Klubi i shkrimtarëve Përmet: Ministresha e Kulturës asnjë vlerësim për vëllezërit Frashëri. Lajthitje, nënvlerësim, apo ftesë për braktisje?!

Të dashur miq, poetë, shkrimtarë, artistë, dashamirës të artit dhe letërsisë kudo ku jeni.
Sot dua të ndaj me ju një shqetësim që i kalon kufijtë e artit dhe letërsisë, por që lidhet direkt me letërsinë, direkt me trashëgiminë tonë kulturore, që lidhet direkt me ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në vendin tonë e që për protagoniste ka Ministrinë e Kulturës dhe politikat e saj në mbrojtje dhe zhvillimin e kësaj kulture në trojet tona brenda dhe jashtë vendit. Përpara disa kohësh një grup iniciatorësh nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet, në përbërje të të cilit janë figura të shquara të artit dhe kulturës shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi dhe Maqedoninë e Veriut, u bashkuan për t’i propozuar Ministres së Kulturës së Shqipërisë Ditën e Kulturës Kombëtare datën 25 maj, e cila përkon me Ditëlindjen e Poetit tonë të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërit. Pa dashur të zgjatem në këtë çështje, si dhe motivet pse ne menduam për këtë datë dhe argumentet që e lidhin atë me Naim Frashërin, më duhet t’u bëj me dije se zonja ministre, në një takim të shkurtër që patëm me të, na u përgjigj se ne e kemi Ditën e Kulturës Shqiptare, duke më shpjeguar se data 29 shtatori është edhe Dita e Trashëgimisë Kulturore. Nuk kam ndërmend në këtë shkrim të them se sa e drejtë është kjo dhe nëse ministrja jonë e ka, ose jo, të qartë ndryshimin midis Trashëgimisë Kulturore dhe Ditës së Kulturës Kombëtare, sepse kjo është një domen i specialistëve dhe njerëzve të ditur të këtij kombi, po më lejoni të them se që nga ajo ditë unë arrita të kuptoj se sjellja dhe qëndrimi i kësaj Ministre në raport me një nga figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, është e padenjë dhe koha po e vërteton se është edhe keqdashës.
Përpara dy ditësh Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë në njoftimin e saj për Projektet Kulturore për vitin 2023, njoftonte se kjo ministri do të mbështeste rreth 186 projekte në të gjitha qytetet e Shqipërisë, me tematika nga më të ndryshme që përmban kultura dhe jeta shqiptare sot, por nga të gjitha ato projekte nuk pati vend për një projekt madhor që ne kishim përgatitur për të Festuar Ditëlindjen e Poetit tonë të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërit. Në këtë listë kishte vend për poetë, shkrimtarë, dashamirës, miq, një pjesë e të cilëve nuk jetojne fare në Shqipëri, pati vend për Festivalin e Xhazit, pati vend për promovimin e “përrallave magjike muzikore”, për “rrëfenja të harruara”, për projekte që nganjëherë shkojnë në kufijtë e qesharakes, por jo për Festivalin Poetik Mbarëkombëtar “Në gjurmët Naimiane” në Përmet. Asnjë projekt për këtë datë, asnjë vlerësim për vëllezërit Frashëri. Asnjë vëmendje për këtë kontribut madhor që kanë dhënë këto figura të ndritura të kombit tonë që ndriçuan kombin, na ndriçuan Shqipërinë. A është kulturë kjo? A është patriotizëm ky, apo është më mirë që shteti shqiptar dhe qeveria jonë të promovojë projekte “madhore” për xhazin, për përrallat magjike, për rrëfenja të harruara dhe jo për këto figura madhore që na e lanë dhuratë këtë vend të bukur që ne sot po gëzojmë. Po ku ka më mirë, moj zonja ministre, se të mbledhësh të gjithë poetët, poetet, shkrimtarët, artistët nga të gjitha trojet shqiptare, nga Evropa e SH.B.A-ja dhe t’i sjellësh në Përmet, në Ditëlindjen e “Naim Shqipërisë” që burrat e kombit tonë e kanë shprehur me gojën e tyre se “Si Naimi s’ka të tjerë”. Po a e kupton ti, moj zonjë, se ai Festival që bëhet në qytetin e Përmetit, në Ditën e Lindjes së Tij, i kalon edhe kufijtë e Shqipërisë dhe niveli artistik i këtij festivali është i paarritshëm edhe nga ato ngjarje artistike që organizoni ju si Ministri me qindra miliona lek?!
