Jusuf BUXHOVI: HISTORIA E SHQIPTARËVE  DUHET TË LIROHET NGA KTHETRAT E KLISHEVE TË HISTORIOGRAFISË SERBE DHE SLLAVO-RUSE

Shkrimtari, historiani dhe publicisti i shquar Jusuf Buxhovi, flet për gjendjen e shqiptarëve në Ballkan, dialogun Prishtinë-Beograd dhe zhvillimet në Tiranë

 

 

 

“Kurti, duhet të jetë fleksibil te çështjet bilaterale me Beogradin, që edhe mund të mos përfundojnë me njohje reciprok, siç po thuhet, por assesi të pranojë që të preken  shtyllat kryesore të shtetit të Kosovës: sovraniteti, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm.”

Intërvistoi: Dr. Mujë Bucpapaj

 

 

“NACIONAL”:Zoti Buxhovi, jeni shkrimtar i famshëm, historian i spikatur me një varg studimesh të rëndësishme për Kosovën dhe shumë hulumtimeve të rëndësishme për historinë e shqiptarëve, si dhe gazetar me përvojë të gjatë. Si i komentoni publikimet e fundit për ndryshim kufijsh në Ballkan ! Çfarë qëndrimi duhet të mbajë qeveria e Tiranës dhe Prishtinës?

-J. BUXHOVI: Publikimet e fundit “për ndryshim kufijsh” në Ballkan dhe të ngjashme, nuk paraqesin  risi. Këto muhabete njihen nga fillimvitet e nëntëdhjeta, pikërisht atëherë kur Kosova me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 u shkëput nga pushtimi serb dhe me vendimet e Kuvendin e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990 u shpall republikë e pavarur në kuadër të Federatës së atëhershme Jugosllave me të drejtën e vetëvendosjes. Pas zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992, kur Kosova përmbylli legjitimitetin demokratik si shtet, Beogradi, nëpërmes  Akademisë së Shkencave Serbe hodhi në opinion opsionin e “pajtimit” me shqiptarët me anën e ndonjë marrëveshjeje “historike”, ku parashiheshin edhe shkëmbimet e territoreve, gjithnjë sipas kutit serb, që për qëllim kishte që territoret e  pushtuara me luftë në Kroaci dhe Bosnje, t’i fuste në rabushin e planeve të saj hegjemoniste të Serbisë së Madhe,  për ç’gjë, për ta marrë miratimin e Fuqive të Mëdha, veçmas  SHBA-ve, kërkoheshin marrëveshje, sa për sy e faqe, me shqiptarët për “Shqipërinë e Madhe”! Natyrisht, këto dhe oferta të ngjashme nuk u pranuan nga presidenti Rugova, po as nga perëndimi, meqë me anën e tyre kërkohej që hegjemonizmi serb të shpërblehej, ndërsa çështja e Kosovës dhe kauza e saj që ishte vu në binarët e shtetndërtimit të kthehej në një si kusuritje. Rikthimi i këtyre ofertave (dy-tri viteve të fundit), shfaqet si lojë serbe me të cilën synohet arritja e dy qëllimeve. Së pari, që shteti i Kosovës, si projekt perëndimor (kryesisht amerikan), edhe “nga brenda” të shpallet i  përkohshëm, pra që t’i merret legjitimiteti ndërkombëtar si shtet i pavarur i njohur  edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës në vitin 2010. Dhe së dyti, që të “rikthehet” si fuqi rajonale,  në një sy nyjë, ku kryqëzohen po edhe “pajtohen” interesat gjeostrategjike midis perëndimit dhe lindjes, pra SHBA-ve NATO-s në njërën anë dhe Rusisë me aleatët e saj në tjetrën anë ku Serbia shfaqet baraspeshë e superfuqive.

Meqë është kështu, atëherë qeveria e Kosovës, nuk duhet ta hajë këtë karrem, pra që shtetin e pranuar ndërkombëtarisht ta hedhë në pazare. Dhe po ashtu,  shteti shqiptar, duhet të heq dorë nga të gjitha nismat që u vërejtën  në trekëndëshin Beograd-Tiranë-Prishtinë midis Vuçiçit, Ramës dhe Thaçit, të cilat, morën fund më ndërhyrjen amerikane në gusht të vitit të kaluar me ndalimin e fluturimit të Thaçit për në Uashington.

