ROMAN EPISTOLAR, I PERSONAZHIT, AUTOBIOGRAFIK APO ENCIKLOPEDI E SHPIRTIT
Në mes të satanizimit dhe adhurimit
Adem Demaçi, 28 vjet i burgosur politik nëpër burgjet e ish Jugosllavisë, është ndër figurat më komplekse në jetën politike dhe artistike të Kosovës. Pas 28 vjetëve, sa ishte në burg, ai, edhe pas daljes nga burgu, u satanizua, u anatemua dhe u margjinalizua nga politika ditore dhe shtresat që e mbështetën dhe e mbështesin atë. Në anën tjetër, gjatë kohës sa ishte në burg e gjer sot Adem Demaçi u adhurua dhe adhurohet edhe sot nga një pjesë e madhe e bashkëkombësve të vet në tërë hapësirën shqiptare dhe në diasporë. Kështu ndodhi dhe ndodh edhe me veprën e tij letrare.
Është një lagje e madhe kritikësh dhe studiuesish të letërsisë, të cilët, veprës letrare janë të prirur t’i qasen dhe ta trajtojnë të shkëputur tërësisht nga autori i saj. Një qasje e tillë, veprës letrare të Adem Demaçit e sidomos romanit të fundit ,,Dashuria kuantike e Filanit”, do të ishte joproduktive dhe do t’i gjasonte një ,,Shtrati të Prokrustit”. Në këtë konteskt na vie në ndihmë mendimi i teorikut dhe studiuesit E.D. Hirsh: ,,Ta përzësh autorin si përcaktues i domethënies do të thotë ta hedhësh parimin e patjetërsueshëm normativ, i cili interpretimit ka mundur t’i jap vlerë” (,,Parimet e interpretimit”, Nolit, Bgd. 1983,f.23). Të gjendur në mes të dy ekstremeve të receptimit të figurës dhe veprës së gjertanishme të Adem Demaçit, të cilat në romanin ,,Dashuria kuantike e Filanit” krijojnë një sintezë të pandashme, do të përpiqemi t’i çasemi interpretimit dhe vlerësimit nga distanca objektive, për aq sa është e mundur një gjë e tillë, sepse (sipas E.D. Hirshit) edhe sikur të kishim ,,në dispozicion peshore hyjnore në bazë të së cilës mund ta përcaktonim leximin më të mirë, megjithatë do të na mbetnin dy ideale normative të patejkalueshme: domethënia më e mirë dhe domethënia e autorit”(po aty).
Ajo që është me rëndësi ka të bëjë me faktin se vlerëshmëria e interpretimit varet se sa korrespondon ai me domethënien që paraqet teksti, pa marrë parasysh se në ç’përmasë korrespondon domethënia e menduar nga autori me domethënien më të mirë të tekstit letrar.
Përcaktimi tipologjik i romanit
Titulli i romanit ,,Dashuria kuantike e Filanit” dhe nëntitulli ,,Nëntë letra elektronike Dardhës” sugjerojnë dy nivele, apo dy aspekte të kësaj ngrehine romanore. Derisa titulli na sugjeron ,,lëndën” apo dashurinë e Filanit, që mbush kapitujt e romanit, nëntitulli sugjeron mënyrën e ndërtimit të strukturës së tij. Megjithatë, ky roman nuk është aq i lehtë për t’u përcaktuar në aspektin tipologjik.
Nëntitulli ,,Nëntë letra elektronike Dardhës” na mundëson konstatimin fillestar se kemi të bëjmë me një roman epistolar. Teknika e shkrimit epistolar nuk është as e re e as e panjohur në traditën letrare evropiane e as në atë kombëtare, kuptohet në të gjitha zhanret, por, jemi të bindur se në zhanrin e romanit ka dhënë rezultatet më të mëdha, qoftë kur është aplikuar e kombinuar me teknika tjera, qoftë kur ka mbizotëruar plotësisht.
Romani ,,Dashuria kuantike e Filanit” është roman epistolar i ndërtuar vetëm nga letrat e njërës vetje, ndërsa vetja tjetër, ajo mungesore nuk është vënë në pozicion letërkëmbimi, prandaj pozicioni i saj është statik në aspektin veprues, ndërsa simbolik në aspektin semantik. Kërkesa e autorit të letrave, që vetja mungesore Dardha të jetë më aktive dhe të bëjë vërejtje apo të shpreh mospajtimet e saja eventuale me mendimet e autorit e përforcon një konstatim të tillë.
