Konstandin Dhamo: PLUMBI I GAZETARIT, TREGIM

Aty në sirtarin e tryezës, ku shkruante, mbante mes stilolapsave gjithfrësoj edhe plumbin…
Po !
Atë plumbin, i cili i mbeti brenda këmbës së djathtë, ngaqë hasi në kockë, ndryshe nga plumbat e tjerë që ia përshkuan muskujt tejpërtej…
Por, o Zot, një breshëri e dytë goditi përfundi karrocën, ku po gugatej vajza e tij e trëndafiltë veçse gjashtëmuajshe ! E shoqja që po shtynte karrocën, me t’i ndjerë plumbat t’i fërshëllenin tinëzisht nëpër këmbë, u përkul dhe, tek e rrëmbeu të bijën, e futi në gji.
Një çast ngrinë nënë e baba e më pas, me duart që u dridheshin e s’u bindeshin, kontrolluan ethshëm trupin e vockël, sa të një zogu, të krijesës së tyre, që qante e lebetitur nga zhurma shurdhuese e krismave të kallashnikovit.
O Zot, o Zot, asnjë shenjë plage nuk gjetën në trupin e bebes ! Megjithatë prindërit e saj nuk hoqën dorë nga kontrolli, gjersa u bindën njëfarësoj se, trupi i vajzës ishte i paprekur….
Kriminelët e maskuar, të cilët qëlluan nga një makinë që e lëshuan me shpejtësi drejt familjes së tij, ishin pjesëtarë të një të vetëquajturi Komitet i Shpëtimit Kombëtar, të cilët terrorizonin dhe vrisnin kryesisht ata që deklaroheshin haptazi kundër partisë së tyre, që nuk po e pranonte dot më qëndrimin n’opozitë…
Këta numërorë të papërgjegjshëm, robër të injorancës së tyre, ashtu të veshur gjysmë civilë dhe gjysmë ushtarakë, kishin ngritur postblloqe para urave, të cilat ishin të vetmet që të mundësonin kalimin në brendësi të qyteteve, ku ligjin e bënin po vetë komitetasit.
Duke iu drejtuar tytën e kallashnikovit, ata kthenin mbrapsht më së shumti, ekipet e Televizionit Shtetëror Shqiptar, por edhe ata të televizioneve të huaja…
Gjysmë ushtarakë, gjysmë civilë, ç’hibridë brutalisht të neveritshëm !
Të këtij grumbullimi ishin pra, edhe ata që e qëlluan, ngaqë ai nuk hoqi e nuk hoqi dorë nga artikujt që shkruante kundër një opozite agresive, që kërkonte të vinte në pushtet nëpërmjet metodave leniniste.
Ai i njihte me emër e mbiemër disa nga këta të komitetit, të cilët, të tërbuar e të fyer, ngaqë ai s’i përfilli asnjë herë kanosjet e tyre, urdhëruan ta qëllonin !
Askush s’të vriste dikur, eh dikur, në prani të gruas, pale të fëmijës, por ky kod nderi, prestigji dhe etike, në frymë kavalareske, është shkulur tashmë me rrënjë në botën shqiptare; vrasësi, madje, ku ta gjejë të të poshtërojë në publik, e ca më egërsisht , mes anëtarëve të familjes, të cilët jo në pak raste mund të jenë edhe vetë shenjestra e krimit…
Ç’armiq të padenjë !
E qëlluan ditën për diell dhe, u larguan pa i ndjekur kurrkush mbrapa…
Sakaq, duke tërhequr karrocën, që nxirrte ende tym, u çapit deri në trotuar i mbështetur tek e shoqja që dënesej, tek shtrëngonte ende në gji vajzën. Vetëm atëherë u kujtuan për këmbën e tij që kullonte frikshëm gjak.
I ndoqi pas në trotuar një turmë e zhurmshme njerëzish të çakërdisuar, të cilët gjithsesi u treguan të gatshëm t’i ndihmonin kush e kush më parë ; dy gra iu avitën bashkëshortes së tij , ndërkohë që një burrë i ngjallmë , i cili dihaste rëndë, zhveshi këmishën dhe, pasi e grisi sa mundi fasha – fasha, ia lidhi plagët. Por, sa vështirë e pati t’ia shqiste pantallonat prej këmbës, pas së cilës ishin ngjitur nga gjaku i ntrashur.
