Konstandin Dhamo: QOFTEXHINJTË E PRESIDENTIT R.A

As sytë nuk i hidhja më nga Lidhja e Shkrimtarëve, kur më qëllonte të kaloja andej. Dhe, mendo! një herë e një kohë shkoja atje pothuaj çdo ditë. Por që kur ma hoqën të drejtën e botimit, m’u neverit dhe fillova ta urrej me të gjithë ata që mbante brenda. Ngrehina e saj me katin e parë të lartë dhe me dritare të harkuara, nganjëherë më ngjante si një kishë pa kambanore, dhe, nganjëherë si një xhami pa minare. Dhe, aso kohe, edhe kishat edhe xhamitë që kishin pasur fatin që të mos rrafshoheshin nga themelet, por të trasformoheshin në depo armësh apo pesticidesh, ashtu ishin, pa kambanore dhe pa minare…
Por, më Nëntëdhjetën e përmbysjeve të mëdha, kur ne me njollë në biografi na thirrën papritur për të krijuar “Lidhjen e Shkrimtarëve Antikomunistë”, kryetari i atëhershëm i Lidhjes veterane, së cilës, pas përcaktimit të së resë si “antikomuniste”, i binte të damkosej haptazi,më së fundmi,si lidhja e shkrimtarëve komunistë fanatikë,deklaroi publikisht me arrogancë se,nuk pyeste për asnjë lloj lidhjeje tjetër, sepse çdonjëra prej tyre, (në rast se do të krijoheshin disa syresh …) nuk kishte për të qenë veçse një shpifurinë dhe,për pasojë,ata shkrimtarë,që do të anëtarësoheshin në to,shumë shpejt do të pendoheshin dhe do të kërkonin përsëri të ktheheshin te Lidhja mëmë…
Kështu deklaroi me mendjemadhësi dhe shpërfillshëm kryetari i atëhershëm i Lidhjes,paçka që më pas rrëmbeu teserën e Partisë Demokratike,pa i ardhur pikë zori dhe,pa shprehur kurrfarë vrasje ndërgjegjeje për dredhinë e pamoralshme prej renegati, përkundrazi, i akuzoi krerët e rinj të partive të majta të saposhpallura,si të paaftë për t’u rreshtuar në perspektivën historike të mbarë popujve europianolindorë,vetëm e vetëm ngaqë ata nuk e qasën më dhe,nuk i ofruan ndonjë post,edhe pse ishin të njëjtët e kameratizmit ideologjik të komunizmit . Po ku mbahej më spiuni me atë pseudonimin veçanërisht komik Shishja e Qumështit,i cili bëri karrierë të rrufeshme në Lidhje,me të zbritur nga provinca ! Ai, përsëri nuk priti të squllej nga sentimentalizmi anakronik, por u vetëshpall rrugaçërisht disident,pastaj,i persekutuar dhe, patjetër edhe demokrat i madh…
Po përse të mbetej prapa ai? A nuk rendën tërë shqiptarët për të futur sa më shpejt në xhep tesera partie dhe, të bënin deklarata krejt të papërgjegjshme dhe kontradiktore ?