Më gjeni ju, zonja ministre, një qytet të vogël dhe modest në Shqipëri që për 7 vjet rresht të ketë sjellë në Përmet rreth 600 poetë, shkrimtarë, artistë, pa diskutuar nxënës të rinj, miq e të ftuar, nga figurat më të shquara të artit dhe kulturës sonë kombëtare, pa folur këtu për këngëtarë dhe grupe artistikë shumë të njohur. A e kuptoni ju se këtu në Përmet njerëzit punojnë me dëshirë dhe vullnet për të nderuar figurat e shquara të kombit tonë, për të nderuar vlerat e Trashëgimisë Kulturore që na lanë dhuratë të parët tanë. Për të nderuar miqtë, dashamirësit, vizitorët e shumtë që vitet e fundit po mësyjnë këtë qytet kaq të vogël e të bukur dhe që ju nuk po i kushtoni vëmendje?
A e kuptoni ju, moj zonja ministre, se ky qytet dhe shumë qytete të tjerë, janë dhe mbeten me vlera të larta të trashëgimisë kulturore, sepse aty ka njerëz që e duan me shpirt qytetin dhe punojnë çdo ditë për ta mbajtur të gjallë këtë kulturë? Aty ka njerëz që jetën e tyre ja kanë kushtuar qytetit, dhe u dhëmb çdo deje e këtij qyteti, ndërsa ju edhe një herë në vit që ju kërkohet mbështetje, ju refuzoni ndihmën tuaj. As vitin e kaluar nuk e mbështetët këtë festival. Pse? Çfarë mbështesni ju? Mbështesni projektet si ai “me qenë shkodran, t’tana i ban…” apo projekte të tjera për t’u bërë qejfin miqve dhe shoqeve tuaja që pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në Amerikë dhe Francë?! Po ne që rrimë dhe jetojmë në këtë vend, të rinjtë e të rejat e këtij qyteti dhe të shumë qyteteve të tjera si Përmeti, kush do t’i mbështesë?
Po a nuk e kuptoni ju se me këto politika po i detyroni njerëzit të mendojnë nga dita në ditë për t’u larguar nga vendi dhe shumë shpejt në këtë vend do të mbeten vetëm pensionistë? Po kryeministri ynë i nderuar, a i di këto qëndrime? Apo s’ka problem edhe për atë që të rinjtë shqiptarë po motivohen për t’u larguar nga ky vend, nga ministra dhe ministresha të tilla që, ose janë të paafta, ose janë pa kulturë dhe të denja për t’u vënë në shërbim të antikulturës, mediokritetit. S’kini faj ju. Ky popull u ka dhënë në dorë çelsat e thesarit dhe ju ka besuar që të drejtoni këtë vend, me shpresën se do të bëhej më mirë, por ju po tregoni se problemi tuaj është sa të hipni në kalë, se pastaj dini vetë ju si të silleni me këtë popull. Ju lumtë. Po një gjë mos e harroni. Kur të bini nga kali, edhe pse ja kini marrë dorën mirë kuajve, do të vriteni aq shumë sa s’do të ketë ilaç që t’ju shërojë. Vazhdoni kështu, por mos harroni:

“Le të prehet gjithë njerëzija
E të mos ketë kurrë të këqija;
Ligësitë, djallëzitë e marrëzitë
Le të mos rrojnë paskëtaj edhe një ditë
Veç mirësija në këtë jetë të mbretëronjë,
Urdhëri yt, puna jote, Zotth’ i math e i vërtetë,
E vërteta le të rronjë, gënjeshtra le të pushonjë
Bëj si të duash, ç’të them unë Zot i vërtetë? Ti e di vetë…”

Rroft’ e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria
Edhe ndihmës paçim zonë.

Nga Ligor Shyti

Kryetar i Klubit të shkrimtarëve dhe artistëve “Naim Frashëri” -Përmet.

Përmet, më 2 prill 2023

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here