Zeqirja Ballata: Jeta në tinguj e një kompozitori të shquar shqiptar
Kompozitori i shquar shqiptar Zeqirja Ballata, lindi në Gjakovë, në një familje të lidhur ngushtë me trashëgiminë muzikore popullore, më 23 prill 1943. Familja përbëhej nga prindërit Musa dhe Naile, së bashku me pesë fëmijët — Isa, Selami, Ragip, Zeqirja dhe Behija. I ati, këngëtar i muzikës popullore, u trashëgoi fëmijëve ndjenjën për të bukurën dhe muzikën, duke e shndërruar shtëpinë në vatër melodish dhe kujtimesh tingullore. Në këtë mjedis, Zeqirjai u rrit i qetë dhe i gëzuar, gjithmonë me një instrument pranë, violinë apo fizarmonikë, si dhe duke provuar edhe dirigjimin, si një mjet që e çonte drejt muzikës.
Talenti i tij u shfaq më qartë gjatë vitit shkollor 1958/59, kur, me mbështetjen e vëllait të madh Isa që ishte kitarist profesionist dhe nën kujdesin e mësuesit të parë të muzikës, Aliriza Rraci, u regjistrua në shkollën e mesme të muzikës “Josif Sllavenski”. Atje ai studioi piano si instrument kryesor dhe violinë si zgjedhje dytësore, nën drejtimin e mësuesve të njohur Engjëll Berisha, Zita Bashota dhe Mark Kaçinari.
Fillimet e krijimtarisë së tij i takojnë viteve ’60, një periudhë sfidash dhe zbulimesh në një mjedis ku kultura dhe gjuha shpesh përplaseshin me realitetin social. Gjatë kësaj periudhe, Ballata krijoi miniatura të thjeshta, të përzgjedhura nga motive të bukura folklorike. Këto kompozime, shpesh frymëzuar nga bukuritë e mjedisit dhe peizazheve të vendlindjes, përfaqësojnë qysh herët një dialog midis traditës dhe inovacionit, si një përpjekje për të përçuar shpirtin shqiptar përmes gjuhës universale të muzikës.
Veprat e tij të hershme “Jehona nga Bjeshkët e Nemuna” — piano, “Në Fshat” — korale, “Kam shtëpinë në thupra” dhe “Ndamja” — dëshmojnë një krijimtari që ndërton ura midis së kaluarës dhe së tashmes, duke ruajtur një ndjenjë intime dhe reflektuese të kohës dhe hapësirës. Që në moshën 14–15 vjeçare, Ballata shkroi kompozime për piano në frymën e kompozitorëve si Chopin dhe Liszt, duke stilizuar motive popullore shqiptare. Përmes veprave të tij, Ballata jo vetëm përjetësoi motive të njohura popullore, por i riformatoi me një sensibilitet modern, duke u dhënë atyre frymë të re dhe jetëgjatësi artistike. Një nga këngët e tij të para, “Afër malit në pranverë”, bazuar në poezi të Naim Shirokës, u bë e njohur përmes interpretimit të Nexhmije Pagarushës në Radio Prishtina gjatë viteve 1961–1963.
Konstatojmë se për Ballatën, muzika ishte më shumë se profesion; ajo ishte një mënyrë shprehjeje ku çdo tingull kishte kuptim dhe peshë shpirtërore të veçantë. Kjo duket tek miniaturat dhe këngët e tij të para, edhe në Sonata në dy kohë dhe Kapriçio Nr. 1, ku forma dhe përmbajtja bashkëjetojnë në mënyrë të ndjeshme. Ky cikël krijimesh, përtej dukshmeve të thjeshta, shënon një pikënisje kyçe në zhvillimin artistik të Ballatës, ku çdo element melodik dhe ritmik tregon një thellim të vetëdijesë muzikore dhe lidhjen e ngushtë me identitetin dhe kulturën shqiptare.
Pas përfundimit të shkollës së mesme në Prizren, e ardhmja akademike i dukej e pasigurt. Fillimisht, Shkupi, qendër e njohur për të rinjtë kosovarë të asaj periudhe, u mendua si destinacioni i ardhshëm. Megjithatë, tensionet dhe rrënojat sociale e detyruan të rishqyrtojë këto plane, duke hapur kështu një rrugë tjetër për të. Në këtë moment kyç, këshilla e vëllait të madh, student inxhinier tekstili në Ljubljanë, ndikoi në ndryshimin e drejtimit të Ballatës. Ai la pas planet për Shkupin dhe u orientua drejt Ljubljanës. Ky qytet, ku kultura dhe arsimi muzikor ishin në nivel të lartë, e motivoi që të përgatiste me përkushtim provimet pranues.