– “NACIONAL”: Disa politikanë shqiptarë, ndërsa kanë një retorikë për bashkim kombëtar, refuzojnë çdo ndryshim kufijsh. Në fakt si do të realizohej ky bashkim kombëtar shqiptar pa ndryshim kufijsh ?

-J. BUXHOVI: Bashkimet “kombëtare” me anën e ndryshimit të kufijve, në rrethanat e tanishme shqiptare, pra me dy shtete sovrane (Shqipërisë dhe Kosovës) rrezikojnë këtë realitet që është krijuar nga vetë perëndimi: si Shqipërinë Londineze më 1913 dhe shteti i Kosovës  të vitit 2008 me ndihmën e SHBA-ve, NATO-s dhe vendeve kryesore perëndimore. Bisedimet nëpër koluare të (Bruksel, Beograd apo Moskë) çrregullojnë raportet midis gjeostrategjisë dhe gjeopolitikës të vendosura në rajon në dobi të Perëndimit. Ky realitet nënkupton edhe ndryshimin e retorikës nga ajo e bashkimit kombëtar   të shumtën me patetikë boshe folklorike, që është ideologji e shekullit të kaluar, e cila ka marrë fund me pranimin e Shqipërisë londineze, te bashkimi eventual i dy shteteve shqiptare në një federatë  të përbashkët gjithnjë një përputhje me vendet perëndimore dhe pëlqimin e atyre dhe assesi ndryshe. Fakti që Shqipëria është anëtarë i NATO-s e detyron atë që të veprojë mbi interesat e Aleancës Veriatlantike dhe këtë çështje ta trajtojë në përputhje me këtë realitet, që përjashton ndryshimin e kufijve, siç e përjashton edhe neni 1 i Kushtetutës së Kosovës. Në përputhje me këto fakte që duhet të kihen parasysh, që t’u mbyllen rrugët intrigave ballkanike të kurdisura  nga  Beogradi dhe Moska ose  kushdo për hesape të veta, Shqipëria duhet që 17 shkurtin, ditën e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, ta shpallë festë zyrtare.

-“NACIONAL”: Pas disa ditësh kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të marrë pjesë në atë që po quhet si rifillim i procesit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. Si të duket parapërgaditja e tij dhe çfarë do t’i sugjeroje zotit Kurti me këtë rast?

-J. BUXHOVI: Rifillimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë,  do të jetë një sfidë e rëndë për Kurtin dhe qeverinë e tij, nga shkaku se ai dialog prej vitesh është  konfiguruar gabimisht, pra nuk është mbështetur mbi pakon e Ahtisarit e as kushtetutën e Kosovës, ku fokusimi duhej të kalonte te problemet e serbëve të Kosovës dhe krijimi i rrethanave për integrimin e tyre institucional, shoqëror dhe politik në Kosovë,  por që me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, e gjithë çështja u bart te përfshirja politike e Beogradit në këtë çështje që ajo ta kthejë ndikimin politik në Kosovë (gjë që ndodhi me krijimin e Listës serbe nga ana e Serbisë si marionete e saj dhe eliminimi i serbëve vendorë nga jeta institucionale dhe përfaqësimi parlamentar). Kjo trashëgimi antikushtetuese dhe antishtetërore, do t’i qesë telashe të madhe Kurtit, ngaqë prej  vitesh, dialogu ka pasë përformancat e implikimit politik të Beogradit në Kosovë në vend të zgjidhjes së problemeve të minoritetit serb në Kosovë në përputhje me kushtetutën që edhe ashtu i favorizon. Ndryshimi i këtij diskursi, pra i kthimit kah çështja e probleme të minoriteti të serbëve në Kosovë dhe krijimi i kushteve për integrim të tyre në jetën institucionale të vendit, mund të kuptohet si “kundërshtim i bisedimeve” e të ngjashme nga ana e Beogradit po edhe Brukselit i mësuar me kompromise të dëmshme për Kosovën. Kurti, pra, duhet të jetë fleksibil te çështjet bilaterale me Beogradin, që edhe mund të mos përfundojnë me njohje reciproke siç po thuhet, por assesi të pranojë që të preken  shtyllat kryesore të shtetit të Kosovës: sovraniteti, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm.