Megjithatë, për hir të së vërtetës duhet pohuar sa më shpejt se,edhe ne nuk e krijuam Lidhjen Antikomuniste vetë, por e gjetëm si të thuash të gatshme, me status të miratuar që më parë dhe, me kryetar të vendosur gjithashtu,që më parë në kolltuk. Ne,veçse treguam vullnet të mirë për të pranuar atë çka na u paraqit dhe na u ofrua. Filloi të botohej menjëherë organi i saj letrar, një gazetë me tetë faqe gjithsej, me format të madh,sa edhe ai i “Zërit të Popullit” dhe dilte çdo të diel, ashtu si edhe gazeta e Lidhjes veterane. Me ne pranuan të bashkëpunonin kryesisht të rinjtë letrarë, që sapo kishin filluar të shkruanin, ata që sapo u çliruan nga burgu dhe internimi, ata që ishin fyer, apo ishin refuzuar sistematikisht, duke u quajtur si të paaftë dhe të padenjë gjer atëherë për t’u marrë me letërsi…
Të tjerët,ata që ishin afirmuar dhe kishin bërë emër gjatë viteve të komunizmit, shmangeshin,ndonëse kur i hasnim në rrugë,na uronin dhe na përgëzonin për guximin dhe iniciativën, që kishim treguar, duke na premtuar se do të vinin edhe vetë një ditë në redaksi,por pastaj bishtronin dhelpërisht dhe na përgojonin prapa krahëve. Luanin me dy porta dhe, nuk e kishin për gjë. Nëse do të forcoheshim ne,nëse do të fillonim të përkraheshim dhe të përshëndeteshim nga opinioni vendas dhe ai ndërkombëtar, nëse do të financoheshim nga qeveria dhe fondacionet e panumërt, që binin çdo ditë si re karkaleci,nëse do të fillonte vrullshëm botimi i letërsisë së re, ndërkohë që Lidhja komuniste mund të diskreditohej, të denoncohej, siç edhe besohej, apo ca më keq ende, të shpallej çerdhe e shkrimtarëve spiunë që i shërbyen dhe i kënduan diktaturës dhe sistemit të saj çnjerëzor, në qoftë se do të kërkohej, në fundt të fundit, që ajo të mbyllej fare, apo t’i hiqej e drejta protokollare, të mos zhvilloheshin më ceremonitë e përvjetorëve të festave kombëtare, apo datave të shënuara letrare, të mos bëheshin më homazhet për shkrimtarët dhe artistët, që mund të vdisnin ndërkohë, ata, shkrimtarët e përkëdhelur të diktaturës pra, që merrnin leje krijuese sa herë të donin, apo që kishin dalë në krijimtari të lirë përgjithmonë, që i shkollonin fëmijët e tyre në ç’degë të dëshironin, që shkonin jashtë shtetit dhe i shanin ato vende rëndë, kur ktheheshin, për padrejtësitë shoqërore, për varfërinë, dhunën policore dhe degjenerimin moral, e kishin hedhur në njëfarë mënyre një spirancë në lidhjen tonë. A nuk na kishin thënë mëse një herë, se do të dukeshin ndonjë ditë për kafe dhe, për të sjellë ndonjë shkrim? Madje, pa qenë aspak nevoja për t’u njohur me statusin tonë do të kërkonin (ku ta dish?!) edhe të anëtarësoheshin në lidhjen tonë? Po, po, kështu do të kishin dashur ata, por punët e rëndomta të përditshme, vetë rutina e poshtër i kishte penguar sa më s’ka…
Por ne ngelëm me të vegjëlit,ndërsa penat e mëdha s’u afruan e s’u afruan. Pati edhe ndonjë që u mëdysh, megjithatë,bëri s’i bëri dhe te ne nuk u duk. Por edhe ne, ama, nuk pyesnim fare. Mbizotëronte një shthurje e përgjithshme aq mikluese saqë, n’atë fillim ishte kënaqësi e madhe të bëje ç’të të shkrepte. Uf,uf ! çfarë dëshire kishim të provonim adrenalinën e shkeljes së ligjit…