Për t’i ikur një sterotipie, që mund t’i sjellë forma epistolare e ndërtimit të romanit, Adem Demaçi ka bërë përpjekje ta modernizojë teknikën epistolare, qoftë në aspektin simbolik, qoftë në atë struktural. Letrat e këtij romani nuk dërgohen as me pëllumba e as me njerëz postierë, po përmes postës elektronike, bile edhe tipi i ,,llap-topit” me të cilin shkruhen dhe dërgohen është më i riu. Simbolika e modernizimit të komunikimit është prezente, megjithatë në esencë këto janë efekte stilizuese për të mos thënë dekorative.
Në aspektin strukturor romani ,,Dashuria kuantike e Filanit” është ndërtuar nga nëntë letra, të cilat përbëjnë nëntë kapitujt e këtij romani. Letrat kanë një strukturë heterogjene, përbëhen nga një numër i konsiderueshëm pjesësh, të cilat janë nënkapituj. Kjo formë e organizimit të jashtëm të romanit sipas Volfgang Kaizerit (vepra e tij teorike ,,Arti i gjuhës”) nuk është e parëndësishme, por është e një rëndësie vendimtare për të kuptuarit e strukturës së tërësishme të të ashtuquajturës formë e brendshme, e cila kuptohet në aspektin vlerësues.
Letrat dhe pjesët e tyre në këtë roman nuk ndryshojnë vetëm në aspektin sasior, të jashtëm, po edhe në atë të brendshëm. Asnjëra letër nuk ka numër të njëjtë njësish. Letra e parë ka katër pjesë, e dyta 3, e treta 7, e katërta 11, e pesta 12, e gjashta 23, e shtata 5, e teta7 dhe e nënta ka vetëm një pjesë. ,,Lënda” e këtij romani është ,,dhënë” në dy rrafshe rrëfimore, të shtrira në dy kohë të ndryshme të autorit personazh. Koha e parë, e kuptuar në aspektin artistik e jo kronologjik, është koha, kur autori shtatëdhjetëvjeçar i shkruan letrat e tij elektronike dërguar Dardhës, ndërsa koha e dytë është koha e kujtimeve të personazhit nga mosha nëntëvjeçare e gjer në daljen e tij nga burgu i parë. Kjo kohë është kohë biografike. Letrën e parë dhe të fundit i ,,mbush” tërësisht rrëfimi i rrafshit të parë, e tanishmja e rrëfimtarit –personazh, plakut shtatëdhjetëvjeçar, i cili kërkon mirëkuptim e dashuri (atë që i ka munguar tërë jetën) nga Dardha, emrin e së cilës autori e ka krijuar në bazë të kriterit të së veçantës dhe të së papërsëritshmes. Një gjë e tillë ndodh edhe në pjesën e parë të shtatë letrave tjera, të shkruara me kursiv. Rrëfimi në formë kujtimesh i periudhës së fëmijërisë, nga mosha nëntëvjeçare e gjerë në moshën e rinisë, të shkollimit të mesëm e të studimeve, të inkuadrimit në punë në profesionin e gazetarit, të botimit të tregimeve të para dhe romanit ,,Gjarpërinjtë e gjakut”, të arrestimit, gjykimit dhe dënimit, daljes nga burgu jugosllavo-serb në burgun e madh të quajtur Kosovë, i shtrirë në kohën biografike, është ,,dhënë” në (61) pjesët tjera të shtatë letrave (të dytës, të tretës, të katërtës, të pestës, të gjashtës, të shtatës dhe të tetës). Të gjitha këto letra, kapituj dhe pjesët e shumta të tyre apo nënkapituj janë krijuar në bazë të dy parimeve themelore për veprën epike apo romanin: në njërën anë pjesët synojnë pavarësi sa më të madhe, ndërsa në anën tjetër janë të detyruara të hyjnë në tërësinë e romanit në bazë të perspektivës unike.
