Kadrush Radogoshi: LETËRSI ME TEMATIKËN E BURGUT

Një ditë të fillim marsit të vitit 1989 nga dritarja e zyrës së tij Sokrat Gega e pa një grup të madh punëtorësh në sheshin në mes të dy objekteve të fabrikës. Ata të revoltuar e gjuajtën sekretarin e fabrikës me librezat e kuqe të Lidhjes së Komunistëve. Shumë prej atyre punëtorëve ishin mburrë me ato libreza gjer atëherë. Pas një kohe punëtorët shkuan në vendet e tyre të punës, ndërsa dy pastruese i mblodhën të gjitha librezat dhe ia dërguan sekretarit në zyrën e tij. Të nesërmen e asaj dite, të gjithë punëtorët e prodhimit të turnit të parë dhe punëtorët e administratës i dërguan në restorantin e madh të fabrikës. Aty folën me radhë udhëheqës të lartë politikë të Krahinës Autonome dhe udhëheqës të qytetit. Emërues i përbashkët i të gjitha fjalimeve të tyre ishte se Krahina nuk humbiste asgjë me ndërrimet kushtetuese, por fitonte shumë pushteti qendror. Fjalimet e tyre ishin flluska sapuni në erë dhe nuk u besonte askush. Këtyre fjalimeve iu kundërvunë tre punëtorë, të cilët i lexuan fjalimet, që ua kishte shkruar Sokrati. Megjithatë, kundërshtimit të tre pu-nëtorëve ndaj fjalimeve të udhëheqësve politikë u mungonin disa aspekte të rëndësishme, prandaj Sokrati e kërkoi lejen për ta marrë fjalën. Pasi e falënderoi Drejtorin e fabrikës për dhënien e fjalës, ai e kundërshtoi ndërrimin e kushtetutës sepse ndryshimet e propozuara rrënonin pothuajse në tërësi autonominë e Krahinës dhe nga një Krahinë me autonomi politike, ekonomike dhe kulturore e shndërronte në një autonomi vetëm kulturore. Sokrati solli argumente historike, politike, demografike, demo-kratike në mbrojtje të autonomisë, të cilat deshmo-nin se sa demagogjike ishin fjalimet e politikanëve. Drejtori provoi t’ia ndalte fjalimin, por mbi nëntëqind punëtorë sa ndodheshin në restorantin e fabrikës kundërshtuan me britma dhe fërshëllima, prandaj Sokrati vazhdoi fjalimin e tij deri në fund. Pasi e përfundoi fjalimin, tre katër punëtorë e ngritën Sokratin në krahët e tyre dhe ashtu me të në krahët e tyre dolën nga restoranti. Pas tyre shkuan edhe punëtorët tjerë. Në restorant mbetën udhëheqësit politikë dhe Drejtori i fabrikës. Punëtorët e mbajtën Sokratin në duart e tyre deri në sheshin e fabrikës, i cili ndodhej në mes të ndërtesës së administratës dhe hallave të prodhimit. Nga frika e ndonjë rebelimi të punëtorëve Sekretari i fabrikës u tha punëtorëve se ishin të lirë të shkonin në shtëpi sepse atë ditë nuk mund të vazhdonte procesi i prodhimit për shkak të një defekti elektrik. Portieri e hapi portën e hekurt. Para saj prisnin autobusët. Punëtorët hipën nëpër autobusët dhe heroi i bisedave të tyre ishte Sokrati, i cili e kishte të qartë se do ta paguante një çmim jo të vogël për të qenët hero i punëtorëve atë ditë.
