JOHANNA JUTTA NEUMANN (GERECHTER):NË SAJE TË SHQIPËRISË, RRËFIME PËR VETE

Kushtuar kujtimit të prindërve të mi të shtrenjtë që, përmes dashurisë së zjarrtë dhe kujdesit të vazhdueshëm, më dhanë mundësi të kaloja një fëmijëri aq normale sa e lejonin rethanat. Ata luftuan pareshtur që të më ushqenin me ndjenjën e sigurisë dhe të ngrohtësisë, madje edhe atëherë kur nuk kishin nga t’ia mbanin.
Kujtimi i tyre është i gjallë; ata përbëjnë themelet e familjes sonë të mrekullueshme. Zoti u dhuroftë paqe në Mbretërinë e Tij!

Parathënie

Ndërkohë që variantin fillestar të librit e kisha përfunduar së shkruari më 1983, më lindi nevoja të ripunoja tekstin, të korrigjoja disa data, ngjarje dhe emra individësh.
Nevoja për t’i bërë këto korrigjime m’u qartësua sapo u takova sërish me shoqen time të fëmijërisë, Erika Toptanin (Permetin), më 1993. As nuk ishim parë, as nuk kishim komunikuar me njëra-tjetrën që kur prindërit e mi u larguan nga Shqipëria në shtator të vitit 1945. Ishte një mrekulli e vërtetë që pas kaq shumë vitesh, për të qenë e saktë, pas 48 vjetësh, do të takoheshim në Romë (Roma), Itali, dhe do ta vazhdonim miqësinë aty ku e kishim lënë.
Pikërisht për shkak të këtij takimi dhe kujtimeve tona të shumta, të shumë kohëve të vështira që kemi kaluar, të shumë miqve dhe të njohurve të përbashkët që kishim, si dhe përmes ndihmës së saj, m’u krijua mundësia t’i rishikoja kujtimet e mia dhe të arrija saktësi më të madhe.
Përveç kësaj, vetë Erika e gjeti Edip Pilkun në Tiranë dhe ma dha adresën e tij, kështu që m’u dha mundësia të lidhesha me të. Si rrjedhojë e letërkëmbimit me Edipin dhe e vendosjes së bashkëpunimit me të, arrita të grumbulloja informacionin e nevojshëm për ta përcjellë në Yad Vashem në Jeruzalem.
Për shumë vite më ka munduar barra e madhe se nuk qesh në gjendje t’iu mundësoja Njazi dhe Liza Lotte Pilkut të nderoheshin dhe të merrnin statusin e TË DREJTËVE MES KOMBEVE. Ata e meritonin këtë mirënjohje për shkak të guximit dhe miqësisë që kishin treguar ndaj nesh, pavarësisht nga rreziqet në të cilat e vinin veten.
Fatkeqësisht, ky nderim do t’u bëhej atyre vetëm pas vdekjes. E ndjej se, përmes përpjekjeve të mia për të mundësuar këtë mirënjohje, i kam falënderuar Njazi dhe Liza Lotte Pilkun edhe në emër të prindërve të mi. Unë gjithashtu shpresoj se fëmijët, stërnipat dhe stërmbesat Pilku janë të vetëdijshëm për faktin se prindërit e tyre ishin njerëz shumë të mirë dhe guximtarë. Nuk ka pikë dyshimi se, sipas të gjitha gjasave, pa ndihmën e familjes Pilku, unë dhe prindërit e mi nuk do të kishim mundur të mbijetonim gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania.
Ceremonia për të nderuar mjaft familje shqiptare, duke përfshirë familjen Pilku, u zhvillua më 27 janar të vitit 1998 në qytetin e Librazhdit. Fëmijëve të Të Drejtëve Mes Kombeve iu dhanë medaljet e Izraelit. Edip Pilku e mori medaljen në emër të prindërve të tij.
Zoti Tibor Schlosser, Sekretari i Ambasadës së Izraelit në Itali, i cili kishte ardhur në Shqipëri posaçërisht për këtë qëllim, mes të tjerash tha: “Të shpëtosh një jetë është njëlloj sikur të kesh shpëtuar gjithë botën”.
Një tjetër arsye që lidhet me ripunimin është se, gjatë një vizite në Hamburg (Hamburg) në vitin 1996, pata mundësinë të vizitoja arkivat dhe gjeta shumë dokumente për jetën e të parëve të mi në Hamburg (Hamburg) në rrjedhën e 200 vjetëve të fundit. Disa nga këto dokumente janë përfshirë në shtojcat e këtij libri.
Tani që kam arritur në fund të këtij libri, thjesht mund të shpresoj se u kam përcjellë një mesazh fëmijëve, nipave dhe mbesave të mia. Një mesazh se, edhe në kohët më të zeza, gjithjnë gjënden ata që ngjiten në majë të përpjekjes njerëzore dhe, pavarësisht nga rrezikimi i jetës dhe i familjeve të tyre, do t’u vinë të tjerëve në ndihmë. Përveç kësaj, shpresoj se kam arritur të përcjellë cilësitë e spikatura të prindërve të mi, të cilët, pavarësisht nga vështirësitë që përjetuan gjatë viteve të luftës, ruajtën ngrohtësinë familjare, praktikuan fenë e vet sa mundën, si dhe më dhanë mundësi të kaloja një fëmijëri të pasur nga pikëpamja kulturore dhe fetare. Ata nuk u hidhëruan kurrë!
Shpresoj sinqerisht se i kam përcjellë kujtimet e mia vetjake aq me saktësi sa ka qenë e mundur dhe se nuk kam lënduar as dëmtuar ndonjë njeri nga pakujdesia. Qëllimi kryesor i këtij libri është që, për brezat e ardhshëm, të lë një rrëfim më tepër të ngjarjeve, ashtu siç i ka përjetuar familja jonë, në mënyrë që ato të mos harrohen kurrë; mos e thëntë Zoti!
Falënderime të veçanta për fëmijët e mi që më nxitën të shkruaja këtë libër, si dhe për Eli-n që më ka ndihmuar për të përfunduar ripunimin e tij.

