Konflikt i heshtur nisur moti
Erë tymi ndihet unëve që zihen në flakë
Plot dashuri rrëzon në thellësi
Fjalët ndezën si bar i tharë maleve
E shkrumbnaja le pas vija tymi
Rrugëtime të djegura qiellnajës
Kacafyten mendimet të egërsuara
Në portën e daljes ngatërrohen vetëtimave
Si të iki nga vetvetja e djegur
Pa thënë asnjëherë “lamtumirë”?!
E di,kur çmendesh ti o vargu im rebel
Dridhet floknaja e bardhë,
Shkrihet bora në bjeshkë, ujëvarë
Ti nuk humb rrugë,kthehesh e çakërdisur
Në strehoren e flakës strukesh padiktueshëm
Ngrohesh si zog i llastuar në gjirin e nënës
Shikohemi thekshëm, të lemerisur tmerreve
Njëri i uritur, tjetri i kallur etje, larë në djersë
Sërish rrugëtimi mes flakëve vazhdon
O varg i dehur, idhnaku im bonjak
Lufta e fundit humbet
Bukuri pa emër quhet mbarimi
Le porosinë kohës e ik nga unë
Sidoqoftë, nuk u pajtuam kurrë
Rebelimi vazhdon prushnajës
Kënga jehon pa shtjerrë zërin, vrapon
Maratonë nëpër kohë
Djegur mbetëm baladave, shpuzë
Fjalë të pathëna u kallen furtunave
Të drynuara qelive të zemrës
Përgjithmonë….
Gjakovë,09 gusht,2021
TAKIMI ME HIJEN E MIKUT
( Mikut, M.GJ, që përjetoi 30 ditë komë nga virusi)
Takova mikun hije, e përqafova
Kishte rrugëtuar gjatë ëndërrimeve për jetën
Buzëqeshje e frikshme ia kishte shtrembëruar gojën
-Vij nga atje lart- më tha dhe mbaroi fjalën
Modernizimi i sëmundjeve-i fola, pastaj heshta
Çudira ishin gërshetuar mendimeve të befta
Nuk po vdiska njeriu nga nemitje e xhelozi
Dashuria për jetën u gozhduaka në palcën e ashtit
Ardhka pas gjollave të kripës,
Aromës së luleve, dashurisë
Pranverave me flutura bojqielli
Pas kujtimeve të zhuritura furtunave
Edhe hija të çmall, si fotografi e lagur
Si lumenjtë e mallit që shuajnë zjarrin e zemrës
Të papritura sjell kjo jetë!
Takova mikun tim pas komës së gjatë
Përqafova hijen e ardhur nga larg, siluetë
Përjetova tmerrin e lumtur përgjumjeve- me tha
U ndamë sypërlotur në mesditë
Rruga mbeti zbrazët, ecte hija e mikut
Djersët vlonin nga temperatura e lartë
Ngricat nuk përkundin miqësinë…
Gjakovë,08.gusht