– “NACIONAL”: Shqipëria duket se nuk po e kalon provën e demokracisë e konsideruar si provë e zgjedhjeve. Opozita e djathtë thekson se fitimi i mandatit të tretë nga Rama më 25 prill ishte një masakër elektorale, ndërsa për kryeministrin në fuqi rezultati ishte një ndëshkim për mosreformimin e Partisë Demokratike dhe mungesën e alternativës së besueshme prej saj. A keni një mëndim për këto zhvillime? Dhe si e parashikon këtë situate te pazakonte për Shqipërinë ku zakonisht një here ne 8 vjet është ndërruar pushteti?

-J. BUXHOVI: Si historian, mund të them, që shteti shqiptar, nga viti 1913 e këndej, vazhdimisht ka moskuptime dhe mosmarrëveshje me vetveten, saqë fitohet përshtypja që  shtetësinë, ligjin dhe ecjen përpara e ka mallkim! Pa hy në gjendjen e brendshme të këtij zhvillimi, mund të thuhet se Shqipëria dhe shqiptarët, në situatat vendimtare, tranzicionet nuk i kanë shfrytëzuar për interesat e tyre, që të dëshmohen si faktor i besueshëm rajonal. Përkundrazi, janë sjellë papërgjegjshëm dhe të shumtën gabimisht siç ndodhi në vitin 1914,1944,1948,1997 dhe tutje! Kështu që fitohet përshtypja se shqiptarët më me dëshirë pranojnë kaosin, kriminalitetin se sa rregullin, shtetin ligjor dhe normat e lirisë madje! Arsyet mund të gjenden te patologjia shoqërore që la diktatura ndër më të egrat në Europë, po edhe te mentaliteti “i suksesit” të shfrenuar jashtë kritereve morale, ku nuk zgjidhen mjete. Kjo patologji jo rastësisht epiqendër e ka politikën si mjet të saj!

-“NACIONAL”: Një zhvillim i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin është konsideruar stërvitja e përbashkët ushtarake e Shqipërisë, SHBA-ve dhe NATO-s, e njohur si “Europe defender 2021” e cila po zhvillohet prej disa ditësh në vendin tonë. Nga pikëpamja e sigurisë sa e rëndësishme është për ne shqiptarët në rajon kjo stërvitje e cila i fuqizon dhe modernizon dukshëm kapacitetet ushtarake të Shqipërisë?

-J. BUXHOVI:Pranimi i Shqipërisë në NATO si dhe zhvillimet që e përcollën atë, është njëri ndër sukseset më të mëdha të shtetit shqiptar nga formimi i  tij dhe njëherësh njëri ndër sukseset më të mëdha gjeostrategjike të shqiptarëve në përgjithësi, meqë kështu, përmbushet njëra ndër kërkesat kryesore të rilindësve tanë – përkatësia Perëndimit.

-“NACIONAL”: Pavarësisht avancimit të statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, antishqiptarizmi sllavo-maqedonas mbetet një politikë shtetërore. A mund të çojë kjo në një ndarje të pritshme të këtij shteti, ose në një konflikt që do t’i paraprinte këtij procesi ?