Plasën gazetat erotike, pothuaj nja dhjetë të tilla dhe,ndonëse botoheshin për faqe të zezë,përplot gabime drejtshkrimorë dhe bojë fare të zbehtë,rrëmbeheshin ende pa u shtruar nëpër banakë. Nuk mbyllej javë pa dëgjuar një titull të ri gazete,ndonëse disa syresh dilnin veçse një numër. Ishte shumë në modë të nxirrje një gazetë,apo të formoje një parti politike, por në lajmet e mbrëmjes nuk përdorej më folja me lind,por folja me u formue ose me u krijue…
Pra, folja me lind i mbeti, siç dukej,Partisë Komuniste,sepse vetëm formimi i saj mund të krahasohej me lindjen e jetës dhe,me lindjen e madhërishme të diellit…
Apo stilistika dhe frazeologjia e thatë sloganore dhe false e periudhës së socializmit i kishin keqpërdorur dhe përdhosur aq shumë disa metafora dhe fjalë të veçanta,sa nuk donte njëri më t’i dëgjonte? Apo edhe ngaqë partitë nuk do të përfaqësonin më një tempull ideologjik, që duhej të adhurohej frikshëm? Ku ta dish ; ndoshta kishim shpëtuar një herë e mirë nga poemat dhe këngët për Partinë dhe Enverin…
Megjithatë çnuk u zhgropos e çnuk u zhbirua, çnuk u kthye kokëposhtë e çnuk u tha për së dyti krejt ndryshe nga ç’ishte thënë e besuar: Qemal Stafën e tradhtoi diktatori, Vojon, Sadikun, Xhoxhin, gjithashtu, gjithashtu masakra e Tivarit ndodhi ngaqë u morën vesh fshehtësisht Titua me Enverin, i cili s’paskësh qenë gjë tjetër, përveçse një pervers biseksual. Po letrat e dashurisë së grave të udhëheqësve komunistë? Lëri, aman! me kë paskan kurvëruar edhe ato, me udhëheqësit jugosllavë, me armiqtë më të urryer të popullit shqiptar…
Mjaft me kaq, këshillonin disa, sepse nuk duhet t’i nxirret fundi. Lërini rehat ato gra; tani ato, dashnoret e zjarrta komuniste janë plaka, janë nëna dhe gjyshe, madje edhe stërgjyshe, pale pastaj veterane të luftës, etj., etj…
Po kush dëgjonte dhe kush bindej! Sensacione,sensacione ! Skandale,çmendurira, çudira, llahtarira,vetë djalli me brirë…
Po tmerret e burgjeve ; torturat, uria, sëmundjet,vdekjet,varrimzhvarrimet? Po dramat e internimeve, veçimi, poshtërimi, rikthimi në origjinë të egër, harrimi? Ah, ah! Dhe, njerëzit përkuleshin etshëm mbi titujt e mëdhenj të gazetave,si ata që bien mbi një burim për të pirë,ah, ah…
Pas gazetave,iniciativën e morën menjëherë kinematë. Nga përgjumja e plotë dhe braktisja, nga rrënimi dhe injorimi, ato filluan të mbushen përsëri dëng, teksa biletat për seancat e shtuara shiteshin me të shtrenjtë në trotuar, si në vitet e arta shtatëdhjetë. Po ç’bëhej, ç’u përmbys? Shfaqeshin filma pornografikë dhe,në afishet e tyre lart e poshtë nëpër qytet,shihje veçse ca aktore mizerabël,që pozonin bythën më me sukses sesa portretin…
Dhe, ne i pasqyronim të gjitha këto novitete në gazetën tonë : kinema, sport,art, politikë…
Po pastaj? Pastaj u dyndën lypësit. Ata zhgërryheshin, më në fund, ku të donin, madje edhe në sfond të një parulle socialiste ende të pafshirë si, fjala vjen: “bar hamë dhe parimet s’i shkelim”, por, megjithatë gabuan, kur menduan të lypnin në hyrjet e kishave, apo xhamive, sepse aty fitohej më pak sesa kur përbytheshe rrugëve. E si të mos fitohej më pak? Njerëzit që shkonin të faleshin në kishë, apo xhami, i hidhnin paratë për Zotin dhe, jo për ata farë lypësish të padenjë…
Nën hijen e Sahatit monumental dhe emblemor të Tiranës,u shfaqën me karrocat dhe furnelat e tyre të vajgurit si ato të shtëpive,Qoftexhinjtë e Presidentit, të parët shitësa privatë në Shqipërinë postkomuniste. U quajtën qoftexhinjtë e presidentit për faktin se,lejen për të ushtruar veprimtarinë e tyre, ua dha vetë presidenti i republikës me një dekret të posaçëm.