Regjistrimi në degën e Kompozimit të Akademisë së Muzikës në Ljubljanë, në klasën e profesor Matija Bravničar, hapi një fazë të re në zhvillimin e tij artistik. Ballata krijoi lidhje të forta me profesorët e tij, të cilët, me përvojën dhe maturinë e tyre, i dhanë mësimeve një dimension të thellë dhe njerëzor. Sipas tij, profesorët kanë qenë të shkëlqyer, të gjithë në moshë të pjekur, me një përvojë që i jepte çdo mësimi një domethënie të thellë dhe njerëzore. Gjatë viteve të studimeve, ai u shfaq si pianist dhe kompozitor në disa skena kryesore muzikore të ish-Jugosllavisë, si Ljubljana, Opatija, Sarajeva, Beogradi dhe Zagrebi etj. Interpretimet e tij nuk ishin thjesht hapat e parë, por dëshmi të një talenti në zhvillim dhe të një artisti që kërkonte zërin e vet.
Në shkurt 1967, ai mori çmimin e rëndësishëm që mban emrin e poetit të shquar Prešern, për performancat dhe incizimet në RTV Ljubljana. Në të njëjtin vit interpretoi Kapriçion Nr. 2 për piano, duke treguar mjeshtërinë e tij; dhe në mars interpretoi këngën “Ndarja” si pianist shoqërues, një reflektim intim mbi ndarjen dhe humbjen. Viti 1968 solli vlerësime të tjera: kënga “As aman o syr’ i zi” për zë dhe piano fitoi shpërblim në konkursin e Bashkësisë Krahinore të Shoqërive Muzikore, dhe për të parën herë një krijim “Suita pastorale për obo solo” u porosit për të shkruar prej tij. Në festivalin “Mlladinski pevski festival” në Celje, koret e përziera interpretuan këngën e tij me titull “Poetëve”, me tekst nga poeti partizan i vrarë Karel Destovnik–Kajuh, duke bashkuar artin me historinë.
Zeqirja Ballata i kreu studimet pasuniversitare në degën e Kompozicionit në Ljubljanë, nën drejtimin e akademikut Lucijan Marija Škerjanc, ku mori titullin magjistraturë në kompozim. Kjo periudhë ishte themel për zhvillimin e tij artistik, duke i dhënë njohuri dhe teknika të avancuara në fushën e kompozimit. Më pas vazhdoi specializimin në Itali, duke studiuar në Venedik pranë Virgilio Mortarit (1902–1993), një figurë e njohur të muzikës moderne. Mortari kishte mësuar në Konservatorin Santa Cecilia në Romë dhe ka qenë drejtor artistik i Accademia Filarmonica Romana (1944–1946), si dhe drejtor i Teatro La Fenice në Venedik (1955–1959), duke lënë gjurmë të rëndësishme në jetën muzikore italiane.
Në vitet 1971–1972, Ballata studioi në Accademia Chigiana të Sienës pranë Franco Donatonit (1927–2000), kompozitor dhe pedagog italian, i njohur për ndikimin e tij në muzikën bashkëkohore dhe për frymëzimin që i dha brezave të rinj kompozitorësh. Donatoni ishte një nga zërat më inovativë të muzikës italiane, dhe roli i tij akademik ishte burim i njohurive të thella për Ballatën. Në Romë, në vitet 1973–1974, Ballata vijoi specializimin pranë Goffredo Petrassit (1904–2003), një figurë kryesore e avangardës evropiane të shekullit XX. Petrassi, kompozitor, dirigjent dhe pedagog me ndikim të madh, përfaqësonte kulmin e muzikës klasike italiane, dhe kjo periudhë për Ballatën ishte moment i rëndësishëm për përvetësimin e ideve më të avancuara artistike të kohës.
