Kadrush Radogoshi, Kanada: LOKALIZMI I GJAKOVARËVE ËSHTË I KËNDSHËM, KUR KA KONOTACION POZITIV

1.
Duke qenë nën inercionin e studimeve dhe jetës në Kanada gjatë këtyre 12 vjetëve të fundit, fjalët, të cilat përdoren në shqipe dhe në anglishte (të origjinës latine etj.), në shkrimet e mia në gjuhën shqipe i kam përdorur sipas definicionit të tyre në anglishte. Ky inercion më ka shkaktuar probleme për shkak se definicionet e disa fjalëve në të dy gjuhët janë të ndryshme dhe shpeshherë kundërthënëse. Kështu më ndodhi edhe kur e formulova titullin e këtij shkrimi, i cili e pranon faktin se definicioni i fjalës “lokalizëm” nuk nënkupton vetëm konotacionin negativ siç e shpjegon Fjalori i gjuhës së sotme shqipe i hartuar nga A. Kostallari, J. Thomaj, Xh. Lloshi, M. Samara, J. Kola, P. Daka, P. Haxhillazi, H. Shehu, F. Leka, E. Lafe, K. Sima, Th. Feka, B. Keta, A. Hidi, Rilindja, Redaksia e botimeve Prishtinë, 1981. Definicioni i fjalës “lokalizëm” në njërin nga fjalorët e anglishtes (https://www.yourdictionary.com/localism) është:“1. Përkushtim ndaj interesave dhe zakoneve lokale; 2. një tipar gjuhësor lokal; 3. një zakon apo veçori lokale; 4. një mënyrë veprimi karakteristike e një lokaliteti; 5. zakon, praktikë ose sjellje vendase;6. një fjalë, një kuptim, një shprehje, një shqiptim etj. i veçantë për një lokalitet; 6.reklamim; 7. dashuria për një lokalitet të caktuar; 8. perspektiva e ngushtë; 9. provincializmi; 10. …(i numërueshëm, linguistik) një tipar gjuhësor, që është unik për një lokalitet; 11. …(i panumërueshëm) diçka që lidhet me një vend të caktuar; 12. ndjenja apo politika, që thekson fenomene lokale”.
Siç shihet, nga kuptimet e shumta të fjalës “lokalizëm” (localism) në anglishte vetëm njëri prej tyre ka konotacion negativ e ai është “perspektiva e ngushtë”, pikërisht me këtë kuptim përputhet definicioni i kësaj fjale në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe. Pra, definicioni i fjalës “lokalizëm” në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, në raport me atë në anglishte është tmerrsisht i tkurrun (reduksionist) dhe përputhet vetëm me njërin nga kuptimet apo nuancat e shumta kuptimore të fjalorit të anglishtes. Në këtë definicion kaq të varfër (LOKALIZ/ËM,- MI m. Koncept e qëndrim mikroborgjez, që mbron para së gjithash interesat e ngushta, të një rrethi, krahine, qyteti a fshati dhe që nuk sheh interesat e përgjithshme të shoqërisë; shfaqje e frymës së ngushtë locale, që nuk pajtohet me frymën e përgjithshme revolucionare. Fryma e lokalizmit. Prirje lokalizmi.) janë dominues dy togfjalësha ideologjikë:”Koncept e qëndrim mikroborgjez” dhe “fryma e përgjithshme revolucionare”.
Këtë hyrje tejet të gjatë dhe të pazakonshme po e përfundojmë me vënien në spikamë të nevojës urgjente të hartimit të një fjalori të gjuhës së sotme shqipe, i cili do të plotësonte kërkesat e sotme të shqiptarëve për komunikim të avansuar në mes veti e botën dhe ndryshimin apo avansimin e standardit gjuhësor, përndryshe mbrojtja e statusquosë mund të nxisë shpërthimin e anarkisë gjuhësore në botën shqiptare.
2.
Rivaliteti regjional në mes të trevave të ndryshme shqiptare ka ekzistuar dhe ekziston edhe sot dhe zakonisht ushqehet nga interesat specifike të një treve të caktuar në raport me tjerat qoftë si formë mbrojtese, qoftë si formë sulmi. Fenomeni i identifikimit të individit apo grupit shoqëror me interesat specifike apo të ngushta të një treve, apo lokalizmi, kur demton interesat integraliste ka konotacion negativ, por, kur interesat e pjesës i konsideron vetëm si pjesë të interesave të përgjithshme ai ka konotacion pozitiv.