Karrocat e rreshtuara prej teneqeje,që nxirrnin tym tërë kohës,si të tërbuara,herë dukeshin si një barrikadë e pakapërcyeshme, herë si një formacion luftarak mjetesh të blinduara. E kishte marrë seriozisht privatizimi…
Njerëzit e babëzitur,që i ngacmonte era, blinin e blinin qofte të pjekura në skarë dhe i hanin gjithë shije,edhe pse shitësit e shkathët,shumica ish oficerë të mbetur pa punë,ua lëshonin në dorë të mbështjella me fletët e veprave të Enverit,që i grisnin me forcë. O, Zot! si vijnë punët ! Veçse disa muaj më parë,veprat e kuqe të diktatorit,të cilat kishin zëvendësuar Biblën dhe Kuranin,ishin krenaria absolute e bibliotekave të shqiptarëve…
Ne të antikomunistes,që më së shumti botonim vetë në gazetën tonë,asnjë herë nuk menduam të pyesnim se,kush i jepte paratë një për një për botimin e saj,kush i jepte për qiranë e dy dhomave në katin e parë të Pallatit të Kulturës,të cilat shërbenin njera si redaksi e gazetës,ku priteshin bashkëpunëtorët dhe tjetra si zyra e kryesisë,kush i jepte paratë për rrogën e majme të kryetarit,apo edhe të sekretares së tij,një histerikeje të përbindshme që ankohej tërë ditën. Ishim shumë entuziastë dhe falnim për çdo gjë,sidomos unë që,si pa kuptuar nisa të botoj përsëri…
Gjithë populli shqiptar filloi të pajisej me pasaporta për jashtë shtetit,teksa kambistët ambulantë të valutave të huaja se nga mbinë një mëngjes me qindra dhe, mbushën sheshin dhe oborrin përpara ndërtesës së Partisë Socialiste, pikërisht përpara atij institucioni politik, që kur quhej Partia e Punës, nuk do të guxoje t’i kaloje anash, qoftë edhe po ta kishe kokën me flokë paksa të gjatë, apo edhe po të ishe veshur, gjithsesi, bukur…
Por, mesa duket, kur të merren mendtë nga rrokullisje të tilla,duhet të kujtosh atë thënien e librave të shenjtë : ekstremet,nga ekstremet e kahes së kundërt zëvendësohen…
Mbi dritaret e selisë së partisë së majtë përplaseshin thirrjet dollar dollar, marka marka, franga franga dhe, kambistët sorollateshin me një çantë në sup, të enjtur nga paratë, me një makinë llogaritëse në njërën dorë dhe me një tufë valutë në dorën tjetër, të cilën ta shfletonin surratit si të ishin fletët e një libri të vyer, apo më saktë ende, që ta krihnin mu në hundë, si të ishin karta bixhozi dhe, ti duhej të gjeje shkathtësisht se ku ishte fshehur asi…
I pasqyronim pra, ne në gazetën tonë të gjitha këto fenomene shqiptare, por ajo nuk ecte. S’e blinte, që s’e blinte njeri. I mungon enzima, tha një mëngjes njëri nga bashkëpunëtorët tanë, më kuptoni? ka nevojë të tharmëtohet, ashtu si edhe brumi i bukës, apo i petullave, ë? ashtu si qumështi, kur zihet kos, ashtu si shumë e shumë gjëra të tjera të shijshme. Në rastin tonë, tharmi i gazetës do të ishte, fjala vjen, emri i një shkrimtari të vjetër, të njohur dhe të pranuar tashmë. Si? Jo, jo s’e kam fare fjalën për ndonjë poetuc, të emëruar si të tillë nga Partia; e kam fjalën për ndonjë autor serioz, që pavarësisht nga propaganda që i është bërë veprës së tij në tërësi,ka gjithsesi vlera. Por unë shoh edhe një arsye tjetër; vazhdoi i pikëlluar bashkëpunëtori, gazeta jonë nuk duhej të përplasej në të njëjtën ditë me atë tjetrën. Për shembull, ne mund ta nxjerrim gazetën tonë për shitje të hënën ; të hënave nuk ka ende gazeta…
Gazeta e Lidhjes plakë përpihej çdo të diel. E kishin marrë kthesën e fortë edhe redaktorët e saj. Përkthenin letërsi erotike nga autorë të njohur botërorë dhe, mbushnin faqet tej e tej. Ne nuk botonim dot të tilla gjëra, sepse organi ynë kishte karakter problemor dhe,njëherësh duhet të denonconte edhe kriminelët, që përpiqeshin me të gjitha mënyrat për t’u rehabilituar …
Por një mbrëmje, krejt papritur, shoh në televizor ca nismëtarë që shpallën “Lidhjen e Shkrimtarëve të Tiranës”. Bobo! ç’bëhet, shfryva. Në krye të nismëtarëve qëndronte një miku im i vjetër i cili, sapo i afruan mikrofonin, për t’u shprehur, përmendi disa nga emrat e atyre shkrimtarëve që ishin afruar të parët dhe, kësisoj kishin firmosur edhe të parët listën emërore të anëtarësimit, sigurisht të lënë hapur edhe për pjesëtarë të tjerë.
