Kismete HYSENI: ”Baba e donte Shqipninë”, fragment novele

Për Goli Otokun, e tmerreve pa fund, kam dëgjuar kaherë. Për humbëtirën pa jetë, pa frymë njeriu e pa gjithçka të gjallë, kam folur shumë herë. Për kampin e vdekjes dhe të vërtetën e frikshme që fshihet aty, për mizoritë në ato llogore dhe historitë e pa treguara që ruajnë ata gurë, kam folur herë me ju e herë me vetën.
Madje kam folur aq shumë e aq herë sa më duket sikur edhe vetë kam qenë atje. Më duket se i kam parë me sytë e mi ato shkrepa të thepisura kah i shpojnë retë dhe ato brigje pa jetë ku përplasen dallgët e detit të tërbuar. I kam parë ata hekura shtatë fish të përdredhur se si shqiptarëve u ndalojnë dritën e diellit, u ndalojnë edhe ajrin që tu përshkojë fytyrat e zhuritura. Sikur e kam parë atë copë qiell të huaj se si nxihet, e nxihet, e kur bëhet katran, shkon e bie drejt e përmbi mua. Ndjej se bëhem shkrumb nga dielli që përcëllon dhe pesha e gurëve të përgjakur.
Sa herë mendoj Goli Otokun, një zë i trishtë del nga thellësi e kohës, i kapërcen shtatë rrathët e hekurave, dhe më thërret me dëshpërim. Seç do të më thotë…ndërsa unë, nuk bëzaj. Nuk dal dot nga errësira. Sepse ka kohë që jam bërë edhe vetë pjesë e atij trishtimi. Atëherë, sërish më bëhet se i kam përjetuar vetë ata dimra të acartë që të ngrinin çdo fije jete. Kam përjetuar dimra që të ngrinin edhe trupin edhe shpresën, dhe të shndërronin në asgjë. Ndjehem sikur kam qenë unë e ngujuar në qelinë e ftohtë, dhe çdo ditë, pak nga pak jam fundosur në errësirën e pafund të asaj grope. Më duket se kam qenë aty kur atë ishull të ç ‘veshur nga gjithçka e gjallë, e kanë veshur me shqiptarë të lidhur me zinxhirë e me çengela. I ndjej gjithkund në trupin tim hekurat mizor kah më rremojnë mishtë. Aq të njohur e kam atë tmerr, aq pranë më rri ai trishtim.

Por, sa herë dua ta përshkruaj sa më mirë të keqen atje, nuk e di pse, nuk di. Nuk e di pse, nuk mundem. Fjalët nuk më mjaftojnë, gjithnjë thonë më pak seç duhet, ose nuk e thonë atë që duhet. Kështu, përherë, përpjekjet e mia përfundojnë vetëm si një rrëfim i trishtë, për një ishull të shkretë në mes të askundit, ku hidheshin grumbull shqiptarët e burgosur, ku torturoheshin pa mëshirë dhe vdisnin nga uria. Unë nuk po mund të thoja asnjë fjalë më shumë, ndërsa në atë ishull me fytyrë prej guri, në atë shpellë të errët skëterrë, fshiheshin aq histori tragjike.

Shumë herë kam biseduar me njerëz që i kanë flakur atje, që kanë vuajtur në atë kamp të tmerrit. Me të dënuar që pa bërë asnjë faj, por se deshën lirinë dhe Shqipërinë, i dënuan, i hodhën në atë humnerë të pafund, por, asgjë nuk më kanë thënë.
Kam biseduar me shqiptarët tanë, që ishin të parët që pushteti serb dhe UDBA i hodhi në atë skëterrë të harruar në mes të detit, i la të luftojnë me stuhitë e tërbuara dhe zhargas të përbirohen nëpër zgafellet e gurores. Por, fare pak fjalë kam nxjerr prej tyre. Kam folur me të burgosur që ngarkuar me gurë në shpinë, janë ba shkrumb për një pikë ujë. Por vetëm heshtje më kanë thanë. Pastaj kam folur me shqiptarë të dënuar që janë përgjakë nëpër telat me gjemba, e bashkë me minj e me kërmij, i kanë ndry nëpër qeli. Por as ata nuk bëzanë. Vetëm nxorën një si rënkim, nxorën një sikur gjamë.

Kam folë me babën tem që për shtatë vjet u tret në Goli Otok… Pse deshi shqiptarët bashkë, e Shqipërinë e tërë, për shtatë vjet lëngoi në qeli të errët, i lidhur këmbë e duar, me zinxhirë. Por, as baba nuk më tha shumë fjalë.
E kam pyet babën për natën e ngrime të dhjetorit të hekurt. Për të paftuarit e asaj nate të pafund. E kam lutë me më tregue, se kush i ka kallxue. E kam pyet për rrugën e gjatë, nëpër atë natë, për tmerrin e pa fund, për përbindëshat që bënin roje dhe për muret e gurta që s’kaloheshin kurrë. Por, vetëm heshtje, heshtje, më ka thanë. Baba nuk ka folë as kur e kam pyet për, ‘Shpalirin’, as për shpellën ‘Petrova rupa’,. Nuk ka folë as për varret ku hidheshin të gjallët. Veç kur e kam pyet për shtatë vitet e kaluara në atë burg, në atë qeli, baba ka rënkue. Kur e kam pyet për shtatë vjet tortura dhe poshtërim, dhe për gurët me thepa që bartnin mbi shpinë, atëherë baba, ka pëshpëritë: Me e dashtë lirinë, bijo! me e dashtë Shqipninë, kanë dashtë me na ndalue. Se atje, gjithçka ishte gurë. Gjithçka ishte varr. Atje s’kishte asgja. Ishim vetëm ne të dënuem me u shndërrue në asgja. Me jetue ishte ma rand se me vdekë. Po, as me vdekë nuk të lejshin.
Atje ishte Goli Otok…
Kur e kam lutë me më tregue për të gjithë ata njerëz, për të gjithë atë mjerim. Baba më ka shikue me trishtim dhe veç Goli Otok më ka thanë. Goli Otok bijë. Veç Goli Otok, nuk ka fjalë tjetër që di me të thanë. Goli Otoku ishte dënimi, ishte tmerri. Goli Otoku ishte vdekja. Prandaj mos kërko se përveç Goli Otok nuk ka fjalë tjetër që thuhet për te. Ashtu sikur për ferrin qe, përveç fjalës ferr, nuk gjendet tjetër fjalë që e shpjegon. Ferri është ferr. Të tjerat dihen…

*Fragment nga novela ”Baba e donte Shqipninë”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here