Këtë perspektivë unifikuese në romanin ,,Dashuria kuantike e Filanit” e garanton ,,kategoria e integrimit epik në nivelin e llojit letrar” (Kaizer), personazhi Filan Filani, i cili kryen funksion të rëndësishëm strukturor. Duke qenë i tillë ndikon në përcaktimin tipologjik të romanit, prandaj, i vështruar në optikën e teorisë së Kaizerit, e cila shquan tre tipa themelorë të romanit (romani i ngjarjes, romani i personazhit dhe romani i hapësirës), romani i Adem Demaçit ,,Dashuria kuantike e Filanit” është roman i personazhit, ndërsa i vështruar në aspektin e ,,lëndës” së përzgjedhur për ta ndërtuar syzheun e tij ky roman është autobiografik.
Nuk janë të rralla rastet në historinë e romanit, kur ndonjë fenomen i veçantë depërton në thelbin e tij dhe shndërrohet në kriter tipologjizimi. Çka do të mbetej nga romanet e Balzakut po t’u heqeshin procedurat e avokatisë dhe në tërësi ligji civil? Çka do të ishte ,,Doktor Fausti” i Tomas Manit pa muzikën? Ç’do të ishte romani ,,Dashuria kuantike e Filanit” pa gazetarinë, letërsinë, hetimin, gjykimin dhe burgun? Ç’do të ishte pa dashurinë kuantike, pa çlirimin nga urrejtja, pa domethënien humaniste? A mund t’u shërbejnë këto çështje dhe të tjera si kriter për ndonjë tipologjizim të ri lexuesve dhe interpretuesve të këtij romani? Mohimi i përgjigjes pozitive në këtë kontekst do të ishte në kundërshtim me mesazhin përfundimtar të këtij romani: ia vlen të rrezikosh për lirinë dhe nënën e saj dashurinë kuantike.
Personazhi Filan Filani në mes të heroit dhe karakterit
Rrafshi i parë rrëfimor në këtë roman ndërtohet nga paraqitja e gjendjes së tanishme të plakut shtatëdhjetëvjeçar, i cili rrëfen dhe persiat jetën e tij në vetmi, sepse gjatë tërë jetës nuk gjeti atë gjysmën tjetër të vetvetes për ta ndërtuar ngrehinën e dashurisë. Mosgjetja e saj nuk e ndalë në rrugën e kërkimit të dashurisë, e cila, tani, kur personazhi-rrëfimtar ka shkelur në dhjetëvjetëshin e dytë të moshës së tretë, nuk mund të jetë trupore, lëndore, fizike, prandaj është një energji pozitive, që mban dhe vë në lëvizje edhe mikro edhe makro universin. Këtë dashuri autori-personazh e quan kuantike dhe ia adreson personit mungesor, personazhit fiktiv Dardhës. Personazhi i Dardhës mbetet i tillë, pa marrë parasysh përpjekjen e autorit për të krijuar iluzionin se kemi të bëjmë me një figurë konkrete, reale të huazuar nga ,,lënda” jetësore. Derisa figura e Dardhës është fiktive dhe paraqet adresën, apo marrësin (lexuesin), pranuesin e letrave me rrëfimin për të tashmen dhe të shkuarën e shkruesit dhe dërguesit të tyre, Filan Filani, është vetëm një emër prapa të cilit fshihet vet autori i romanit, i cili është dhënë në raport me shumë personazhe, të cilat qofshin protagonistë apo antagonistë janë emra konkretë, të cilët paraqesin figura më shumë apo më pak të njohura, që kanë ndikuar qoftë pozitivisht, qoftë negativisht në jetën e autorit të dhënë në rrafshin e dytë rrëfimor, të ndërtuar në formë kujtimesh e të rrëfyera në rrjedhën e vet kronologjike, por pasi i janë nënshtruar një funksioni të rreptë doksaletik (term i krijuar nga psikiatri dhe psikoanalisti amerikan Kurt R. Ajsler e që nënkupton seleksionimin apo përzgjedhjen e ,,lëndës” nga shkrimtari). Duke qenë një autor me një përvojë pesëdhjetëvjeçare në lëmin e romanit, Adem Demaçi e ka të qartë se vetëm funksioni doksaletik e mbron nga rreziku i rënies në nivelin e shkrimit simptomatik.
Rezultati i kësaj vetëdijeje krijuese është krijimi i një strukture, e cila është e ndarë nga autori dhe në vend të kësaj bëhet vlerë në vete, bëhet një univers i ri, të cilin Frojdi e ka quajtur ,,krijim i një realiteti të ri”, i cili megjithatë qëndron paralelisht me të vërtetën reale, me biografinë e autorit.