Eh, hemorragjia nuk reshtte !
Sidoqoftë, gjithçka ndodh siç është parathënë të ndodhë. ….
Pa i rënë sirenës,veç kur u ndal një autoambulancë ndanë trotuarit.Turma i hapi udhë ekipit mjekësor, që zbriti me nguti, por atij ajo makinë iu duk sikur ishte një mirazh i vagullt që mund të shprishej e të zhbëhej lehtësisht.Vetëm kur e futën në kabinën e saj, u bind se, ai objekt ishte përnjëmend i lëndët dhe tredimensional…
Ai plumbi…
Mes stilolapsave gjithfarëoj, me të cilët shkruante …
Shtatë ditët e qëndrimit në spital, ishin gumëzhitëse ; prej mëngjesit e gjer pas mesnatës,kishte një trafik të vërtetë nëpër korridoret dhe shkallët e tij, ngaqë aty mund të hynte kushdo, pa u ndaluar e pa i kërkuar llogari rajat te dera.
Edhe n’oborrin e stërmadh të spitalit kishte një lëvizje njerëzish dhe makinash po aqsa edhe në një rrugë të zakonshme të kryeqytetit. Për t’i rënë shkurt, banorët e mëhallave të ngjeshura, futeshin nga porta e pasme e tij dhe, pasi përshkonin një diagonale t’asfaltuar, dilnin nga porta kryesore, e cila i nxirrte drejtpërdrejt te kryqëzimet ndërlidhës me të gjithë Tiranën…
Hehe, por n’oborr kishte edhe disa kafene që zbardhin nga bluzat e infermiereve, sanitareve, pa dyshim edhe të mjekëve, siç kishte edhe një barakë të ngritur me lejepaleje, ku shiteshin rroba të përdorura, që i sillte bujarisht Shoqëria Zoti e do Shqipërinë, thasët blu të së cilës, të shponin hundën nga dezinfektanti…
I shihte gazetari i plagosur që nga dritarja masive, i shihte të gjitha…
Ai plumbi mes stilolapsave, me të cilët shkruante…
Sidoqoftë, më së shumti ata që vinin në spital, ishin familjarë, apo edhe miq e shokë të të sëmurëve të shtruar, njëlloj siç e vizitonin edhe atë vetë, por me ta ngatërroheshin shpesh nëpër shkallë ata që sillnin rrëmujshëm të plagosurit e bërë shoshë nga plumbat në përleshjet midis bandave rivale. Këta të plagosur për larje hesapesh, që shpesh u mbeteshin mjekëve në dorë, i ruanin t’ulur para derës së sallës së operacionit, apo pavijonit po ata që i sillnin, duke mbajtur në dorë kallashnikovin me fishekun në gojë. Po, sepse atentatori mund ta ndiqte gjer në spital hasmin e tij, nëse mësonte se ai nuk kishte vdekur në vendngjarje…
Gazetarin nuk u pa asnjë moment e arsyeshme ta ruanin me armë te dera, apo edhe deri ndanë shtratit ; kishin gjithsesi kujdes, por ndërkohë e dinin që, pas atij atentatit, nuk qasej më kush : misioni guerilas për ata të komitetit ishte kryer. Gazetari rebel, që i kishte shpërfillur me neveri kërcënimet e tyre, e kishte marrë mesazhin, teksa eprorët e tyre partiakë, i falënderuan nxehtësisht komitetasit sypatrembur, duke iu shpjeguar madje, se në kësi rastesh, një i plagosur vlen më pak se, një i vdekur, të cilit i thurin këngë ende pa u ftohur gjellët funerale, e më pas ndodh që shkruajnë për të edhe një roman të njëmendtë, i ngrejnë ku ta dish, në ndonjë park edhe një shtatore…
Të plagosurit që ia hedhin paq, zakonisht dalin jashtë loje.