Sillvër Spring, Merilend (Silver Spring, Maryland), ShBA – Qershor 2000

Shqipëria – Vendi i Shqiponjave
(marrë nga interneti në adresën: www.albania.co.uk)

Shqipëria shtrihet në Evropën Juglindore, në Perëndim të Gadishullit Ballkanik, midis koordinatave gjeografike: 39 gradë e 16’ gjatësi dhe 42 gradë e 39’ gjerësi. Shqipëria është thuajse në largësi të barabartë nga Ekuatori dhe Poli i Veriut, dhe zë një sipërfaqe prej 28.748 km2.
Gjatësia e vijës kufitare të Republikës së Shqipërisë është 1094 km, nga të cilat: 657 km kufi tokësor, 316 km kufi detar, 48 km kufi lumor dhe 73 km kufi liqenor.
Republika e Shqipërisë kufizohet në veri me Malin e Zi, në verilindje me Kosovën, në lindje me Maqedoninë, dhe në jug dhe juglindje me Greqinë.
Në perëndim, Shqipëria laget nga deti Adriatik dhe deti Jon.
Shqipëria është kryesisht vend malor. Lartësia mesatare është 708 m, domethënë, dy herë më e madhe se ajo e Evropës.
Shqipëria përfshihet në zonën sub-tropikale me lagështirë të Hemisferës Veriore, si dhe në zonën me klimë mesdhetare.

Hyrje

Asnjëherë nuk më kishte shkuar ndërmend të hidhja në letër ndonjë gjë për veten, familjen time ose përvojat tona gjatë luftës. Idenë për të dokumentuar përvojat e mia ma dha Eli, si rrjedhojë e ligjëratave për Holokaustin, të cilat i kishte ndjekur në Universitetin e Miçiganit (University of Michigan) në En Arbër (Ann Arbor). Kur e diskutova këtë ide me fëmijët e tjerë, edhe ata e përkrahën këtë mendim. Meqenëse nuk kisha shkruar kurrë më përpara, ngurova shumë derisa ndoqa ceremoninë e Ribashkimit të të Mbijetuarve të Holokaustit në Murin Perëndimor në Jeruzalem në qershor të vitit 1981. Ishte përjetimi emocional i kësaj ngjarje që ma bëri të qartë se, pavarësisht nga rëndësia e përvojave vetjake në raport me tragjedinë e përgjithshme, prapseprapë ato përfaqësojnë një hallkë në historinë e Çifutëve të Evropës. Një komunitet i madh që ekzistonte dikur do të harrohej, po të mos ishin rrëfimet vetjake. Vetëm rrëfimet vetjake mund t’i bëjnë këto fakte njerëzore.
Atëherë, kjo do të jetë historia e familjes sime që shpresoj se do t’i ndihmojë fëmijët e mi në një farë mënyre për të mësuar rreth të parëve të tyre dhe jetës që ata kanë bërë.
Duke u përpjekur për të qartësuar lidhje të ndryshme familjare dhe duke dashur t’u jap vendin e duhur në këto kujtime atyre që nuk janë më gjallë, kam përfshirë Pemën e Familjes. E pata shumë të vështirë të arrija të ndërtoja këtë Pemë aq sa ishte e mundur, sidomos sepse nga familja e anës së babait tim kanë mbetur shumë pak veta që janë në gjendje të më ndihmojnë.
Gjithashtu kam përfshirë një hartë të Shqipërisë për ta ndimuar lexuesin që të ndjekë odisenë tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here