Në ndërtimin e personazhit apo versionit të tij letrar, Adem Demaçi, ashtu sikurse një pjesë e madhe e shkrimtarëve tanë, nuk është shkëputur plotësisht nga të konceptuarit e personazhit si hero, karakteristik për epin, zhanër pararendës i romanit. Ky fenomen rrënjët i ka në një sistem të caktuar vlerash të shoqërisë shqiptare, kuptohet të kushtëzuar nga fati i tragjikës historike. Megjithatë personazhi kryesor, po edhe të tjerat, të cilat, në aspektin e hapësirës që zënë dhe funksionit që kryejnë në strukturën e romanit, janë episodike, në përqindjen më të madhe janë ndërtuar në bazë të konceptimit të personazhit si karakter, tipar mbizotërues në zhanrin e romanit.
Filan Filani dhe një pjesë e personazheve episodike në romanin ,,Dashuria kuantike e Filanit” janë përfaqësues të zgjedhur të vetëdijes etike, pra janë karaktere të krijuara në radhë të parë në aspektin etik, por me një prezencë të vazhdueshme të aspektit psikologjik. Radhori i tyre është i gjatë: babai Zeqiri, vëllai Maliqi, nëna Naza, motra Aba, fqiu Osam Qaushi, Shaban Hysi, mësuesi Kolë Nikaj, drejtori Jani Gjino, profesorët Salih Kolëgeci, Anton Gurashi, Zekiria Rexha etj. Karakteri Filan Filani është i paraqitur në funksion të të treguarit, ndërsa tiparet e tij, struktura psikike, kodi etik janë dhënë si marrëdhënie të rrethanave të veçanta (periudha e pas Luftës së Dytë Botërore e gjer në fillimin e viteve të gjashtëdhjeta të shek. XX në Kosovë, politika e dhunës ndaj shqiptarëve, shpërngulja me dhunë e tyre për në Turqi, dënimi me burg të gjatë i atyre që merrnin guximin të ngritnin krye kundër saj etj.), të cilat kushtëzojnë dhe ky kushtëzim zbulon fatin e njerëzve.
Dialogiciteti i brendshëm
Teksti i rrafshit të dytë rrëfimor, ai i ndërtuar mbi kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë ka një strukturë të theksuar dialogjike, e cila manifestohet si formë e jashtme e dialogut karakteristik për dramën si gjini, por që ka arritur të depërtojë edhe në roman. Prezenca e këtij dialogu e dinamizon rrëfimin duke e shndërruar në veprim dramatik.
Ajo që e bën të veçantë stilin e këtij romani është dialogiciteti i brendshëm, i cili ,,mund të bëhet forcë aq e rëndësishme formëkrijuese atje ku mospajtimet individuale dhe kundërthëniet pasurohen me shumëllojshmërinë e të folurit shoqëror, ku jehonat dialogjike depërtojnë në shtresat e thella të fjalës, e dialogizojnë vet gjuhën, vështrimin gjuhësor ndaj botës” (Mihal Bahtin: ,,Mbi romanin Nolit, Bgd. 1989, f.40). Pra, fjala në këtë roman shquhet me dialogicitetin e brendshëm qoftë në raport me objektin e saj, qoftë në raport me horizontin e lexuesit. Fjala e Adem Demaçit, duke qenë dialogjike në të gjitha aspektet, herë është pajtuese e herë disonante me çështje të caktuara të vetëdijes shoqërore, kuptohet të shprehur përmes shumëllojshmërisë së të folurit shoqëror në këtë roman. Në këtë kontekst mund të konstatojmë se qenia njerëzore nuk trajtohet vetëm si një konstantë antropologjike, por në radhë të parë si anëtar i një shoqërie të organizuar. Romani ,,Dashuria kuantike e Filanit” nga pjesa më e madhe e lexuesve dhe e kritikës, të çliruara nga paragjykimet, do të receptohet si vlerë artistike për një kohë të gjatë, jo sepse autori në të ka thyer modelin tradicional të romanit epistolar, por sepse e ka ngritur atë në lartësinë, të cilën nuk e kanë arritur pararendësit e tij në letërsinë shqiptare