Sa pikëllohej n’ata çaste kur ndiej fatalisht i bindur se, Shqipëria do të shpërbëhej. Netëve shihte ëndrra me njerëz të ritransformuar në kafshë, po po: me kafkë të zvogëluar, bishtvarur, kthetra te duart dhe këmbët dhe, me dhëmbët e përparmë shqyes të stërzgjatur ! Po, njëherësh dhe me kurriz të dalë dhe të përthyer …
Plumbi mes stilolapsave me të cilët shkuante…
Fati i madh ishte që mjeku, i cili e operoi, qëlloi i zoti në profesion, fjalëpakë dhe, aq serioz sa herë – herë dukej i zymtë, me atë portretin që s’ia ndriste asnjë lloj humori. Gjatë shtatë ditëve spitalore, nuk pa e nuk dëgjoi t’i ndodhte këtij mjeku ndonjë përplasje me ata fytyregrit rrugaçë që lëviznin nëpër korridore, e madje nëpër pavijone, duke sharë e duke kërcënuar kë të mundnin, teksa pinin paf – puf duhan.
Kështu mund ta skicoje mjekun e tij, teksa kishte ndodhur shpesh që mjekë të tjerë, patjetër edhe infermieret e gjithë ç’shërbenin në spital, t’i tërhiqnin prej krahu, kudo që t’i pikasnin e t’i drejtonin kah i plagosuri që sillnin, shpesh i bërë fërtele nga breshëria e armëve të grupeve kundërshtare…
Mjeku i tij autoritar, zotëronte siç dukej, status të veçantë, të përftuar nëpërmjet pale, ç’energjie fizike dhe, njëherësh metafizike, përderisa s’e përfshinte për krahu asnjë nga banditët e gjithë ç’ishin …
Shokët dhe kolegët e gazetarit, si edhe gruaja e tij, ende e tronditur, me të cilën ishte marrë vesh prerazi, të mos ia sillte vajzën në atë spital të katrahurshëm, ndonëse e kishte djegur malli ta puthte e ta puthte, nuk i vinin ta takonin e t’i bënin shoqëri asnjë herë duarbosh. Madje, në të tre vaktet ai hante ç’i sillnin ata, duke filluar që nga mishi i viçit i pjekur në skarë, djathërat, pulat, vera e kuqe,frutat…
Mjeku i tij, një ditë kur e pikasi duke ngrënë drekë me oreks, i tha urtësisht :
Këta njerëzit e tu, bëjnë mirë që të sjellin pa ndërprerje ushqim të zgjedhur, sepse me gatimet e spitalit, nuk do të kishe gjë në vijë ; ti ke nevojë më tepër se kurrë për proteina, hekur dhe vitamina. Ke për të parë sa shpejt do të të mbyllen plagët ; ai femuri yt që vetëm pësoi një krisje të lehtë nga goditja e plumbit, paskësh qenë prej çeliku.Por sa të shkathët duhet të jenë ata miqtë e tu, që ia dalin t’i sigurojnë sot, tërë ato çudira ! Asnjë produkt shtazor mos ha pa e balancuar me perime…
Më Nëntëdhjetetetën, kur Shqipëria po mbetej dora –dorës pa rend publik, ndërkohë që nëpunësit e shtetit nuk venin më në zyrë, ndonëse rrogat vazhdonin t’i merrnin tejemajë dhe, policët në simetri me ta, i kishin varur uniformat në gozhdë e ishin fshehur si minjtë, gazetari i plagosur përndizej herë – herë nga hovet e një gazmendi intim, aty në shtrat, në një spital, ku ndonëse hynte e dilte kujt t’i fryhej,personeli i tij mjekësor ulte kryet dhe, i shërbente edhe viktimës edhe kriminelit…
Asnjë komplikacion nuk i shkaktoi gjaku që i futën në vena,përkundrazi, i ktheu fuqinë dhe ia kuqëloi çehren.Por si s’u kujtua të pyeste se ku u gjet ai gjak i vyer në atë spital rrokullimthi ? Eh, për ca gjëra është më mirë kur nuk pyet…
Sakaq shumë medie, e sidomos ato të fqinjëve tanë dashamirës: gazetat, radiot e televizionet shkruanin e britnin :

Në Shqipëri ka nisur
Lufta civile, ajo madje
Me karakteristika klasike
Dhe, shqiptarët e veriut
Po kacafyten me ata të jugut.