Ndër ata që përmendi që në fillim ai, ishte edhe emri im. Shih, shih! brofa më këmbë i indinjuar, është, apo s’është në vete ky sharlatan? Kush e autorizoi vallë të vendosë emrin tim në atë mut liste? Sikur nuk e di ai që unë bëj pjesë në një lidhje! E mora menjëherë në telefon, po kujt t’i flisje? Unë prita që ti të më uroje dhe, njëherësh të më falënderoje, m’u kthye miku im i vjetër, sapo e shava për mungesë serioziteti dhe, ndershmërie. Po tregohesh budalla i madh, duke i dhënë rëndësi një gjëje kaq argëtuese, m’u kthye ai; e kush pjerdh për ato emra që kam rreshtuar unë në atë listë? Mua, më nevojitej një numër i caktuar anëtarësh, më duhej ai numër që ma vunë si kusht fillestar për të më ndihmuar me një dorë të mirë parash dhe, unë atë bëra. Kurse ti po më çan trapin dhe po më kërkon llogari. Ç’kujton ti? se ajo lidhja juaj është më legjitime se kjo e jona? Kalo, kalo nesër nga “ORTEKU” aty rreth orës dhjetë, që të na japësh një birrë, dakord?
T’i lëmë më shumë hapësirë krijimeve të mirëfillta letrare, propozoi një të hënë kryetari ynë, që ishte njëkohësisht edhe kryeredaktor, të militojmë me poezi, me tregime, apo edhe fragmente romanesh. Shkrimet për komplotet në naftë, apo ushtri, vrasja, apo vetëvrasja e Mehmet Shehut, dezertoi, apo nuk dezertoi shkrimtari ynë i madh SK, duke ikur nga Shqipëria, e të tjera si këto, nuk pijnë më ujë. Çudi! shumë shpejt u mvel ky popull. Me ç’më kanë thënë, edhe gazetat, dhe revistat pornografike nuk ecin më. Ne s’e kemi fjalën te fitimi; jo! Paratë për të botuar gazetën dhe për të dhënë honorarë, i kemi të siguruara, por, duke mos u shitur ajo e uruar, nuk bëjmë detyrën, nuk kryejmë premtimin e dhënë…
Filluan të na sulmojnë. E kë? ne të antikomunistes! Ishte e pamundur t’i përballoje qortimet e njerëzve, që takoje në rrugë. Ç’bëni more qorra! Kë vajtët e vutë kryetar një spiun, një të pamoralshëm, një të dështuar, që tani kërkon të hakmerret; e kuptoni? Një gardist të kuq, që veshi uniformën operative, ju e mbani mend, vuri shirit në mëngë dhe hyri redaksi më redaksi, fakultet më fakultet! I griu të gjithë, duke fishkëllyer si gjarpri “gjak gjak gjak! Kush ka shkelur parimet e shenjta të Partisë, do t’i pritet koka, frap!”…
Si more e shpalli ai veten antikomunist! Si ua mori mendtë atyre të Europës,apo të Amerikës! Kush e zbuloi? Si i quajti armiq,ata që i kishte miq? Ah, por turp sot u vjen vetëm leshkove,por dale, dale…
Ose: po ju,o të humbur, si i besuat djajve me brirë? Ah,po na erdhi mirë,që djajtë u shfaqën një ditë si engjëj, përgjigjeshim gjithë sinqeritet ne,na erdhi mirë dhe ndjemë ngrohtësi. Na pëlqyen më shumë se vetë engjëjt e pandryshueshëm…
Dhe gazeta jonë nuk doli më një të diel dhe Lidhja Antikomuniste u shpërbë. Askush nuk protestoi dhe, askush nuk tha një fjalë. Shurdhëri e plotë, a thua se ajo lidhje dhe ajo gazetë nuk kishin ekzistuar kurrë. Kisha menduar se situata të tilla sajoheshin veçse nëpër libra, por, me ta përjetuar vetë, fillova të shqetësohem, të mendohem dhe të bëj analizë. Po kujt t’i kërkoje llogari, kujt t’i ankoheshe? Do të dukeshe i metë kudo që të trokisje.