-J. BUXHOVI: Pa hy te ajo që ka të bëjë me diskursin antishqiptar sllavo-maqedonas, megjithatë duhet thënë se shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1991 si dhe shpallja e shtetit të Maqedonisë  po atë vit, kanë paraqitur një moment vendimtar edhe për shqiptarët etnik atje, që të bëhen pjesë e këtij ndryshimi në përputhje me interesat e tyre si etni historike, me rrënjë të thella që nga antikiteti e deri te koha jonë. Por, siç u pa nga reagimet shqiptare nga viti 1992 kur ata shpallën referendumin  për Iliridën si pjesë  e barabartë e shtetit të ri, nuk treguan përkushtim që të sigurojnë statusin e popullit shtetformues dhe të barabartë në përputhje me të drejtën etnike, historike, politike dhe shoqërore. Përkundrazi, me krijimin e partive politike dhe futjen e tyre në pushtet, jo vetëm që nuk u kërkua të jenë të barabartë nga pikëpamja kushtetuese, pra me statusin e “qytetarisë” në një shtet-komb, por pranuan statusin e pakicës! Për të qenë e keqja edhe më e madhe, për vite të tëra klasa politike shqiptare atje,  për interesa meskine, u vu në shërbim të politikës shtetmadhe maqedonase, madje edhe atëherë kur atyre u mohoheshin të drejtat elementare (shkollimi superior, kultura kombëtare e të tjera)! Kjo solli edhe te kryengritja e armatosur në vitin 2002 që u pasqyrua me luftën e UÇK-së, nga shkurti deri në maj të atij viti, luftë kjo që nisi me kërkesat joreale për bashkim kombëtar, për t’u ndryshuar pas dy javësh në kërkesën për shtetin maqedonas federal apo konfederal (ku shqiptarët do të jenë  pjesë e saj e barabartë), që pas gjashtë muajsh, me marrëveshjen e Ohrit, të përfundojë te shteti “multietnik”! Kjo marrëveshje, që asnjëherë nuk u zbatua si duhet, por që  atyre që ishin pjesë e UÇK-së u mundësoi që të bëhen pjesë e  politikës, u përcoll me mashtrime të shumta, ndër të cilat barazia ligjore e gjuhës shqipe, shitej si barazi e plotë, e të ngjashme, ndërkohë që anashkalohej komponenta e barazisë kushtetuese e  gjuhës shqipe si parakusht për  statusin e popullit shtetformues, që do të duhej të gjendej në nenin një të kushtetutës së shtetit, siç është në Kushtetutën e Kosovës ku tretmani i gjuhës serbe shfaqet i barabartë me shqipen. Ky mashtrim vazhdoi dhe  me “Marrëveshjen e Prespës”  dhe po vazhdon edhe sot e gjithë ditën, duke u manipuluar nga politikanët shqiptarë në shërbim të politikës nacionaliste maqedonase. Ndaj, fajin pse në Maqedoni shqiptarët ndodhen në këtë gjendje inferiore, madje me statusin e “popullatës së shkëputur”, bashkë me turq, terbesh, romë dhe shumë e shumë të tjerë, pra këtë degradim në rrethanat e pluralizmit politik, më shumë duhet kërkuar te sjellja e politikanëve shqiptarë, se tek politika nacionaliste maqedonase që shtetin e shikon si çështje nacionale, ndërkohë që shqiptarët, me sjelljen e vasalit,  postet ministrore dhe ato shtetërore, i  shikojnë si mundësi për t’u pasuruar dhe për të mashtruar shqiptarët, paçka se kjo dëmton në përgjithësi çështjen shqiptare!

– “NACIONAL”:Zgjedhjet e fundit në Mal të Zi kanë sjellë në fuqi një koalicion me politika të afërta me Beogradin? Çfarë do të thotë për këtë vend i cili duket se pësoi një stopim në drejtim të krijimit të identitet të tij etnik, fetar dhe institucional. Po për shqiptarët etnikë në Mal të Zi dhe në rajon?