Siç duket mëritë e vjetra
S’mbajtën më dhe,përplasjet
Ndëretnike shpërthyen .
Në këtë teatër lufte, shih
Kur të shpërthejnë edhe
Përplasjet ndërfetare…

Gazetari i plagosur që po përtërihej, psherëtinte hidhshëm sa herë dëgjonte të tillë lajmesh të rremë: eh, sa mirë i kryejnë detyrat e shtëpisë fqinjët tanë të nderuar dhe, sa keq i kryejmë ne shqiptarët detyrat e shtëpisë…
Në ditën e tretë të qëndrimit në spital,aty rreth orës dhjetë të mëngjesit, erdhi ta takojë një përfaqësues i Ambasadës Amerikane, t’akredituar në Tiranë.E shoqëronte mjeku i tij dhe drejtori i spitalit, me të cilët bashkëbisedonte me një shqipe më të përsosur se ajo e disa prej albanologëve.
Zoti gazetar, që më duhet të të kërkoj të falur që në fillim ngaqë nuk po e ndërsjell dot ndër mend emrin tuaj – iu drejtua drejtori i institucionit – zotëria vjen nga Ambasada Amerikane dhe, është i autorizuar të të propozojë se, po të jetë e nevojshme për një kurim më të specializuar, mund të niseni n’Amerikë, ndoshta që nesër, me gjithë zonjën tuaj dhe fëmijën.
E përse jo, – ndërhyri mjeku i tij – por sidoqoftë, le të vendosë vetë pacienti im ; po qe se do të më pyesë mua do të thosha se, gjendja e tij është shumë e qëndrueshme, kështu që, shpresojmë që ai ta lërë spitalin veçse pas disa ditësh. Por le të flasë vetë gazetari…
Oh,është prekës kujdesi që po tregoni ndaj meje, prekës vërtet.Por, për çfarë ta falënderojmë më parë ne shqiptarët Amerikën ! Do të më duhet të deklamoja gjithë pathos një poemë të tërë panegjirike…
Falënderime edhe nga ana ime, zotëri ! Atëherë ?
Atëherë ,unë them se, në këtë rast nuk do të ishte nevoja për një kurim n’Amerikë ; mjeku im është i shkëlqyer dhe, me të lënë spitalin do të më duhet t’i futem punëve.Falëminderit përsëri nga unë ! N’Amerikë kam qënë së fundi para një viti,për të ndjekur një kurs veror specializimi në lëmin e gazetarisë investigative.Oh, e përse jo ; së shpejti mund t’udhëtoj përsëri drejt Nju Jorkut. Falëminderit ; sa bujare ishte përkujdesja juaj…
Ai plumbi
Të ishim nisur për në Amerikë, i tha e shoqja kur ai i shpjegoi kështu e ashtu,të kishim ikur përderisa fjala ishte për t’udhëtuar të tre.Të iknim e të mos ktheheshim më këtu në Tiranë ! Na u nxi jeta, i dashur ! E kush do ta refuzonte ty një kërkesë për azil politik ? S’di pse më shkoi mendja se, ai dipllomati amerikan, këtë finale ka psur parasysh, kur të propozoi per të ikur në Amerikë…
Ai, gazetari i plagosur nuk u mëdysh aspak mga plani që i parashtroi bashkëshortja. Ti e di më së miri, zemra ime,ia ktheu pasi e dëgjoi gjer në fund, pa i ndërhyrë, se unë nuk do të largohem kurrë përgjithmonë nga ky vend…
Ditën e katërt filloi të çapitej nëpër korridorin e gjatë dhe t’errët të spitalit, i mbështetur veçse mbi një patericë metalike, e cila rrënkonte sa herë ai peshohej mbi të.
