Çamëri Çamëri
Çarë ndarë e vranë
Mizorisht
Vajkëndove n’histori !
Zjarret tragjikë si të Trojës,
Trojet e lashtë, Çamëri,
Si çdo herë mes luftërash,
T’i dogjën përsëri…
Ishte i errët qielli
Atë ditë,
Çamëri
Vajmëri,
Tërë rrudha resh ishte
Dhe, i menduar,
Si balli monumental i Hasan Tahsinit,
Teksa ullinjtë paqësorë,
Mbetur pas
Askush s’i vuri re që ishin thinjur…
Vajmëri
Çamëri
Në sfond të zjarreve
Bijtë e tu refugjatë
Martirë klasikë të lirisë,
U nisën në kalvar,
Shkulur nga dheu
Siç shkulet nga krahërori
Dhe zemra , bam !
Një bohçe plaçkash me vete
Gjithë frymë të fshehtë vendlindjeje…
Dhe, ca fotografi vogëlushësh
Rropatur tashmë gjallëvdekur
Rrëpirave ,
Mbi gjinjtë e shterur të nënave.
Ah, s’janë kurrgjë krojet e mehur,
Para atyre gjinjve !
Pastaj ca foto të tjera
Burrash dhe grash të paepura
Si lulet e malit.
Poza në ditët e ndritshme të dasmave
Dhe, festave pagane,
Përzier e përzier me krodhe buke
Që pikëllimi t’i ngec
Në fyt si gjemb…
Oh, bohçja e lehtë pupël,
Bohçja e rëndë plumb, oh,
Mbyllur e lidhur
Gjithë nyja dhembjesh
Nga dora që mblodhi ç’mundi
Mes zjarresh e lebetish
Vajmëri
Çamëri…
Këto bohçe, kur t’i zgjidhnin
E të nxirrnin
Fotografitë e Çamërisë,
Me të mbërritur në strehëzën e re,
Në krahun tjetër të Shqipërisë,
Ah, si do t’i digjte
Prushi i mallit…
Vargani i gjatë
Me refugjatë
Ndahej e ngjitej
Shpat më shpat e monopat,
Zgrip më zgrip greminash,
Gravurë e ashpër bardh e zi
Herë si pikëçuditëse,
Me lotin këputur përfund,
Herë si pikëpyetje,
Harkuar si dyshimi…
Por çamët, mbi gjithçka
Kishin me vete
Shpirtin tënd të paprekshëm,
Çamëri,
Si një koracë që s’thyhet
E s’humb
Kurrsesi !
Shpirtin tënd,
Çamëri,
Që ngërthen frymëzim sublim,
E mbron përjetësisht
Dialektin tënd të gjerë,
Rrënjëthellë,
Pa le të thonë e stërthonë
Gjuhëtarët sharlatanë
Se, qenkësh fosilizuar…
Shpirtin tënd
Shpirtin tënd
Që ta mban syrin
Përgjithmonë të kthjellët,
Dhe ritmin e valleve të kënduara,
Bashkë me veshjet e bijave…
Sa keq llogaritë
I bënë çdo herë
Armiqtë e tu
Moj Çamëri,
Moj Vajmëri !
Ishte i rëndë qielli,
Çamëri,
Aqsa të kërruste shpinën.
Por n’agun e ditës së re,
Bashkë me diellin
Lindi një fëmijë!
Klithma e tij
Gjer te trojet jehoi
Dhe ,fashiti zjarret,
Çamëri
Çamëri…