-J. BUXHOVI: Në Mal të Zi, kishte një ndryshim, që solli kundërshtimi ndaj politikës së keqqeverisjes së vendit (si kudo në rajon), por që kjo u përcoll me përpjekjet që  të shfrytëzohet nga nacionalizmi serb për ta rikthyer Malin e Zi nën sqetullat sllavo-ortodokse, prej nga ky shtet u shkëput dhe ia doli të anëtarësohet në NATO, me çka u arrit që Rusisë, t’i ndërpritet çfarëdo dale eventuale në Adriatik, synim ky i saj historik që këtë ta arrijë nëpërmes Serbisë. Me siguri se në raportet e reja të këtij ndryshimi kanë ndikuar edhe përcaktimi i atjeshëm i shqiptarëve etnikë që t’u bashkohen partive me orientime proserbe. Por, megjithatë, përfaqësuesit e tyre, në kuadër të një blloku qytetar, sot janë në qeveri në poste të  rëndësishme, madje kyçe. Në deklarimet e tyre, ruhet përkatësia perëndimore (NATO) si dhe pranohet shteti i Kosovës, ndonëse formalisht kontestohet nga partitë nacionaliste serbe në pushtetin e tanishëm. Me siguri se luhatja nga këto premtime, nënkupton që shqiptarët etnikë, të reagojnë, gjë që bie qeveria. Kjo, pra, tregon se çelësin e ndryshimeve atje, për të mirë, ose për të keq, e mbajnë shqiptarët. Duhet besuar se ata do të sillen përgjegjshëm karshi këtij fakti, siç ndodhi edhe deri më tani, veçmas kur dihet se ndryshimi i kursit të Podgoricës kah Beogradi çon kah Rusia e me këtë destabilizon edhe dy shtetet shqiptare (Shqipërinë dhe Kosovën).

-“NACIONAL”: Libri juaj “Kosova një histori e shkurtër” është pritur mirë nga bota akademike shqiptare, ndërkohë që ka patur reagime nervoze nga Beogradi. Si e shpjegon këtë reagim të serbëve ndaj tekstit tuaj ?

-J: BUXHOVI: Beogradi ka reaguar “me të drejt” siç reagoi në vitin 2012 kur dolën tri vëllimet e para, dhe sidomos, kur  në vitin 2014, në SHBA doli  botimi në anglisht, në tri vëllime,  të cilat nga komisioni akademik u vlerësuan me kredibilitet shkencor dhe si të tilla, universiteteve amerikane iu rekomanduan literaturë për historinë e Europës Juglindore. Kështu, “Kosova” në tre vëllime me mbi  dy mijë faqe, e përcjellë me literaturë shkencore, tashmë gjendet në raftet e librarive dhe bibliotekave universitare  karshi dhjetëra e dhjetëra librave nga autorët serbë, rusë, grekë e të tjerë, që historinë shqiptare e shpjegojnë në përputhje me kutin hegjemonsit serb të përcaktuar nga “Naçertanja” dhe elaboratet tjera antishqiptare të akademikëve serbë në vazhdimësi, që kanë përcaktuar edhe sjelljen e shtetit serbo-jugosllav ndaj faktori shqiptar në hapësirat e tyre etnike. Natyrisht, një libër siç është “Kosova” në tri vëllime, me pikëpamje historiografike jashtë diskursit  serb, kur dihet si dhe sa është falsifikuar historia shqiptare, dhe po ashtu, kur dihet si dhe sa është mbindertuar historia e shtetit serb mbi mite, mashtrime dhe falsifikime të shumta, sidomos ajo për