Edhe ish kryetari ynë,sikur të mos kishte ndodhur absolutisht gjë, filloi të shkonte çdo mëngjes te “Kafe Pranvera”, që ndodhej përballë dritares së ish-zyrës së tij; hapte një re të tërë letrash të bardha mbi tryezë, dhe, fillonte të shkruante, teksa pinte nga pak raki dhe zgërlaqte me dhëmbët e rrënuar qoftet e skarës, qoftet aq pikante dhe të përmbytura me piper: … Ah! si jeni? Mirë, fare mirë lavdi Zotit! Po fëmijët? ah i keni në Amerikë bukur mrekulli! Ç’të bësh, na merr malli herë-herë, por qoftë i lëvduar Zoti që më në fund ata të mjerë që u quajtën aq gjatë elementë negativë, tashmë quhen elementë pozitivë, kuptohemi për kë flasim për të burgosurit, të internuarit disidentët vizionarët posi posi shpëtuam edhe ne si e gjithë bota e qytetëruar nga shoqëria ideologjike posi posi, ja, kjo është kafene e hapur nga ca komunistë të paepur, por unë nuk pyes dhe ulem posi…
Ra edhe Lidhja veterane! U dorëzua. Një mëngjes, drejtuesit kryesorë të saj u larguan të gjithë njëherësh pa u ndjerë…
Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare i fitoi e djathta dhe menjëherë u zhdukën një palë shqiptarësh dhe, po menjëherë u shfaqën një palë tjetër. Edhe në një skenë teatrore nuk do të kishte ndodhur më shpejt ndërrimi i aktorëve sipas roleve. Megjithatë, kjo ishte përshtypja e parë, sepse më pas u mor vesh haptazi që e tëra kishte qenë veçse një farsë e radhës, ashtu si të gjitha farsat e tjera historike shqiptare…
Por unë përsëri nuk shkoja në Lidhje,ndonëse e kisha mëse të qartë që vërtet kishte fundërruar. E ç’të bëja? Ja, të përpiqesha të botoja në gazetën e saj,që dilte ende dhe asgjë tjetër. Sepse ajo gazetë ishte obsesioni im ; aty nuk më linin të botoja,kur ma hoqën atë të drejtë në fillimvitet shtatëdhjetë. Ah,dhe të shihja sesi kishin ndryshuar marrëdhëniet,kuadrot,raportet. E kush do të guxonte të më hakërrehej: hej,për ku je drejtuar ti,shok …
Kështu,kështu,e megjithatë nuk më shkohej. S’më kishte ikur ende inati dhe shija e helmët që më kishte lënë heqja e të drejtës së botimit,vetëm pak muaj pasi doli në qarkullim vellimi im i parë me poezi,i cili u prit shumë mirë në fillim,e që më pas iu vërsulën dhe e kritikuan për gabimet e rënda ideologjikë,që ngërthente nëpër faqet e tij,ku nuk përmendej një herë të vetme emri Enver dhe fjala Parti.
Nja dy prej këtyre kodoshëve të zbritur nga fshati,,nisën stazhin e kandidatit të Partisë, fill pas artikujve të ashpër që shkruan kundër disa talenteve të rinj,teksa unë, me një pjesë të shokëve të mi, (të deklasuar …)dola në gjyq si njeri nga anëtarët e grupit Pena e Lirë,të paregjistruar gjëkundi zyrtarisht ; por ç’i do llafet…
Por do të botoj,madje shumë shpesh dhe,do të imponohem! Nuk do të mbaj kapicë në shtëpi as edhe një shkrim…
Kështu vendosa dhe e dija që ma kishin frikën (ç’bën ti,more? me se po merresh ; ti e fillove aq mirë…).
Një mëngjes përmallues vjeshte u nisa vërtet për të shkuar në Lidhje. Pas kaq e kaq kohësh! Do të përshkoja sërish një rrugë, që e kisha bërë ndoshta mbi njëqind herë, shtëpi-Lidhje, Lidhje-shtëpi, por këtë herë,pale ç’do të gjeja…
N’oborr,sigurisht që nuk kishte më nga ata shkrimtarët,që të dukeshin si punonjës të policisë së fshehtë, me ata kostumet demodè dhe të njëllojtë, me kapën proletare në kokë si ajo e Leninit, apo edhe kokëzbuluar, me flokë të shprishur dhe gjithë thinja alla marksiste. Ata nuk biseduan kurrë sinqerisht me njëri-tjetrin; njëri-tjetrit ata veçse ia mbushën dosjet politike.