Gjakova, qyteti im i lindjes, herë me të drejtë e herë pa pa të, është etiketuar si qytet popullsia e të cilit është lokaliste sepse interesat e saj specifike i mbron edhe kur ato janë në dëmin e të tjerëve. Zakonisht etiketuesit e njëanshem nuk janë nisur nga këndvështrimi integralist, por nga ai lokalist, i cili shpeshherë ka qenë dhe është paragjykues për të mos thënë edhe i motivuar nga ndjenja e inferioritetit.
Lokalizmit me konotacion negativ qysh në rininë time i kam shpallë luftë dhe, ashtu si edhe ndonjë bashkëluftëtar tjetër, kam paguar çmimin tim jetësor.
Në kontekst të ketij definimi personal te termit “lokalist” dhe brenda kornizës se lokalizmit me konotacion pozitiv do të vë në spikamë fakte të ndryshme të kontributit gjakovar si pjesë integrale e kontributit kombëtar për emancipim e çlirim kombëtar.
1. Në dokumentin e H.H.ST.A Vjenë, të shkruar në Shkup më 1 Maj 1906, me një nënshkrim të palexueshëm,dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë nga pesë qytetet shqiptare, që përzunë guvernatorët turq apostrofohet edhe Gjakova: “ Lidhje e Shqiptarëve që e ka kërthizënë në Prizren, në Gegëri, ka kërkuar shumë herë (…) bashkimnë e Shqipërisë më një province me otonomi, po perandoria gjer me sot e kish gënjyerë me fjalë edhe s’ka dashur të bënjë gjë kurrë për Shqipërinë (…) kështu lidhja mori emrin e kuvernos (qeverisë KR) së përkohëshme (gouvernement provisoire) dhe përzuri kuvernatoretë (qeveritarëtKR) turq nga gjithë vilaet’ I Kosovës edhe nga Prizreni, nga Gjakova, nga Tetova, nga Dibra etj. 10.000 shqiptarë të armatosurë kanë zënë Ysqypnë (Shkupnë) edhe udhën e hekurt, 10.000 të tjerë po bëhen gati për të unjurë në Toskëri”.
2. Në raportin e dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë nga Manastiri më 21 Prill 1906 “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” ndër veprimet e ndërmarrura përmendet edhe “dërgimin e Idriz Jakovës në vilajetin e Kosovës me drejtim kryesor Gjakovën.”
3. Raporti i paraqitur Ministrisë së Punëve të Jashtme, H.H.ST.A. Vjenë, i datës 26. 6.1906 fillon: “Simbas raporteve të konsulatave të Shkupit dhe Manastirit si dhe të informative të sigurta nga Selaniku, Gjakova dhe Peja, s’ka dyshim që lëvizja shqiptare në vilajetet e Kosovës dhe të Manastirit ka filluar të zhvillohet, gjë që ka rëndësi të madhe”. Më tutje në këtë dokument lexojmë: “Në Gjakovë mësuesi Idriz Efendi (Jakova KR), ka disa muaj që e meson gjuhën shqipe në shkollën turqishte”.
4. Në raportin e dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, dërguar nga Shkupi më 1 Maj 1906 ndër të tjera lexojmë: “ Në këtë mënyrë të dërguarit e “Shoqërisë (për lirinë e Shqipërisë KR)”, të cilët që nga fillimi i këtij viti po kalojnë nëpër vilajetet, korrën suksese të habitshme. Në radhë të parë në Gjakovë, ku u formua një degë e “Shoqërisë”, e cila ka shumë anëtar, ndër ta edhe bejlerët më me rëndësi. Në të hyri edhe Bajram Curri, që u kthye në Gjakovë, të cilin qeveria turke zakonisht e mban në Shkup”.
Për fat të keq, Gjakova nuk ka arritur që termit “lokalizëm” t’ia heq konotacionin negative dhe këtë më së miri na e dëshmon Raporti i konsullatës a-h (austrohungareze KR) në Prizren, datë 22.II. 1910, Nr. 25. Në të cilin dëshmohet se “me nxitjen e qeverisë (turke KR), në Gjakovë organizohet nga kleri mysliman një miting kundër shkronjave latine”.
Mund të përfundojmë se termi “lokalizëm” nuk ka vetëm konotacion negativ siç definohet në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, të përmendur në fillim, por ka edhe konotacion pozitiv si në katër shembujt e vënë në spikamë. Raporti 4 me 1 në mes të shembujve me konotacion pozitiv dhe negative në këtë shkrim është krijuar për ta arsyetuar titullin e këtij shkrimi të padisiplinuar në aspektin zhanror.
Gjakovë 14. 8. 2022