gjoja shtetin mesjetar serb në Kosovë dhe kishën ortodokse serbe në Kosovë nga shekulli XIII e tutje, si një konstrukt antihistorik që vazhdon edhe sot e gjithë ditën të prodhojë pasoja politike në dëm të identitetit kulturor dhe shtetëror shqiptar, është e pritshme që të shpallet “armiqësor”, i rrezikshëm, “shqiptaro madh” e të ngjashme! Andaj, edhe propaganda dhe shpifjet kundër këtij libri ishin të ashpra, por të pritshme. Ato, megjithatë, sikur u fashitën, kur “Kosova” e përkthyer në anglisht, zuri të trajtohet në qarqet akademik amerikane dhe botërore, me ç’rast, pak nga pak, në saje të burimeve të shumta dhe të argumentuara, zuri të dekonspirojë gënjeshtrën serbe, veçmas atë për shtetin mesjetar serb dhe “Perandorinë e Dushanit”, që sipas burimeve meritore bizantine (Kronikës së perandorit Porfirogent dhe “Historisë së Bizantit” të  perandorit Kantakuzin e kronistëve të tjerë të kohës) del se Rashka Nemanjane është tribale, ndërsa Nemanjajt me origjinë tribale (sipas autorëve antikë fis ilir).  Faktet e Kantakuzinit për Nemanjajt tribal, autorët serbë i kanë manipuluar duke i quajtur tribalët – serbë, siç kanë kthyer edhe gotë dhe të tjerët në serb, duke ngatërruar kështu qëllimisht serbët me sllavë! Këto dhe falsifikimet tjera që u janë bërë dokumenteve të Hilandarit dhe atyre të kishave gjoja serbe në Kosovë, në librat e mi, zënë vend të rëndësishëm, me çka demitizohet dhe shprralloset i ashtuquajtur shtet mesjetar serb në Kosovë, si platformë hegjemoniste serbomadhe e krijuar në shekullin XIX nga Rusia për qëllime ekspansioniste në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, kryesisht në dëm të etnisë shqiptare. Mbetët që historiografia jonë ta rishqyrtojë gjithë këtë problematikë, që në përputhje me dokumentet meritore (jashtë mashtrimeve serbe). Ky rishqyrtim  nënkupton së pari rishikimin e dinastisë Nemanjane dhe të origjinës së saj tribale në përputhje me dokumentet meritore bizantine të falsifikuar nga historiografia serbe ose të interpretuar njëanshëm. Pasqyrimi objektiv i këtyre dokumenteve Rashën dhe Nemanjajt i  nxjerr nga përvetësimi brutal serb, ndërkohë që kthen te  vendi tyre, në kuadër të strukturave feudale dhe princore te Ilirikut gjatë procesit të shpërbërjes së Bizantit (në shekujt XII-XV), aty ku edhe feudalët arbërorë shfaqen si pjesë e rëndësishme e këtij mozaiku shoqëror-politik e identitetit administrativ, etnik, kulturor dhe politik arbëror-shqiptar. Kjo, pra, kërkon një qasje radikale shkencore të historiografisë institucionale në  Tiranë dhe Prishtinë, që kërkon hulumtim, punë dhe mund afatgjatë, e mbi të gjitha, largim, po pse jo edhe çlirim përfundimtar, nga klishetë e njohura të historiografisë serbe dhe të diskursit të saj antishkencor dhe mashtrimtar në raport me shqiptarët dhe historinë e tyre.