Por pengu im,siç e thashë,ishte gazeta e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve,ajo gazetë tek e cila botova që në fillim,kur isha fare i ri. Tani atë gazetë e nxirrte një njeri i vetëm. Ai ishte kryeredaktor,ai redaktor i poezisë,ai i tregimit,i përkthimeve, i publicistikës ; ai ishte kompjuterist,faqosës,shpërndarës dhe,mbledhës i parave të mjera,pa të cilat,sidoqoftë, mbetej pa të ardhura, pra pa rrogë. Kishin fluturuar një herë e mirë organikat e komunizmit…
Po ku ishte ai? Do ta kërkoja…
N’oborrin e Lidhjes tashmë ishin hapur dy kafene,njëra quhej “Kafe Lidhja” dhe, tjetra “Kafe Roundezvous”. Aha! Voulez vous un roudez vous? On y va!…
Nëpër tryezat e panumërta të të dy kafeneve dallova disa shkrimtarë, që i njihja, por nuk ndala tek asnjëra. S’di pse nuk më pëlqeu!
Ngjita shkallët e jashtme të Lidhjes,që me atë ngjyrën e verdheme të fasadës dhe vishnjën e kontureve më kujtoi një butafori komedie dhe, sapo hyra në korridor, u përplasa me errësirën dhe erën prerëse të shurrës. O, Zot ç’bëhet! A mund të hakmerresh ndaj asaj që ka vdekur? A mund t’i gëzohesh fitores,kur nuk i gjen të mundurit ? Fillova të trokas dhe të hap dyert nëpër kate, por në dy zyra, ata që ishin ulur mbi tryeza dhe po luanin nxehtësisht poker m’u kthyen e më panë gjithë inat. Zbrita përsëri dhe u mërzita që nuk kisha më emocion si dikur. Sytë, ndërkohë, më ishin mësuar me gjysmerrësirën dhe në katin e parë më tërhoqi vëmendjen dera e hapur tej e tej e sallës së mbledhjeve dhe ceremonive. Hyra brenda dhe, tek rëndoja mbi parketin e kalbur,më dukej sikur nga çasti në çast, do të shembej. Muret e lartë tërë njolla lagështie dhe vetulla të trasha pluhuri më kujtuan “përmbytjet” e Monesë. Por, ç’përmbytje të Monesë! Ato s’ishin veçse një përmbytje e një qelbësirllëku të padurueshëm!
Gjithmonë i mësuar me gjysmerrësirën, dallova në fundin e sallës bustin e Naimit. Hoqa sytë shpejt, sepse isha i bindur që nuk do t’ia përballoja dot vështrimin poetit të madh të kombit. Por të paktën nuk e paskan vjedhur, e ngushëllova veten, tek u ktheva për të dalë nga salla, të paktën s’qenka kujtuar njeri ta rrëmbejë e ta shesë gjëkundi bronzin e bustit për skrap,siç tentuan të bënin me bustin e Naum Veqilharxhit,Babait të Abetares së Gjuhës Shqipe! O, Zot i lëvduar! në këtë shkrehje e në këtë katrahurë, çfarë s’mund të ndodhë…
Mbajta frymën për t’i shpëtuar duhmës së shurrës,por mu te shkallët u gjenda ballë për ballë me sekretaren eternale të kryetarëve të Lidhjes.
– O,ç’kemi motër,si je? Gjithmonë e afrueshme dhe dashamirëse…
– Lëre,mos pyet. Po ti ç’bën, këtu ke qenë?
– Pothuajse këtu. Po ti,s’paske lëvizur nga Lidhja, hë?
– Deri tani jo,por thuaj,do Zoti e s’i bie ndër mend ndokujt atje Lart të na e presi fondin e pagave,të presi telefonat,energjinë elektrike dhe çdo gjë tjetër.
– Të jesh e sigurt që nuk do t’i bjerë kujt ndër mend.
– Të paktën sa të dal unë në pension!
– Ashtu, ashtu do të ndodhë,po sa vetë keni mbetur tani? Nga të hershmit,e kam fjalën; më merr vesh?