Personaliteti dhe arritjet e Ballatës rritën peshën e tij si krijues në skenën muzikore shqiptare në Kosovë. Pas kthimit, u emërua profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike (1971–1975) dhe kontribuoi në themelimin e Fakultetit të Arteve në 1975, duke qenë bashkëautor i elaboratit për degën e muzikës dhe vendosur bazat për arsimin profesional të lartë në vend. Aty ai u bë një ndër themeluesit e Shoqatës Profesionale të Kompozitorëve në 1972 dhe shërbeu dy herë si kryetar i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës. Ishte gjithashtu nismëtar dhe bashkëthemelues i festivalit “Ditët e Muzikës Kosovare” në 1979. Po aty, në vitet 1979–1980, Ballata u zgjodh kryetar i Shoqatës së Akademive të Muzikës të Jugosllavisë dhe më pas kryetar i Shoqatës së Pedagogëve të Muzikës së Kosovës (1983–1985), etj. Zeqirja Ballata është anëtar i rregullt i Shoqatës së Kompozitorëve Sllovenë që nga viti 1967, dhe i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës që nga viti 1972; që nga viti 1991 është anëtar i jashtëzakonshëm.
Në 1991, Zeqirjai dhe kolegë të tjerë u dëbuan brutalisht nga Universiteti i Prishtinës prej regjimit serb. Ballata ishte një nga gjashtë profesorët e parë të dëbuar nga Fakulteti i Muzikës dhe Arteve në Prishtinë. Ai vijoi veprimtarinë si pedagog në Maribor, Slloveni, ku edhe themeloi ansamblin Contempora. Ky ansambël promovoi muzikën bashkëkohore shqiptare dhe sllovene përmes koncerteve autoriale. Në Maribor, ai vazhdoi të krijojë dhe veprojë si pedagog, pianist dhe shkrimtar muzikor.
Opusi i tij përfshin vepra për formacione simfonike, kamërore, vokal-instrumentale, korale dhe soliste, interpretuar në festivale dhe koncerte në ish-Jugosllavi, Shqipëri, Austri, Finlandë, Francë, Itali, Gjermani dhe Holandë. Ai ka organizuar koncerte autoriale, përfshirë dy koncerte jubilare në vitin 2003 në Lubjanë dhe Maribor me ansamblin Contempora, ku luan edhe si pianist.
Për punën e tij ka marrë shumë çmime, duke përfshirë: çmime në konkurset e Shoqatës së Shoqatave Muzikore të Kosovës në vitet 1966 dhe 1968; çmimin studentor Prešeren në Akademinë e Muzikës në Lubjanë në vitin 1967; çmimin e blerjes në Festivalin Ndërkombëtar të Kores në Celje në vitin 1967; çmimin e Dhjetorit të Kosovës në vitin 1968; çmimin e blerjes për punën muzikologjike në revistën ish-jugosllave Zvuk në vitin 1971; çmime në konkurset e RTV Prishtinë në vitet 1974 dhe 1977; dy çmime vjetore të Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës në vitet 1977 dhe 1989; si dhe medaljen me kurorë argjendi nga Kryesia e SFRJ në vitin 1982.
Përveç çmimeve të hershme, në vitin 2003 Zeqirja Ballata u nderua në Maribor me Listinën “Dr. Roman Klasinc” për arritje të rëndësishme në fushën pedagogjike, një njohje e veçantë për kontributin e tij në arsim dhe edukim. Ky çmim, i emëruar sipas pianistit dhe pedagogut të shquar Dr. Roman Klasinc (1907–1990), konsiderohet një nga nderimet më të rëndësishme të komunitetit pedagogjik në Maribor.
Në vitin 2008, Ballata iu dha titulli “Profesor i Merituar” nga Ministria e Kulturës së Kosovës, ndërsa në vitin 2017 mori Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Niket Dardani” për kontributin e tij të gjatë dhe të spikatur në muzikë. Për vlerat e krijimtarisë dhe personalitetit të tij, Ballata është zgjedhur anëtar i rregullt dhe mbajtës i titullit “akademik” pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Zeqirja Ballata mbetet figurë kyçe në muzikën e Kosovës, me një trashëgimi artistike që pasqyron thellësinë dhe kompleksitetin e muzikës sonë. Veprat e tij karakterizohen nga një gjuhë muzikore bashkëkohore dhe një përkushtim i jashtëzakonshëm ndaj traditës, duke ndikuar qëndrueshëm në gjeneratat e reja të muzikantëve dhe studiuesve, të cilët studiojnë dhe vlerësojnë punën e tij me respekt dhe admirim. Kjo trashëgimi vazhdon të pasurojë skenën kulturore dhe të thellojë kuptimin mbi identitetin tonë në muzikë.


