-“NACIONAL”: Në Shqipëri Akademia e Shkencave ka ngritur një komision pune për hartimin e Historisë së Shqipërisë nga antikiteti deri në ditët tona. Së pari se e komentoni këtë nismë? Së dyti a ju kanë thirrur për të bashkëpunuar më këtë grup shkencor? Dhe së treti, nisur nga përvoja juaj personale dhe ajo ndërkombëtare, çfarë do t’i sugjeroje këtij grupi për të hartuar një tekst të nivelit shkencor i cili do të tejkalonte kufizimet dhe barrierat ideologjike që e kanë penguar deri më sot këtë tekst akademik të besueshëm dhe në pajtim me të vërtetat historike?

-J. BUXHOVI: Rishqyrtimet në fushën e historiografisë janë të natyrshme dhe të domosdoshme, veçmas në rrethanat e tranzicionve çfarë janë këto nëpër të cilat po kalohet, kur, në njërën anë, kërkohet lirimi nga diskursi i njohur ideologjik dhe pasoja për të vërtetën e imponuar nga andej, dhe të lirimi nga kthetrat e klisheve të historiografisë serbe dhe sllavo-ruse ndaj historiografisë shqiptare gjatë më shumë se një shekulli. Shqipëria , nga vitet e gjashtëdhjeta e deri më tash ka pasë dy versione kolektive (me shumë autorë) të “Historisë së popullit shqiptar”. Njëri nga koha e komunizmit. Ndërsa, i “rishkruari” në vitin 2002-2005 në katër vëllime, që pak a shumë, ruan trashëgiminë ideologjike dhe atë të limiteve të historiografisë serbe si dhe të kallëpeve që ofron indoeuropianzimi i shekullit XIX, ku shqiptarëve, pak a shumë u njihet lidhja me Ilirët, por e mjegulluar, ndërsa gjuhës shqipe i lihet një vend  “si e vetme” në trungun e gjuhës indoevropiane, të shumtën si gjuhë e arnuar e sajuar nga  greqishtja, latinishtja madje edhe me ndikime të mëdha nga gjuhët sllave, ndonëse realitetet shoqërore, politike dhe ato kulturore e tregojnë të kundërtën. Sidoqoftë, vëllimet “e rishkruara” dhe fiksimet e disa historianëve shqiptarë nga institucionet për tezën ilire, jashtë pellazgjishtes, kur dihet se ajo nga shumë autorë antik del prej saj,  si dhe  fiksimi pas indoeuropianishtës, ndonëse ajo për shumëçka është e tejkaluar si dhe heqja dorë nga shtyllat kryesore të mesjetës në dobi të të ashtuquajturit shtet mesjetar serb që nuk ka ekzistuar dhe të krishterimit ortodoks në pronësi të kishës serbe autoqefalia e së cilës pranohet në vitin 1923, lënë për të dyshuar se kjo histori  e modelit kolektiv, do të jetë “gjithëpërfshirëse”, siç thuhet dhe në përputhje me “të arriturat më të reja shkencore”, e aq më pak “që të ndikohet të historianët e huaj” kur dihet se asaj i mungojnë historianët jashtë mendësisë ideologjike, arkeologët e fiksuar pas helenizmit të paqenë, ku nuk ka filologë kompetentë,  ku nuk ka osmanistë, bizantinistë, sllavistë të tjerë. Absurd madje, duket edhe pretendimi që  të quhet “histori e shqiptarëve”, kur aty mungojnë historianët kompetentë nga Kosova dhe të tjerët  që vinë me vepra nga universitetet e njohura europiane dhe botërore. Dhe, ç’është më absurde në gjithë këtë mesele, shfaqet pretendimi rreth hartimit të “një historia e shqiptarëve nga antikiteti” e mbështetur “mbi fakte të reja” në këtë “version të ri”, kur dihet se janë po këta historianë, që të shumtën vinë nga shkolla ruso-sllave, pra nga  “mëndësia sovjetike” siç thoshte Rama,  të cilët Mbretërinë e Maqedonisë e kanë heqë nga bota ilire, siç kanë vepruar edhe me Mbretërinë e Epirit, ndërsa Mbretërinë e Dardanisë e kanë rrudhur fare, ndonëse ajo paraqet qendrën e antikitetit dhe bashkë me mbretërinë e Maqedonisë dhe atë të Epirit si  trinom i mbretërive pellazgo-ilire në antikitet që ka ndikuar qytetërimet botërore. Madje, një kundrim jashtë këtij trinomi, e zhvlerëson edhe Skënderbeun dhe rolin e tij në historiografinë tonë, meqë kudo  e thekson  lidhjen me mbretërinë maqedone dhe atë të Epirit. Pra,  qasja e rishkrimit të historiografisë shqiptare jashtë konceptit shkencor dhe jashtë kompetencës shkencore të autorëve që zihen ngojë, len për të dyshuar se do të vazhdohet avazi i vjetër, pra ai i parjes së historisë së shtetit shqiptar, atij londinez, ku logjika shtetërore, e përkthyer nga ajo “historike” sikur do të riciklojë defektin e saj kryesor: atë të trajtimit të qendrës si periferi, së cilës,  shkëputja nga tërësia ia cakton fatin tragjik, që shteti i Kosovës, megjithatë ia parandaloi dhe riktheu baraspeshën e qendrës së saj historike! Kjo më së miri shihet me heqjen dorë nga Maqedonia si dhe me minimizimin e Dardanisë si dhe rolit të tyre në  mesjetë si dhe në procesin e lëvizjes kombëtare shqiptare, si qendër e shqiptarizmit. Kjo qasje, i ka bërë shërbim të madh historiografisë serbo-ruse dhe politikës së tyre hegjemoniste, gjë që nuk është e rastit që ata sot ata përvetësojnë krishterimin, ndërkohë që ai zyrtarizimin e përjeton në Dardani dhe Ilirik nga perandorët Konstandini i Madh dhe Justiniani, siç e përvetësojnë edhe Rashën dhe Nemanjajt për të ardhur edhe deri te dokumentet e Ahtisarit, kur atyre u jepen edhe “tapitë historike”!