Po çapitej tepër i përqëndruar, në përputhje të plotë me udhëzimet e mjekut dhe, po sipas porosive të tij,e takonte dhe këmbën e vrarë përtokë, por pa i rënduar shumë përsipër ; oh, ndiente veçse një dhimbje krejt të lehtë, sa mirë, sa mirë !
Me këtë fizik prej atleti që ke ti – iu drejtua mjeku i tij kur i erdhi për ta vizituar – do të shërohesh plotësisht shumë shpejt .
Po, për fat.
Më e rëndësishmja është se nuk do të çalosh aspak…
Kështu i tha, gati me flegmatizëm e si kalimthi, për të lënë mesa dukej, përshtypjes se, thoshte diçka, e cila asqë vihej më në dyshim. Këtë metodë të të komunikuarit me pacientët e tij, arsyetoi ai, mjeku do ta kishte përsosur gjatë viteve të ushtrimit të profesionit, duke e ditur që terapia e fjalës ishte mjaft e dobishme.

Ah, ah, nuk do të çalonte
Sapo e konfirmoi vetë mjeku
Do të ecte përsëri drejt drejt
Pa u shtrembëruar rrugëve ,
Ashtu siç kishte ecur gjatë
Gjithë jetës së tij.
Bobo, njerëzit e gjymtë i qenë dukur gjithmonë ( kushedi përse ? ) sikur ishin teveqelë…
Ai plumbi, ai plumbi i rëndë si vdekja, mes stilolapsave, me të cilët shkruante …
Një ditë para se ai të dilte nga spitali, mjeku i tij i përkorë i tregoi plumbin që ia kishte nxjerrë nga këmba e djathtë.
Ka nga ata pacientë – i tha – që duan ta marrin me vete atë copë metali që ne ua nxjerrim nga trupi : cifla granate qofshin , plumb apo ndonjë majë thike e thyer … Duke e rrotulluar e duke e rrotulluar, për shembull, këtë plumb nëpër duar, bindesh edhe psikologjikisht, duke i thëmë vetes se : ja më në fund ai plumb është jashtë qenies tënde.
Atëherë këtë plumb, hehe, relikten e vdekjes, mund ta marr me vete që ta kem në shtëpinë time, apo jo ?
Pse jo, nëse e dëshiron …
Falëminderit doktor, shumë falëminderit ; gjeta rast përsëri të të shpreh mirënjohjen time për gjithçka ke bërë për mua. E di, që gruaja ime e shtrenjtë, s’para do të jetë me një mendje më mua, përsa i përket marrjes së plumbit në shtëpi ; besëtyte e palëkundur, siç është, do të trembet prej tij,duke ia rikujtuar ditën e mynxyrës të atentatit ndaj nesh dhe, më tej do të thotë se, ai plumb sjell ters, duke e adresuar si me magji vdekjen drejt shtëpisë sonë…
Por unë do ta marr plumbin. Që të jem gjer në fund i sinqertë, doktor, tashmë edhe miku im, po të deklaroj se edhe mua më lypset forcë karakteri që t’i bëj zap shpërthimet primitive, siç po dua t’i quaj ngasjet që më vlojnë përbrenda për vetëgjyqësi.Organet e drejtësisë i ledhatojnë kriminelët, prandaj shpesh të zhgënjyerit prej saj thërrasin : i lumtë dora atij që i mbylli llogaritë me vetëgjyqësi…
Të hidhemi drejtpërdrejt te rasti im: ku është ai ndyrësira që derdhi plumbat kah familja ime ? Disa prej atyre komitetsave i njoh me emër e mbiemër, sepse ata guxuan aqsa të dilnin dhe të jepnin, ashtu të krekosur, si kapedanët e qëmotshëm edhe intervista në televizion.Po sikur kanë nisur të vriten mes veti, në përpjekje për të kapur poste drejtues…

Mjerim i madh, por le të shpresojmë…
E pra, ai nuk do të çalonte
Do të ecte përsëri drejt…
Po po ; një ditë tek po vërtiste mes gishtave si mes tentakulave atë plumbin e zi, pa vetëdije provoi të shkruante me të.
Ah, por maja e tij e grisi letrën…