Disa ditë më vonë u rrënua autonomia e provincës me një votim të imponuar në Parlament, i cili ishte rrethuar nga tanket e ushtrisë. Katër ditë më vonë, më 28 Mars 1989, kur po shkonte në punë para këmbëve të Sokratit u ndal një veturë me targa civile dhe prej saj dolën dy agjentë të sigurimit shteteror, të cilët ia vunë prangat në duar dhe e futën në veturë. Askush nuk e pa arrestimin e tij sepse në rrugë nuk pat kalimtarë të rastit. Sokrat Gegën e dërguan në ndërtesën e re dhe të madhe të policisë. Në katin e tretë gjendeshin zyrat e Sigurimit shtetëror. Aty e futën në njërën nga zyrat. Pas pesë gjashtë orësh një polic i veshur me uniformë dhe i armatosur me revole dhe pushkë automatike e mori dhe e futi përsëri në veturën me targa civile. Në ulëset e pasme u ulën Sokrati dhe polici me uniformë, ndërsa në karriget e para u ulën dy agjentët e sigurimit të shtëtit. Në karrigen e shoferit u ul automekaniku dhe pjesëmarrësi në shumë gara automobilistike, i cili pastaj ishte bërë agjent i Sigurimit të shtetit. Agjentin tjetër dhe policin Sokrati nuk i njihte. Ata ishin figura të reja të shkuara rishtas në qytet. Fillimisht Sokrati mendoi se do ta dërgonin në burgun e qytetit fqinj, por kur vetura doli në rrugën që shpinte në kryeqytet ai nuk e pat idenë se ku po e dërgonin. Gjatë rrugës Sokratit iu parafytyrua figura e gruas lehonë, djali i vogël, i cili nuk kishte forcë as ta thithte gjirin e së ëmës. Atij iu kujtua fytyra e nënës, e cila do të tronditej nga mungesa e papritur e të birit. Me siguri nuk do ta njoftonte kush se çka kishte ndodhur me të birin e saj. Sokratit iu kujtua motër Nertila, e cila do të shqetësohej për fatin tij. Atmosfera e pasigurisë do ta pushtojë tërë familjen, mendoi Sokrati. Me siguri fillimisht do të luten që të jem gjallë e pastaj për të tjerat, vazhdoi mendimin Sokrati.
Pas një orë e gjysmë udhëtimi vetura arriti në kryeqytetin e provincës dhe drejtua drejt burgut të qytetit. Posa arriti vetura aty u hapën dyert e hekurta të burgut. Vetura hyri në oborrin e burgut dhe u ndal.
– Dil jashtë! – e urdhëroi polici.
Sokrati doli nga vetura. Aty kishte edhe shumë të arrestuar tjerë nga qytete dhe fshatra të ndryshme të provincës. Të gjithë i kishin duart e lidhura. Disa prej tyre duart i kishin të lidhura me nga një shirit plastike, kurse të tjerët me pranga hekuri. Shumica prej tyre ishin në moshë të mesme, pleq dhe të rinj kishte më pak. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe kryetari i mëparshëm i Kuvendit të provincës, të cilin e Sokrati e njihte nga lajmet, nga kronikat dhe intervistat e shumta televizive. Më tutje Sokrati e pa Dekanin e Fakultetit Filozofik dhe pak më tutje edhe Dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të provincës.
– U takuam edhe këtu! Por, tani në pozita të njëjta! – e dëgjoi një zë të njohur Sokrati.
E ktheu kokën dhe e pa Avokatin e tij të dikurshëm Shpend Deçanin, duke i buzëqeshur.
– Po atë herë unë isha klient i juaji dhe ngarkohesha me akuzë politike të veprës armiqësore, ndërsa ju ishit avokati im mbrojtës. Eh, kanë kaluar disa vite dhe ti nuk më paske harruar! – i tha Sokrati.
– Kam memorie të fortë dhe i mbaj mend shumë klientë të mi, por ti ishe ndër klientët e mi të veçantë – ia ktheu Avokat Shpend Deçani.
– Paskan arrestuar shumë njerëz! – shprehu habinë Sokrati.
– Po dhe shumica prej tyre janë intelektualë, të cilët nuk janë pajtuar me ndërrimet e dhunshme të kushtetutës – u përgjigj Avokat Shpendi.
– Kushtetuta e tankeve! – tha Sokrati.
– Pikërisht! – aprovoi Avokat Shpendi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here