Ndërsa rreth pyetje suaj rreth thirrjes për bashkëpunim shkencor, mund të them se nuk jam thirrur  dhe as që pres të thirrem si autor i pavarur dhe jashtë institucioneve, që ndjek qasjen shkencore jashtë limitëve që e ngarkojnë atë (ai ideologjik dhe i historiografisë serbe). Edhe përkundër kësaj “mosmarrëveshje”, që edhe është e natyrshme karshi këtyre pozicionimeve diametralisht të kundërta, duhet thënë se, institucionet shkencore në Shqipëri, si dhe në Kosovë, nuk kanë treguar kurrfarë interesimi për “Kosovën” në tetë vëllime, përkundër përkthimit të saj në anglisht dhe futjes si literaturë në universitetet e atjeshme dhe botërore. Nuk kanë treguar kurrfarë interesimi për gjashtë mijë e sa faqe historiografi, që do të duhej doemos të trajtohej (qoftë edhe të kritikohet), ndërkohë që për të  kanë treguar interesim akademi të shumta në botë (në Kroaci, Slloveni, Turqi, Austri, Suedi e gjetiu), ku është promovuar dhe biseduar për të në qarqet akademike, e ku janë shfaqur pajtime dhe mospajtime me të, por i pranuar si fakt i pakapërcyeshëm, që hap çështje të diskutueshme të cilave shkenca asnjëherë nuk guxon t’ua mbyll dyert, veçmas me qëndrime refuzuese se “çështjet, si ajo e përkatësisë ilire në raport me atë pellazge apo të tjerat që përcjellin antikitetin, mesjetën, bizantin dhe të ngjashmet, janë të mbyllura”! Kujtoj se “injorimi” i tillë mund të shpjegohet me jokompetencën e shumë prej tyre që mrizojnë në këto institucione me “merita” joshkencore nga kohët e kaluara dhe, po ashtu,  “me merita” jo shkencore të atyre që janë në shërbim të politikave ditore. Të tillëve,  pos ndonjë apologjie, nuk u interesojnë të tjerat, veçmas ato që ua prekin terezinë lidhjeve të fshehta me Beogradin dhe Moskën ose edhe shkollave sllaviste që vazhdojnë të kenë ndikim në politikë si ajo e Vjenës.

Dhe çfarë mund të pritet nga një ndërmarrje e tillë kolektive, nga ata që të shumtën kanë qenë autorë të historive “të rishkruara” dhe qartas të dështuara? Asgjë. Andaj, kam kërkuar që shtetet shqiptare (Shqipëria dhe Kosova) të shpallin konkurse  ndërkombëtare për historinë e Shqiptarëve. Kjo praktikohet në botë, sidomos kur ajo që vlen për historinë tonë, vjen nga të huajt, sidomos gjermanët! Mbreti Zog, jo rastësisht angazhoi M. Shuflajn për historinë e shqiptarëve. Ngjashëm vepruan edhe serbët me Jiriçekun dhe bullgarët dhe të tjerët.

-“NACIONAL”: Sukseset tua letrare kanë qenë të mëdha dhe mbresëlënëse. Çfarë jeni duke shkruar tani?

-J. BUXHOVI: Mbas çdo vepre historiografike, rëndom vjen ndonjë “freskim” letrar. Kështu ka ndodhë këtyre viteve me romanët “Jeniçeri i fundit”, “Dosja B”, “Dushkaja” dhe së fundi “Mona”, që pati disa botime brenda një kohe të shkurtër. Pra, mbas “Kosovës – histori e shkurtër”, deri te “Mbretëria e Epirit”, po “s’lodhem” me një roman tjetër…

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here