Megjithëse abazhuri ish i fikur!)
Dhe ajo, çudi, më shndërroi befas,
Në një diell që sapo kishte lindur!
Dhe iku përsëri pa u kuptuar!
As dera, as dritarja nuk u hap!
As dhe zemra ime, për çudi,
Nuk u ndie, nuk ia bëri “trak”!
E dashur, mbrëmë të kam tradhtuar,
Po ti moj, për këtë, mos më shaj!
Sepse isha në një gjumë të trazuar,
Dhe kur fle, si mundet, të bësh faj!?
NDONJËHERË
“Kur ndihem e vetme, e trishtuar, e zhgënjyer
dhe e braktisur, shkoj të ec në pyll, në mes
të pemëve. Ato s’më kanë zhgënjyer asnjëherë.”
Romi Shnajder
Ndonjëherë më pëlqen të bisedoj
me një pemë të vetmuar,
T’i pëshpërit shumë gjëra
sikur ta kem një të dashur!
T’i them se pemët prandaj janë krijuar,
Të na e bëjnë jetën edhe më të pasur!
Ndonjëherë më pëlqen të përqafoj
një pemë të vetmuar,
Pa e çarë kokën
se mund të na shohin të tjerët!
E ku ka gjë më të natyrshme
se sa të jesh i dashuruar,
Jo sidomos me vajzat,
po sidomos me pemët!
Ndonjëherë më pëlqen të vdes
pranë një peme të vetmuar,
Gjersa të bëhem blu
të jem në krahët e saj!
Sepse e di që me gjethe
ajo ka për të më mbuluar,
E jo me dhe` që të më rëndojë
sikur të kem bërë faj!
Le të thonë që vdekja
S’është e bukur,
Pastaj…
VAJZA PREJ QELQI
Vajzë e vogël,
Me sy prej qelqi,
Sa herë hyj brenda tyre,
Unë eci zbathur,
Mos thyej ndonjë gjë,
Që, dot, s’e ndreq!
Qelq,
I ke sytë,
Qelq!
Vajzë kryeneçe,
Me buzët prej qelqi,
Sa herë ndeshem me to,
Ti mua më kap rob,
Dhe robërit i trajtoke keq!
Qelq,
I ke buzët,
Qelq!
Vajzë e brishtë,
Me trup prej qelqi,
Duart i kam skelet,
Dridhem kur të prek,
Kam frikë mos më thyesh vërtet!
Qelq,
Je e tëra,
Qelq!
TEPËR VONË
Ti ke një moshë me time bijë,
Me babin tënd, unë, moshatar.
Kush të dha urdhër të më duash
Me hirin tim të ndezësh zjarr?!
Ata thëngjij që ishin shuar
Ti si guxon me dorë i prek?!
Kush të dha urdhër të më ndezësh
Pa patur frikë se unë të djeg?!
Ke ardhur vonë. Tepër vonë.
Kur dimri krejt më ka pushtuar,
Kur vdekja firmën më kërkon
Ndoshta në ferr për të më çuar!
Ti gjysma-hënë je kur zhvishesh
Dhe gjysma tjetër-Perëndi!
Me çdo të puthur m’i ul vitet,
Më kthen në moshën që ke ti!
Me këto gjysma, unë poeti,
Mund të ndërtoj tjetër planet.
Në djall pastaj të shkojnë vitet,
Dhe moshat le të shkojnë në dreq!
Po prapëseprapë një frikë ndjej,
Po mora zjarr, si mund ta fik?
Prandaj dhe po vonoj të zgjohem,
Them ndoshta ik.
Them ndoshta ik…
SHTEGU SEKRET
Unë e di që do të ik më shpejt,
Se sa ti, e dashur, se sa ti!
E kam zgjedhur që tani një shteg,
Që tani, e dashur, që tani!
Ai shteg te Kasht’ e Kumtrit nxjerr,
Përmbi yj, e dashur, përmbi yj!
Po s’ka vend, me yjet do bëj sherr,
Do t’i shtyj, e dashur, do t’i shtyj!
Në mes tyre do të dritëroj,
Dhe për ty, e dashur, dhe për ty!
Po ke mall, ngri kokën, më shiko,
Më mjafton prej teje dhe një sy!
UNË DHE BOTA
Plot me gjëra të ndaluara
e kam kokën,
Plot me trille
që s’kanë vdekur ende!
Por unë prapë
s’e urrej dot botën,
(Ngado shkoj
e marr atë me vete!)
Plot me gjëra Kundër
që i vogël,
Dhe gjithnjë
në anën e të mundurve!
Bota është e lodhur,
shumë e lodhur,
Ja tani,
unë po e mbaj mbi supe!
Plot me perëndime
jam i mbushur,
Plot me njerëz
që s’di nga janë sajuar!
Bota do të ish
dhe më e bukur,
Po të mos ishim ne
kaq të shëmtuar!
SI TË TJERËT
Si të tjerët
frymë marr dhe unë,
Si të tjerët
ec në trotuar!
Si të tjerët
frikë kam makinat,
(Ndodh që edhe vrapit
ia marr!)
Si të tjerët
kam një shtëpi timen,
Si të tjerët pi
dhe jam i etur!
Si të tjerët
kam dhe net intime,
(Me të motrën e diellit
kam fjetur!)
Si të tjerët
kam dhe unë” kundër”,
Tjetër gjë
se unë ata i fal!
Si të tjerët
këtë shi që bie,
E kam të pamundur
që ta ndal!
Si të tjerët
s’kam asgjë më shumë,
Por jam dhe i ndryshëm,
unë e di!
Sepse brenda meje
është poeti,
Që edhe ku s’merr,
jep dashuri!