– Unë dhe administratori. Edhe rrogë nga shteti,vetëm ne të dy marrim; kryetari paguhet si drejtor botues i gazetës. Si? I del më mirë,pa dyshim,përndryshe…
– Po ç’bëni,të lutem!
– Ha ha ha! Vijmë rregullisht çdo mëngjes,po, po; hapim portën, (e hap administratori, kuptohet) hapim pastaj edhe zyrën e kryetarit,që s’para duket,sepse nuk ka se ç’bën dhe me kë të merret tani që s’i mbaron dot më njeriu punë ngaqë s’ka më gjë në dorë,flasim e stërflasim në telefon me ata të familjes dhe miqtë,më vijnë herë pas here edhe shoqet e mia në zyrë dhe pimë nga një kafe aty,e pijmë si qëmoti allaturka dhe kthejmë filxhanët ; dal më vonë dhe blej ç’më duhet,hidhem një vrap edhe në shtëpi dhe bëj drekën,e kështu me radhë,ha ha ha!
– Pa shih,pa shih,ç’lloj azili! – qesha unë me gjithë shpirt,ndërkohë që po vija re sesi përpiqeshin të ndiznin një barbiky të madhe,që ndodhej në fund të oborrit të “Kafe Roundezvous”. Siç duket,pas pak do të fillonte pjekja e mishrave…
– Sot po pranojmë çdo gjë,që kundërshtuam gjer dje,por kjo logjikë dhe kjo etikë e re,nganjëherë më skandalizojnë.
– S’ke nga ia mban.Ndryshimeve përherë u vjen koha një ditë dhe,kësisoj duhet të prishet shumëçka me një të rënë,ashtu siç prishen urat,tunelet dhe pallatet që ndërtojnë kalamajtë me kube…
– E shoh unë,që kërkon të më kthesh dhembjen e kokës!
– Domethënë,nga gjashtëdhjetë e pesë punonjës që ka pasur dikur Lidhja,sot ka vetëm dy, hë?
– Dy atëherë kishte vetëm punonjëse biblioteke!
– Meqë ma kujtove,ç’bëhet tani me bibliotekën?
– E plaçkitën disa herë rresht dhe tani që flasim ne,kanë mbetur vetëm veprat e Enverit. Por edhe ato më duket se i ka kërkuar dikush; se ç’është një nga Maqedonia.I zhdukën edhe pikturat edhe qeramikat edhe abazhurët…
– Bobo! Po kjo zhurmë nga vjen? Mezi e dëgjojmë njëri-tjetrin.
– Vjen nga bodrumi poshtë këmbëve tona.E kanë rregulluar për mrekulli dhe e japin për dreka e darka dasmash,apo ditëlindjesh. Aman,sa zhurmë bëhet ! Sot se ç’është një drekë syneti…
– Syneti? O Zot! sa për të qeshur. Po kryetarin, kur do ta bëni ndonjë ditë synet?
– Ha ha ha! Kryetari duhet të jetë bërë ndërkohë.Sa ngrefoset i gjori kur na fanepset në Lidhje,ndonëse,siç të rrëfeva,veçse sa e simulon atë postin e tij.Eh, ç’donkishot!
– Po ç’donkishot ;Donkishoti ishte human,por dëgjo përse shkela këtu : kam një disketë me vete,me disa krijime të miat; dua të botoj në gazetën e Lidhjes,të kësaj që ka mbetur,pra. Dua të rifilloj. Këtu ma hoqën të drejtën e botimit, këtu do të ma kthejnë përsëri,këtë herë pa u firmosur ndonjë shkresë zyrtare.
– Shumë mirë, ja diku këtej rrotull e ke atë të gazetës, nëse kërkon ta takosh. Është djalë i mirë dhe të pret në çdo kohë.Le që ti duhet ta njohësh vetë.
– Po,po,me siguri. Ku rrinë zakonisht?
– Zakonisht? Ja, këtu mërzejnë të gjithë,nën hijen e rrapeve. Nga mëngjesi deri në orët që afrohet mesdita. Aty i kryejnë të gjitha punët. Një gotë raki përpara, një pjatancë me qofte skare dhe…
– Qofte skare? Aha,e mora vesh. U pa puna; këtu më keni edhe mua, çdo ditë. Do të filloj edhe unë nga qoftet e skarës…
1998